Banka e Shqipërisë: Çmimet e banesave u rritën me 14%

431
Sigal

Banka e Shqipërisë raporton një rritje të çmimeve të banesave me gati 14% gjatë gjysmës së dytë të vitit 2019. Indeksi i çmimit të banesave që llogaritet me frekuencë 6-mujore nga banka qendrore tregoi se, në veçanti për Tiranën, çmimet u rritën edhe më shumë se mesatarja, me pothuajse 15%. Ndërtuesit dhe agjentët e pasurive të paluajtshme kanë raportuar një rritje të shitjeve në pjesën më të madhe të vendit. Përjashtim bëjnë vetëm zonat qendrore të Tiranës, ku çmimet e larta duket se po i frenojnë shitjet. Agjentët raportojnë një rritje të çmimeve me 15% në qendër, ndërsa për zonat periferike rritja e çmimeve ka qenë e kufizuar. Por, shtrenjtimi më i madh raportohet për zonat rezidenciale jashtë qytetit, ku çmimet vlerësohen të jenë rritur me 25%. Kjo mund të reflektojë efektin e krijuar pas tërmetit të nëntorit 2019, që solli rritje të kërkesës për shtëpi të ulëta, veçanërisht jashtë Tiranës.

Deri në fund të vitit të kaluar, tregu është shfaqur në përmirësim dhe agjentët raportojnë ulje të numrit të pronave të pa shitura, qoftë tregtare apo rezidenciale. Madje për Tiranën, subjektet e intervistuara kanë raportuar një kohë mesatare shitjeje prej 9.2 muajsh ose 2 muaj më të shkurtër se ajo e raportuar në gjashtëmujorin e kaluar.

Sipas agjentëve, rreth 65% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. Kjo shifër shënon rritje në krahasim me vlerën prej 46% të raportuar në periudhën paraardhëse. Lehtësimi i kredisë bankare dhe normat e ulëta të interesit kanë qenë një nga faktorët kryesorë mbështetës të rimëkëmbjes së tregut të pronave në vitet e fundit. Në vrojtimin e fundit, agjentët kanë shprehur pritshmëri optimiste edhe për të ardhmen, por tashmë epidemia e COVID 19 i ka ndryshuar skenarët dhe ka rritur pasigurinë në të gjithë sektorët e ekonomisë.