Banka Botërore: Pandemia “rrënoi” bizneset shqiptare

319
Sigal

COVID-19 goditi rëndë financat e sipërmarrjeve  në Shqipëri gjatë 2020. Sipas një sondazhi të Bankës Botërore i realizuar me bizneset në vend rezulton se të gjitha sipërmarrjet pësuan një rënie të shitjeve me 52 % nëse e krahasojmë këtë me një vit më parë.

Po ashtu 71% e firmave në Shqipëri raportuan ulje të kërkesës për produktet që ato prodhonin e ndikuar kjo nga mbyllja e kufijve por edhe si rezultat i pasigurive  të bizneseve pothuajse në të gjithë botën .Nisur nga kjo situatë, sipas Bankës Botërore 28 % e bizneseve në Shqipëri u detyruan të ulin  numrin e punonjësve të përhershëm pavarësisht se shumë sipërmarrje vuajnë gjetjen e fuqisë punëtore të kualifikuar.

Për të mbështetur rimëkëmbjen e bizneseve dhe si rezultat të ekonomisë Banka botërore sugjeron që qeveria  të vijoj mbështetjen ndaj sipërmarrjeve nëse kriza e Covid vijon. Në raport theksohet se  është i domosdoshëm,  sigurimi i subvencioneve të mëtejshme të pagave edhe pse  do të jetë sfidues duke pasur parasysh hapësirën e kufizuar fiskale që ka buxheti i shtetit në vend.

Sipas Bankës Botërore ndihma qeveritare në Shqipëri ka qenë relativisht e ulët duke marrë parasysh nevojat. Nga sondazhi rezulton ndër të tjera se  një pjesë e firmave raportoi ulje të ndjeshme të  likuiditetit dhe disponueshmërisë së fluksit të parave.

Ndërsa 40% e firmave shqiptare parashikojnë rënie të borxheve në muajt e ardhshëm, 58% e firmave në Shqipëri theksojnë se vonuan pagesat për furnitorët e tyre. Mungesa e dixhitalizimit të bizneseve shqiptare  ka bërë që 77% e  subjekteve të kishin vështirësi reale për të realizuar aktivitetin e punës në distancë ose online, shkruan ABC News.

Sondazhi nënvizon ashpërsinë e ndikimit të pandemisë në firmat shqiptare një goditje e dytë kjo pas tërmetit të nëntorit. Edhe pse nuk ka ende një shifër zyrtare sipas shoqatave të biznesit për shkak të pandemisë në vend janë mbyllur rreth 40 mijë subjekte kryesisht të vogla e të mesme.