APP: Bizneset mund të zgjasin afatet e kontratave në rastet kur kanë nevoje për mallra e shërbime të vazhdueshme

610
Sigal

Agjencia e Prokurimit Publik ka tërhequr vëmendjen e bizneseve, pak para përfundimit të vitit, duke argumentuar se cilat janë rastet ku kontraktorit i lejohet që të zgjasë afatin e kontratës së fundit, në rast se kërkohet plotësimi i nevojave me mallra apo shërbime për vitin e ardhshëm. APP, në ushtrim të detyrave të saj sipas parashikimeve të nenit 13, pika 2/d të Ligjit Nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik” të ndryshuar, nisur nga pyetjet e shpeshta, me të cilat autoritetet kontraktore kanë kërkuar sqarim, mbi mundësinë e nënshkrimit të amendimit të kontratave ekzistuese që ato kanë për mallra/shërbime, me qëllim mbulimin e nevojave të fillim vitit 2019, me anë të këtij njoftimi, sqaron sa më poshtë vijon:

Referuar parashikimeve të nenit 76 të VKM Nr. 914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik” të ndryshuar, autoritetet kontraktore për plotësimin e nevojave me mallra dhe shërbime të vazhdueshme, në fillim të çdo viti, lejohen të zgjasin afatin e kontratës së fundit, të lidhur pas përfundimit të një procedurë konkurruese, nëpërmjet nënshkrimit të një kontrate shtesë me të njëjtin kontraktues, deri sa të kryhen procedurat e prokurimit. Në çdo rast, autoriteti kontraktor duhet të argumentojë në mënyrë të detajuar nevojën për zgjatjen e kontratës. “Pra, APP tërheq vëmendjen e të gjithë autoriteteve kontraktore, që nuk mund të lidhin amendime kontrate, vetëm në rastet kur janë ezauruar mundësitë e mëposhtme: Së pari, gjatë vitit 2018, autoritetet kontraktore janë udhëzuar të prokurojnë marrëveshje kuadër për objekte, mallra apo shërbime të vazhdueshme. Sqarojmë se, me përfundimin e vitit 2018, përfundon kontrata e lidhur për këtë vit, në bazë të marrëveshjes kuadër, por jo afati i marrëveshjes kuadër. Në këtë kuptim, autoritetet kontraktore për plotësimin e nevojave në fillim të vitit 2019, duhet të vijojnë me lidhjen e kontratave të reja, brenda afatit të marrëveshjes kuadër ekzistuese. Së dyti, bazuar në udhëzimet dhe rekomandimet e vazhdueshme të APP, edhe për ato raste kur nuk ka pasur marrëveshje kuadër por kontratë, e cila përfundon më 31.12.2018, autoriteti kontraktor duhet te kishte marre masat për shpalljen e procedurës prokuruese, ne baze te rekomandimit te dhënë nga APP Nr. 9941 Prot., date 08.11.2018.”- përfundon sqarimin APP. Në këtë rast, përpara se të vijohet me nënshkrirnin e amendamenteve, autoriteti kontraktor duhet të deklarojë fillimisht, amendimin e kontratës, duke krijuar në Sistemin e Prokurimit Elektronik, zërin përkatës në regjistrin e parashikimeve të prokurimit, si dhe duke deklaruar kushtet për përdorimin e tyre. Vetëm pas marrjes së miratimit nga APP, autoriteti kontraktor, mund të vijojë me nënshkrimin e amendamenteve përkatëse, sqaron APP.