Sigal

9 kompani ndërtimi janë gjobitur vitin e shkuar për mosrespektim të procedurave të parandalimit të pastrimit të parave.  SCAN ka zbardhur të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të parave, e cila bën me dije se gjobat për këto lloj shkeljesh shkojnë nga 300 mijë lekë, deri në 5 milionë lekë.  Ato nuk kanë zbatuar procedurat e përcaktuara me ligj që i detyrojnë të identifikojnë klientët, burimet e fondeve, analizimin e transaksioneve e deri te moszbatimi i detyrimit për raportimin e transaksioneve në para fizike. Në total, numri i kompanive të ndërtimit të gjobitura për këtë qëllim arrin në 39 për 5 vitet e fundit. Në këtë listë gjenden disa prej kompanive më të rëndësishme të ndërtimit në vend, mes të cilave edhe një resort turistik.  Një pjesë e këtyre kompanive i kanë kundërshtuar gjobat, duke paditur në Gjykatë Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave. Deri në fund të vitit të shkuar, rezultonin të paktën 6 padi nga kompani ndërtimi që kërkonin anulimin e gjobave. Gjithsesi, sektori i ndërtimit është një prej më të ekspozuarve kur vjen fjala te pastrimi i parave. Jo vetëm Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, por edhe Policia e Prokuroria janë shprehur se një pjesë e mirë e parave të ardhura nga krimi kanalizohen në tregun e pasurive të paluajtshme, ndërtimin e hoteleve e resorteve turistike.