3.7% e “agallarëve”, zotërojnë 4.1 miliardë euro ose 56% të shumës së të gjitha parave të shqiptarëve

358

Shifrat alarmante të Agjencisë së Depozitave, thellohet hendeku i pabarazisë. Në duar të kujt janë paratë e qytetarëve?

Rreth 3% e individëve zotërojnë më shumë se gjysmën e parave të shqiptarëve

97% e shqiptarëve kanë 3.2 miliardë euro, kundrejt 4.1 miliardëve të “minorancës

Pabarazia ekonomike ka qenë prej kohësh një nga problemet kryesore në vendin tonë, problem që ka ndikuar drejtpërdrejt në jetesën e qytetarëve dhe në zhvillimin social e ekonomik në Shqipëri. Qeveria është shprehur disa herë për rritjen ekonomike në vend dhe për përmirësimin e financave të familjeve, por realisht duket se më shumë para në xhep kanë futur vetëm një grup i vogël individësh të cilët së bashku kanë më shumë se gjysmën e parave të shqiptarëve. Po ti referohemi vitit 2013, vit në të cilin u bë rokada në qeverisje, pabarazia e shifrave ishte e tillë që vetëm 5% e shqiptarëve kishin po aq para sa e gjithë pjesa tjetër prej 95%. Mirëpo sot rezultojnë shifra edhe më alarmante, sepse hendeku është thelluar më tej. Pra Qeveria aktuale në vend që të zhvillonte një politikë që do të përmirësonte këtë trend negativ duke ulur pabarazinë mes qytetarëve duket se e ka thelluar atë. Në fakt, Sipas raportit vjetor të agjencisë të depozitave rezulton se 3.7% e shqiptarëve zotërojnë së bashku rreth 4.1 miliardë euro depozita bankare. Pjesa tjetër prej 97% e individëve, e marrë së bashku, zotëron rreth 3.2 miliardë euro. Po sipas të njëjtit raport theksohet se vlera prej 4.1 miliardë eurosh ndahet vetëm mes afro 90 mijë personave që janë kryesisht njerëz me paga dhe të ardhura të larta. Në total depozitat e sigurueshme të individëve në banka ishin 922 miliardë lekë në fundin e vitit të kaluar. Nga totali i depozituesve, 911,153 depozitues janë inaktivë, pasi kanë në banka midis 0 deri në 100 lekë. 1,414,440 depozitues, kanë depozita deri në 2.5 milionë lekë, pra deri në nivelin e mbulimit dhe përfitojnë mbulim të plotë nga skema e sigurimit të depozitave. Ndërsa depozituesit individë me depozita më të mëdha se 2.5 milionë lekë në fund të dhjetorit 2018, janë 90,845 apo 3.7% e totalit të depozituesve në vend dhe shuma e depozitave të tyre arriti vlerën 516.2 mld lekë, ose rreth 56% e totalit të depozitave të sigurueshme.

Depozitat e qytetarëve në 2018-n

Sipas ASD, përgjatë vitit 2018 depozitat e sistemit bankar kanë pësuar një rritje të lehtë prej 0.5%. Në fund të dhjetorit 2018, totali i depozitave në sistemin bankar arriti 1,121 miliardë lekë, krahasuar me 1,115 miliardë lekë që ishte një vit më parë, prej të cilave Agjencia ka detyrimin për kompensim prej 667.2 miliardë lekë, apo 1,603,317 depozitues. Vlera e depozitave të sigurueshme në banka që përfitojnë nga skema e sigurimit të depozitave arriti 1079 miliard lekë, çka përfaqëson 96.3% të totalit të depozitave. Depozitat e sigurueshme të individëve zënë peshën më të madhe të depozitave të sigurueshme, konkretisht rreth 85.5% të tyre, ndërkohë që 14.5% janë depozita të sigurueshme të tregtarëve dhe shoqërive tregtare. Detyrimi për kompensim i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave në shoqëritë e kursim-kreditit është 5.16 mld lekë, apo 14,192 depozitues. Fondet e sigurimit të depozitave në banka dhe në shoqëritë e kursim-kreditit janë rritur në mënyrë të qëndrueshme përgjatë vitit 2018. Konkretisht, vlera kontabël e fondit të sigurimit të depozitave në banka në fund të vitit 2018 është 38.9 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 3.89 miliardë lekë ose 11.11%. Kjo ka ardhur si pasojë e rritjes së të ardhurave nga primet e sigurimit, të cilat në vitin 2018 ishin 3.27 miliardë lekë me një rritje prej 2.02%, si dhe rritjes së të ardhurave nga administrimi i mjeteve financiare, në vlerën 999.44 milionë lekë ose 28% më shumë se në vitin 2017.