Policia i trajton dëshmitarët si kriminelë, prandaj njerëzit janë bërë indiferentë për të dhënë ndihmën e parë

492
Sigal

Flet kreu i shoqatës Antikorrupsion Ndue Pjetra: Fyerja e dëshmitarit në gjyq vjen nga arroganca e gjyqësorit, por edhe nga injoranca e disa policëve

Bëmat dhe sjellja brutale e gjertanishme e policisë me dëshmitarët që hyjnë nëpër rajone, apo me njerëzit që i japin ndihmën e shpejtë të aksidentuarve ka intimiduar qytetarët, duke i bërë ata indiferentë ndaj aksidenteve, të plagosurve, ose dhënies së ndihmës së parë. Dhe ky brutalitet i disa policëve ndaj dëshmitarëve ka ndikuar në rritjen e numrit të viktimave”. Në këtë mënyrë me një akuzë direkte i është drejtuar kreu i Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion, Ndue Pjetra uniformave blu, duke i akuzuar ata se mbajnë përgjegjësi për 70 për qind të aksidenteve që kanë përfunuduar me vdekje”.

Argmentet

Unë mendoj se 70% e rasteve të aksidenteve në Shqipëri, humbin jetën, për fajin e policisë, sepse të dëmtuarit nuk guxon t’i ndihmojë askush”. Kështu u shpreh dje Ndue Pjetra, i cili nënvizoi se “dëshmitarët e ngjarjeve, ose njerëzit që afrohen për ndihmë, policia i trajton njëlloj si kriminelë”. Në këtë kontekst ai u shpreh i vendosur për të ndryshuar ligjërisht trajtimi dhe mbrojtja e dëshmitarëve, por në radhë të parë respekti ndaj tyre, në mënyrë që jeta njerëzore të shpëtohet dhe shoqëria shqiptare të ecë në rrugën evropiane. Për këtë arsye ai nënvizoi se: “vetëm pardje ka pasur dy raste që njerëzit të cilët kanë ndihmuar të vrarin janë trajtuar si fajtorë në rajone”. Gjithashtu, sipas kreut të Avokatëve Antikorrupsion, vetëm gjatë ditëve të fundit ka pasur me dhjetëra raste, që dëshmitarët janë larguar nga vendet e ngjarjeve, apo nga vendet ku kanë ndodhur aksidente, sepse ata kanë frikë nga policia shqiptare që i trajton, nëpër rajone, njëlloj si të ishin kriminelë, apo fajtorë. Dhe kjo sipas Pjetrës, ndodh nga fakti se “organet e policisë apo drejtësisë shqiptare në të gjitha rastet shprehin një mungesë të theksuar respekti ndaj dëshmitarëve që ndihmojnë në zbardhjen e problemit që shqyrtohet”. Për të konkretizuar këtë ai tha se: “Kjo duhet parë që në momentin e parë kur dëshmitari thirret në gjyq. Ai jo vetëm që nuk respektohet por as nuk paguhet për ditën e gjyqit, ku vjen me ftesë të gjykatës, për të dëshmuar atë që ka parë”. Në këtë drejtim, kreu i Antikorrupsionit të avokatëve tha se, “dikuar çdo dëshmitar që thirrej në gjyq, respektohej dhe atij i paguhej dita e punës në masën 30 për qind, kurse sot nuk i japin asnjë lek”. Sipas tij, “njerëzit e drejtësisë e dinë mirë që askush nuk vjen me dëshirë për të humbur ditën e punës së tij, duke u bërë me fjalë edhe me pronarët privatë, për këtë mungesë. Por secili vjen që të ndihmojë zbardhjen e çështjes për të ndihmuar drejtësinë, në mënyrë që pika të vihet mbi “i” mbi çështjet që gjykohen? Por ndërkaq, sipas Pjetrës, qytetari prish punën e tij për të zbatuar urdhrin e organeve të gjyqësorit, duke qenë krejt i pambrojtur për deklaratën që do të bëjë atje. Dhe kjo duket jo vetëm nga arroganca me të cilën trajtohen dëshmitarët në gjyqe, por në radhë të parë edhe nga mospagesa e ditës së punës”. Ndërsa në polici, sipas tij, ka pasur edhe raste të rrahjeve, goditjeve apo fyerjeve ndaj dëshmitarëve të cilët kanë ardhur vullnetarisht për të ndihmuar uniformat blu, ose nga fakti se kanë qenë dëshmitarë në ngjarje.

Policia dhe dëshmitari

Secili nga ne e ka të qartë se si trajtohen dëshmitarët në komisariatet e policive tona”. Kështu e nis këtë pjesë të sqarimit të tij, Ndue Pjetra i cili tregon plot raste, kur dëshmitarët sapo kanë mbërritur në komisariat, janë goditur me grushte nga policët arrogantë, madje në shumë raste, kanë përfunduar me brinjë të thyera apo me hundë të përgjakur. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, pasi policët janë njohur me faktin se ai person është dëshmitar dhe jo,  fajtor, përsëri policët me arrogancë i janë drejtuar dëshmitarit me fjalët: Thuaj shyqyr që përfundove me kaq, se mund të të kisha prerë edhe kokën dhe ti s’ke as ku të ankohesh fare”. Kjo histori në thelb tragjike ka edhe pjesën groteske të saj, njëlloj si historitë e Shvejkut, që tregon se kur dikush e goditi më hekur në kokë, ai ra përmbys në tokë. Dhe kur goditësi e ktheu nga përpara për t’i parë fytyrën e kuptoi se kishte gabuar me personin, sepse me sa duket kërkonte dikë tjetër për ta goditur. Por megjithatë në vend që ti kërkonte falje për goditjen e parë, i futi edhe një hekur tjetër në kokë duke i thënë: Pse nuk je tij, ai që po kërkoj unë”. Duke folur me gjuhën e avokatit, Pjetra thotë se këto janë akte të dënueshme, ndërsa duke folur më gjuhën e qytetarit të Shqipërisë, ai mendon se emancipimi shoqëror duhet të nisë menjëherë nga respekti për dëshmitarin. “Eshtë turp për policinë e një vendi evropian që të mbyllë në birucë, apo të mbajë nga 48 orë në dhomat e policisë dëshmitarë të ndershëm, të cilët u japin ndihmën të aksidentuarve, apo të plagosurve”, vë në dukje ai. Sipas tij, nëse kjo gjendje do të vazhdojë gjatë, atëherë asnjeri prej shqiptarëve të plagosur nuk duhet të presë ndihmë nga opinioni publik, i cili është trembur për vdekje nga uniformat tona blu, të cilët herë për shkak të injorancës dhe herë për shkak të bajraktarizmit që reflektojnë, janë kthyer në përbindësha për njerëzit e pafajshëm, apo për dëshmitarët që duan të ndihmojnë në zbardhjen e ngjarjeve të ndryshme. Për këtë aspekt, Pjetra sjell në vëmendje disa nga rastet e konstatuara, të kohëve të fundit siç janë vrasja e djaloshit që punonte si fatorino në një mikrobus, Durrës-Tiranë,  pra, tragjedia e  fatorinos  17 vjeçar në Laprakë, ose rastin tjetër të vrasjes në autobusin e linjës Bankë- Uzina Traktori. Pjetra e komenton mendimin e tij me këto raste të cilat janë shkëputur nga qindra raste të tjerë për të vërtetuar se këtu, kur ndodh ndonjë grindje apo plagosje, askush nuk afrohet të ndihmojë njeriun që ndodhet në fatkeqësi.  Dhe në fund ai thotë: “Çdo qytetari i shkaktohet një dëm ekonomik dhe për këto sorollatje duhet të kërkohet dëmshpërblim nga qytetarët në çdo rast! Por në fakt qytetarët e thjeshtë nuk i dinë rrugët se si të mbrohen nga ky vandalizëm policor i cili po shkatërron gjënë më tradicionale të karakteristikës së popullit tonë që ka qenë solidariteti dhe ndihma në të gjitha rreziqet e jetës njerëzore. Më tej, kreu i avokatëve antikorrupsion shtron pyetjen: Deri kur do të vazhdojë kështu policia shqiptare duke hapur panik në popull dhe duke shpërndarë një leksion regresiv për ardhmërinë e shoqërisë sonë? Dhe përgjigja e tij është thuajse retorike: Kjo do të vazhdojë deri atëherë sa qeveritë shqiptare të binden njëherë e mirë se votën e kanë marrë për t’i shërbyer qytetarëve dhe jo për t’i dhunuar ata, në çdo rast, kur kalojnë pragun e rajoneve policore. Dhe në fund, ai u bën thirrje qytetarëve që të ngrenë zërin kundër kësaj epidemie të rëndë që ka prekur qelizat e shoqërisë, për të ndërtuar një shoqëri bashkëkohore dhe kurajoze. Ai vetë, së bashku me kolegët e vet, zotohet se do të mbrojë pa pagesë të gjithë njerëzit e dhunuar dhe të fyer nga uniformat blu, të vendit tonë. Në fund ai përmendi shprehjen e shkruar në Bibël se, “kush shpëton një jetë njeriu, ka shpëtuar një botë të tërë”. Kurse këtu, ata që kanë mundësi të shpëtojnë jetën e njerëzve të aksidentuar largohen me shpejtësi nga frika e ballafaqimit me policinë, ose rrinë indiferentë. Sepse policia shqiptare mund t’i ndëshkojë, ose t’i akuzojë si bashkëfajtorë në vrasje, aksidente, apo grabitje. Dhe kjo gjë përbën një devijim të dëmshëm në autostradën e një shoqërie që aspiron integrimin”, përfundon ai.