Av. Ndue Pjetra: Taksimi i dyfishtë për automjetet e vjetra, antiligjor dhe diskriminues ndaj qytetarëve

447
Sigal

Shoqata e avokatëve antikorrupsion shprehet se ligji është  diskriminues njësoj si kasat fiskale, po favorizohen bizneset e makinave

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj u prononcua për median se do të ketë rritje të taksës së makinave të vjetra. Ndryshe nga Ministria e  Financave e qeverisjes se djathte, e cila favorizoi kompanitë e shitjeve të kasave fiskale, ku një biznes u detyrua nga qeveria të blinte pranë klientelistëve një kasë fiskale mbi tregun e shitjes me vlerën mbi 300% e çmimit. Sipas Ministrit Ahmetaj kjo taksë mund të dyfishohet për vitin 2014, në përputhje me detyrimet e kësaj industrie në BE.

Të gjithë ne jemi të vetëdijshëm se, smogu dhe ndotja e mjedisit është e lartë, si rezultat i qarkullimit të kaq shumë automjeteve pjesa më e madhe e të cilave janë shumë të vjetra për nga viti i prodhimit. Askush nuk do të donte një ndotje kaq të lartë, që ndikon në shëndetin e gjithsecilit.
Gjithashtu thuhet se makinat e vjetra, duke qenë se janë të një vit prodhimi të hershëm, janë në pjesën më të madhe të tyre të amortizuara dhe mund të bëhen shkaktare të shumë aksidenteve. Por nga ana tjetër jemi të ndërgjegjshëm për të ardhurat mesatare mujore të një familjeje në Shqipëri.
Familjet me të ardhura të ulëta, as që e mendojnë të blejnë një makinë, qoftë kjo edhe me kosto të ulët. Ndërsa familjet me të ardhura mesatare, që me shumë kursime i lejojnë vetes këtë blerje, është e logjikshme që do të gjejnë një automjet, i cili është me një vit prodhimi të vjetër, por që kushton pak. Atëherë kush i posedon automjetet e reja në Shqipëri? Kuptohet që, ajo shtresë e popullsisë me të ardhura mbi nivelin mesatar dhe ato të nivelit të lartë. A nuk është ky një diskriminim financiar dhe ekonomik i shumicës së popullsisë shqiptare, të cilët nuk kanë mundësi të shpenzojnë aq shumë para për të blerë një makinë të kohëve të fundit? Pamundësia e tyre financiare mos vallë është një krim, që duhet të meritojë ndëshkimin e dyfishtë? A nuk është ky një diskriminim me bazë ekonomike, që vetë shteti i bën popullit të tij? E çuditshme, sepse Partia Socialiste në programin e saj gjatë zgjedhjeve të qershorit 2013 proklamonte me të madhe ulje të varfërisë në vend
dhe programe fiskale për uljen e taksave, për një taksim të ndershëm, në përputhje me të ardhurat.
Nëse vendoset ky taksim i dyfishtë për automjetet e vjetra, atëherë  pjesa më e madhe e popullsisë do të detyrohen t’i shesin këto automjete “të përçmuara” nga shteti. Dhe lind pyetja, si mund të udhëtojnë të paktën brenda për brenda qytetit këta qytetarë? Në të vërtetë mund të përdorin transportin urban. Në këto kushte që është transporti urban qytetar, jemi të bindur, që çdo qytetar, që detyrohet të përdorë këtë shërbim ndjen keqardhje për veten e tij. Mini autobusë, që mbushen plot me njerëz, a thua se janë mallra transporti. Vonesa në stacione, ku për të kapur orarin e punës apo të shkollës duhet të nisesh orë përpara, se nuk i dihet se kur mund të arrish në destinacion. Pa përmendur pastaj, që duhet të jesh vigjilent në maksimum dhe madje të kesh aftësi atletike
për të vrapuar mbas hajdutëve, që mund të vjedhin paratë apo celularin. Apo mos ndoshta e gjithë kjo strategji e qeverisë shqiptare ka si objektiv mbajtjen në formë fizike të qytetarëve të saj, të cilët shumë shpejt do të detyrohen të udhëtojnë në këmbë?! E gjithë kjo është një sarkazëm e hidhur, që nëpërkëmb pjesën më të madhe të popullsisë shqiptare dhe si për tu tallur akoma me ta, ulëret për programet e saj me qëllim uljen e varfërisë. “Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion Shqiptare”, e quan këtë tentativë të qeverisë si antiligjor dhe si diskriminim ekonomik ndaj pjesës më të madhe të qytetarëve të Shqipërisë. Për këtë arsye e kundërshtojmë në mënyrë të hapur, duke qenë të ndërgjegjshëm se të këtij mendimi janë edhe pjesa më e madhe e qytetarëve. I sugjerojmë qeverisë shqiptare, që të heqë dorë në mënyrë të menjëhershme nga ky hap, që do të ndërmarrë dhe të gjejë strategji të tjera për mbrojtjen e mjedisit. Mjafton të kontrollojë pikat e shpërndarjes së karburanteve në Shqipëri, të cilat jo vetëm abuzojnë në matjen e sasisë, por edhe tregtojnë një cilësi karburanti, e cila është jashtë çdo standardi. E meqë flasim për standarde europiane, qeveria duhet ta dijë se paga mesatare mujore e një qytetari europian nuk është sa në Shqipëri, që ndihma ekonomike e një qytetari të papunë nuk është në nivele qesharake dhe fyese ndaj qenies njerëzore si tek ne dhe që shërbimet e transportit urban, që mund të zëvendësojnë një pjesë të numrit të makinave që qarkullojnë në qytete, nuk lë për të dëshiruar kaq dhimbshëm sa tek ne.
Nëse nuk jeni në gjendje të mbani premtimet tuaja, që i shpallnit me aq zell gjatë fushatës, të paktën mos u tallni më tej me qytetarët që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme, sa për të blerë një automjet luksi si ju. Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion, shpreson që qeveria në këto kushte, mos të ndërmarrë nisma ku shkelen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, duke pasur parasysh se 90% e qytetarëve diskriminohen nga ky ligj, në të kundërt shoqata, bazuar në statusin dhe misionin fisnik të saj, do e dërgojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese, për të mbrojtur të drejtat e shumicës së shqiptarëve që diskriminohen nga ligji.

Av. Ndue Pjetra, Kreu i Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion