Xhafer Peçi, një jetë plot lavdi

974
Sigal

Rustem Peçi

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Në shkollën e Luftës

Kolonel Xhafer Peçi ishte një nga figurat e shquara të ushtrisë shqiptare. Ai ka qenë një drejtues i niveleve të larta, i sprovuar e i dalë nga zjarri i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Që në moshë të re u aktivizua me Lëvizjen dhe ishte një nga luftëtarët e orëve të para të luftës për liri. Shkrimtari i madh Dritëro Agolli, në parathënien e librit të Skënder Haskos për jetën e Xhafer Peçit ka cituar: “Për trimat këndohen këngë dhe shkruhen libra”.

Kolonel Xhafer Peçi lindi në Qafë të Grashecit të Kuçit, në një familje me tradita të larta patriotike dhe atdhetare. Babai i tij, Meto Peçi, ishte një patriot dhe luftëtar aktiv i çështjes kombëtare, i dëgjuar në tërë krahinën për trimëri dhe atdhedashuri. Ai ishte komandanti i çetës së Kuçit në luftën kundër pushtuesit italian në Luftën e Vlorës në vitin 1920. Po kështu, më 7 prill 1939, Meto Peçi së bashku me tre djemtë më të rritur, luftoi me armë në dorë kundër pushtimit fashist. Gjatë gjithë periudhës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare familja e këtij burri të shquar për trimëri, dha një kontribut të jashtëzakonshëm patriotik e luftarak deri në çlirimin e plotë të Atdheut.

Xhafer Peçi, i mëkuar me ndjenja të larta patriotike dhe liridashëse, të trashëguara brez pas brezi, nën klimën familjare dhe të trevës ku u lind e u rrit, u formua që në rini me idealin e lirisë dhe urrejtje për pushtuesin. Në moshën 15 vjeçare, i detyruar nga varfëria ekonomike, Xhafer Peçi shkoi me punë në Vlorë së bashku me dy vëllezërit e tij. Më 9 mars 1942, organizohet greva e njohur e bukës, në të cilën ai mori pjesë dhe u arrestua nga forcat italiane. Pas datës 15 mars të vitit 1942, ai do t’i kushtohej tërësisht veprimtarisë kundër pushtuesit, duke kryer detyra të ndryshme, herë si korrier dhe herë në aksione të drejtpërdrejta me armë në dorë. Më 1 prill të vitit 1942 bëhet pjesë e formacionit partizan të Çetës së Parë të Kurveleshit dhe nga 15 gushti i vitit 1943 deri më 1945 do të ishte partizan i Brigadës së Parë Sulmuese, duke marrë pjesë në të gjitha luftimet dhe betejat që ndërmori kjo njësi luftarake e UNÇSH. Ende ai i ka të freskëta luftimet e partizanëve ku u tregua heroizëm dhe guxim nga partizanë të këtij formacioni luftarak si në Skroskë, në Tendën e Qypit, në Kalanë e Pogradecit, në Vajkan, në Qafën e Gjarprit, në Margëlliç e në Tiranë.

Në luftën për çlirimin e Tiranës luftoi për 19 ditë me radhë, duke qenë në rolin e zëvendëskomandantit të Batalionit të Parë me detyra të rëndësishme, në veçanti në luftimet për marrjen e Radiostacionit dhe Centralit elektrik. Formacioni i këtij batalioni kreu një pritë ndaj kolonës gjermane, që vinte nga Elbasani pranë Urës së Farkës dhe në afërsi të Pallatit të Brigadave. Beteja të ashpra të tjera u zhvilluan për jetë a vdekje në të gjitha rrugët e kryeqytetit, deri në çlirimin e tij, më 17 Nëntor 1944.

Komandant gjatë karrierës ushtarake

Pas çlirimit të vendit ishte komandant i Brigadës “Zonja Çure”, komandant i Brigadës Malore në Veri të Shqipërisë, Shef shtabi i Brigadës VIII të këmbësorisë, komandant i Regjimentit të Mbrojtjes Bregdetare. Pas vitit 1968, vit kur Shqipëria doli nga Aleanca e Traktatit të Varshavës, u morën një sërë masash të rëndësishme në përmirësimin e strukturës, logjistikës, armatimit dhe teknikës së saj. Ruajtja dhe sigurimi i udhëheqjes së shtetit kërkonte mobilizim, gatishmëri, përgatitje dhe perfeksion. Baza e efektivit të Gardës të asaj kohe përbëhej nga ushtarë të shërbimit të detyrueshëm, të cilët përgatiteshin dhe trajnoheshin me përkushtim nga oficerë me përvojë. Më 13 mars 1972, Kolonel Xhafer Peçi emërohet Komandant i Gardës së Republikës, duke e drejtuar atë deri më vitin 1982. Kjo ishte një detyrë e vështirë dhe e lavdishme. Garda e atyre viteve kishte një efektiv të shumtë në numër dhe një shtrirje në disa rrethe të vendit, ku përgjegjësia për detyrën ishte e jashtëzakonshme.

Nuk u lëkund nga furtunat

Kolonel Xhaferi, për sakrificat në Luftë si luftëtar i orëve të para, për plagët e marra në Luftë, për kontributin e çmuar si ushtarak i talentuar në drejtim, është dekoruar me 17 medalje dhe urdhra të ndryshëm. Ai ka marrë edhe një dekoratë nga Presidenti i Rusisë me rastin e 60-vjetorit të fitores mbi fashizmin. E kujtojmë dhe përulemi me respekt para jetës dhe veprës së Tij, si pjesë e formacioneve partizane në Luftën për liri, Luftë që e rreshtori Shqipërinë në palën e fituesve. Ai ishte dhe është një shembull i gjallë i heroizmit partizan, i njeriut që çdo sakrificë për Atdheun e ka bërë me thjeshtësinë dhe modestinë e një luftëtari të lindur. Brezat, padyshim, kanë se ç’të mësojnë nga këta luftëtarë të moçëm, që janë një muze i gjallë i luftës dhe sakrificës, janë memoria e historisë së afërme.

Xhafer Peçi gjithmonë ka rrezatuar dhe rrezaton mençuri, dashuri, urtësi e zemërgjerësi, atdhetarizëm e idealizëm. Ai ishte dhe është si një gur i çmuar, shkëlqimi i të cilit vjen nga thellësitë e kohëve, të mbartura prej fisit të tij dhe që do të përcillet tek pasardhësit. Ja ky ishte dhe është Xhafer Meto Peçi njeriu që nuk u lodh kurrë… “kuçjoti që u nis në luftë gjysmë analfabet dhe u bë kolonel, i diplomuar në dy akademi...” shkruante Niko Nikolla. Ai mbeti “një lis me rrënjë të thella nga ata të Kuçit, që nuk lëkundet nga erërat” theksonte Dritëro Agolli, njeri legjendë, prind e bashkëshort shembullor. “Njeriu që nuk u lodh kurrë” si e përcaktonte biografi i tij Skënder Hasko, ballëlartë e i papërkulur, i nderuar dhe i respektuar e mbylli jetën, duke lënë pas një emër të mirë.