Mustafa Koçerri
Memush Habili
Pas dështimit të ushtrisë gjermane në Operacionin e Dimrit, 1943-1944, ajo po përgatitej për fillimin e një operacioni tjetër. Shtabi i UNÇL që në fillimin e muajit qershor 1944 kishte dijeni për përgatitjet që gjermanët po bënin për fillimin e këtij operacioni në shkallë të gjerë. Mësymja e dytë e madhe e ushtrisë gjermane dhe bashkëpunëtorëve të tyre për asgjësimin e LANÇ-it dhe UNÇL u realizua nga 28 maji deri në 24 qershor 1944. Në këtë operacion morën pjesë 40 mijë ushtarë gjermanë dhe 10 mijë trupa bashkëpunëtorë vendas, mercenarë, xhandarë etj. Për t’i paraprirë këtij operacioni Shtabi i UNÇL, qysh më 28 maj 1944, kishte lëshuar urdhrin për kalimin e ushtrisë në kundërmësymje të përgjithshme. Po më 14 qershor 1944, Shtabi i UNÇL u drejtohet përsëri me një urdhër të posaçëm gjithë efektivave të ushtrisë për shkatërrimin e planeve të armikut, për kalimin e saj në kundërmësymje të përgjithshme, që do të çonte në shpartallimin e plotë të forcave dhe mjeteve të ushtrisë gjermane dhe çlirimin e plotë të Shqipërisë.
Etapa e parë dhe e dytë e operacionit
Etapa e parë, 28-10 qershor 1944 e këtij operacioni u realizua në zonën Korçë-Berat-Përmet për asgjësimin e forcave partizane dhe për t’i shtytur dhe ngjeshur ato në krahun e majtë të lumit të Vjosës. Etapa e dytë e mësymjes gjermane, 11-24 qershor me rreth 30 mijë forca u realizua në zonën Mesaplik-Kurvelesh-Bregdet. Veprimet luftarake në krahinën e Kurveleshit përbëjnë momentin më të të rëndësishëm dhe më të vështirë të UNÇL. Në zonat e Kurveleshit dhe të Bregdetit komanda gjermane vuri në lëvizje në njërin grupim 22 mijë trupa dhe në grupimin tjetër 8 mijë trupa. Brenda zonës së rrethimit armik, nga UNÇL vepronin forcat e Zonës së Parë Operative të vendosura në Salari dhe Picar, si dhe brigada e 12 S, Brigada 6 S, 2 batalione të vendosura në Luginën e Mesaplikut dhe 2 të tjera në bregdet. Komanda e përgjithshme e UNÇL, përveç përkrahjes së popullit dhe çetave të fshatrave në Shqipërinë e Jugut, në hapësirën ku kryhej operacioni i qershorit, kishte 25 mijë partizanë të inkruaduar në 9 brigada dhe batalione autonome.
Çarja e rrethimit në Grykën e Shurit
Në momentin më kritik kur forcat partizane ishin të rrethuara në Kurvelesh, komanda gjermane tërheq njërin nga divizionet që vepronte në këtë krahinë dhe e kalon në drejtim të Janinës, për të përballuar një zbarkim të mundshëm të forcave anglo-amerikane në bregdetin grek. Ky moment u shfrytëzuar nga forcat partizane, të cilat me një heroizëm të paparë çanë rrethimin në Grykën e Shurit më 20-22 qershor. Forcat gjermane, në pamundësi për asgjësimin e forcave partizane në këtë grykë, të gjendura edhe nën goditjen e befasishme nga shpina gjatë 23-24 qershor u larguan nga krahina e Kurveleshit. Një nga rrugët këmbësore për t’u futur në krahinën e Kurveshlish të Sipërm është ajo që kalon nëpër fshatin e Vërmikut. Për të patur nën kontroll këtë rrugë kalimi, komanda gjermane kishte rrethuar Vërmikun nga të gjitha anët dhe kontrollonte malin e Pleshovicës, Këndervicës, Tartarit, Qafën e Varreve dhe Qafën e Nikos. Pararoja gjermane që po marshonte para reparteve naziste, porsa hyri në territorin e fshatit Vërmik, hasi në rezistencën e Çetës së Vërmikut, e cila kishte zënë pozicion dhe mbështeste forcat e Brigadës 6 S. Pararoja gjermane u asgjësua. Në shenjë hakmarrje gjermanët, kur u futën në fshat, dogjën gjithçka, edhe ato pak kasolle që ata kishin ndërtuar. Në këto kushte të vështira, banorët e fshatit u larguan duke marrë me vete ato pak plaçka dhe ushqime, u hoqën këmborët dhe zilet bagëtive që u kishin mbetur dhe u larguan duke shfrytëzuar terrenin malor për t’u strehuar në malin e Çipinit, të Këndrevicës dhe malet e tjera përreth. Por Vërmikasit nuk e paguan vetëm me djegien e kasolleve dhe plaçkitjeve që iu bë, por edhe me jetë njerëzish. Vërmikasit ishin të shpërndarë në disa njësi të UNÇL. Më poshtë po përmend vetëm disa prej tyre, ata që kanë marrë pjesë në Brigadën e 6 S, e cila vepronte në krahinën e Kurveleshit dhe më pas deri në Mitrovicë, Prishtinë dhe kthehet fitimtare pas çlirimit të Shqipërisë. Ata ishin Xhule Çiraku, Seit Çiraku, Xhevahire Braka, Besho Mëzuri, Numan Koçerri, Shorto Alimuçi, Shezai Mëzuri, Dervish Lloi, Myftar Braka, Shefki Alimuçi, Idai Alimuçi, Xhemo Tushi, Bradho Sela, etj.
Vajza vërmikase 18 – vjeçare, Xhevahire Braka
Vajza vërmikase 18 – vjeçare, Xhevahire Braka doli partizane në çetën “Demo Fejzo” të batalionit “Asim Zeneli”. Ajo nuk iu nda hap pas hapi batalionit, duke u cilësuar nga partizanët e tjerë si motra e batalionit. Më 16 qershor 1944, ajo ra heroikisht duke luftuar në malet e Këbuzit- Qafa e Pishës. Skuadra ku bënte pjesë Xhevahirja ishte caktuar në praparojë të batalionit me detyrë të ngadalësonte përparimin e gjermanëve, duke hapur zjarr ndaj tyre dhe të lajmëronte batalionin për afrimin e armikut. Shokët e saj kur e panë se ajo ra, duke u goditur nga një predhë e artilerisë gjermane, iu drejtuan për ta ndihmuar dhe gjendur pranë, por ajo iu thotë, midis të tjerave: “Mos u merrni me mua, por mbroni me këmbëngulje kodrën. Të rrojë Partia”.
Më 20 qershor 1944, u vra nga ushtria gjermane Cano Tushi, në vendin e quajtur Maja e Pishës. Ai ishte caktuar me detyrë, roje në burimin e koritave, ku mbushnin ujë edhe gjermanët, të cilët ishin vendosur në malin e Pleshovicës dhe Majën e Shkurtër, por këtu mbushnin ujë edhe partizanët, të cilët ishin vendosur në Pyllin e Lilos, të Plodave dhe në buzën e Trakos. Ai kapet nga gjermanët, torturohet prej tyre për të treguar se ku ishin strehuar banorët e fshatit dhe partizanët, por ai qëndroi i vendosur, trim dhe nuk u tregoi. Për këtë gjermanët e vranë. Më 22 qershor 1944 ose 22 qershor 1944 është data kur djali vërmikas, Dilaver Mëzuri kapet nga ushtarët gjermanë, të cilat ishin duke u tërhequr në majën e Helmit. Ata i kërkojnë edhe këtij të tregonte se ku ishin strehuar partizanët. Por ai nuk tregoi dhe ata e pushkatuan. Por si është ruajtur Operacioni i Qershorit 1944 në kujtesën e banorëve vërmikas? Cilat ishin vështirësitë dhe sakrificat e tyre dhe të partizanëve që luftuan krah për krah së bashku? Më poshtë po përmendin vetëm dy prej tyre:
Rrëfimi i Lala Gjonit
“Duke parë nevojën për ushqim, vendosëm të thernim dy qe. Mishin ua ndamë familjeve, partizanëve dhe njerëzve të tjerë që ndodheshin në këtë zonë. Shumë filluan dhe e hanin mishin të gjallë. Pasi e ndanë mishin shkuam në gërxhe të Çipinit dhe ndezëm një zjarr me dru të thata që nuk bënte shumë tym dhe filluam ta pjekim mishin. Në një shkurre dëgjuam një rënkim. Shkuam dhe pamë të futur në një dëllinjë një partizan, i cili doli zvarrë nga dëllinja. Na i bëri me shenjë se nuk fliste dot. Ai kishte 4 ditë pa ujë dhe pa bukë. Pasi i dhamë ujë për të pirë dhe mish të pjekur në prush, partizani erdhi në vete dhe na tregoi se nga ishte…”.
Tregimi i Samedije Habili (Ruçi)
“Në kohën e Operacionit të Qershorit 1944, në shtëpinë tonë që i themi shtëpi, por në fakt ajo ishte nja kasolle, se shtëpia na ishte djegur në operacionin e dimrit. Kishim strehuar një partizane nga Korça të Brigadës 6 S, ajo ishte e shëndetshme dhe e bëshme, kishte filluar të na ndihmonte në punët tona të përditshme, ne e konsideronim si njeriun tonë, si vajzën e shtëpisë. Një ditë në mbrëmje, vjen një partizan i Brigadës 6 S dhe na pyet se ku ndodhen forcat e batalionit që vepronin në këtë fshat se dua të çojë tek ata një letër. Ai ishte i lodhur dhe rraskapitur, për këtë i thashë, rri këtu, në kasolle me këta të shtëpisë se letrën e çoj unë me këtë vajzën partizane që rrinte tek ne. Nisemi për të çuar letrën, afërsisht përshkruam 2 km rrugë (nga vendi i quajtur Nozgë deri në qendër të Vërmikut). Shkuam te shtëpia ku ishte vendosur Shtabi i Batalionit të Brigadës së 6 S dhe dorëzuam letrat, ata na pyetën për korrierin. Ne iu përgjigjëm: E lamë tek shtëpia se ishte i lodhur dhe rraskapitur. Partizanët pasi lexuan letrën na u drejtuan: Lajmëroni fshatin se do të vijnë gjermanët për të vrarë dhe plaçkitur. U larguam prej tyre dhe menjëherë morëm masa për të lajmëruar fshatin dhe partizanët e tjerë që ishin strehuar nëpër shtëpitë e Vërmikut. Pasi u ktheva në shtëpi me partizanen, filluam të bënim gati e të merrnin dy plaçka që kishim dhe që mëngjesi të mos na gjente në fshat. Bagëtive të gjithave u hoqëm këmborët që të mos bënin zhurmë. Fshati i gjithë u shpërnda, një pjesë në Malin e Çipinit, në Meva, Zagoi e vene të tjera ku mundën. Nga përpjekjet për të dalë nga Vërmiku, u pa se të gjitha shtigjet dhe rrugët e mundshme ishin zënë nga forcat gjermane. Partizanët vendosën të çanin rrethimin në vendin e quajtur “Gryka e Shkallës” në majën e Këndrevicës, një vend tepër i rrezikshëm ku edhe dhitë kalojnë me vështirësi. Mendohej se këtu nuk do të kishte gjermanë. Udhëheqjen e partizanëve në këtë ndërmarrje të vështirë dhe plot sakrifica e mori përsipër banori i fshatit Vërmik, partizani, Ferik Sela, i cili e njihte vendin në mënyrë të përsosur. Në kushtet e errësirës natën, nisen forcat partizane të udhëhequra nga Ferika Sela drejt malit. Pasi kaluan grykën e Shkallës, Feriku, i cili printe përpara, shikon një repart gjerman, i vendosur në livadhet alpine të malit të Këndërvicës. Ata kishin ngritur çadra, kishin ndezur zjarre dhe një pjesë e ushtarëve flinin. Pra edhe në këtë shteg ndodheshin forcat gjermane, ku mendohej se nuk do të kishte. Falë mjeshtërisë, njohjes së mirë të terrenit, gjakftohtësisë dhe trimërisë së Ferikut, forcat partizane kaluan shumë afër forcave gjermane pa u diktuar nga rojet, të cilët dalloheshin në dritën e zjarreve të ndezura. Kështu u bë e mundur kalimi i këtij rrethimi të hekurt. Partizanët, pasi nisen në drejtim të Gusmarit, e caktojnë me detyrë Ferikun të kthehej në Vërmik të shoqëronte dhe udhëhiqte praparojën e partizanëve në të njëjtën rrugë që përshkuan edhe ata. Feriku, i lodhur dhe i sfilitur, u nis përsëri. Pasi takohet me partizanët u thotë atyre se duhet të nxitojë që të kalojmë rrethimin pa u gdhirë. Në praparojë ishte edhe partizania nga Korça që rrinte në shtëpinë Vërmikase. Para se të dilnin në grykën e Shkallës, u gdhi, doli drita dhe gjermanët ishin ngritur dhe kishin rrethuar të gjithë vendin ku mund të kaloje. Në këto kushte me plot rrezik, gjermanët i favorizonte edhe terreni, të cilët ishin më lart partizanëve. Ata vendosën ta çanin rrethimin me luftë, megjithëse edhe në kushte të pabarabarta numerike”.
Hakmarrja e gjermanëve
Më tej Samedija ka treguar: “Dëgjuam krisma armësh dhe më pas një zë të fuqishëm: Para partizanë. Vendosmëria, guximi dhe trimëria e partizanëve bën të çahej rrethimi gjerman dhe të kalonte praparoja. Ne, me disa vërmikas të tjerë, ishim strehuar në vendin e quajtur Shkalla e Krehërit dhe e shihnin betejën e gjermanëve me partizanët. Pamë 3-4 partizanë që u vranë dhe ranë poshtë nëpër shkëmbinj. Megjithëse ne i pamë vetë, por edhe Feriku kur u kthye na tha: Të shkojmë dhe t’i marrim partizanët e vrarë apo ndonjë të plagosur që mund të ketë. Kur shkuam atje, së bashku me disa gra të tjera, pashë të vrarë edhe partizanen nga Korça që unë e kisha mbajtur në shtëpi. Në kushte të vështira, i morëm të vrarët, i çuam në fshat, i qamë me zakonet e Kurveleshit dhe i varrosëm. Zëri i vajit tonë për këta të vrarë oshtinte nga grykat dhe jehonat e maleve dhe dukej sikur edhe malet po qanin për ta, për gjakun e derdhur prej tyre për çlirimin e Shqipërisë. Mbas operacionit erdhën familjet e tyre dhe i morën. Në vendin ku gjetëm partizanët e vrarë, gjetëm edhe një çantë oficeri me letra dhe dokumente Brenda, të cilën më pas ia dhamë Brigadës së 6 S. Për hakmarrje, gjermanët pushkatuan 40 fshatarë nga Mallakastra, të cilët i kishim marrë me vete për të transportuar materialet e tyre. Pushkatimin e bënë ditën për të terrorizuar banorët e Vërmikut, por edhe të fshatrave të tjerë. Pasi i vranë i hodhën nëpër shkëmbinj. Në përfundim të këtij operacioni erdhën familjet e tyre dhe i morën. Vërmikasit, edhe në këtë rast, tregohen të gatshëm dhe i ndihmojnë familjarët për t’i marrë edhe transportuar të afërmit e tyre. Megjithëse burrat ishin në luftë, me këtë punë u morën gratë të udhëhequra nga Zilfije Lloji, ku më pas ruajtën miqësi të ndërsjellta me njëri-tjetrin”.
Vërmiku i dha LANÇ 16 dëshmorë
Vërmiku i dha luftës Nacional – Çlirimtare 16 dëshmorë. Njëri prej tyre, Bajram Tushi është shpallur Hero i Popullit. Ai pati disa invalidë si Seit Çiraku dhe Bajram Çapo dhe të internuar në kampet e përqendrimit në Gjermani Naim Gjoni, Subi Hallo, Selma Sela, Hasan Bleta. Në përfundim të LANÇ, Vërmiku doli me humbje të mëdha: u dogjën të 85 shtëpitë që kishte; u asgjësuan dhe u grabitën mbi 2000 krerë bagëti të imëta, 45 qe dhe lopë si dhe u dëmtuan 750 koshere blete e të tjera dëme. Varfëria ekonomike ishte e shoqëruar edhe me numrin e vogël të atyre që dinin të shkruanin dhe të lexonin. Në vitin 1935, nga Vërmiku ndiqnin shkollën fillore 4 vetë në Vlorë. Ndërsa disa të tjerë kishin arritur të mësonin dhe të lexonin vetë.