Tahir Murrizi në plejadën e luftëtarëve

756
Tahir Ismet Kadiu (Murrizi) ka lindur në mars të vitit 1890 në fshatin Veleshnjë. Qysh në moshë të vogël dallohej për zgjuarësi e trimëri. Duke menduar për të bërë një jetë më të mirë, së bashku me vëllanë e tij Muhametin, lëvizte e kërkonte një vend në afërsi të Veleshnjës për të ndërtuar një shtëpi e të largoheshin nga fshati. U pëlqeu më shumë Qafa e Murrizit, lart në Vëndreshën e tretë dhe aty u vendosën. Nga këtu Tahiri e mori mbiemrin Murrizi por më vonë ishte ai që i dha emër Murrizit me jetën dhe aktivitetin e tij luftarak. Në Vëndreshën e tretë të dy vëllezërit krijuan një lagje të re, lagjen Murrizi. Ishte një vend gjeostrategjik, në vargun kodrinor Qafa e Shkozës-Bregu i Cicit- Tenda e Qypit.
Kundër andartëve grekë
Nga këtu Tahiri 22 vjeçar u nis për në Vlorë, së bashku me përfaqësuesit e Skraparit për ngritjen e flamurit në Vlorë në vitin 1912. Nuk iu nda veprimit luftarak tok me Ali Lulën, Abaz Kuçin, Myslim Kuçin, Muharrem Musain, Nebi Musain, Jemin Musain, Vebi Duçellarin etj. Në përleshjet me andartët grekë, në vitet 1913-1914. Tahiri si më i pari i vëndreshallinjve nuk i duronte dot sjelljet dhe veprimet masakruese të andartëve dhe u sul kundër tytre në disa raste. Myslim Kuçi tregon: “Me thirrjen që bëri komandanti ynë, Tajar Vëndresha “Dilni se erdhi greku!”, Tahiri grumbulloi të gjithë fhsatarët dhe zuri pusi kundër andartëve në Qafën e Murrizit. Ai u dha urdhër të prerë bashkëluftëtarëve: “Të mos lëmë asnjë këmbë greku që të futet në fshatrat Vëndreshë, Therepel e Spatharë”. Në sulmin e parë kundër tyre, Tahiri pati suksese jo të vogla: andartët u detyruan të lënë të vdekur rreth 30 vetë dhe të tjerët u tërhoqën përgjatë Qafës së Kajcës. Mirëpo atye u erdhi ndihmë nga Topojani dhe disa forca të reja, ndaj mundën të hyjnë në ato tre fshatra dhe bënë masakra të papara. Të pambrojturit fshatarë, nën drejtimin dhe organizimin e Tahirit, për të shpëtuar jetën dhe ç’të mundnin, u shpërngulën drejt Ujit të Zi, Beratit e për më tej në Ullinjtë e Vlorës. Në historikun e Vëndreshës, faqe 24, shkruhet: “Populli i Vëndreshës për t’iu shpëtuar masakrave dhe barbarizmave greke, pasi kishin dëgjuar për Gorë – Oparin, Panaritin, Potomin, po lagoheshin duke marrë rrugën e muhaxhirllëkut, Uji i Zi-Berat-Vlorë”. Ishte rast shumë i rëndë dhe i padurueshëm për ne, kur pamë me sy, tregonte vetë Tahiri, se si andartët grekë poqën në hell: Sulltanë Lulën, Semiha Kuçin, Kano Goxhajn, Këze Zaimin dhe vranë barbarisht Esma Kuçin, Bilo Bregun, Shaze Shehun, Zymbyle Shehun…”. Populli ynë i ka përjetësuar në këngë si gëzimet ashtu edhe vujatjet e mjerimet. Ja, se si këndohet kënga, siç e tregonte vetë Tahiri: “Pashë një ëndërr o një llahtari/Si t’ia bëj i varfëri/ Që në Pacomit gjer te Ujët e Zi/Ishte djegur vendi, ishte bërë kërdi/ I therën andartët porsi bagëti/Flaknin nënat foshnjet- o nga gjiri…”.

Kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë
Jeta vazhdoi dhe Tahiri u martua me Refijen nga Mbrakulla. Por armën, ai nuk e hoqi nga supi. Në vitin 1920 e gjejmë në Tepelenë, tok më skraparas të tjerë në luftime kundër garnizonit italian të atjeshëm. Pastaj ai vijoi udhën me luftime në Vlorë në gusht 1920. Në 1935 ai është në krah të Riza Cerovës me disa shokë të tjerë nga Vëndresha. Por vitet sillnin gjithnjë e më shumë halle, shtypje, varfëri, protestë. Tahirit i hante krahu për belxhik. Ai përfshihet tërësisht me LANÇ, që në vitet e fillimit, për të kulmuar në vitin 1944. Në janar të 1944-ws Tahiri, duke qëndruar krah për krah me anëtarët e këshillit antifashist n-çl zgjedh djemtë më trima të Vëndreshëa së tretë për t’i rreshtuar në Grupin III të Skraparit, formacion ky që u krijua më 18.01.1944 në Liqedh. Duke u ndjekur kriteri që në çdo familje që ka dy e më shumë burra, njëri do të shkonte partizan në luftë për lirinë e atdheut, Tahiri la në Qafën e Murrizit të vëllanë, Muhametin dhe vëllain, Tekiun, e vetë iu përkushtua luftës. Ishte ai që mobilizonte njerëzit për të shkuar vullnetarë në rreshtat partizane ashtu siç dolën: Dine Musaj, Murat Musaj, Nuredin Lula, Nuredin Musaj, Hazbi Kuçi, Qazim Kuçi, Sadik Kuçi, Nevruz Kuçi, Meçan Musaj, etj. Tahiri e njihte mirë terrenin dhe udhëhoqi me sukses skuadrën e krijuar, në udhën Vëndreshë e Malit – Qafë e Murrizit – Kumanik – Liqedh duke vajtur në kohën e caktuar në formacionin e ri luftarak. Inaugurimi i këtij grupi u bë në luftim e sipër, pasi ishte i njëkohshëm me luftimet epope të Tendës së Qypit, 20-26 janar 1944. Duke kujtuar luftimet e Tendës së Qypit, Tahirit i ishte ngulitur në mendje një nga taktikat mashtruese të forcave gjermane. Ai tregonte: “Toga pararojë e gjermanwve duke kaluar nga Përroi i Veleshnjes, për të dalë te Qafa e Murrizit u zbulua në një monopat të dukshëm; dy skuadra u kthyen mbrapsht, një skuadër zbuluesash, të maskuar mirë me fshehtësinë më të madhe u afruan pranë vendvrojtimit të komandës së Grupit III të Skraparit ku ndodhej komandanti Zylyftar Veleshnja dhe komisari Iljaz Sevrani. Në kohën që këta të dy po vrojtonin luftimet që zhvilloheshin në kodrat e Karakollit, një nga gjermanët qëlloi në befasi të plotë, Zylyftarin duke e plagosur rëndë në këmbën e djathtë. Komisar Iljazi, vijon tregimin Tahir Murrizi, vajti ta ndihmonte por ç’e do se u godit keq në nofull nga plumbi gjerman. Në këto momente të rënda, korrieri i komandës, Ali Zaimi nga Dobrusha që u përpoq të ndihmonte dy të plagosurit, u godit për vdekje nga plumbi gjerman….”. Ky qe një mësim i madh për ne, thoshte Tahiri, për të qenë syhapur nga çdo anë dhe të kontrollonim andej nga armiku nuk pritej të vinte”.
Plagosja e Tahir Murrizi
Ish kuadri Skënder Malindi, një nga luftëtarët pjesmarrës në luftimet e Tendës së Qypit, në librin “Shtigjeve të jetës”, faqe 141 shkruan: “Karakteristikë e betejës së Tendës së Qypit është se aty u zhvilluan luftime frontale si gjatë mbrojtjes ashtu edhe gjatë kundërsulmit. Nuk u bënë luftime sipas parimit të luftës partizane ‘Sulmo si rrufeja e zhduku si era’. Në këto luftime nazistët pësuan dëme në njerëz e materiale, por edhe forcat partizane patën disa të vrarë dhe shumë të plagosur. Një nga të plagosurit ishte edhe Tahir Murrizi i cili mori plagë të rënda; ai i përballoi ato me guxim e besim duke u mjekuar e kuruar edhe në spitalin partizan të Çepanit. Tahiri, pavarësisht nga plagët, nuk u nda nga rreshtat partizane. Shtëpia e tij u kthye në një bazë të vërtetë lufte. Nënë Refija, priste e përcillte partizanë e luftëtarë të lirisë. Ajo kish një dhomë gjithnjë të hapur për partizanët ku ata ndërroheshin, mjekoheshin, thaheshin… dhe hanin ato që përgatiste Nënë Refija , Muhameti e Tekiu”.
Episodi i Zharrëzës: partizani Tahir dhe koloneli italian 
Për portretin e Tahirit, luftëtarit guximtar të Vëndreshës së tretë, lexojmë vlerësime në kujtimet e Zylyftar Velshnjës (libri “Kujtime lufte nga Zylyftar Veleshnja) ku thuhet: “Bashkë me Mustafain muarëm edhe partizanin plak e trim Tahir Murrizin, sot invalid. Xha Tahiri mbante dy gjerdhana me fishekë, një për beli dhe një krahqafë si dhe katër bomba CIPE, të varuara me këllëfe; mustaqet i kishte të ngritura spic. E porositëm xha Tahirin, që nëse do të na ndodhte gjë, me bombat që kish të na hidhte në erë bashkë me italianët. Shkuam në Zharrëz. U hap porta e madhe që lejonte hyrjen nga vargu i gjerë i telave me gjëmba, që rrethonte Zharrëzën dhe na shpunë në një barakë të bukur, ku ndodhej një kolonel. Atje ishin edhe katër oficerë të tjerë. U ulëm rreth një tavoline të shtruar me likerna e ëmbëlsira. Vetëm Xha Tahiri, megjithë që iu lut një kapiten, të ulesh, sipas porosisë tonë, nuk u ul, por qëndroi në këmbë te dera, duke mbajtur pushkën pranë këmbës, si një ushtar serioz. Ne i kërkuam kolonelit të na dorëzonte Isain dhe më vonë të hynim në traktativa për dorëzimin e tyre sipas thirrjes së aleatëve. Koloneli tha se, sipas urdhërit të gjeneralit, Isai me krerët e bandës së tij ish dërguar me dy autoblinda në Fier, gjysmë ore më parë…Ne na u ngrit leshtë e kokës dhe i ramë tavolinës me grusht. Gotat që qenë përsipër u derdhën. Koloneli hodhi sytë nga Xha Tahiri dhe ky u vrenjt në fytyrë, ia tundi një herë kokën dhe i kërciti dhëmbët; në këtë kohë koloneli kërkonte me duar një fonogram, në një dosje që e nxorri nga sirtari i tavolinës dhe, duke iu dridhur duart e duke iu marrë goja tha: “nu per favore, sinjor komandante, çe ardine, vedi, vedi…” dhe sytë i mbante te plaku që hakërrehesh duke tundur kokën e duke kërcitur dhëmbët. Skena ishte vërtet intertesante; në vend që të trembëshim ne që ishim vetëm tre vetë midis tyre, trembeshin ata. Kjo ngjarje na i uli nervat; pamë se kishim të bënim me një armik burracak”.
Trimit i vjen pas historia
Kjo dhe të tjera plot të tilla ngjarje, flasin se Tahiri i paarsimuar, bëri shkollën më të madhe, atë të luftës. Për trimërinë, guximin, shpirtin e sakrificës, zgjuarësinë dhe plagët e marra, Tahir Murrizin, Kuvendi Popullor i RSH e dekoroi me medaljet: ”Për veprimtari atdhetare”, “Medaljen e Kujtimit”, “Medaljen e Trimërisë” dhe ”Medaljen e Çlirimit”. Pas Çlirimit të atdheut, Tahiri pa shumë pretendime, ka punuar me detyra të thjeshta në Rroskovec, në Berat, dhe së fundi deri sa doli në pension në Çorovodë. Megjithëse invalid nga plagët e luftës, nuk iu kursye punës për rindërtim e për shoqërinë e re socialiste. Ai së bashku me Refijen, grua me zemër të fortë e shpirt të bardhë, ndërtoi një familje të rregullt me katër fëmijë Tekiun, Kadriun, Safeten dhe Floreshën. Zemra e trimit sypatrembur e Tahir Murrizit pushoi në 1968. Për kontributet e dhëna gjatë LANÇ dhe pas saj, Tahiri ka pasur disa vlerwsime: Komuna e Qendrës, Skrapar i jep z. Tahir Ismet Kadiu (Murrizi) pas vdekjes, titullin “Nderi i Komunës Qendër”; Komiteti kombëtar i organizatës së veteranëve të LANÇ i jep titullin e lartë, pas vdekjes, “Nderi i organizatës së veteranëve të LANÇ”. Fëmijët e Tahirit të paharruar, si dhe nipërit e mbesat, të afërmit dhe dashamirësit e shumtë, e gjithë zona e Vëndreshës janë krenarë që kanë patur në gjirin e tyre Tahir Murizin, një luftëtar trim, me guxim të pashoq, me zgjuarsëi natyrale, që interesat e vatanit e të lirisë i vuri mbi jetën e tij.
Tahir Murrizi është …i gjallë midis nesh.
Kadriu, djali i vogël i Tahirit, që tani jeton në Durrës, ka marrë me vete edhe pllakën përkujtimore me mbishkrimin “Kjo shtëpi ka qenë bazë e LANÇ”. Ai e bëri këtë sepse shtëpitë e lagjes Murriz, si rezultat i largimit të banorëve, janë shkatërruar plotësisht, por pllaka jeton në…Durrës, aty ku jetojnë edhe pasardhësit e veteranit të shquar skraparas Tahir Murrizi. Në Durrës, te lokali i Aleksandrës, po të pyesësh e kujt je ti moj bijë, ajo, me një krenari të ligjëshme, të thotë: jam e mbesa e Tahir Murrizit! Krenari të veçantë ndjen edhe djali i djalit të tij, Kadriut, që mban emrin e gjyshit: Unë jam nipi me emrin e gjyshit! Refiti (emër mashkullor i ringjallur i gjyshes Refije) kur hyn me të në bisedë, natyrshëm të tregon, se do të shkojë në Qafën e Murrizit dhe atje do të bëjë diçka të veçantë në nderim të gjyshit, duke ia gdhendur emrin në gur…ashtu siç e kemi të gdhendur në zemrat tona.
Sigal