Shkodra, nga tërmeti i vitit 1979 deri te përmbytjet e vitit 2010

2049
Sigal

INTERVISTA/Flet Ing. Agim Kinkaj, ish-punonjës në Drejtorinë e Mbrojtjes Civile të Republikës pranë Kryeministrisë

Zjarret e shumta të kësaj vere të nxehtë, por edhe përmbytjet e ditëve të fundit nxorën në pah shumë dobësi të Drejtorisë së Emergjencave Civile që është nën vartësi të Ministrisë së Brendshme. Problemet sipas ish-specialistëve janë të shumta. Midis të tjerave theksohet vartësia, koha e veprimit, mjetet e veprimit, teknika e vjetruar, shpërndarja e teknikës dhe mënyra jo e drejtë e organizmit në Prefektura. Për këto mangësi lindin shumë pyetje. A mundet dhe si mund të korrigjohen këto mangësi? A mund të merren si shembull disa mënyra organizmi të kohës së diktaturës apo vendeve fqinjë. Por vartësia nga M Brendshme e kësaj Drejtorie a është efikase? Cilat janë vendet që kanë më efikase EC? Po emërtimi EC  a është real dhe çfarë emërtimi duhet të jetë më i drejtë?Çfarë ndodhi më 15 Prill 1979 (tërmeti i fuqishëm) në Shkodër dhe çfarë përgjigje ju dha ish-Kryeministri Mehmet Shehu, vendeve perëndimore për të sjellë ndihma?Këto dhe të tjera pyetje do të gjeni përgjigje në këtë intervistë.

Një pyetje direkte, pse ky sektor nuk ka ecur si në të gjithë shtetet e tjerë?

Një nga faktorët që ka ndikuar negativisht në këtë drejtim, ka qenë se është trajtuar si një çiban për të gjitha qeveritë që kanë drejtuar vendin, lëvizja dhe vartësia e këtij sektori trampolinë nga një dikaster në tjetrin, ka bërë që me keqardhje të them që ky sektor aktualisht ka mbetur prapa dhe nuk është në gjendje të shpëtojë popullsinë me shpejtësi, me organizim dhe në kohen e duhur, si dhe të likuidojë në kohë dhe me afat pasojat që shkaktohen nga këto faktor natyral.

Çfarë do të eliminojë ndryshimi i vartësisë së sotme dhe kalimi në një emërtesë të Këshillit të Ministrave apo me vete?

Ky organizim do të eliminojë në maksimum që edhe ato pak fonde që janë parashikuar për këtë sektor, duke qenë në vartësi të një dikasteri, “rrëmbehen” po nga ky dikaster për nevojat akute të tij. Theksoj që kalimi i këtij sektori vite më parë nga vartësia direkte në Këshillin e Ministrave, në Ministrinë e Mbrojtjes dhe nga kjo në vartësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme është përvoja më e hidhur dhe më e dëmshme që i është bërë këtij sektori. Duke pasur parasysh përvojën 16-vjeçare në këtë sektor dhe duke ditur ecurinë e këtij sektori në vite them me kompetencë që për periudhën e shtetit një partiak, periudha më e mirë e këtij sektori dhe që ka ecur me ritme të mira, ka qenë vartësia e tij mbi 15-vjeçare në vartësi direkte dhe brenda strukturës organizative të Këshillit të Ministrave. Aq sa ishin mundësitë në atë kohë, merreshin çdo vite fonde të konsiderueshme nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave, i cili shkonte totalisht për mbrojtjen civile dhe nuk kishte asnjë mundësi për “rrëmbimin” e këtyre fondeve për qëllime të tjera jashtë destinacionit.

Çfarë u arrit me atë lloj vartësie nga Këshilli i Ministrave?

U arrit që nga 8 batalione të MCR-së  (Një batalion kishte 600 persona, plus 18 kompani në çdo rreth ku një kompani kishte 90 veta) që ishin në shkallë Republike, secili nga këto batalione të kishte spitalin fushor me repartin kirurgjikal bashkëkohor të blerë në atë kohë me valutë në ish-Republikën Federale Gjermane i gatshëm për t’u hapur dhe për të kryer misionin e tij human në një vatër të zakonshme dëmtimi në ndihmë të popullsisë së dëmtuar nga fatkeqësitë natyrore.

Çfarë risie solli krijimi i regjimentit të parë të MCR-së?

Krijimi i regjimentit të parë të MCR-së në vitin 1983, me të drejtë përdorimi të tij nga kryeministri i vendit dhe në vartësi të MM,  qe një hap i madh përpara drejt forcimit të mëtejshëm të mbrojtjes civile të Republikës. Me krijimin e kësaj njësie u studiua dhe perspektiva e mëtejshme e forcimit të Mbrojtjes Civile në shkallë republike, ku jo pa qëllim kjo njësi u quajt regjimenti i parë i MCR-se dhe ishte parashikuar që në perspektivë të krijohej një regjiment i tillë në Shkodër dhe në Korçë, që të mbulohej plotësisht territori i vendit. Siç ka norma taktike për regjimentin e këmbësorisë që i jepet “x” km brez mbrojtjeje apo mësymjeje dhe Regjimenti i MCR-së ka një sipërfaqe të caktuar me km katror si normë taktike. Mbulimi i të gjithë territorit të Republikës me një regjiment aktual siç ishte, sot është i pamundur me kohën kur territori i Shqipërisë, si një territor i vogël që është mund të përfshihet totalisht në një fatkeqësi të mundshme natyrore si zjarret, tërmetet. Kujtojmë që tërmeti me intensitet jo shumë të madh në bregdetin e Malit të Zi më 15 Prill 1979 përfshiu 1/3 e territorit të Republikës.

Cili është roli i shtetit në emergjencat civile?

Duke parë në vijimësi dinamikën se si ka ecur në vite dhe në ç’gjendje është sot mbrojtja civile (Emergjencat Civile) ecjen para ose jo të këtij sektori të rëndësishëm të humanizmit njerëzor në radhë të parë, e shikoj tek organizimi i tij. Sigurisht, me hapjen e Shqipërisë pas viteve 90′ u hapën perspektiva si në sektorët e tjerë ekonomikë dhe social të vendit dhe në këtë sektor të rëndësishëm. Para së gjithash, për një shtet demokratik për të cilin jeta njerëzore është primare, perfeksionimi i mëtejshëm i një problemi madhor, siç është shpëtimi i popullsisë civile, shpërngulja ose shmangia e saj nga zona e dëmtuar ose që rrezikon të dëmtohet nga faktorë madhor natyror siç janë: tërmetet, përmbytjet, zjarret, inondatat, bllokimet, akullzimet etj. Në mënyre që t’i dalim para një fatkeqësie të mundshme që po na troket në derë, është i domosdoshëm organizimi i emergjencave civile të përshtatshme me kohën që jetojmë dhe me përvojën e madhe botërore në këtë fushë, si dhe në atakimet reale që ka  vendi ynë me këto fenomene. Duke mos pasur parasysh këto faktor të mësipërm determinant për ecjen para të këtij sektori, kjo gjë ka ndikuar për vendin tonë që në vazhdimësi, duke filluar nga krijimi i këtij sektori deri në ditët e sotme, të mos ecet me ritmet që ecin shtetet përreth nesh në këtë drejtim.

Po sot me aq forca sa kanë nën vartësi Emergjencat Civile a mund të përballojnë fatkeqësitë e natyrës?

100 deri në 200 forca njerëzore për shuarjen e zjarreve janë totalisht të pamjaftueshme. Nuk shuhen zjarret duke sakrifikuar qindra hektar me pyje, duke bërë breza 15-20 m me kazma e lopata. Zjarret shuhen që në embrion me teknikën bashkëkohore në këtë fushë, të cilat aktualisht vendi ynë nuk i disponon , kur shtete përreth nesh me potencial njerëzor dhe ekonomik më të kufizuar se yni, janë në gjendje jo vetëm të shuajnë zjarret e tyre në një kohë të shpejtë, por ofrojnë dhe ndihmën e tyre në këtë drejtim. Nuk dua të bëj paralelizma dhe as të ul punën e domosdoshme që bën çdo dikaster ne linjën e tij përkatëse, por pyetini popullin e thjeshtë çdo të thotë ai për ngritjen e këtij dikasteri jetik dhe humanitar. Në fund të fundit kur nuk je ne gjendje të shpëtosh njerëzit e vendit tënd që ndodhen nën rrënoja, rrezikohen të digjen nga zjarri, rrezikohen të mbyten, të rrofshin arritjet ne fushat e tjera. Është gjëja më humane e një shteti që e quan veten shtet demokratik, që qeveria e tij të jetë në gjendje të shpëtojë jetë njerëzish, por është njëkohësisht në nderin e saj, që pa ndodhur këto fatkeqësi të jetë plotësisht i përgatitur dhe në gjendje të përballoj me sukses dëmin që sjellin këto forca madhore të natyrës. Efekti serë në shkallë botërore detyron secilin shtet të marrë masa të rëndësishme në këtë fushë, lidhur kjo dhe me ndryshimin e klimës, që dhe Shqipëria të jetë në gjendje të përballoje efektin dëmtues të këtyre faktorëve. Në fund populli i thjeshtë sidomos i atyre zonave që dëmtohen nga këto fatkeqësi natyrore nuk kanë nevojë për llafe boshe partiake dhe slogane elektorale, por për masa konkrete që çojnë në sigurinë e jetës së tyre dhe puna e mirë në këtë drejtim duhet që të fillojë që me riorganizimin që në embrion të këtij shërbimi të rëndësishëm.

Nga përvoja, me çfarë fatkeqësi natyrore përballet Shqipëria?

Nisur dhe nga një hartë sizmologjike botërore të dalë nga institucione prestigjioze dhe serioze që merren me këtë shkencë, e vënë Shqipërinë në brezin me bojë të kaftë të mbyllur me intensitet të lartë sizmik dhe konkretisht me vendet e Magrebit, Spanjën Jugore, Italinë e Jugut, Greqinë, Turqinë, Iranin, për të vazhduar me Indonezinë deri në Japoni. Dhëntë Zoti që asnjëherë Shqipëria të mos ballafaqohet me fenomene të tilla, por punës duhet ti dalim para, shkenca aktuale e mirëfilltë, si ajo Amerikane dhe Japoneze, akoma nuk është në gjendje të përcaktojë vendin dhe kohën ekzakte të një tërmeti. Statistikat e kësaj fushe me qendër në Gjenevë në revistat periodike që ajo nxjerr, Shqipërinë e radhit ndër vendet e para në Europë përsa i takon humbjeve në jetë njerëzish në raport  me popullsinë, dhe kujton tërmetin e vitit 1851 në Nartë të Vlorës ku pati 2000 të vdekur, jo pak, por 0.3 % e numrit të përgjigjëm të popullsisë së asaj kohe. Shikojmë me keqardhje se në ç’nivel është shërbimi zjarrfikës si pjesë përbërëse e emergjencave civile të vendit, kudo në çdo rreth vetëm zjarre, po zhduket nga faqja e dheut e tërë kjo pasuri kombëtare, dhe po të bëhen vlerësimet, janë deri në miliarda dollarë humbje.

EMERGJENCË APO MBROJTE CIVILE?!…

Do ta filloj që tek emërtimi i këtij sektori “Emergjenca Civile” që për mendimin tim ka një kuptim shumë të ngushtë. Vetë termi “Emergjenca Civile”  ka si mision të shpejtë, sa të të shpëtojë dhe të iki, kurse emërtimi më i goditur, do të ishte ” Mbrojtje Civile”, i cili ka një kuptim më të gjerë, jo vetëm të shpëtoje, të të shmang ose të të shpërngul nga zona e dëmtuar dhe të iki, por përveç shpëtimit, ka si mision humanitar krijimin e kushteve minimale për jetesë për 2-3 ditë, dhënien e menjëhershme të ndihmës mjekësore pikërisht në vendin ku është krijuar një vatër e tillë dëmtimi, dhe pikërisht këtë mision e kryen Mbrojtja Civile. Një emërtim të tillë të rëndësishëm e ka aktualisht Organizata Botërore e mbrojtjes civile me qendër në Gjeneve (O.I.P.C.- Organizacione Internacionale Protecione Civile), Departamenti Amerikan i Mbrojtjes Civile ( Civil Defence), në  Itali dikasteri quhet Ministria e Mbrojtjes Civile, në Greqi ka një dikaster që quhet Dikasteri i Mbrojtjes Civile, të mos shkojmë më lart me këtë emërtim, është organizuar Mbrojtje Civile në Bullgari dhe Serbi etj. Jo pa qëllim e theksoj rëndësinë e emërtimit të këtij sektori, sepse ky sektor ka ardhur koha që në varësi të këtij apo atij dikasteri që është sot, të kaloj në veçanti si simotrat e saja që na rrethojnë dhe që dallohen për përvoja të mëdha. Ka ardhur tashmë koha që ky dikaster të jetë i veçantë me vartësi direkte të Këshillit të Ministrave, si të gjithë dikasteret simotra, dhe mund të quhet Ministria e Mbrojtjes Civile ose Komiteti i Mbrojtjes Civile ku titullari i tij të jetë patjetër anëtar i qeverisë me të drejta dhe kompetenca si të gjithë anëtarët e tjerë të qeverisë. Duke qenë i veçantë do të krijohen mundësi të reja në drejtim të sigurimit të fondeve të mjaftueshme për funksionimin dhe kompletimin në vijimësi sipas mundësive që krijohen të Njësisë së Emergjencave Civile me mjete të reja teknike të domosdoshme dhe bashkëkohore.

BISHTI I KAVALLIT, KUJT T’IA NGECIN

Historikisht krijimi i këtij shërbimi në vendin tonë ka kaluar nga një kalvar vartësie që në 1955 në kuadrin e MLKA-së (Mbrojtja Lokale Kundër Ajrore), në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes, në të pastajmen në vartësi operative të Ministrisë së Punëve të Brendshme,  pas disa viteve kalimi trampolin i tij në përbërje të Aparatit të Këshillit të Ministrave, për të kaluar në 1988 përsëri në vartësi të Ministrisë së Mbrojtjes, pas vitit 1993 për t’u rikthyer në fund përsëri në vartësi të Ministrisë së Brendshme, ku mesa di unë, është aktualisht. Kjo lëvizje nga një dorë në tjetrën, ka bërë që ky sektor të ngeci, të mos gjej veten në funksionin e duhur human të tij dhe të mos jetë në gjendje të përballoj detyrat e saj në shërbim të ruajtjes së jetës dhe pasurisë së popullit.

MEHMET SHEHU, NDIHMËS BOTËRORE: “FALEMINDERIT, POR DËMET DO T’I PËRBALLOJMË VETË”!

Tërmeti i 15 prillit i vitit 1979. Në atë kohë nga tërmeti shumë i fuqishëm gjetën vdekjen 40 vetë. Ngjarja ishte tragjike.  Por ky sektor ishte në gatishmëri të plotë. Menjëherë u ngritën çadrat dhe spitalet fushorë në çadra. Që ditën e dytë filloi ndërtimi i shtëpive të reja që u bënë një ose dy kate në formë vilash. Mbaje mend që në fillimet e ndërtimeve u vunë si projekt që korridoret të ishin të ngushta, por Mehmet Shehu tha ç’janë këta korridore të ngushtë, pasi fshatari do varë qepë, hudhra, dhe prodhime të tjera. Nga 1.2 metër korridoret u bënë mbi 2.5 metër. Por ajo që është e rëndësishme ka të bëjë me kohën e ndërtimit. Koha ishte rekord, për 6 muaj u riparuan të gjitha dëmet. Në Mal të Zi që ishin përballë s’kishte asnjë ndërtim.  Mbaj mend se në kohën e rënies së tërmetit filluan të vijnë telegrame ngushëllimi dhe ndihma nga gjithë bota. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, Kryqi i Kuq Rus, dhe vende të tjera perëndimore nisën të sillnin telegrame të tjerë për të dhënë ndihma. T’i mblidhje gjithë ato telegrame për ndihma bëhej një dëng i madh. Ja çuam Mehmet Shehut në zyrë për t’ja dhënë me gëzim se sa shumë ndihma po afroheshin. Mehmet Shehu pasi i pa, na tha: Përgjigjuni faleminderit për gatishmërinë, për gjestin tuaj fisnik, por dëmet do t’i përballojmë të gjitha vetë. Dhe ashtu u bë.