Rushit Kuçi dhe Sefedin Methoxha: Brigada VII-S njësia e lavdishme e LANÇ, nga Skrapari në Vishegrad

951
Sigal

Brigada VII Sulmuese – Njësia luftarake e lavdishme e ushtrisë shqiptare

-me rastin e 75-vjetorit të krijimit-

Rushit KUÇI,kolonel në pension

Pak histori

Zgjerimi i luftës kundër okupatorëve dhe tradhtarëve të vendit qysh në vitin 1943, shtroi domosdoshmërinë e organizimit të kryengritjes së përgjithshme popullore dhe krijimin e Ushtrisë së rregullt Nacional Çlirimtare të Shqipërisë. Këtij qëllimi i shërbeu edhe krijimi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, më 10 korrik 1943 si dhe bashkimi i çetave dhe batalioneve partizane në një strukturë të vetme, e cila u quajt Ushtria Partizane Vullnetare Antifashiste Nacional Çlirimtare. Në kuadrin e përgjithshëm të kësaj lufte, në Qarkun e Beratit u krijuan kushtet që, më 17 mars 1944 në Vlushën martire të rrethit të Skraparit të formohej Brigada VII Sulmuese (Br7S). Edhe pse eksponentë të Ballit Kombëtar shkuan më përpara në Vlushë dhe donin të pengonin krijimin e kësaj njësie, nuk ia arritën dot qëllimit. Ky vend gjeostrategjik u studiua me shumë vëmendje dhe u vendos që Vlusha edhe për një arsye tjetër, pasi aty pak kohë më parë gjermanët e ballistët kishin kryer një masakër të madhe duke vrarë 24 vetë krejt të pafajshëm. Në këtë brigadë morën pjesë partizanë nga Skrapari, Berati, Lushnja, Fieri, Devolli, Përmeti, Gjirokastra etj. Ata ishin të kalitur dhe me përvojë të pasur lufte kundër okupatorëve nazistë e fashistë dhe tradhtarëve vendas. Fillimisht brigada u përbë nga tre batalione me 450 partizanë. Më pas u shtuan edhe dy batalione të tjerë dhe efektivi i saj arriti 2229 vetë.

Aktiviteti luftarak i Brigada e 7-të Sulmuese është i mbushur me plot heroizma si brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Ajo përshkoi një rrugëkalim luftarak prej 3200 km. në kushte shumë të vështira moti e terreni. Brigada ka zhvilluar më shumë se 120 luftime e beteja siç mund të përmendim; luftimet e përgjakshme për mbrojtjen e Kongresit të Përmetit,luftimet për përballimin dhe shpartallimin e mësymjes së nazistëve gjermanë gjatë operacionit të qershorit 1944,luftimet për çlirimin e qytetit të Beratit; të Shupalit;të Lezhës; të Shkodrës; luftimet në Malin e Zi; të Vishegradit dhe të viseve të tjera të Jugosllavisë. Disa nga kuadrot komanduese e drejtuese të brigadës kanë qenë: Gjin Marku (komandant), Kadri Hoxha (komisar), Adil Çarçani (zëvendëskomisar), Neshat Hysi (zëvendëskomandant), Bahri Zaimi (komandant artilerie), Izet Hysi (intedent), Irfan Peshtani (shef operativ) etj. Kjo Brigadë ka shumë aktivitete luftarake, brenda dhe jashtë vendit, por në këtë shkrim po ndalemi më tepër në luftimet e saj në kuadrin e Operacionit të Qershorit 1944.

Operacioni i Qershorit dhe Brigada VII Sulmuese

Pas disfatave të njëpasnjëshme që po pësonte komanda gjermane në zona të ndryshme të Shqipërisë së Mesme e të Jugut vendos që së bashku me forca tradhtare shqiptare të fillonte një mësymje të përgjithshme me forca të shumta që u quajt operacioni i qershorit me qëllim që të asgjësohej ushtria Nacional Çlirimtare Shqiptare, fronti Antifashist Nacional Çlirimtar dhe Partia Komuniste Shqiptare. Etapa e parë e operacionit përfshinte veprimet për asgjësimin e forcave Nacional Çlirimtare në hapësirën midis lumit Shkumbin dhe lumit Vjosa, në zonën Korçë-Elbasan dhe Berat -Përmet. Etapa e dytë, midis Vjosë deri në bregdetin Jon Një nga drejtimet e mësymjes gjermane ishte ai Berat -Përmet. Në përshtatje me situatën e krijuar komanda e përgjithshme e ushtrisë nacional çlirimtare urdhëroi njësitë partizane që ishin në këto krahina të ndalonin me çdo kusht mësymjen gjermane me luftime aktive mbrojtëse; t’i ngriheshin atij kurthe; të gjakosej rëndë në shkrepat e Skraparit e të Dangëllisë,të krijoheshin kushte të përshtatshme e më pas të kalohej në kundërmësymje për çlirimin e plotë të Shqipërisë së Mesme e më tej të gjithë vendit. Luftimet e Brigadës së 7-të Sulmuese në vargun kodrinor Kiçok-Qafë e Shkozës-Bregu i Armushit-Bregu i Cicit-Tenda e Qypit bënë që të dështonte mësymja e armikut në qershor 1944.

Luftimet në Qafën e Shkozës

Në këtë kuadër Brigada e 7-të Sulmuese në bashkëveprim me forcat partizane të Qarkut të Beratit do të kryente veprime luftarake për mbrojtjen e drejtimit të përgjithshëm: Berat-Uji i Zi-Qafë Shkozë-Tenda e Qypit-Taroninë -Përmet. Gjatë ditëve të para të qershorit u kryen disa luftime në zonën Berat-Kiçok-Vokopolë-Uji i Zi. Armiku synonte të kapte Qafën e Shkozës si pikë dominuese për të kaluar pastaj drejt Tendës së Qypit, Taroninës e deri Përmet. Por partizanët e Brigadës së 7-të Sulmuese me parullën: “Asnjë hap për armikun për të kaluar Qafën e Shkozës”ishin të vendosur që të mos luanin nga pozicionet e tyre dhe me krahëmarrje e shpinëmarrje të shpeshta, ta dëmtonin armikun pjesë -pjesë. Gjermanët me gjithë humbjet e pësuara nuk hoqën dorë nga pikësynimi i tyre për të kapur ato pozicione të cilat mbaheshin nga partizanët,prandaj me forca të shumta e mjete të rënda u vërsulën në drejtim të Qafës së Shkozës. Në detajet e këtij luftimi të pabarabartë, partizanët me taktikën e tyre i “lejuan” gjermanët të afroheshin dhe pastaj në mënyrë të befasishme u hodhën në kundërsulm. Ishte përleshje e ashpër, tepër e vështirë dhe me pasoja të rënda sepse luftohej kundër forcave të shumta e më armë më të fuqishme. Duke pasur forca më të mëdha në numër, nazistët mundën të depërtojnë nga krahët dhe çdo vonesë mund të shpinte në rrethim të forcave partizane, prandaj u dha urdhri për një tërheqje të organizuar në pozicione më të qëndrueshme. Armiku mundi të kapë disa pika të larta terreni të Qafës së Shkozës por jo ato dominantet.

Natën e datës 3 qershor, forcave të brigadës i erdhën përforcime të reja: dy batalionet e Brigadës së 12-të Sulmuese, forcat territoriale të Çepanit, dy batalione të Skraparit të komanduar nga patriotët e mirënjohur Riza Vala,Sabri Radëshi e Kamber Cerova po ashtu edhe batalioni i tretë i brigadës u përqendrua aty në afërsi të Qafës së Shkozës. Për drejtimin e mëtejshëm të luftimeve që tani kishin marrë përmasa më të gjera u krijua një shtab operativ, i cili planizoi një kundërsulm të fuqishëm, të njëkohshëm me forcat e të dy brigadave dhe ato vullnetare e territoriale. Nga e majta do të kundërsulmonin forcat e Brigadës së 12-të Sulmuese; forcat e Brigadës së 7-të Sulmuese do të sulmonin në krahë e në shpinë të armikut. Forcat tona kishin zënë jo pak pika më të larta të terrenit dhe njëkohësisht kishin siguruar një prapavijë të shëndoshë. Fshatarë të Therepelit, Valës, Vëndreshës, Tërpanit, Spatharës, Cerovës, Lavdarit, Toshkëzit, Vinokashit e të fshatrave të tjera përreth erdhën menjëherë në ndihmë të forcave partizane. Bashkë me burrat edhe gratë e Therepelit me bukë e municione erdhën deri në vijën e parë të luftimeve.  Gjithçka për luftën, për partizanët që luftonin në kushte shumë të vështira. Edhe kaun e vetëm e solli znj. Refije Çuadari nga Therepeli në ndihmë të ushqimit për partizanët. Nga Vëndresha e malit me vajtjen e korrierëve Dine Musaj e Qazim Kuçi, efektiv të Brigadës së 7-të Sulmuese, morën takim me kryetarin e këshillit antifashist nacionalçlirimtar Estref Kuçin dhe së bashku planifikuan ndihmat për luftën. Për gjithë natën e tre qershorit nga të tërë banorët e Vëndreshës së Malit u gatuan e u grumbulluan ushqime dhe dhjetë burra me katër kafshë në të gdhirë të datës katër qershor i çuan ato me fshehtësi të madhe në vijën e luftimeve. Në kujtimet e e tij Estref Kuçi sjell emrat: Teki Murrizi, Ismail Duçellari, Meçan Musai, Kasëm Musaj, Hysni Musaj, Arif Musaj, Reiz Lula, Murat Musaj, Zaim Kuçi, Shefqet Duçellari e Ramiz Musaj, të cilët përbënin skuadrën e transportit të ushqimeve drejt Qafës së Shkozës ku lufta ishte ndezur e ashpër. U mobilizuan shumë veta për të siguruar kolonën e transportit me pararojë, krahërojë dhe mbraparojë. Shtabi operativ, vendosi të sulmojë përsëri natën e tre qershorit. U caktuan dy kompani të Brigadës së 12-të Sulmuese dhe dy kompani të batalionit të tretë të Brigadës së 7-të Sulmuese. Pas predhave të para që hodhi bateria e mortajave mbi përqendrimin nazist, të katër kompanitë u hodhën në sulm. Kundërpërgjigja e armikut ishte e fortë e me të gjithë zjarrin e arsenalit të armëve që dispononte. Partizanët duke shfrytëzuar njohën e terrenit dhe errësirën e natës sulmuan me furi mbi pozicionet e nazistëve të cilët lanë në fushën e betejës rreth tridhjetë të vrarë dhe disa të plagosur.

Nga forcat partizane ranë heroikisht komandanti i batalionit Gani Nivica dhe partizanët Aliko Gllava, Eqerem Bukali dhe Adem Emiri, mitraljer i kompanisë së parë. Ishin sulmet e fuqishme të partizanëve ato që e detyruan armikun të tërhiqej drejt lumit Uji i Zi. Dhe kështu u zotëruan tërë sistemi i kodrave nga forcat partizane. Këtë fitore e kanë skalitur vëndreshallinjtë dhe banorët e Therepelit në këngën:

“Ç’po lufton Brigada e Shtatë

Qafë e Shkozës ulërin

 Partizanët si petrita

Mbi gjermanët bëjnë kërdinë

Buçet topi e mortaja

Therepel e gjer te Vala

Burra, gra gjithë kanë dalë

Që t’i bëjnë armikut ballë”.

Është detyrë e jonë dhe e brezave në vijimësi që këto momente historike të luftës për liri, jo vetëm të Brigadës së Shtatë Sulmuese por tërë Ushtrisë e popullit shqiptar, jo vetëm të kujtohen,por të përjetësohen me të gjitha mënyrat e mundshme të medias dhe ato materiale. Kujdes i veçantë duhet të tregohet për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e simboleve të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare kudo që ato janë ndërtuar.