Rrëfimet e papublikuara të Arif Haskos

1814
Sigal

Servet Tartari: Si e incizova para 20 vitesh ish-gjeneralin legjendar të ushtrisë. Pse e dënoi Enveri, sabotimi në ekonomi, roli i Ballukut, gradat, burgosja dhe vizita e De Kuelarit

Intervistë me ish-gjeneralin në pension Arif Hasko: Ja pse më dënoi Enver Hoxha

(Kjo intervistë është bërë para 20 vjetësh dhe botohet sot sipas incizimit të autorit)

01- Unë paskësha sabotuar ekonominë kur isha në ushtri, në bashkëpunim me Beqir Ballukun. Këtu bëhet fjalë kur isha Zv.Ministër i Mbrojtjes për Ekonominë

02- Sepse nuk kam qenë dakord për heqjen e gradave në ushtri, Së dyti, pse nuk kam qenë dakord për heqjen e komisarëve?

03- Tek libri i Maksim Gorkit, “Nëna dhe Shteti” mësova ç’ishte Shteti dhe ndërtimi i tij në një vend të pavarur

04- Në nëntor 1943, kalova në Brigadën e Parë me detyrë komisar batalioni të pestë, me komandant Muhamet Prodanin.

05- Në fund të Prillit 1944, pas ikjes së Mehmet Shehut dhe Tuk Jakovës, të cilët u ngarkuan me detyra të tjera më të rëndësishme, komandant i Brigadës së Parë u caktua Muhamet Prodani, dhe komisar Arif Hasko, deri në çlirimin e Shqipërisë.

 

 Nga Servet Tartari

Arif Hasko ka lindur në vitin 1918, në fshatin Tërbaç të Vlorës, në vendin e quajtur “Meme”, afër një gërxhi. Tek ky shkëmb lindi Arif Hasko dhe qëndroi e mbeti si shkëmbi. Ishte dhe mbetet një figurë e shquar.

Ai ka studiuar e punuar sa arriti të vlerësohet si strateg ushtarak i zoti dhe këmbëngulës. Kolegët e kanë ç’muar për aftësitë e tij drejtuese dhe edukuese.

Arif Hasko, në biseda intime, shprehte revoltën e njeriut të ndershëm ndaj njerëzve të paaftë e intrigantë. Ai diti të orientohet drejt e të drejtoi mirë, me atë temperamentin e tij, ku urtësia ishte cilësia e parë, pasi trashëgonte vetitë më të bukura të një njeriu të ndërgjegjshëm. Me sjelljen dhe aftësinë e tij Arif Hasko, krijoi vlera jo vetëm në ushtri, si një nga udhëheqësit kryesor të ushtrisë, që do të mbetet simbol, por krijoi edhe tek publiku epërsin morale e njerëzore ndaj së keqes. Arif Hasko, përbrenda ndjente valë të nxehta zemërimi e dhembshurie. Kjo për të ishte si një llavë vullkani, që shpesh i zinte frymën. Aty janë zemëratat, dhembjet dhe dashuria për njerëzit e vendin e tij. Në vitet 1956-1960, kam qenë deputet për Matin. Dhe për çudi goditjen e mora kur isha në pension.

Si ndodhi, që ju ishit në pension dhe ju ngarkuan me përgjegjësi, madje edhe u dënuat me burg?

-Kur më arrestuan, u akuzova për ngjarje të viteve 1960-1961.

Kjo erdhi pasi në kohën kur u arrestua Teme Sejko, në hetuesi dikush paska thënë se: “Në takimin Teme Sejko me Panajot Plakun, kur është marrë Panajot Plaku nga Konispoli dhe është prurë në Pashaliman, në kohën që ishte komandant i Flotës Detare Teme Sejko, e kanë sjell në shtëpinë e një sovjetiku, aty ka qenë edhe një oficer madhor i ushtrisë. Dhe akuza e parë ka qenë se unë jam takuar me Panajot Plakun. Dihet që para kësaj kohe Panajot Plaku ishte arratisur për në Jugosllavi, në Maj të vitit 1957.

Këtë e kanë nxjerr në gjyqin e asaj kohe me Teme Sejkon, por mua nuk ma kishin thënë. Kur kanë pyetur Kadri Hazbiun dhe e akuzuan se, ai, nuk ia ka thënë të gjitha Enver Hoxhës, pra e ka mbajtur sekret këtë të dhënë pasi marrëdhëniet i ka pasur me Mehmet Shehun.

 Kjo u tha pas vdekjes së Mehmet Shehut.

-Po thotë Kadri Haxzbiu, vetëm një rast nuk jua kamë thënë juve shoku Enver.

-Po hë, çfar s’ke thënë? – ia ktheu ai. Për këtë ngjarje kanë pasur dijeni Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo, dhe e ndoqëm këmba-këmbës Arif Haskon për 1 vit, mos gjenim ndonjë lidhje direkt a indirekt. Kjo nuk u vërtetua. Prandaj këtë çështje ne e mbyllëm.

-Enver Haxha i thotë Kadriut: “Mirë që atëherë nuk i bëre gjë, po në vitin 1974, kur u arrestua Beqir Balluku, përse nuk e arrestove Arif Haskon?. Unë shoku Enver, nuk e kam quajtur të nevojshme arrestimin e Arif Haskos, sepse nuk gjetëm as një implikim, për as një rast, iu përgjigj Kadriu.

-Ky diskutim që është bërë në Byronë Politike midis Enverit dhe Kadriut, është bërë shkak edhe për mua. Pas mbledhjes së Byrosë Politike u arrestova, kjo ndodhi në vitin 1982.

Në të vërtetë a e takuat ju, Panajot Plakun?

-Unë mendoj se kjo është kryer si një provokim, për Kadri Hazbiun, dhe një shkas për të më arrestuar mua.

Edhe në gjyqin që u zhvillua më vonë ndaj meje, nuk u prek kjo çështje. Hetuesi erdhi 2 herë. Edhe mbasi mbaroi hetuesia dhe u bë akti që unë firmosa kjo nuk u përmend kurrë.

 Po, për çfarë ju akuzuan?

-Hetuesi lexoi aktin, ku prekeshin probleme ekonomike. Unë paskësha sabotuar ekonominë kur isha në ushtri, në bashkëpunim me Beqir Ballukun. Këtu bëhet fjalë kur isha Zv. ministër i Mbrojtjes për Ekonominë.

-Dy akuza ishin politike. Përse nuk kam qenë dakord për heqjen e gradave në ushtri? Së dyti, pse nuk kam qenë dakord për heqjen e komisarëve?

Të dyja këto i kundërshtova, duke thënë: Më gjeni një rast që unë kam shkruar, kam propaganduar dhe kam thënë që heqja e gradave s’është e drejtë. Është e kundërta. Unë kam vajtur i deleguar në 9 komitete partie të ushtrisë. Si përfundim të dyja këto akuza i rrëzova, se s’kishin asnjë fakt, dhe kjo ishte e vërteta. Në hetuesi kam qëndruar një vit, në një dhomë, vetëm.

Si e përballuat këtë gjendje, në moshën e pleqërisë ?

Kjo që do them mund edhe të mos besohet, po në ndërgjegjen time kisha inatin dhe sedrën e shqiptarit. Këtë inat e kisha në pafajësinë time, sepse të gjitha akuzat ishin farsa, pa as një bazë, pasi nuk kisha qoftë edhe një fije gabimiKy inat dhe kjo sedër m’u kthye në forcë.

Pas hetuesisë, ju dolët në gjyq?

 –Në gjyq dola vetëm dy herë. Dhe nga 24 akuza pranova vetëm 6. P.sh.,: E para për 10 ton naftë. Tjetër në spitalin ushtarak qe bërë një godinë, që sipas tyre i ka kushtuar shumë shtetit. E ke bërë luksoze më thanë etj. Dhe unë jua shpjegoj: Ajo godinë u ndërtua për kurimin e zemrës. Po, ju them, e kam dhënë unë këtë urdhër, kam vënë në dijeni edhe Ministrin e Mbrojtjes në atë kohë. Madje mund të them se ajo godinë ishte në plan për tre kate, dhe u bë me dy kate. Jo, më thonë, ju e keni ndërtuar atë godinë luksoze, për kastën. Sqaroj se atje janë kuruar e kurohen kuadro dhe oficerë, nën oficerë dhe ushtarë etj.

Një tjetër akuzë kush ishte?

Më vjen në zyrë Tahir Voshtina dhe më thotë: Shoku gjeneral, Shtëpia e Oficerëve nga ana financiare na del me humbje dhe s’e përballojmë dot, kemi gati një gjysmë milioni në vit humbje. Çfarë do bëjmë, i them unë, që të mbulohen këto shpenzime? Kemi menduar të hapim një dyqan të vogël me pije dhe ëmbëlsira të ndryshme. Po mirë i them, keni biseduar me tregtinë, me Komitetin Ekzekutiv të Tiranës? Po, më thotë! Atëherë hapeni!

Edhe për këtë më akuzuan, se e kisha hapur për kastën ushtarake.

Shkaku ishte se vetë Sadik Bekteshi në këtë dyqan, porositi një tavë me kadaif, se kishte një sebep.

Për këtë unë ju përgjigja: Ajo është regëti e lirë dhe ç’të keqe ka këtu, mund të porosis kushdo, edhe civilë. Pra, nuk ka urdhër që, këtyre jepu e këtyre mos u jep.

Akuza tjetër. Në Jalë të Himarës, qe ndërtuar një godinë. Fondet për ndërtimin e kësaj godine, u them nuk i kam dhënë unë, por Drejtoria e dytë e Zbulimit. Unë s’kam qenë dakord që ajo të ndërtohej, sepse aty s’kishte ujë, rrugë, as telefon, as spital, bile as drita dhe pse ta ndërtojmë atje ku mund ta ndërtonim në Shëngjin, Durrës apo në ndonjë vend tjetër. Pra e vërteta është se unë nuk kam qenë dakord për të ndërtuar këtë godinë në Jalë, tani me ç’të drejt akuzohem?.

Atëherë përse u ndërtua kjo godinë ?

-Kjo u ndërtua për zbulimin, por unë nuk e dija se për çfarë do funksiononte, por 150 mijë lekë i kam dhënë unë, nga fondi i Ministrisë së Mbrojtjes me urdhër të Ministrit.

Një tjetër akuzë ishte: Në vitin 1971, kishim porositur në Poloni 10 mijë metra terital për kostumet e oficerëve dhe ata na dërguan vetëm 4.000 metra, pra 6.000 metra më pak. Dhe si të bënim për këto metra të tjera, ku t’i gjenim?.

Bisedoj me Tahir Voshtinën edhe për këtë rast, sepse ky ishte shef i veshmbathjes për ushtrinë. Aty u shfaq një mendim; Sikur të mos iu jepnim të gjithë oficerëve me përgjegjësi nga komandant Brigade e lart, dhe këto kostume ushtarake t’i zëvendësojmë me kostume civile, si gjeneralët apo zv. Ministri, se s’kanë ku t’i grisin kostumet, kurse komandantët e kompanive apo të batalioneve, këtyre u grisen rrobat, se merren drejtpërdrejt me ushtarët, do demonstrojnë në stërvitje, duke u shtrirë edhe në tokë. Oficerët madhorë kanë nga 3-4 kostume si ushtarakë dhe s’kanë ku t’i grisin. Kështu ramë dakord dhe bëmë një urdhër për zbatimin e vendimit që miratuam.

U akuzuat dhe se mbanit dy pistoleta?

Unë kisha me leje nga shteti një pistoletë, dhe një pistoletë “trofe”, që gjatë Luftës, e ruaja si relikt, madje këtë pistoletë e kishte kërkuar disa herë edhe fshati, për në muze, megjithatë vendosa për ta dhënë, edhe pse më vinte keq, por hezitoja me sot, me nesër. Në këtë kohë më arrestuan, si përfundim ma gjetën në shtëpi. Megjithëse nuk më akuzuan direkt, por aludonin. Por po të doja të vrisja Enver Hoxhën, unë kisha pistoletën me leje me 10 fishekë. Për këtë pistoletë u dënova edhe 2 vjet të tjera.

Ju i bëtë 12 vjet burg?

-Jo, bëra 8 vjet. 2 vjet m’u ulën nga amnistia, kurse gati 2 vjet të tjera u ulën kur erdhi për vizitë në Shqipëri Sekretari i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara Peres De Kuelari. U lirova nga burgu më 18 qershor 1990.

Cilët ishin shokët e dhomës në burg?

-Unë kam qenë në një dhomë me 6-7 veta. Andon Sheti, Lipe Nashi, Muhamet Prodani, Vask Gjino, Abas Fejzo, Halim Ramohito, dhe më vonë na erdhi edhe Sadik Bekteshi.

Si e kalonit jetën në burg, fjala vjen, a bisedonit për politikën, për padrejtësitë e të tjera bisedime, sepse ishit të gjithë kuadro të lartë?

-Ishin dy pikëpamje: Ata që e dënonin Enver Hoxhën, dhe ata që

nuk e dënonin. Halim Ramohito, ta vrisje nuk thoshte asnjë fjalë për

Enver Hoxhën. Kishte nga ata që i pranonin gabimet e tyre.

Çdo bisedë e bënim kur dilnim për pushim, në shëtitje, pra jashtë dhomës.

Nuk bisedonim dot në dhomë, sepse ruheshim nga ndonjë

aparat incizimi. Dhe kjo dihet se dhomat e politikanëve përgjoheshin

me aparate incizimi! Natyrisht ne nuk shihnim gjë, por e dinim këtë

metodë, siç e dinë të gjithë.

Arif Hasko, në ç’anë anonte, meqë aty ishin dy qëndrime?

 –Unë kisha dy pikëpamje: Atje ku kishte gabuar dhe ku s’kishte

gabuar Enver Hoxha. Por ajo që dua të theksoj, është se shumica kishte bërë lutje për t’ju falur dënimi. Kurse unë asnjëherë nuk kam bërë lutje për falje.

Pse?

Se po të bëja lutje, do të thotë të pranoja edhe gabimet, pra po të firmosja për lutje, ishe edhe fajtor. Kështu, që këtë se bëra asnjëherë.

I nderuar Arif, ju u dënuat, po nuk thatë ndonjëherë, se këtu e kishte gabim Enver Hoxha?

 –E vërteta është se masat që mori Enver Hoxha, nuk i pranoja.

Më i hapur dhe që shkruante për gabimet apo metodat që përdorën, shkruante Xhavit Gjeçi, nga Kruja, po në fakt ishte edhe i sëmurë dhe fliste me vend e pa vend. Kurse Maqo Çomo kishte një ekuilibër të çuditshëm, nuk fliste kot, nuk mburrej. Ndonjë analizë e bënte me një pjekuri dhe logjik të ftohtë.

Nesër do të lexoni:

  • Unë s’kam qenë asnjëherë pro atyre masave aq të rënda që mori Enver Hoxha, me shokët e tij
  • Enver Hoxhës duhet t’i japësh edhe anët e mira edhe anët e këqija, ose ku ka gabuar.
  • Nuk jam dakord me ata që thonë se, Enver Hoxha ka qenë frikacak ose njeri i korruptuar e pa moral
  • Sot kjo demokraci është një shthurje, një çoroditje, një anarki, një shpërbërje e shpërfytyrim i njeriut