-Ana tjeter e medaljes/ “Fortifikimi, që u zbatua në vendin tonë, është një rast unikal. Ai është zbatim i çmendurisë politike. Përse u bë”?!,-e pyeste në një letër Koloneli Josif Zegali, Enver Hoxhën.
-Kolonel Josif Zegali, dy herë në burg se kundërshtoi bunkerizimin
Prof. Dr. Elmas LECI
Drejtor Ekzekutiv
Instituti i Sigurisë dhe Mbrojtjes
Kështu i shkruante në dhjetor 1982 oficeri madhor i sapo dalë nga burgu, i akuzuar për sabotim në fudhën e mbrojtjes. “Ky disfatist të arrestohet-shkruante Enver Hoxha mbi letrën e oficerit madhor Josif Zegali,- dhe t’u përgjigjet pyetjeve të mëposhtme…”. Dhe pasi rendiste edhe pyetjet për Hetuesinë, Enver Hoxha letrën me shënimin e tij ja kalon ministrit të Brendshëm. Ishte një letër e oficerit madhor Josif Zegali, i sapo dalë nga burgu i cili i bëri një letër Enver Hoxhës, ku vijonte të kundërshtonte bunkerizimin.

Josif Zegali: Bunkerizimi, zbatim i çmendurisë politike.
Enver Hoxha: Ky disfatist të arrestohet!
Dhe pasi rreshton një sërë pyetjesh për inxhinjerin e zot të fortifikimit, po vetë Enver Hoxha urdhëronte për të, që pas arrestimit “… të arrihet në konkluzione për fajet (e Josif Zegalit)… dhe në dënimin e tij të kihet parasysh, (përcaktonte po vetë Enver Hoxha se përse e kishin dënuar edhe më parë me burgim Josif Zegalin) “ se ai është një njeri i dyshimtë, mbasi qe dërguar (për specializime për fortifikimin) për shumë kohë në Itali dhe në Suedi”.
Ky i mësipërmi, që cilësuam është vetë shënimi i Enver Hoxhës mbi letrën e Josif Zegalit, letër të cilën Josifi me shqetësimin qytetar e profesional i a çoi Enver Hoxhës, ku i thoshte se “fortifikimi, që u zbatua në vendin tonë, është një rast unikal. Ai është zbatim i çmendurisë politike. Përse u bë”?!
A mund të perceptohej ndryshe se mund ta përtypte Enver Hoxha kritikën apo kërkesën e llogarisë të një oficeri sado i lartë të ishte ai?!
“Kur dola nga burgu herën e parë në vitin 1982 dhe kur pashë këtë skemë të fortifikimit, të them të vërtetën, u indinjova – shkruan në kujtimet e tij Josif Zegali-dhe përpiqesha të gjeja se ku e bazojnë ? A ka vlera apo nuk ka të tilla? Këto pyetje ja bëja vetes, sepse unë e njihja shumë mirë atë sektor dhe e dija që një qendër zjarri (bunker) është i barabartë në vlerë leku me një apartament banimi, një dhomë e një kuzhinë. Nisur nga këto e aq më shumë nga prishja e shëmtimi i gjithë strukturës së vendit, i bëra një letër Enver Hoxhës, ku denoncoja këtë fortifikim si shkelje e parimeve të Artit Ushtarak, si shkelje e artit fortifikator, si shkelje e normave ekonomiko-financiare”.
Për letrën e mësipërme inxhinierin e rifusin përsëri në burg, nga ku kishte dalë pas një periudhe të gjatë burgimi që nga 1974-ta me grupin “puçist” të Ushtrisë, dhe këtë radhë rifutej përsëri në burg, madje me urdhër direkt të Enver Hoxhës. “E lexova letrën e “teoricienit të madh” të fortifikimeve tona, – shkruan Enver Hoxha për Josif Zegalin. Ky është një disfatist! Të arrestohet”!
Po cili ishte Kolonel Jasif Zegali? Pas Lufte, mbaron Akademinë “Kuibishev” në ish Bashkimin Sovjetik me “Medalje të Artë”, kthehet në Shqipëri dhe 33 vjeçarit i japin gradën Kolonel. Punon në funksione të ndryshme në Ministrinë e Mbrojtjes dhe drejton punimet për Uzinat e armëve në Gramsh e Poliçan, punimet për ndërtimin e tunelizimit në vilën e Enver Hoxhës në Bllok etj., deri në arrestimin në vitin 1974.
Siç vërehet qartë nga dokumentet, Enver Hoxha urdhëronte vetë këtë radhë arrestimin e tij sepse guxoi t’i jepte “këshilla” dhe më pas, përcaktonte edhe pyetjet që i duheshin bërë nga hetuesit për të përfunduar në urdhrat për dënime e ridënime. Ishte vetë ai, Komandanti i Përgjithshëm, Sekretari i plotfuqishëm, Enver Hoxha, që urdhëronte kryerjen e krimeve.
Ja çfarë tregonte Josif Zegali vetë dëshmitari, autor i letrës së sipërpërmendur, kundërshtar i çmendurisë bunkerizuese: “Enver Hoxha e kishte lexuar me “durim” letrën time. Vende-vende e kishte nënvizuar dhe në përfundim urdhëronte arrestimin tim, nxirrte pyetje për hetuesin e prokurorin, më stigmatizonte mua me ofeza cinike e të turpshme, si dhe urdhëronte dënimin tim penal tamam si gjakësor ashtu siç ishte”.
“Me datën 17 dhjetor të vitit 1982, pasi rrethuan pallatin tim, -vijon tregimin Josif Zegali, -më erdhën në shtëpi një grup oficerësh të Sigurimit dhe të Hetuesisë dhe duke më thënë se më arrestonin “në emër të popullit”… më vunë prangat. Pas disa minutash, përfundova në Birucën 13 të Burgut të Vjetër të Tiranës, birucë në të cilën pata qenë edhe më parë. Procesi në hetuesí u zhvillua e vazhdoi 94 ditë. Vuajta shumë. Kurrë nuk mund t’i harroj ato vuajtje as unë, as gruaja, as vajzat e mia. Vajza e madhe në ato kushte, vdiq e brengosur
“Me datën 17 dhjetor të vitit 1982, pasi rrethuan pallatin tim, -vijon tregimin Josif Zegali, -më erdhën në shtëpi një grup oficerësh të Sigurimit dhe të Hetuesisë dhe duke më thënë se më arrestonin “në emër të popullit”… më vunë prangat. Pas disa minutash, përfundova në Birucën 13 të Burgut të Vjetër të Tiranës, birucë në të cilën pata qenë edhe më parë. Procesi në hetuesí u zhvillua e vazhdoi 94 ditë. Vuajta shumë. Kurrë nuk mund t’i harroj ato vuajtje as unë, as gruaja, as vajzat e mia. Vajza e madhe në ato kushte, vdiq e brengosur e në mjerim në moshën 36 -vjeçare! Këto, ndaj meje e dhjetëra të tjerëve, ishin krime, krime, që në çdo kohë e në çdo vend, ndëshkohen penalisht e juridikisht, politikisht dhe historikisht”!
Po ku kanë të sosur krimet e Enver Hoxhës?! Ato janë shfaqur teorikisht në forma të ndryshme dhe janë ushtruar praktikisht me egërsi të përbindshme. Jo vetëm me akuzat e pabazuara monstruoze të “tradhtisë ndaj Atdheut” e të “agjitacion propagandës”, por edhe me represionin mbi ushtarakët e personalitetet të tjera, ato ka njohur forma monsturioze.
Ushtarakët e pësuan edhe për veprën penale agjitacion e propagandë, një aspekt tjetër i rëndë që vepronte po sipas devizës që e kishte përcaktuar po vetë Enver Hoxha, edhe vetë hetues, edhe vetë gjykatës. Të tilla gjyqe janë zhvilluar shumë dhe ajo që rezulton është se ato janë organizuar pa baza ligjore e me trillime të paimagjinueshme. Po përmendim një të tillë të organizuar në vitin 1975, në ish Korpusin e Korçës. Ishte një gjyq, nga ato të quajtur në atë kohë shembullor. Në aktakuzë ishte vënë oficeri Bajram Dervishi. Kishte më se dy dhjetëvjeçarë me radhë që Bajrami nga Vlora (vendlindja e tij) endej maleve e repart më repart të Korçës, Ersekës, Bilishtit etj me bindjen se i shërbente Atdheut. Po ja një ditë, në vitin 1975 nga “bindja” e tij, nga pakujdesia apo intriga i vunë prangat me motivacionin se “ke sharë armatimin kinez”.
Për dënimin e tij, nga lart orientuan dhe organizuan edhe një gjyq shembullor. Në kinema, salla ku do zhvillohej gjyqi, sollën nga tre rrethet, të gjithë oficerët e Korpusit. Në fytyrat e secilit shprehej habia për aktakuzën pasi oficerin e talentuar e dënuan me burg se “shau armatimin kinez”! Nga prej së larti, ku kishte shkuar njoftimi për “veprën e rrezikshme” të oficerit, nuk e kishin hallin te kinezët por te ajo se mos humbiste besimi te lloji i armatimit dhe kjo konsiderohej katastrofë për regjimin, i cili propagandonte se “në rast sulmi edhe nga koalicion armiqsh, do të fitohej” me atë armatimin “modern” kinez.
Ky lloj gjyqi e dënimi që përmendëm për Bajram Dervishin nuk ishte rastësi. Në periudhën 1960-1985, që t’u mbyllej goja oficerëve komentues për armatimin e gjëra të tjera të modernizimit të ushtrive në botë, komente që nuk i pëlqenin regjimit, diktatura organizoi më se 1.500 gjyqe (të tilla shembullore), ku janë dhënë edhe dënime të rënda për oficerët. Me gjyqe shembullore e me masa drakoniane, diktatura ushtronte presion e jepte “mësim” mbi oficerët.
Me dënimet që rezultojnë pa baza por që ama ishin dënime e denigrime, regjimi mbante ndezur situatën për të gjithë ata që shfaqnin edhe ndonjë mendim të “pa peshuar”. Oficerët të gjithë pa përjashtim edhe ato të periudhës së socializmit, por edhe ato të Luftës, ishin në survejim të plotë nga Sigurimi i Shtetit, pavarësisht se ishin oficerë e me yll të kuq në ballë. Psh oficeri madhor Adnant Qatipi, luftëtar antifashist i orëve të para, një nga atentatorët e përmasave të mëdha, shok armësh e ideali i “Heroit të Popullit” Myslym Keta, i u bë gati e shkoi deri në procesin e të ashtuquajturëve “puç ushtarak” i vitit 1974.
Gjyqe, që devizën e kishin nga zyrat famëkeqe të Sigurimit të Shtetit, nga ato zyra që edhe dënimi i oficerëve bëhej i planifikuar, madje me program mujor e objektiva. Kur u dënua ministri i unëve të Brendshme i diktaturës Feçor Shehu, doli se për dënimet e oficerëve ishte punuar me planifikim e me program. Kush e ka dëgjuar atë thagmë në atë kohë, është habitur. Po po, dënimet ishin me plan të Sigurimit të Shtetit, plane që reflektoheshin në blloqet tepër sekrete të programimit të punës së tyre. Në ato programe saktësoheshin përqindjet se si duheshin realizuar arrestimet dhe dënimet e njerëzve në përgjithësi, e të oficerëve në veçanti. Njerëzit e ndershëm, që e kanë jetuar atë kohë, i njohin mirë veprat ogurzeza të regjimit komunist, i cili përmes organizmave të tij të diktaturës veproi me sadizëm ndaj të cilave familjeve të tëra ende nuk u janë tharë lotët.
Dënimet u jepeshin kryesisht personave me kleçka e cene në biografi, të cilët ndiqeshin nga hienat e Sigurimit këmba-këmbës derisa t’i zinin në gabim ose u krijoheshin qëllimisht situata të atilla që të gabonin , ose vihej në plan x – oficer, i cili për arsye të krijuara artificialisht, akuzohej pa baza dhe dënohej pa gjë të keq. Psh, një shef Sigurimi në ish Korpusin e Shkodrës, herë pas here në mbledhjet e organizatës së partisë, ngrihej, diskutonte e bënte autokritikë komuniste se prej shumë kohësh “nuk po zbulonte asnjë armik në radhët e oficerëve. Të tillë – ai thoshte se ka, – po se ku janë, nuk po i zbulojmë. Kjo është dobësi e punës së Sigurimit”.
Kjo strukturë ogurzezë, e ashtuquajtur Sigurimi i Shtetit, kërkonte medoemos “armiq” që të realizonte detyrën-plan, të vënë nga partia për oficerët, si një masë për t’i mbajtur ata në zap. Dhe saktësinë e pohimit të Shefit të Sigurimit të Korpusit të Shkodrës, e gjejmë edhe në dokumentacionet e seancën gjyqësore për ish ministrin e Brendshëm Feçor Shehu.
Ka edhe plot aspekte të tjera që bëjnë pjesë në depersonalizimin e ushtarakëve, si ai i vitit 1967, ku 25 studentë që mbaruan studimet në degë të ndryshme të Universitetit të Tiranës, ajka e re e të ardhmes së Ushtrisë, i dërguan masivisht me dënim dy vjet ushtarë, sepse udhëheqja e partisë me informacionin e Sigurimit të Shtetit, zbuluan që studentët (sipas sigurimsave) “padrejtësisht” kishin penetruar në auditorët e Universitetit, pasi ishin me “biografi të keqe”, ndaj u mor vendimi që nga auditorët e Universitetit Shtetëror të çoheshin dy vjet ushtarë, pastaj të shikohej se si do veprohej me ta. Të gjithë studentët që i çuan ushtarë të thjeshtë, i çuan pa armë dhe ata ishin Agim Hoxha, Seit Hasani, Fitim Meta, Muharrem Dizdari, Edmond Pisha etj.
Po sa e sa oficerë u ndoqën e u dënuan edhe për mësimin e gjuhëve të huaja me akuzën si “agjentë” se përndryshe bënin pyetjet (zyrat e zeza të Sigurimit) çfarë u duhej atyre anglishtja?! Statistikat e mbledhura në arkiva dhe në degët e personelit, tregojnë për 1200 raste të tilla. Argumentimi (gjithnjë sipas statistikave të diktaturës), leximi i literaturës së huaj sepse sipas sigurimsave (injorantë) “gjuha e huaj që mësonin ata (që e mësonin vetë) i bënte ata kontingjente të agjenturave”.



















