Për Hulusi Hakon, kryetarin e Komitetit Kombëtar të Veteranëve

359
Sigal

Nga shënimet e Sevo Tarifës

Sevo Tarifa

 

Ai ka një jetë të pasur, shumë aktive e krijuese, që udhëhiqet nga parimi: “Si të jem çdo orë e çdo ditë vetëm shoqërisht i dobishëm? Eshtë një minierë krijuese, që të lehtëson hartimin e portretizimit të tij. Prandaj dhe me postulatin “Me thuaj ç’ke punuar e botuar publikisht, të gjykoj dhe se cili je”, më krijohen hapësira të pakufishme për të thënë se ai është një njeri që ka dhënë dhe meriton shumë, paçka se çdo orvatje për portretizim, bie ndesh me modestinë e tij karakteristike, sepse ka një brumë karakteri, ku mbizotëron altruizmi njerëzor para çdo lloj egoje. Një nga kolegët e tij, Profesor Ibrahim Gashi, bashkëideor dhe bashkëpunëtori më i ngushtë për çështjen kombëtare, një përfaqësues aktiv i Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, Profesori dallohet edhe si atdhetar e altruist aktiv. Prej vitit 2007, ai kryeson Shoqatën Atdhetare për Identitet e Bashkim Kombëtar, ka mendim e fjalë të argumentuar e bindëse për mbajtjen gjallë dhe sendërtimin e aspiratës shekullore dhe amanetit të të parëve se: “Një komb është Shqipëria, nga Kosova te Çamëria”. Ka shkrime, kumtesa e referate kushtuar çështjeve të Bashkimit Kombëtar; insiston në idenë se “më parë i duhet përkushtuar integrimit kombëtar, mandej dhe atij evropian” dhe nuk pajtohet me ngathtësinë  e politikave dhe qëndrimeve zyrtare shqiptare në këtë çeshtje jetike dhe divergimin e tyre me ndërgjegjen popullore; apelon për një rol më aktiv të shoqërisë civile e intelektualëve, shpreh bindjen se “shtet-kombi shqiptar do të jetë vepër e një burrë shteti vizionar, të përkushtuar e atdhetar” etj.

Atë e gjejmë të pranishëm në Manastir për 100 vjetorin e Kongresit të Dytë për Alfabetin shqip, në shkollën “Skënderbej” të Krajës (Mali i Zi), në Institutin Albanologjik të Prishtinës për promovimin e librit “Shqiptarët dhe grekët”; në Skënderaj të Drenicës për përurimin e shtatores së Adem Jasharit, në Prishtinë më 17 shkurt 2008.  Mendimi i kthjellët dhe i qartë, i garanton atij dhe një komunikim të suksesshëm. Të thjeshtë nuk ka vetëm gjuhën e të vërtetës; i tille ai është edhe vetë. Nuk përdor fraza zyrtare dhe me manierë intelektuale. Të shtrohesh me të në bisedë, pa e njohur paraprakisht, as ta jep përshtypjen se ke të bësh me një të arsimuar në  filozofi. Nuk i bie gjoksit, nuk bën karshillëk, nuk i bëhet të pohoje se: “unë jam më i ditur se ti”. Flet qetë, me logjikë e arsyetim, me argumente bindëse. E ka të rrënjosur parimin pedagogjik: “Në qoftë se i bind njerëzit të mendojnë drejt, ata të duan, nëqoftëse u imponohesh me opinionet personale, ato të shmangen”. Thonë se thjeshtësia është vetia me e vështirë, por dhe më e mira. Siç është i thjeshtë, ashtu dhe lidhet e bashkëpunon me njerëz të çdo kategorie, me dijetarë dhe me “të vegjël”. Le të mos kenë shkollë, mjafton të jenë fisnikë e mirëbërës. Eshtë i dashur me të gjithë dhe për të gjithë. Mbetet i respektuar nga të gjithë, sepse edhe ai di t’i vleresojë e t’i respektojë të tjerët. Në portretin, që i bënin studentët e vet, shkruajnë: “Ai nuk na ndahet edhe në aksione e punë prodhuese, në ekskursione e mbasdite tematike, në konkurse e olimpiada. Ndjen gjallërinë, vrullin dhe buzëqeshjen e rinisë, por edhe vetë është natyrë optimiste, gazmore e me humor të hollë, dashamirës e komunikues, një shok i mirë i të gjithëve inkurajues, kundërshtar i të kënaqurit me pak, qortues i veseve dhe të metave, por aspak hakmarrës”! Në të gjitha nivelet e shkollës, deri në Universitetin “Lomonosov” të Moskës, ai nuk njeh vlerësim tjetër përveç “Shkëlqyeshëm”. Përsa i përket gjimnazit “Asim Zeneli” të Gjirokastrës, për vitet e mia atje, janë një plejadë njerëzish publikë e të shquar, por ai radhitet me Ylvi Vehbiun e Mite Gugën, – një treshe e shkëlqyer, që u dallua në jetën tonë shoqërore, respektivisht, në fushën e psikiatrisë, filozofisë dhe matematikës. Studioi me këmbëngulje në Fakultetin e Filozofisë, ku mbrojti shkëlqyeshëm Diplomën me temën “Roli reaksionar i islamizmit në Shqipëri” (1958), mori titullin e nderuar e të merituar, si specialist i filozofisë dhe po e përcjell atë me dinjitet. Para dhjetëra brezash studentësh ka ligjëruar leksione, ka drejtuar dhe seminare. Kuadro të larta të profileve të ndryshme, shumica tanimë edhe pensionistë e kujtojnë edhe sot me konsideratë profesorin e tyre dhe shprehen me përshtypjet më të mira. Njoh një shumicë prej tyre, por asnjeri nuk ka pasur shansin t’a përgojojë, qoftë dhe për ndonjë aspekt sado elementar. Përkundrazi, flasin të bindur për zotësitë e aftësitë pedagogjike, nivelin e lartë të përmbajtjes së leksioneve në filozofi dhe ateizëm, për stilin tërheqës, për karakterin e tij të shëndoshë dhe moralin e lartë. Më ka rastisur të kaloj edhe nëpër fshatrat e rrethit të Krujës, ku kishte qenë Profesori me qarkullim për disa vite dhe jam dëshmitar i gjurmëve, mbresave e kujtimeve më të mira për të. Njerëz të thjeshtë, apo kuadro drejtues, ateistë apo besimtarë, pohonin pa mëdyshje se “Ai të bind, të mbush mendjen”. Ai ka dhe një humor të hollë, ku duhet të përqëndrohesh mirë për ta kapur. Madje, shumë kanë  shprehur dhe mendimin, se nuk e dallonin dot, kur ai e ka seriozisht dhe kur flet me humor, por po ta pyesësh për këtë, të shpjegon: “Më seriozisht kam ato që i shpreh edhe me pak humor”. Ish revista “Hosteni” i pati dhënë çmim për shkrimin “Qime, ç’na more në qafë, moj qime”. Filozofia të do dhe të bën të zgjuar. Filozof nuk janë vetëm disa me mjekër, se po të niseshim prej kësaj, do të na rezultonte edhe cjapi filozof! Njeriu mund të jetë me potencial intelektual edhe  fare pa flokë e mjekër. Për batutë e mbajnë edhe sot e kësaj dite ish studentët e tij, që e pyetën gjatë stërvitjes ushtarake : “Pse lan krejt kokën dhe jo vetëm fytyrën në mëngjes?”. Ai ishte përgjigjur thjesht: “Nuk e dalloj dot, ku mbaron fytyra dhe ku fillon koka”, gjë që mbeti si barcaletë. Nuk është politikan profesionist, por pozicionohet qartë në krahun e majtë, jo vetëm pse vjen nga një shtresë e varfër, pse aderoi herët në komunizëm, apo pse u arsimua dhe punoi si pedagog i filozofise marksiste- leniniste. Këto janë vetëm premisa dhe pikënisja. Më tej ai ka konsoliduar dhe bindjen konceptuale, se e majta përfaqëson bazën, rrënjët e shoqërisë, masat e gjera që bëjnë historinë dhe mbajnë gjallë shoqërinë; ajo është dhe karakteristikë dominuese për Shqipërinë, ajo ka për bazë sociale vegjëlinë dhe kujdesi për interesat e saj është obligim moral e qytetar. Përgjithësisht ai ka mendimin, se populli nuk duhet të shtjerë sevda me asnjë lloj politike e kategori politikanësh, sepse ata mbeten gjithnjë borxhlinj ndaj vendit dhe asnjëherë nuk bëjnë qeverisje të përsosur. Aq më pak nuk duhet t’i bëjë shumë temena politikave zyrtare shtresa e intelektualëve, që prej natyre, janë e duhet të mbeten gjithnjë kritikë, kërkues e krijues në problemet politike e shoqërore. Atje ku mbaron e majta, shtresat dhe kategoritë e shfrytëzuara, që jetojnë me mungesa e privacione, ngrihet si infrastrukturë e djathta, e cila i ka dhe kontributet e saj, por më shumë ka synuar të drejtojë, të ketë pushtet, sepse ka pasur dhe arsimim e “oxhak”, vjen nga “dyer të mëdha”. E majta, mbetet gjithnjë më masivja dhe përpiqet për sigurimin e të drejtave jetike nëpërmjet një shteti sa më social, kurse e djathta, e do pushtetin, më shumë, për të mbrojtur interesat e veta. Pushteti i saj bën dhe reforma “thërrimesh” që të ulë zemërimin dhe revoltën. Profesori ynë konstaton me të drejtë dhe se “E djathta” aktuale shqiptare, e ardhur në pushtet, u rikuperua qartësisht si një bllok antikomunist, i cili iu sul komunizmit si një uragan i papërmbajtur. Ajo, hem hiqet si “demokrate”, hem tund flamurin e luftës kundër komunizmit, teksa i gëzohet pasurisë së vjedhur të popullit shqiptar!

Por Lufta dhe jeta i konfirmoi komunistët edhe si patriotë shembullorë. Ai e quan absurditet dhe përmbysje të historisë evokimin dhe ngritjen në piedestal të kolaboracionizmit ballist-legalist dhe rezistencës e kundërshtimit të pushtetit popullor, si qëndrime “antikomuniste”, me “vlera” historike, sepse komunizmi është arsyeja shkencore e njerëzimit. Ato rezistenca dhe revolta kanë qenë orvatje të dëshpëruara të reaksionit e klasave të përmbysura kundër pushtetit të ri. Po a është jeta e Profesorit tonë si Bulevardi Nevski, fare e qetë dhe e kulluar? Ai vetë ndjehet i emancipuar, fare pa paragjykime dhe buzëqesh kur  kundër reagojnë, qoftë në terrenin botëkuptimor ateist, qoftë dhe në atë politik, që nuk kanë munguar. Profesor Hulusi Hako është i dekoruar me Medaljen e Punës, me “Urdhrin Naim Frashëri” dhe me”Ҫmimin e Republikës, kurse Shoqata G.A.MA.DI e Romës e ka shpallur Anëtar të Presidencës së Nderit (2000) dhe gëzon  statusin e Veteranit të LANҪ-it. Prej kohësh Dritëroi, për pak sa s’i sugjeroi të bënte kërkesë për t’u pranuar si anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Ky është, pak a shumë Profesori ynë: kot kush e mban inat, keq dhe kush i hyn ne hak, se këtë fjalën e fundit ai e quan si rrënjë të mbiemrit të vet, sipas të cilit, as nuk të hyn vetë, por as nuk dëshiron t’i hysh në hak!