Pena e Kristaq Tutulanit u shua nga plumbat e fashizmit

511
Sigal

Udhëtari që shkon nga Durrësi për në Rrogozhinë, pasi lë fermën e Gosës, në të majtë të rrugës shikon një përmendore me këtë mbishkrim:  “ Margarita e Kristaq Tutulani, vrarë nga fashistët, më 6 korrik 1943”. Të dy komunistë, anëtarë të Komitetit Qarkor të Partisë Komuniste në Berat, dhanë jetën në moshën e pranverës të jetës së tyre.

Kristaq Tutulani lindi më 7 dhjetor 1919 në Berat.

Që në moshë të re shquhej si talent në fushën e letërsisë. Tematika e krijimit letrar është e gjerë

Me gjithë kohën e shkurtë të jetës së tij Kristaqi gjen mall dhe dashuri për tokën mëmë, për popullin që vuan, për dashurinë, për të varfërit, të cilët tërë ditën mbledhin ullinj, për dy lekë të shkreta, për traditat liridashëse të popullit të tij duke na dhënë pamje të realitetit shqiptar!

Do të jetë kjo njohje që pak vjet më vonë, të përqafojë çështjen për çlirimin kombëtar dhe të bëhet një militant i shquar i Partisë, që trumbetonte krijimin e një bote të re! Shkruan në prozë , përshkrime; skica dhe novela; shënime mbi artin dhe letërsinë; artikuj, letra, biseda etj. Shkruan në poezi vargje për natyrën, bukurinë, dashurinë, atdheun, mjerimin, vetminë etj

Shkrimet letrare, janë përmbledhur në librin: “Shqipëri Himn i Trëndafiltë”

 Nga libri “Shqipëri Himn i Trëndafiltë”

Atdheu

Zemra e atij shqiptari, që ka lindur në malet e fushat e bukura gjelbërore të këtij atdheu, ka qenë, është dhe do të jetë një zemër e thjeshtë shqiptare: një zemër që do kurdoherë vendin e saj lindor të dashur, kasollen e paharruar atje tej, larg ndoshta mbrapa malesh, majë shkrepash e përmes  e përmes pyjesh, atjee ku ndoshta s’ka asnjë shenjë gjallësie, , po prapë e do atë e atje do të vdesë, atje do t’i çlodhen eshtrat, atje do që të ketë shtëpinë e tij të përjetshme.

Gjithshka mund të harrohet. Mund të harrohen dashuritë, kujtimet e të këqiat e kohës së kaluar, dhimbjet, gëzimet, harrohet çdo gjë, por jo dashuria ndaj atdheut të dashur dhe të shenjtë!

 

 

Tha Perëndia…

 

Tha Perëndia:Gur, ti je aq i fortë, që vetëm një gur tjetër mund të të thyejë. ( se atëhere veglat e metalit s’kishin dalë). Do të të fal hidhërimet dhe vuajtjet, mbasi ua dhashë të gjithëve e asnjë si duroi. O Gur,!Krijesa ime, duhet ta pranosh këtë dhuratë hyjnore. Pse stepesh? Pse ngurron? Unë dua kështu e kështu do të bëhet.

Tha Guri: Lavdi pushtetit tuaj, o zot i madh!Erëndë është barra që më jepni, por si një shërbëtor i bindur duhet ta pranoj.

Dhe ashtu u bë. Guri mori mbi kurrizin e tij hidhërimet dhe vuajtjet. Por a i duroi dot?… Pasi kaluan ca kohë i tronditur dhe i kërrusur deri në palcë, i shtypur e i rrëgjuar si mos më keq, i lodhur dhe i raskapitur, plasi. Ai Gur i fortë, aq kryelartë, ai shkëmb që çante tallazet e shkumbëzuara e shpërndante frashinë e furishme, që u priste udhën reve të dendura e rrufeve gjakatare, nuk duroi dot.

O zot ! Nuk duroj dot më!-tha.

Dhe Zoti, pasi gjykoi mirë,-i tha njeriut:

Njeri, krijesë e dashur! Për hir të dashurisë së veçantë që unë kam për ty, pranoje këtë dhuratë, sado që s’është dhe kaq e mirë!

Dhe njeriu pranoi.

Që prej asaj kohe kaluan shekuj e shekuj. Njerëzimi përparoi, por barra mbeti po ajo. Njeriu fluturoi si zog . kaloi dete si peshk, çau kanale e tynele, ndreqi pallate dhe rrugë, por vuajtja e ndoqi kudo. Pranë një pallati është një kasolle, pranë një automobili është një këmbëzbathur, pranë një lordi është një i uritur. Sa lot e sa gjak e nja njomur rrtën e jetës që vazhdon të sillet qetësisht e vazhdimisht. Dhe njeriu, kafsha më delikate, duron dhe duron. Por vallë a do të durojë gjithnjë? Njëri është i lumtur, tjetri vuan: dikush këndon e dikush tjetër qan. Por a do të vazhdojë kështu? A do të vijë një ditë që njeriu të dalë dhe të thotë:

Mjaft më!…U lodha së he       uri në këtë botë të gatuar me lot!

Të gjithë e rrëfejnë këtë legjendë në anët tona, por askush s’ia di fundin, mbasi nuk ka mbaruar ende.Thonë se njeriu do të shpëtojë. Pabarazia e vuajtja do të zhduken…A ta besojmë?

 

Shqipërisë

Shqipëri !

Himn i trëndafiltë!

Çelur n’agim lirie,

Në zemra djalërie,

Rreth vatrash varfërie.

Një këngë:  “Shqipëri!”

 

Ilirë lundërtarë,

Arbëreshë kordhëtarë:

Krijuan një poezi.

E gjithnjë lindet shpresa

Tek lidheët besa:

“Ja vdekje , ja liri”!

 

Ku penda çel një dritë

Dhe, puna pëshpërit,

kreshendo një sinfoni.

Kur  bujku mbjell një jetë

Dhe, korr  në të vërtetë.

Zu djeg një mall i ri.

 

Të shoh më të gëzuar,

Kur nën’ e qetësuar

Përkzund një djep të ri.

Dhe ngrihet  rrug’e ndritur

Një e lumtur Shqipëri.

 

Shqipëri!

Himn i trëndafiltë!

Çelur n’agim lirie!

Në zemra djalërie.

Rreth vatrash varfërie:

Një këngë: “Shqipëri!”

 

E ka djali

-Eja moj këtu me mua!

Je e ëmbël-o!

Je e bukur –o!

 

-T’u thaftë goja, bari, ç’thua?

Jam e mitur-o :

shum’ e mitur-o!

 

(Çupa s’është për t’u kapur.

Duro djal-o s’mund të vijë.

Trëndafili për t’u hapur,

po pret kohën të arrijë.)

 

Eja moj për bukurinë,

se të dua moj:

shumë të dua moj!

 

-Po ç’më thua bari, tinë?

Oh, kam frik’o ti!

Kam shum’ frik’o ti!

 

(Vashën, o bari i mirë,

Lëre se ngjan me burbuqet…

Rrushi ësht’i paarrirë.

Vjeshta qaset, pastaj skuqet!)

 

Erdhi vapa, erdhi vera!

Nd’darë na u verdh kalliri.

Pas vjeshtës pihet vera,

vashës zu t’i fryhet gjiri.

Fyelli nisi, delet nisën,

e ka djali përngaherë.

Shtegtar…

Eca dhe eca.

Shtegtar

i dashurisë kërkimtar!

I etur për lumturi,

Për puthje, epshe e për një vegim,

që oshëtima zulmesh e shpresash zgjon.

Eca  dhe eca,

deri sa këmbët m’u raskapitën fare!

U ndala.

U preva,

mbi tokën e ftohtë, kur nata magjistare

në gjin e saj me mall të rinjtë fton!

Mbi lisat e pyjeve errësirën endi.

Dhe në të kuqërremtin agim,

prapë eca dhe eca.

E me nxitim,

e male e fusha e zabela si një shigjetë,

hedhur furishëm prej më të mirit shigjetar,

depërtova e kapërceva.

Shtegtar:

i palodhur kërkimtar,

i lumturisë  së vërtetë

i dëshëruar për një çast gazmendi:

për puthje, zjarrmi.

Gjithnjë eca dhe eca.

 

Një ditë kur isha rropatur fare,

kur shigjetari i purpurtë rrëmbente

me hov:

maja pemësh e pullazesh e kumbonaresh,

vështrimi im i humbur hasi syt’ e tu,

të zez, të bukur, plot hijeshi.

Syt’ e tu

Me hov!

Një ditë kur isha i drobitur fare,

kur mbreti i ditës në Perëndim shkëlqente

dhe mike n’ata sy,

gjeta.

Kur vetëm me ty

mbeta:

ndënë një kupëz t’argjendët pikash ari qëndisur

të ëndrrave të mia, idealin e shastisur.

 

Poezia popullore- poetët anonimë

Poezia popullore në një vend si Shqipëria, ku poezia letrare ka qenë shumë e kufizuar gjer në kohët e fundit zë një vend të nderuar në thesarin shpirtëror. Kjo poezi anonime kalon gojë më gojë, brez pas brezi duke interpretuar shpirtin e kombit tonë: “Kthehuni, te këngët truaja, në doni të mësoni historinë e vendit tuaj”.

Heroi më i lashtë që takojmë në këngët tona është Skënderbeu…

Dhe rapsodi anonim na tregon me fjalë të gjalla lindjen e Skënderbeut: “Gruaja kish parë në ëndërr: perëndia i kish falë një fëmijë , që ishte si dragua. Trupi i tij mbulonte gjithë Shqipërinë,. Koka shtrihej gjer në Anadoll dhe kishte etje”: kështu ëndërronte Vojsava. Princ Gjon Kastrioti, i shoqi, si malësor që është, di të kuptojë ëndrrat: “Fëmija  do të bëhet luftëtar dhe tmerri i qenit turk”. Dhe fëmija lindi. Ai, peng te turqit bëhet Skënderbeu. Pastaj kthehet në atdhe si të gjithë luftëtarët shqiptarë dhe poeti anonim këndon:

Qyteti mbarë rend t’i dalë përpara Skënderbeut dhe ushtrisë së tij.

Një vashë mat hapin. Një djalosh ushtar i kap këmbën. Vasha lëshon një klithmë.

Dhe rapsodi nëpërmjet fjalës së të ëmës këndon:

“ Në është gjarpëriqë e ka zënë, ka barëra që e shërojnë. Në është dorë njeriu , që e ka zënë , ajo don që ajo dorë të jetë e burrit të saj. Pastakj e shohim heroin tonë në mes të zotërve të Shqipërisë, si mbret i vërtetë, si i vetmi që në gjithë historinë diti ta kthente popullin tonë në një ushtri të disiplinuar…

Dhe rapsodi popullor këndon: Rrinin në tryezë Skënderbeu dhe Miloshini.

“Miloshin , im vëlla dil e shiko ç’bubullima janë këto:në qoftë qielli që gjëmon ktheu menjëherë; në qoftë gjëma e turkut, thirrmë..ishte pararoja turke me flamur të shpalosur. Miloshinit i vjen turp të kthehet dhe paet rininë e vet: “O rini sa zemra ke?-Nëntë sa për nëntëqind!” – o shpatë, sa zemra ke?- Nëntë zemr a sa për nëntëqind. Dhe kali i jep të njëjtën përgjigje: bën kryqin dhe hidhet si skifter mbi pëllumbat e detit. Fitore të mrekullueshme dhe të padëgjuara.! Evropa e habitur brohoret; vetë Muhameti i dytë dhe pastaj Mehmeti i biri, kërkojnë armëpushim. Skënderbeu zbret në Itali për të ndihmuar Alfonsin e Aragonës dhe del ngadhënjimtar…

Dhe rapsodi këndon:

“Murati i çon fjalë luftëtarit: “Ti fiton se ke shpatën magjike. Dërgomë shpatën dhe nuk do të fitosh më”! Dhe heroi i madh buzëqesh e i dërgon shpatën. Mirëpo me t’u ndezur beteja e parë, Murati ndahet edhe më keq. Atëhere çirret se Gjergji qenkesh i pabesë: “Nuk më ke dërguar shpatën e vërtetë”!- Shiko se duhet të të kisha dërguar krahun, jo shpatën time”! dhe shpata bie përsëri mbi turkun: 120 mijë jeniçerë shpartallohen, 80 mijë të tjerë dhjetohen, dhe Sulltani, duke u grirë me vete kthehet në Andrianopojë, për të vdekur nga turpi e dhembja. Ndërsa Evropa dridhet, ndërsa Konstandinopoja,-  shprehet rapsodi, ka rënë në duart e turqve, ndërsa grekër, bullgarë dhe hungarezë bien nën këmbët e tyre, vëetëm Skënderbeu qëndron në këmbë dhe vazhdon të ngadhnjejë: “ Njeri apo Perëndi është ky ?” pyet këngëtari!

Këndojnë rapsod[t, këndojnë poetët, këndojë gratë dhe princërit luftëtarëkur, ndonjëherë heqin shpatat dhe i kryqëzojnë…

Të tilla janë këngët që shoqërojnë jetën tonë shoqërore dhe popullin tonë nga djepi der në varr.

 

 

Thuajma, thuajma mua

Kur shkove në krua:

ti moj bukuroshe:

a mos e pe trimin?

Thuajma, thuajma mua.

O moj pitikoshe,

trimin mos e pe

Gjith’ gaz gjith’ hare?

 

Po, kur t’u afrua

Ty, moj pëllumbeshë

Kur t’u afrua thuajmë a u skuqe?

Thuajma, thuajma mua.

 

E vockël bareshë.

Mos u drodhe pakë?

Mos u skuqe flakë?

Kur të tha “të dua”

lule trëndafile?

Kur të tha “të dua”,

mezin a ia fale?

Thuajma, thuajma mua

Lule trëndafile!

Puthja nuk të ndezi,

gjatë këtij mëngjesi?

 

A blihet me flori?

Se ç’mbresë!

Oh, ndarja e papritur më mbolli m’u në gji.

Në zemrën e ronitur të bërë shkrumb e hi

veç shpirti im ma di!

 

Se ç’dënesë!

Se ç’vrerë e ç’lot i hidhur, kur isha larg nga ti.

M’u ndalti m’u në grykë!… do t’ia tregoj në heshtje

veç varrit tim të zi.

 

Se ç’shpresë!

Të re dhe sa të ngrohtë më fale, se ç’qetësi,

kur një vështrim të ëmbël më hodhe përsëri!…

A blihet me flori?

 

Zemra e atdhetarit

… Zbriste në rripa e në përrenj, ngjitej me guxim në male, hynte pa frië në pyje. E quante veten trim.

Era e egër malësore merrte fjalët e tij, ankimet e tij e i përcillte në çdo anë të atdheut.

Luani i maleve, panterë e patrembur, u zgjua. Nxori prej xhepi të gunës një flamurth. E puthi, e afroi pas zemrës dhe e futi në gji; pastaj filloi të psherëtinte, të fliste me vete fjalë të zjarrta e, kur shppirti iu pushtua prej zemërimit të errët, bërtiti:

!” O fat i pashpirt!…O padrejtësi!…O natyrë pa ndjenja!…O perëndi, përse nuk të vjen keq?…Pse ky mosbarazim?…tërë popujt gëzojnë liri, tërë popujt qytetërohen, vetëm ne!…Ah, të mallkuarit turq!”

Era e egër malësore merrte fjalët e tij e ia përcillte në çdo anë të atdheut.

“Hapu o errësirë e ndyrë, hapu! Shpërndau, o pluhur mbytës! Hiqu hije mizore e tiranisë! Çelu o dritë e ëmbël e lirisë!” –pëshpëriste me dëshirë të flaktë.

Por ç’flas?…A vetë do të zhduket errësira, kur asnjë s’luan vendit?…Ku janë ata trima, që ndaluan sulmet barbare e u bënë mburojë e Evropës  ? Të gjithë për të tjerë? A s’paska asish që të kujtohen për mëmën e tyre?”-thërriste me dëshpërim.

I përgjigjej zemra e tij:

“Jo! Mos e shih botën vetëm së prapthi! Ktheje nga e mbara”! Sa barinj gërvishtin tokën me kërrabën e tyre e shkruajnë shkronjat e shenjta që ti mësove”!

…Oh, po unë kam dalë me qëllim që shpata e saj të hyjë thellë e thellë në zemrën time, se duke vdekur unë, do të marrin shembull të tjerët e me shumicë do të derdhen në këtë rrugë dhe atëhere vdekja s’ka ç’u bën, se janë shumë…Dua të vdes, zemra ime e kërkon!..-Është një trim i rrallë,-tha një zanë me ëmbëlsi.”Një atdhetar i flaktë,-shtoi një bukuroshe tjetër me adhurim.

E zanat u zhdukën.

Trimi ndenji pak i heshtur, pastaj vështroi. Vrenjti vetullat. Kaloi me hapa të rëndë e, në vendin që mbeti i zbrazët, buçitën fjalët e tij:”Ja liri, ja vdekje!”

Së largu ndihen krisma të mauzerit mizor e trupi i viganit u rrëzua i shpuar në zemër, ku ai dëshironte.

Ç’ngjau?

Një përpjekje me patrullën.

Trimi kryengritës vdiq, se ashtu donte zemra e tij atdhetare.

28 Nëntor 1935

 

 

 

 

 

 

kjuyt