Peço Kagjini: Unë si luftëtar i Luftës Nacional çlirimtare e kam gëzuar ditën e 29 nëntorit, si ditën e Çlirimit

1091
Peço Kagjini është autori i tre botimeve të titulluara: “Blloku i shqyer”, “Viti ’89”, “Vargje Zemrash”. Ndërkohë 14 libra të tjerë i ka dorëshkrime, që nuk mund t’i botojë për arsye financiare. Përmes tyre autori sjell historinë, ngjarjet e zhvilluara ne vendin tonë që nga depërtimi i ideve komuniste, Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, diktatura komuniste e në vijimësi në demokraci.
Kalvari i vuajtjeve
Peco Kagjini sot është ne moshën 92-vjeçare. Partizan i orëve të para, me kontribute në luftë e pas saj, por që për bindje ndryshe nga diktatura në disa aspekte, u përndoq e u persekutua për 35 vjet rresht. Me gjithë kalvarin e madh të vuajtjeve, diktatura nuk arriti ta tjetërsoj atë. Peço Kagjini mbeti një shpirt i lirë dhe krenar. Shteti komunist dhe mekanizmat e tij, nuk arritën ta depersonalizojnë figurën e Peço Kagjinit. Në shpirtin e munduar të Kagjinit, nuk zuri vend kurrë hakmarrja primitive, por ndjenja e dashurisë dhe e mirëkuptimit mes shqiptareve, e shtetit ligjor, si e vetmja shprese për ta çuar vendin përpara. Edhe pas burgut e kalvarit të gjatë të internimeve edhe pas ndërrimit te sistemit, Peço Kagjini mbeti ne harresë, pa strehë, me një pension të pa përfillshim. Në këto rrethana mori rrugën e emigrimit se toku me familjen e tij. Ai jeton ne SHBA, por gjithmonë me mendje e me zemër është në vendin ame.
29 Nëntori
Në pragfestat e nëntorit i pyetur, nëse është 28 apo 29 dita e Çlirimit, Kagjini nuk nguron të na shfaqë mendimin e tij. Nëse është 28 apo 29 Nëntori dita e Çlirimit, u takon historianeve ta verifikojnë. Unë si luftëtar i luftës Nacionalçlirimtare e kam gëzuar ditën e 29 Nëntorit si ditën e Çlirimit. Me atë bindje kam kaluar gjithë kohen. Nuk i kam dhënë kurrë rëndësi faktit, nëse u çlirua më 28 apo 29 Nëntor. Mendoj se, sot ky fakt përdoret më shumë për politikë, ndaj mendoj se fjalën e fundit duhet ta thonë historianët. 
Vitet e Luftës
Kam qenë pjesëmarrës në lëvizjet revolucionare para se të formohej Partia Komuniste. Isha vetëm 15 vjeç atëherë. E kam kaluar jetën ne konviktet e shkollave ku studioja. Aty u lidha me shokët e mi. Në vitin 1942 u anëtarësova në Parti dhe kam patur përgjegjësi gjatë viteve të luftës. Kam qenë përgjegjës i partisë në qarkun e Gjirokastrës, por dhe i luftës, deri sa u çlirua Gjirokastra. Isha i pari kryetar i komitetit ekzekutiv dhe i komitetit të Partisë së Gjirokastrës. Luftën këtu e mbylla. Pastaj ushtrova detyra të tjera, si kryetar i komitetit Ekzekutiv në Tiranë, sekretar i Partisë për disa kohë e më pas në diplomaci, si në ambasadën e Beogradit në një situatë shumë të vështirë, në kohen kur u prishën marrëdhëniet mes dy vendeve. Kam punuar gjithashtu në Ministrinë e Bujqësisë e të tregtisë, deri sa erdhi konferenca e vitit 1956 në Tiranë. Aty patëm përplasje, pasi unë kam patur rezerva në shumë gjëra gjatë gjithë kohës, por sigurisht me besimin se po bënim më të mirën.
Në Konferencën e Tiranës
Në Konferencën e Tiranës u ndamë. Mua më akuzuan si antiparti. Këtu filloi goditja që vazhdoi gjate gjithë jetës sime pastaj. Persë i përket Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, mendoj se në dhamë kontributin më të madh që kishim mundësi të jepnim në luftën e dytë botërore. Ishim krah aleateve të mëdhenj, nuk kishim asnjë dyshim për luftën tonë, ishim luftëtare besnike të kauzës së çlirimit të botës nga nazifashizmi. Mendoj se problem i luftës në Shqipëri është politizuar. Nuk duhet të merremi me këto gjera. Kauza e luftës sonë ishte e drejta. Do ta vlerësoja si një nga periudhat me të lavdishme të historisë së popullit tonë. Ne e vendosem Shqipërinë në krah të forcave me progresive në botë, me fuqitë e mëdha që luftonin Hitlerin dhe Musolinin e sistemet e tyre. Dhe dhamë kontributin më të madh. Konkretisht mua ma dogjën shtëpinë që në vitin 1944. Populli shqiptar ka një faqe të lavdishme në histori, me të cilën duhet të mburret. Ndryshe Diktatura. Nëse duhet te mburremi me luftën, duhet dënuar diktatura me luftën e klasave, luftën kundra fesë etj. Historianët duhet t’i shohin gjërat në dritën e asaj qe do t’i shërbente kauzës se bashkimit të popullit shqiptar, kauzës së zhvillimit të vendit drejt përparimit të kombeve më të zhvilluara. Të bëhemi pjesë e Europës së Bashkuar. Ndërkohe edhe diskutimi 28 apo 29 synon të mbajë gjallë anarshinë politike që është në Shqipëri. Shqipëria nuk bëhet me anarshi, nuk nderohen shqiptaret ashtu. Jemi të vonuar me demokracinë e vërtetë. Shqiptarët kanë një histori të lavdishme. Këtë e kane bërë ata që kane ditur ta bëjnë dhe jo ata që mburren për ta bërë. Duhet ta duam Atdheun, ta duam popullin, por jo duke e gllabëruar në forma të ndryshme, por duke e orientuar drejt zhvillimit të vërtetë. Unë vetë kam qenë optimist dhe besnik i interesave të popullit tim. Edhe kur jam dënuar për gjykime ndryshe për kohen, kam pranuar edhe dënimin dhe persekutimin e fëmijëve, pasi në fund të fundit kundërshtova një diktaturë. Ishte fati i keq i Shqipërisë që në vend që të ecnim atje ku duhej, ramë në një diktaturë të egër që vazhdoi për disa dekada. Është diçka e tmerrshme, pasi pasojat u ndjenë në shumë aspekte e shqiptaret u shpërndanë në të gjithë botën. Unë jam patriot dhe e quaj Shqipërinë Balte–mjaltë. E ka thënë Çajupi. E them edhe unë që pas viteve 1990 mora rrugët e emigrimit drejt Amerikës. Më duket sikur dheu i vendit tim është ndryshe nga të tjerët. Po si është ndryshe? Atëherë kur të dhimbset, kur e punon si duhet. Shqipërinë do ta bëjnë vetë shqiptaret kur mes tyre të mos këtë urrejtje, siç shohim në parlament, por mirëkuptim. Mandej mirëkuptimi mungoj edhe në Luftën Nacionalçlirimtare. Nëse ky mirëkuptim mes grupeve pjesëmarrëse në lufte do të ishte me i gjerë, më pak dëme do të kishte Shqipëria e më shumë suksese. Më të kënaqur do të ishin shqiptaret e jo të shpërndarë sot, si zogjtë e korbit nëpër botë. Lufta e klasave në diktaturë ishte e tmerrshme, por po kaq e tmerrshme është edhe lufta e pandershme në demokraci për të rrëmbyer pushtetin. 
Tefta Radi
Sigal