Miho Gjini: Historia e rrallë e Shkollës së Lartë për Aktorë “Aleksandër Moisiu”, në vitin 1959, pranë Teatrit Popullor

81
Sigal

Historia e rrallë e Shkollës së Lartë për Aktorë “Aleksandër Moisiu”, në vitin 1959, pranë Teatrit Popullor të Tiranës

  • -Sistemi i Stanislavskit merrej me rezervat e veta, madje i “motërzuar” dhe i “ shartuar” me praktika e teori të tjera teatrore perëndimore
  • -PANDI STILLU, pedagogu me një buzëqeshje shumë të afrueshme, po edhe me thjeshtësi e përzemërsi të madhe njerëzore
  • – Ne, studentët, do ta ndjenim menjëherë, se ndodheshim midis tre “rrymash” të përvojave artistike teatrore të ndryshme, që derdheshin në të njëjtin “lumë”
  • -“Hamleti” i Shekspirit, me regjisor artistin e shquar rus Bortko, pati pathosin romantik të heronjëve të Rilindjes Europiane
  • -“Karnavalet e Korçës”, me regji të Pandi Stillus, bëri furore në skenën shqiptare
  • -“Dhelpra dhe rrushtë”, erdhi me një elegancë paraqitjeje, finesë artistike dhe pastërti mizanskenash shumë të bukura, prej regjisorit Luarasi…
  • – Lokja e Marie Lagorecit, në shpërthimet e veta, kishte mjaft vibracione prej kantilenës -Ferdinandi i Naim Frashërit, qe i tëri i vërtetë, emocional dhe sugjestiv.
  • Miho Gjini

Shkolla e Lartë për Aktorë “Aleksandër Moisiu”

Gjatë studimeve të mia në Shkollën e Lartë për Aktorë “Aleksandër Moisiu”, e cila u hap në vitin 1959, pranë Teatrit Popullor të Tiranës, nuk pati pedagogë të shumtë. Sikundër bëhej edhe në “fusha” të tjera u “kthyen sytë” nga B.S, nga ku errdhën kuadrot e para pedagogjike që patën studjuar atje, po edhe një pedagoge që nuk dinte asnjë fjalë shqip, ashtu sikundër edhe ne nuk dinim asnjë fjalë në gjuhën ruse. Po ja që, i gjithe repertori i atij Teatri Qëndror, ku u vendos edhe shkolla jonë, ishte realizuar në skenë nga regjisorët tanë Sokrat Mio e Pandi Stillu, që të dy prej Korçe. Sidomos ky i dyti do të gjëndej mids nesh me një buzëqeshje shumë të afrueshme, po edhe me thjeshtësi e përzemërsi të madhe njerëzore.

Nuk qe gjë e lehtë të përzgjidheshin ata, sidomos kur disa syresh kishin studjuar në shkolla të tjera të Lindjes, ku Sistemi i Stanislavskit merrej me rezervat e veta, bile i “motërzuar” dhe i “ shartuar” me praktika e teori të tjera teatrore perëndimore. Po nevojat e mësimdhënies qenë aq të mëdha, saqë do të ftohej si pedagog edhe Pandi Stillu (që kishte studjuar në Bukuresht të Rumanisë)

Ne, studentët, do ta ndjenim menjëherë, se ndodheshim midis tre “rrymash” të përvojave artistike teatrore të ndryshme, që derdheshin në të njëjtin “lumë”. Çefranova këmbëngulte në një proçes të imët, që synonte zgjimin e vetëdijes, për të udhëhequr, mandej, veprimin e gjallë të aktorit-student; Stillu i jepte rëndësi vërtetësisë se rrethanave dhe anëve praktike e të natyrshme të personazhit, në kontekstin e njeriut, që hasej në një dënduri rastesh tipike e simptomatike në jetë, duke i mëshuar fort besueshmërisë dhe organicitetit të sjelljes e veprimit të tij psikofizik; ndërsa Luarasi prirej drejt një logjike të pastër, thuajse racionaliste, ku marrdhëniet të gjenin motivimin dhe “arsyen” e tyre, analizë e cila udhëhiqte mandej sa veprimin skenik, po aq edhe ndjenjën e aktorit. Spahivogli sillte frymëzimin njerëzor, të harmonizuar me atë ç’ka jepnin autorët e aktorët, ndërsa Mani vërtetësinë e krejt jetës, me potencialin e saj, si edhe me vizione atistike të mëvetëshme.

Nuk qe e vështirë, që edhe në veprimtarinë skenike, ne të shihnim sesi pasqyroheshin këto principe e shkolla të ndryshme. Shfaqjet kishin edhe prurje nga teori e praktika të vërtetuara gjatë shekujve, dekadave e viteve të ekzistencës së teatrit, si institucion i rëndësishëm, të cilat nuk mund të mos merreshin parasysh. “Hamleti” i Shekspirit, me regjisor artistin e shquar rus Bortko, pjesëmarrës në Luftën e Dytë Botërore, -ku kishte mbetur edhe pa njerën këmbë,-pati pathosin romantik të heronjëve të Rilindjes Europiane, me vrullet e tyre emocionale, me komponentën e kudondjeshme të heroikës, si dhe me paradigmat e parapëlqyera të njerëzve stoikë e revolucionarë, për “ndryshimin e botës” së ndyrë e të padrejtë; “Karnavalet e Korçës”, me regji të Pandi Stillus, bëri furore në skenën shqiptare me paraqitjen e një strukture mentale e jetësore sa më pranë të vërtetës, me karaktere të gjalla e të spikatura, ku ndjehej edhe epoka e dekadencës shpirtërore e zvetënimit të një segmenti social me rëndësi të shtresës feudo-borgjeze shqiptare; po njëherësh, do të shkëlqente një spektakël krejt i veçantë, “Dhelpra dhe rrushtë”, me një elegancë paraqitjeje, finesë artistike dhe pastërti mizanskenash fort të kursyera e shumë të bukura, prej regjisorit Luarasi…Por, ja tek vinte edhe inskenimi fenomenal i romanit “Këneta” si një spektakël masiv e me vrulle emocionale e patetizmi, pavarësisht vështrimit ideologjik të asaj kohe..

Pandi Stillu

Një pasuri e tërë prurjesh spektakulare!

PANDI STILLU sikur ndriste midis tyre me thjeshtësinë, natyrësinë dhe koloritin nacional, nëpërmjet dramaturgjisë kombëtare në rradhë të parë. Ai lindi në Korçë, në vitin 1914, ku kaloi fëmijërinë dhe rininë e tij. Natyra kureshtare, që e karakterizonte, në qytetin e serenatave dhe të karnavaleve e afroi pas njerëzve të apasionuar të artit, interpretuesve të rrugës e të shesheve. Më tepër u njoh asaj kohe si realizues i maskave dhe i figurave butaforike, por thellë tij flinte dëshira të ishte edhe vetë një pjesëmarrës aktiv, një interpretues. Atëherë, në qytetin e tij gjallonte një lëvizje teatrore e rregullt, viheshin në skenë pjesë të plota të dramaturgjisë botërore, si edhe projektoheshin filmat më në zë të kohës, të cilat Pandi i ndiqte nga salla e Kinema “Majestik”. Më vonë do të provonte të luante edhe vetë.Njëherësh, ai do të bënte edhe skenat, duke provuar me guxim, që të merrte përsipër, si regjisor, barrën e tërë një shfaqjeje skenike.

Në vitin 1937, me ndihmën e familjes, njerëzve të afërt dhe të autoriteteve artdashëse të asaj kohe, talentit të Pandi Stillus i ofrohet shansi, që të rizbulohet e përpunohet, duke shkuar me studime për artin e aktrimit në Akademinë e Artit Dramatik të Bukureshtit. Atje nuk dihet ende roli dashamirës i boboshticarit Viktor Eftimiu, që në atë kohë zinte një vend nderi në letërsinë dhe artin rumun, si shkrimtar, poet, dramaturg e njeri i teatrit (me një seri veprash të shkruara, drama e komedi, të cilat kishin tërhequr vëmendjen).

Pandi Stillu do t’i mbaronte me sukses studimet e veta, duke qëndruar aty edhe një vit me tepër, për t’u perfeksionuar si regjisor. Qe viti 1942 dhe Shqipëria ishte kthyer në një shesh lufte. Pranë Teatrit Nacional të Bukureshtit, ai do të qëndronte deri në vitin 1946, kur në vendin e tij qe ngritur Qeveria e Re (e vetëquajtur “Demokratike”, nga Enver Hoxha). Kthehet, mirëpritet dhe vendoset menjëherë si regjisor në Teatrin e Shtetit, i krijuar një vit më parë, duke patur si bashkëregjisor, bashkëvendasin e tij korçar, Sokrat Mion, i cili kishte studjuar në Paris, po në të njëjtin profil artistik.

Gjatë karierës së tij artistike realizon 40 premiera dhe lë gjurmë të ndjeshme në formimin e aktorëve shqiptarë. Komedinë “Martesa” të Gogolit e vë në skenë së bashku me Sokrat Mion, me të cilin do të drejtonin edhe Kursin për Ngritjen Profesionale të Aktorëve, që ishin pranuar në Teatrin Popullor nga lëvizja amatore.

Komedia me një akt i Gjon Karmës, “Qypi me Flori”, do të ishte puna e tij e parë regjisoriale, pas së cilës do të vinin: “Për ata që janë në det” nga Boris Llavrenjev (1948), “ Koha e Rinisë së Baballarëve” nga Boris Gorbatov (1950), që të dyja nga dramaturgjia sovjetike dhe, në vazhdim, një seri veprash nga dramaturgjia nacionale, si: “Toka Jonë” e Kolë Jakovës, “ Vajza nga Fshati” e Fatmir Gjatës (1954), “Familja e Peshkatarit” nga Sulejman Pitarka (1956), “ Shtatë Shaljanët” e Ndrekë Lucës (1958), “Syleshi” i Spiro Çomorës (1958), si edhe “Trimi i mirë me shokë shumë” nga Sulejman Pitarka (1961).

Në këtë mënyrë, Pandi Stillu bëhet një përkrahës i flaktë i lëvrimit të dramatugjisë kombëtare, duke triumfuar, me vënien në skenë të komedisë“Karnavalet e Korçës” të Spiro Çomorës, në vitin 1964, e cila mbahej shumë vjet nëpër sirtarët e teatrove të asaj kohe. Po ja që duhej syri, mëndja e predispozita artistike e një regjisori si Pandi Stllu që të zbulonte tek ajo, një vepër brilante që shprehte një epokë të tërë…

Sakaq, regjisori Pandi Stillu do të kishte një sukses të merituar edhe me realizimin skenik të disa veprave nga dramaturgjia klasike dhe ajo bashkëkohore. Kështu, është për t’u përmendur shfaqja e dramës “Procesi i Laipsigut”, në vitin 1955, kushtuar qëndrimit heroik të udhëheqësit bullgar në po atë gjyq, Gjergj Dimitrovit, i inskenuar nga klika e Hitlerit, gjoja për “djegien e Raishtangut”, si një pretekst për revanshin e tij nazist (ku rolin kryesor do ta interpretonte, me virtuozitet e ngjashmëri të rrallë, aktori Andon Pano). Në udhën e rritjes, si një komedi e spikatur karakteresh, do të vinte më pas “Një letër e humbur” e Karaxhalës, e realizuar në vitin 1960; një komedi plot jetë dhe karaktere, ku spikaste ndjeshëm edhe aktrimi i mrekullueshm i Kujtim Spahivoglit. “Udhë” që do të vazhdonte me një triumf artistik të vërtetë, me komedinë e Molierit “Borgjezi Fisnik”, në vitin 1963, ku shkëlqimi i takonte sidomos zgjedhjes dhe interpretimit të protogonistit, Zhurdenit, nga ana e Artistit të Popullit, Mihal Popi. Spektakle të paharuara të fondit të artë artistik të këtij teatri që po rilindte nga asgjëja e fluiditeti i trashëguar i amatorizmit shekullor.

 

Mihal Luarasi

Me thjeshtësinë, përkushtimin dhe profesionalizmin e tij, Pandi Stillu do të linte gjurmë edhe në Estradën e Shtetit, që në atë kohë nuk kishte një regjisor stabël, po edhe në disa Teatro të rretheve (si në Korçë, Durrës dhe Elbasan), pa përmendur këtu Teatrin e Operës dhe të Baletit, ku realizoi operën “Mrika”.

Në vitin 1974 (pas vdekjes) shpallet “ARTIST I POPULLIT”. Mirëpo, me kalimin e viteve, mund të vije re se: veprat skenike të realizuara nga Pandi Stillu kishin “peshën e vet” dominuese në repertorin aktiv të teatrit që vërtetonin se ai qe një personalitet më tepër i heshtur se sa i bujshëm. Kemi të bëjmë ndërkohë me personalitete të mëdhenj, të ndryshëm, që nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin, duke qënë gjithaq të pranueshëm në hapësirën e Skenës Shqiptare.

Pa përmendur korifej të Teatrit Botëror, që e shfaqën personalitetin e tyre si revolucionalizues të artit të skenës, të cilët ndaheshin si metodologji, për t’u bashkuar në art, në “majat më të larta” (ashtu si edhe të tjerë pas tyre, në“labirinthet” e teatrit modern), në Teatrin Shqiptar, Stillu, Mani e Luarasi, Malo e Spahivogli, nuk janë të vetmit, që ndahen për t’u bashkuar diku, ku emocionet e ndërsjella, mjetet e shprehjes, stilet dhe mesazhet, ngrenë në këmbë qindra njerëz, që mbushin sallat e teatrove.

Naim Frasheri Aktor

Vija ndarëse

Qe një kohë, kur në oborrin e Teatrit Popullor, para e pas shfaqjeve, si edhe në pushimet midis akteve, shpërthente një diskutim i hapur… Çështja qëndronte në atë vijë ndarëse midis artit të të jetuarit të rolit dhe artit të të paraqiturit. Mirëpo, as vetë teoricienët e këtyre dy sistemeve, nuk vinin një vijë të mirëfilltë ndarëse. Paqartësitë vazhdonin, si në të kuptuarit real të metodave krijuese, ashtu edhe në praktikën konkrete, përmes shfaqjeve skenike. Nuk mund të thoje se Pandi Stillu dha te “Toka Jonë” vetëm një realitet të ngjeshur dramatik, që anonte nga tragjedia, përcjellë me karaktere jetësore, të mbingarkuar me emocione të fuqishme e po aq tragjike dhe, nga tjetra anë, Mihallaq Luarasi, tek “Intrigë e Dashuri” një parashtrim logjik të subjektit klasik e të karaktereve solide. Emocione krijonin të dyja këto shfaqje, të realizuara në kohë të përafërta, por, nëse te Stillu, dramaciteti i ngjarjeve anonte edhe nga disa theksime melodramatike, deri diku edhe me nota teatraliteti, te Luarasi, emocionet burojnë e rrjedhin nga një analizë logjike e pastër, e cila depërton në mendjen dhe trurin njëherësh. Lokja e Marie Lagorecit, në shpërthimet e veta, kishte mjaft vibracione prej kantilenës; ndërsa Ferdinandi i Naim Frashërit, qe i tëri i vërtetë, emocional dhe sugjestiv. Kjo, pa dyshim, ka të bëjë edhe me drejtimin artistik regjisorial, me kërkesat e tij estetike e metodologjike. Mirëpo, ndodhte që publiku pëlqente më tepër një shfaqje si “Toka Jonë”, i përfshirë edhe nga një realitet i përafërt e konkret, se sa një ngjarje, gjithaq tronditëse, ardhur nga oborre princërore të shekujve të kaluar. Por, gjëra të tilla, që kanë të bëjnë me kultivimin e shijeve estetike të publikut në një kohë të caktuar, janë përherë të diskutueshme. Veçse dallimi midis të dy regjisorëve ndjehej menjëherë. Pandi Stillu qe ndjekës e pasqyrues i veprave klasike të dramaturgjisë, apo edhe të atyre që mbështeteshin në këto tradita. Luarasi shkonte ca më tej. Ai sillte në skenën shqiptare një risi, të mbështetur në trajta elegante pasqyrimi, duke e thyer shpeshherë rrjedhën e veprimit e të ngjarjes, me përdorimin e retrospektivës, bile edhe me përmbysjen e kompozicionit. Nëqoftëse Pandi Stillu mbështetej në një analizë të hollësishme psiko-fizike dhe i jepte rëndësi shprehjes së ndjenjës, bile duke iu imponuar aktorit, Luarasi nuk ndërhynte te aktori, duke e lënë atë të lirë që të veprojë, po ama në një mizanskenë të kursyer dhe elegante dhe me një të folur të kulturuar. Pandi Stillu, edhe pse nganjëherë “operonte” me metoda empirike, dinte ta rrokte jetën në tablo dinamiko-emocionale, Mihallaq Luarasi sikur e vizatonte të gjithë ecurinë e spektaklit në pamje estetikisht të pastërta. Dhe kështu, kishim “Një dashuri e tillë” të skicuar deri në detaje nga Luarasi dhe “Një letër e humbur” të pasuar e zhytur në situata e karaktere plot vërtetësi nga Stillu. Që të dy interesantë. Që të dy plot jetë skenike. Që të dy personalitete,

e ne studentët, ashtu të etur sikundër ishim , përpiqeshim të përfitonim vlera prej të gjithë pedagogëve tanë, edhe pse disa syresh patën përgatitje, koncepte e karaktere shoqërore të kundërta. Nuk është e rastit edhe ajo fotogrfia që e publikoi ish studenti im Mevlan Shanaj, sot regjisor e aktor i njohur dhe i vlerësuar, së toku me shkrimin emocional përcjellës, teksa janë fotografuar përreth pedagogut Pandi Stillu si një grupim “zogjsh” të dashuruar me mjeshtrin e këtij teatri. Dhe ja se si: shumë nga këta “zogjë”, në ditët e sotme, jo vetëm që kanë krijuar shfaqje skenike e filma me vlerë, po janë mplakur në proçesin e mësimdhënies në Universitetin e Arteve, si personalitete të Artit Kontemporan.

Pandi Stillu qe njeri i qetë, paksa i mefshët, ecte ngadalë e fliste pak. Zëri i tij qe i butë dhe vinte paksa i ngjirur, duke ruajtur aksentin korçar. Kishte një fytyrë të gjerë dhe sy të hirtë e të zmadhuar. Bënte biseda të shtruara dhe komunikonte me ëmbëlsi me të pranishmit, kushdo që të ishin ata.

Në vitin e dytë a të tretë të Shkollës, e pata edhe unë pedagogë të “Mjeshtërisë së Aktorit”. Po para e të hynte në anët teorike, bënte përherë një bisedë paraprake e të lirë, për të krijuar rrethanën e volitshme të konkretizimit të lëndës. Ai e shkurtonte së tepërmi distancën midis pedagogut e studentëve të aktrimit e qe gjithmonë për krijimin e një atmosfere të ngrohtë, para se të hyje në rolet e jetën e personaliteteve, që do bëheshin më pas krejtësisht të tuat….

 

Som

Pandi Stillu, edhe pse nganjëherë “operonte” me metoda empirike, dinte ta rrokte jetën në tablo dinamiko-emocionale, Mihallaq Luarasi sikur e vizatonte të gjithë ecurinë e spektaklit në pamje estetikisht të pastërta. Dhe kështu, kishim “Një dashuri e tillë” të skicuar deri në detaje nga Luarasi dhe “Një letër e humbur” të pasuar e zhytur në situata e karaktere plot vërtetësi nga Stillu. Që të dy interesantë. Që të dy plot jetë skenike. Që të dy personalitete…

 

Som

Nuk është e rastit edhe ajo fotogrfia që e publikoi ish studenti im Mevlan Shanaj, sot regjisor e aktor i njohur dhe i vlerësuar, së toku me shkrimin emocional përcjellës, teksa janë fotografuar përreth pedagogut Pandi Stillu si një grupim “zogjsh” të dashuruar me mjeshtrin e këtij teatri. Dhe ja se si: shumë nga këta “zogjë”, në ditët e sotme, jo vetëm që kanë krijuar shfaqje skenike e filma me vlerë, po janë mplakur në proçesin e mësimdhënies në Universitetin e Arteve, si personalitete të Artit Kontemporan