Masakra e 4 shkurtit 1944/ Sot 76 vjet nga masakra e tmerrshme

3736
Sigal

 Si u pushkatuan nga nazistët dhe kuslingët me në krye banditin Xhaferr Deva, 84 qytetar të Tiranës dhe u arrestuan 300 të tjerë

Pushtuesit nazistë dhe kuislingët vranë 84 persona brenda një nate dhe arrestuan 300 të tjerë në Tiranë

Sot 76 vjet nga masakra e tmerrshme e 4 shkurtit 1944

Plot 76 vjet më parë, në natën e 4 shkurtit të vitit 1944 pushtuesit nazistë dhe kuislingët nën urdhrat e pushtuesve nazistë vranë 84 persona brenda një nate dhe arrestuan 300 të tjerë në Tiranë. Masakra e 4 shkurtit 1944 në Tiranë është ndër masakrat më të përgjakshme, që kryen nazistët gjermanë dhe bashkëpunëtorët e tyre: si Xhafer Deva, Ministër i Brendshëm i nazistëve, Kadri Cakrani, komandant i forcave të Ballit Kombëtar, Qazim Mulleti, Prefekti i Tiranës, fashisti Osman Kazazi etj, nën drejtimin e Gestapos gjermane. Natën e 4 shkurtit drejtuesit e xhandarmërisë, me lista në duar e me grupe xhandarësh u futën nëpër shtëpitë e qytetarëve të Tiranës, rrëmbyen djem e burra dhe i pushkatuan nëpër rrugë. Për të futur frikë e tmerr, për të terrorizuar popullin, ata vepruan mbarë, pushkatuan edhe të tjerë që i gjenin në rrugë. I vrisnin dhe i masakronin barbarisht, duke i gjymtuar edhe për së vdekuri, pastaj i hidhnin nëpër kanale, apo dhe në mes të bulevardit. Rrugët e Tiranës u mbushën me gjak. Përmasat e kësaj masakre i pohon të nesërmen Komanda e Xhandarmërisë në raportin e saj ku thuhet: “Forcat e xhandarmërisë, së bashku me forcat e Regjimentit “Kosova”  dhe me vullnetarët e Ballit Kombëtar, këtë natë kanë bastisur 230 shtëpi, ku kanë arrestuar 478 persona të dyshimtë dhe nga këta 84 më të rrezikshmit i kanë pushkatuar. Nga të 84 të pushkatuarit rezulton se 67 janë shqiptarë, 9 italianë, 4 malazezë, 2 maqedonas, 1 grek (minoritar) dhe 1 çifut. Viktimat kanë qenë nga Tirana 29 dhe 37 nga rrethet Fier, Korçë, Durrës, Shkodër, Vlorë e Dibër”.

Si filloi maskra…

Në fillim të muajit shkurt, si kundërpërgjigje ndaj arrestimeve të kryera dhe Operacionit të Dimrit të ndërmarrë nga ushtria gjermane dhe forcat nacionaliste, komunistët në qytetin e Tiranës kryen disa atentante të koordinuara ndaj eksponentëve kryesorë nacionalistë dhe bashkëpunëtorë të gjermanëve, siç ishin Deva dhe Cakrani. Në historiografinë komuniste, këto atentate nuk pranohen të jenë kryer. Por, në raportin ditor të Divizionit 297, XXI A.K, të datës 3.2.44 shkruhet se“(…) Gjatë pasdites komunistët organizuan atentate ndaj drejtuesve nacionalistë. Ndër ta ishin edhe ministri Deva dhe Cakrani (Kadri). Si pasojë, grupimet nacionaliste planifikojnë gjatë natës kryerjen e një kundëraksioni. Komandanti i Përgjithshëm (gjerman) urdhëron për trupat (gjermane) në Tiranë rritjen e nivelit të sigurisë duke udhëzuar gjithë trupat dhe instancat gjermane të qëndrojnë larg këtij konflikti (…)”  

Në këto aksione të komunistëve ndaj bashkëpunëtorëve të gjermanëve, mbeti i vrarë një xhaxha i Ministrit Deva dhe një nga nipërit e Komandantit të Përgjithshëm të Ballit Kombëtar, Kadri Cakrani, të cilët shërbenin si rojet e tyre. Objektivat e atentateve i shpëtuan sulmit. Si shpagim ndaj këtij sulmi, Ministri i Brendshëm dhe Komandanti i Përgjithshëm i Ballit Kombëtar, bazuar në një listë që u përgatit prej tyre me ngut në pasditen e 3 shkurtit, vranë duke gdhirë 4 shkurti, 84 qytetarë të Tiranës. Viktimat nuk ishin të gjithë komunistë, shumica e tyre ishin qytetarë të thjeshtë. Pavarësisht se ende nuk është e qartë nëse për këtë aksion ishin vënë në dijeni kryeministri Mitrovica, Regjenca dhe drejtuesit e tjerë të Ballit Kombëtar, përfshirja e këtyre dy eksponentëve të lartë në këtë masakër ështe tepër kompromentuese si për qeverinë, ashtu edhe për Ballin Kombëtar. Fakti që, pas masakrës, nuk pati asnjë prononcim të tyre, por ngjarja kaloi në heshtje, i kompromenton ata. Edhe nëse ata nuk do të ishin dakort me këtë masë ekstreme, qetësia e fituar në Tiranë pas masakrës, ndonëse për pak kohë, ishte një zhvillim pozitiv për ta. Këtë gjë e vërtetojnë edhe dokumentet gjermane. Në një telegram që Neubacher i dërgon Berlinit më 17 shkurt 1944, pra 13 ditë pas masakrës, shkruhet: “Zhvillimet në Shqipëri mund të konsiderohen ende si të përshtatshme. Shkatërrimi i bandave komuniste vazhdon ende. Edhe në Tiranë u shkatërrua aparati i Partisë Komuniste nëpërmjet aksioneve spastruese të ndërmarra pa kompromis nga forcat nacionaliste. Qeveria fiton terren, ngritja e Policisë dhe Xhandarmërisë vazhdon, çka premton konsolidim të mëtejshëm të situatës.

Pse u krye kjo masakër?

Masakra e 4 shkurtit ndaj popullit të Tiranës është një ndër ngjarjet e hidhura të mbetura në kujtesën historike edhe sot, pas 71 vitesh. Sot ka edhe interpretime, të cilat e shikojnë këtë ngjarje vetëm si një hakmarrje personale të ministrit Deva, pas atentatit që ju bë atij. Sigurisht që edhe ky është një motiv – ndonëse makabër! Por, nëse bazohemi në dokumentet gjermane, kjo masakër ishte një vazhdimësi e aksioneve për llogari të gjermanëve dhe qeverisë shqiptare, të drejtuara nga ministri Deva. Këto aksione kishin filluar nga Peja, Prizreni, Shkodra e tash kishin zbritur në Tiranë. Me atentatet e kryera ishte dhënë shkaku për të terrorizuar edhe popullsinë tiranase. “Terror kundër terroristëve, terror kundër anarkistëve, terror kundër nacionalclirimtarëve, terror kundër simpatizantëve të saj”, – ishte motoja e Xhaferr Devës. Përgjithësimi që Deva i bën terrorit, është më shumë se hakmarrje personale. Ajo që e rëndon situatën është përfshirja në këtë aksion edhe e forcave të Ballit Kombëtar dhe heshtja e qeverisë Mitrovica dhe Regjencës.

Gjermanët, siç e lexojmë edhe më lart, nuk e konsideronin më në këtë kohë të rëndësishme përfshirjen e përfaqësuesve të Ballit Kombëtar në qeverinë Mitrovica. Përfshirja e Cakranit në këtë masakër mund të ishte edhe një tregues i besnikërisë së tij ndaj gjermanëve, për të bindur Neubacher-in të miratonte përfshirjen e anëtarëve ballistë në kabinetin qeveritar. Po ashtu janë të njohura kontradiktat e Xhaferr Devës me Mehdi Frashërin, thuajse qysh prej krijimit të qeverisë. Këto mosmarrëveshje ushqeheshin nga fakti se, regjenti Frashëri, kërkonte të ushtronte sundimin e tij i pandikuar nga instancat e tjera, ndërkohë që Deva në situatën që po kalonte vendi, synonte, e sidomos kur kërkohej një ndërhyrje e shpejtë, të kishte dorë të lirë për të marrë masat që diktonte situata. Sipas gjermanëve, Mehdi Frashërikarakterizohej në përgjithësi nga një qëndrim oportunist, ndërkohë që Deva, si eksponenti kryesor i përfaqësimit të linjës gjermane në Shqipëri, mbështeste pa ekuivok kërkesat dhe interesat gjermane. Masakra e kryer ishte një përgjigje e shpejtë ndaj sulmeve të komunistëve dhe ndoshta siç kishte ndodhur edhe herë të tjera, ministri Deva u konsultua vetëm me gjermanët për kryerjen e këtij aksioni. Sigurisht që gjermanët nuk mund të ishin kundër këtij aksioni. Ata u mjaftuan vetëm me mbikqyrjen e situatës – zelli i shqiptarëve mjaftonte!

Kjo ngjarje do të mbetet pjesë e kujtesës historike të popullit shqiptar

 

Është e parëndësishme nëse në këtë natë u vranë apo jo 84 persona, siç hera-herës vihet në dyshim sot. Edhe një person po të kishte rënë viktimë, do të ishte shumë. Është e turpshme që këtë masakër e bëri shqiptari ndaj shqiptarit dhe akoma më e turpshme, kur njëra palë është në shërbim të pushtuesit të huaj dhe bën terror kundër popullit të saj. Edhe këtë radhë gjermanët ja arritën më së miri “t’i nxirrnin gështenjat nga zjarri, me duart e shqiptarëve”. Ky terror nuk e arriti qëllimin e tij, pra të trembte popullsinë që ajo të distancohej nga lëvizja nacionalçlirimtare. Përkundrazi, Lëvizja fitoi akoma më shumë terren. Kësisoj, nacionalizmi shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore bëri një hap tjetër të madh drejt dështimit të tij, duke ja “lehtësuar” edhe më shumë ardhjen në pushtet Enver Hoxhës pas lufte.

Një nga ngjarjet më të egra

Kjo masakër ka mbetur në kujtesën e popullit si një nga ngjarjet më të egra çnjerëzore e pushtuesve nazistë dhe e shërbëtorëve të tyre kuisling, një krim monstruoz që i rëndoi popullit tepër.  Të tilla akte terrorizmi masiv praktikoheshin shpesh nëpër qytetet e Evropës në ato vite. Masakra e Tiranës, me aq pak banorë në atë kohë për makabritetin dhe numrin e të vrarëve dhe të arrestuarve nuk kishte precedentë.   Raprezalja u krye  papritmas nëpër të gjithë qytetin.  Nga pala shqiptare në krye të kësaj masakre ishin kuislingët Xhaferr Deva dhe Xhelal Staravecka.  A ishte politike, apo ishte personale, siç japin versionin disa bashkëkohës, kjo duhet parë. Duhet thënë gjithashtu se, megjithëse kanë kaluar vite,  4 Shkurti mbetet ende një ngjarje e pazbardhur, edhe për numrin e të vrarëve e të plagosurve, për emrat e viktimave që nuk janë evidentuar të gjithë, por edhe për  vlerësimin e kësaj ngjare. Çuditërisht, përveç emrit të një rruge në Tiranë, edhe ajo e ndërruar, pasi u zhvendos dhe u zëvendësua me një emër tjetër, nuk ka asnjë monument tjetër për të nderuar këto viktima dhe për të respektuar sakrificat e antifashistëve tiranas.

 Xhaferr Deva i gatshëm për krime të reja edhe në mërgim

Edhe pas largimit nga qeveria Xhaferr Deva u vu kryekëput në shërbim të gjermanëve, duke luftuar ashpërsisht kundër forcave partizane shqiptare e jugosllave. Hito Çako, një nga drejtuesit e formacioneve partizane në luftë për çlirimin e Kosovës ka shkruar në ditarin e tij të luftës se: “…gjermanët dhe reaksioni me Xhaferr Devën në krye, kishin përqendruar forca të mëdha që të bënin të pamundur mësymjen e Ushtrisë sonë Nacionalçlirimtare për çlirimin e Kosovës. Në gjysmën e nëntorit 1944, grupi i kosovarëve, Rexhep Mitrovica, Xhaferr Deva, Tahir Zajmi, Xhelal Mitrovica, Rexhep Krasniqi, mori rrugën e mërgimit. Udhëtuan me automobil personal të Xhaferr Devës e pastaj me aeroplan deri në Zagreb. Atje janë mirëpritur nga kryetari i shtetit kroat, Ante Paveliqi dhe ministri i Jashtëm kroat që ishte boshnjak. Në fillim të dhjetorit, pas përpjekjeve e peripecive të mëdha, kanë kaluar alpet sllovene-austriake dhe janë vendosur në Vjenë, ku gjendeshin edhe grupe të tjera nacionaliste me Gjon Marka Gjonin, Nuredin bej Vlorën, Shefqet Vërlacin, Mehdi Frashërin me familje, etj. Shtëpitë ku banonin Mehdi Frashëri, Rexhep Mitrovica e Xhaferr Deva, u bënë qendra në shërbim të të gjithë emigrantëve shqiptarë. Gjatë periudhës 1945-1947, Xhaferr Deva qëndroi në Austrinë Perëndimore. Në verë të këtij viti, ai bashkë me Xhelal Mitrovicën, Tahir Zajmin dhe Ali Dragën shkuan në Itali. U vendosën në Gjenovë të Italisë dhe pas dy muajsh, me ndihmën e një deputeti turk me origjinë shqiptare nga Prizreni, mik personal i Xhaferr Devës, siguruan lejen për të shkuar në Turqi. Në Romë më 6 nëntor 1946 qe themeluar partia e re shqiptare, Blloku Kombëtar Indipendent,  për një Shqipëri Etnike, të çliruar nga zgjedha e dhuna komuniste. Në fund të vitit 1947, Xhaferr Deva, me shokët e tij (Rexhep Krasniqi, Tahir Zajmi dhe Xhelal Mitrovica) emigruan në Siri. Ata vazhdimisht mbanin lidhje me Rexhep Mitrovicën, i cili, në Ankara, Stamboll e qytete të tjera, ishte i rrethuar nga nderi dhe respekti i shumë atdhetarëve atje. Më 12 gusht 1948 ka nënshkruar Protokollin e Aleksandrisë, në Hotelin Nikolas St. Stefano të qytetit. Nënshkrues të tij kanë qenë edhe përfaqësuesit politikë të BKI, Ernest Koliqi, Ago Agaj, Nexhmedin Qoraliu; nga organizata kombëtare e Lëvizjes së Legalitetit (OKLL), Abaz Kupi dhe Hiqmet Delvina; nga Partia Balli Kombëtar (BK), Koço Muka dhe nga grupi i Kosovës nënshkruesit ishin, Bajazit Boletini me Devën. Më 3 dhjetor 1948, në Stamboll, ata formuan Komitetin Shqiptar, që do të kishte orientim perëndimor dhe mbështetjen e SHBA-së, Anglisë e Francës. Xhaferr Deva në këtë rast përfaqësonte grupin kosovar në mërgim, të cilët e lëshuan Prizrenin në mes të nëntorit 1944.