Kastriot Bimo: A justifikohet kryerja e masakrës së Kremenarit 1943?

Kastriot Bimo

Luftrat në histori janë shoqëruar me humbje jetësh në fronte, ndër civilë dhe nga një lloj terrori i përgjakshëm ekstrem, masakrat. Këto të fundit duhet të jenë produkt i mendjeve të sëmura humane të relativizuara si normale, qysh prej fenomenit të kanibalizmit shekuj më parë. Masakra nuk mund të bëjë kushdo, qoftë kjo edhe hakmarrje ekstreme, pasi psikologjikisht duhet të ketë një shtysë si stimul ta kryejë plojën, por patologjikisht ai ka zgjuar gjithë vatrat e energjisë diabolike të trurit të tij, të cilat e komandojnë tashmë personin në një garë veprimesh makabre.

Sigal

Një ngjarje e këtij lloji ka ndodhur edhe në vitin 1943 në Shqipëri, pa filluar konflikti civil, si dhe pa u përballur me ushtrinë italiane, e cila kishte si objektiv frontin grek, me shumë kosto. Për këtë kishte ardhur vetë Mussolini në front dhe shpresëhumbur ishte kthyer përsëri, por mirqënia relative e krijuar nga plotësimi i nevojave bazike popullore në Shqipëri kish sjellë nga njëra anë një qetësi mes vendasve dhe ushtrisë së shumtë italianë, që po përgjakej në frontin grek, dhe nga ana tjetër ngritjen e një klase të re tregëtare të pangopur që shfrytëzonte së pari mungesën e doganave dhe së dyti territorin ku operontë prej afro 100 mijë km2 Shqipëri-Kosovë dhe më gjërë. “Gjatë periudhës së pushtimit me produktet bujqësore. dhe miellin italian, që arrinte në qindra e mijra thasë, populli shqiptar pati një bollëk mallrash ushqimorë si asnjë popull tjetër në Europë, mallra që ndonëse vini nga Italia, ishin të racionuar atje.” (Mustafa Merlika, Alexandria, Egypt,12.4.1952). Personalitete që e kishin parë si shpëtim qoftë edhe akut, prishjen e strukturën monarkike shqiptare dhe krijimin e një protektorati brenda Mbretërisë Italianë të Savojës, si dhe kishin ndihmuar në bashkimin me Italinë duke dorëzuar sovranitetin dhe pavarësinë, po mallkonin veten me veprën e mbrapshtë që erdhi nga klasa e re tregëtare, që së pari do të shiste atdheun.

Poeti Ali Asllani, dorëzues i pavarësisë në Romë në një tmerr të vërtetë përballë kësaj klase shkroi me një frymë kryeveprën “Hakërrim”, (Koha është e maskarenjve/ Po atdheu i shqipëtarëve..) që me mundim arriti ta botojë më 1942, gjë që tregon se kishin rënë nga shiu në breshër, jo nga i huaji tashmë, por vendasit. Të gjitha këto zhvillime të tregojnë se shqiptarët po vërejnë me indiferencë të plotë humjet dhjetramijëshe italiane në frontin grek, duke nxituar të përfitonin sa më shumë të ish e mundur të ardhura materiale e monetare. Këtë jo vetëm ata që punonin për administratën fashiste, që kishin falas nga ushqimet e deri tek bursat e studimit nëpër universitetet qindravjeçarë italianë, por edhe fshatarët e thjeshtë filluan të merrnin para me kredi nga Banco di Napoli, duke lënë në kolateral, apo thënë ndryshe peng tokën e tyre, pasi struktura shtetërore e konsideronte pjesë të Italisë dhe banorin shqiptar me të drejta të plota me atë Italian.

Në këtë truall të begatë krijohet nga emisarët jugosllavë edhe Partia Komuniste Shqiptare vetëm me disa dhjetra anëtarë, por me një program ambicioz guerilas, që ndaj italianëve fliste në trakte, dhe ndaj krerëve vendas që dominonin krahina të tëra me zhvillim e patriotizëm me përçarje deri në likuidime me anë atentatesh. Meqënëse “mirqënien” italiane populli nuk do ta ndërronte kurrë me konfliktin me ta, guerilasit kaluan në zonat rurale dhe ku ato kishin ndikimin e tyre, filluan një propagandë shoqëruar jo pak herë nga misionarët jugosllavë, si paraqitjen e një nevoje lufte, të aprovuar dhe nga ndërkombëtarët. Duhet kujtuar se ky rebelim ndodhi vetëm në Jugun shqiptar, pasi misionarët jugosllavë e kishin të pamundur të operonin në Veri, ku ndjeshmëria ndaj masakrave të tyre ndaj shqiptarëve të Kosovës ishte e kurdoherë e gjallë.

 

Kjo solli së pari përplasjen me ruajtësit e rendit, si brenda një shteti, Karabinierinë dhe së dyti me krerët vendas që përgjigjeshin për krahinën, e cila do të humbiste shumë nga represioni i operacioneve ushtarake italiane në Shqipëri. Duke shfrytëzuar ndjenjën patriotike të shumë krerëve, akoma të gjallë qysh nga e kaluara kërkuan bashkëpunim me forcat e tyre që tradicionalisht ruanin qetësinë në fshatra e që duhet thënë se patën sukses të përkohshëm, të cilin e shfrytëzuan maksimalisht. Këto organizime u quajtën çeta, disa formacione të vogla krahinore nga 12-50 luftëtarë vendas me baza fisnore, për mungesë financash, të cilat për çudi shumë herë furnizoheshin nga krerët krahinorë, të detyruar dhe përgjegjës të mbanin rregullin dhe qetësinë krahinore.

Ҫetat e para në Jugun shqiptar u quajtën në zhargonin popullor “Plakë”, pra pioniere nga të parat dhe ajo e Vlorës apo Gjormit (4.12.1942) kishte përbërje fisnore dhe krahinore e ndikuar nga një komunist ku që në mblëdhjen themeluese nga sllavët nuk pranoi të vareshim nga PKJ (Jugosllave), Sadik Premte (Xhepi), problem jo i vogël që u zgjidh me vështirësi nga një tregues dytësor. Simotra e kësaj çete, ajo Plakë e Mallakastrës krijohet pak më vonë (4,2,1943) dhe bashkpunimi mes tyre ishte në kuadrin e mbrojtjes territorial, kushtëzuar nga një operacion i madh Italian në rajonin e Vlorës, me milici shqiptare veriore, që rezultoi me shumë të vrarë, si dhe bastisje e përdhunime të saj në fshatra, me emrin “Lufta e Gjormit” zhvilluar më 28 12 1942-3.1.1943. Në fillimin e vitit 1943 të dy çetat krijonin bashkluftime më shumë në rajonin e Vlorës, pasi në atë të Mallakastrës ajo kish krijuar një gërshetim veprimesh me trupat e shumtë nacionaliste që vështirë e gjen në Europë (kujto konfliktet e trupave goliste e komuniste në Francën e pushtuar), por për shumë shkaqe në Shqipërinë Jugore ishte evidente. Duhet theksuar se në krye të formacionit luftarak vlonjat gjendej Neki Ymeri (pseudonimi- Vangjo), ndërsa në atë të Mallakastrës Mehmet Shehu, një student ushtarak në Itali, pjesmarrës në luftën civile në Spanjë si vullnetar internacionalist, në krah të republikanëve të majtë në brigadën italiane “Garibaldi”. Në librin e komandantit nacionalist gjejmë hollësi të tipareve e karakteristikave të tij, të cilin e njihte nga afër vetë; “kur kish luftuar në Spanjë, që e thoshte gjithnjë, kish ikur një kompani e Frontit Kombëtar kundërshtar dhe ishin fshehur në kishë. Italianët rrethuan kishën dhe nuk hynin dot brënda, si shtëpi e Zotit. -Këta ushtarë të Frontit të Frankos i nxjerr unë për një orë, u tha Mehmet Shehu. Nga bataljoni ku ishte ky në Brigadën “Garibaldi” dolën gjashtë vetë si skuadër pushkatimi për komandantin e robërve. Bataljoni ishte ai që këmbëngulte se duhen dorëzuar dhe se do të ç’këmbeheshin me robër të tjerë, po ai nuk i la. I çoi përpara kishës dhe i theri në sy të vullnetarëve Italjanë, që u ra të fikët. Pastaj të mbytur në gjak i la përpara Statujës së Krishtit dhe i hodhi nja pesë granata te këmbët atij. Statuja e Krishtit ra mbi t’a dhe Italijanët që besojnë e janë fetarë tërë frikë i zuri tmerri nga ai lloj terrorije që j’u panë sytë” (K.Cakrani, “Të vërtetat e luftës sime” Onufri, Trianë, fq.149). Për këtë arsye aksionet çeta e Mallakastrës i kryente me grupimet e saj si ndonjë goditje ndaj makinave italiane që dyshoheshin se transportonin paratë e pagesave të naftës në Ballsh, dhe për këtë Karabinieria e Fierit në Shkurt 1943 në prag të një operacioni mbledh krerët përgjegjës për krahinën, duke i kushtëzuar që të dorëzonin grabitësit me armë, ose të mbani përgjegjësinë e operacionit të ardhshëm. Kjo marrveshje normale e paraqitur më datë 17.2.1943, nga karabinieria italiane e Fierit, si forca shtetërore e ruajtjes së rendit, mbi sulmet dhe goditjet nga ana e forcave komuniste ndaj automjeteve italiane që qarkullonin në rrugët nacionale, paraqitej si zgjidhje e dyanshme. Në të kundërt, popullsia e krahinës së Mallakastrës, ku edhe ndodhnin goditjet, do të bëhej përgjegjëse dhe do të ballafaqohej me operacione ndëshkimore nga ana e ushtrisë italiane, në një kohë kur nuk kishte forcë mbrojtëse në përmasat e mijra trupave italianë që mund të merrnin pjesë në operacion. Por megjithëse nga ana e kreut të karabinierisë, njohës i thellë i kuvendeve shqiptare, marrveshja ishte përpiluar në detaje dhe me kujdes, ajo nuk u pranua nga krerët e Mallakastrës, me justifikimin, se do të merreshin vesh me krerët e gjithë krahinës, për një përgjigje përfundimtare. E gjithë kjo natyrisht për të mos marrë këtë përgjegjësi të imponuar, apo qoftë edhe për t’u larguar nga marrveshja, pasi si kurth mund të arrestoheshin në çdo çast. Në të gjitha konjukturat e krijuara të ngjarjes ndihmohej kështu lëvizja komuniste dhe antarët e saj, që me aksionet e tyre pranë fshatrave të Mallakastrës, i bënin ato me dashje prehë e lehtë e hakmarrjes së paralajmëruar të forcave italiane. Situata të gojën e një pjesmarrësi: “Këto kondita konsistonin; 1-Në vendosjen e një fuqije ushtarake të konsiderueshme në Ballsh, dhe 2-Në detyrimin e popullatës të Mallakastrës për t’mos pranuar Komunistat dhe disa pika të tjera që s’i mbaj mënd. Kështu pra mbi kundërshtimin t’onë përfundoj të pranohet kërkimi ynë dhe që u lidh marrëveshja me këto pika; 1-Mos sulmimin nga ana e forcavet të Mallakastrës, të ushtrisë Italiane, kur këto të kalonin xhadesë së Mallakastrës; 2-Të lajmërohej autoriteti Italian për ndihmë kur Mallakastra t’a shihte të nevojshme që të luftonte Komunistat..” (AMPB, Dosja nr.151, B. Cakrani, po aty).

Pra mendohet fare qartë se Karabinieria e Fierit kërkon të jetë syçelë dhe t’u paraprijë situatave që sa vijnë e rëndohen. Krejt ndryshe ndodh me atë të Vlorës, e cila nga rebelimet dhe operacioni ushtarak mercenar, ku mbeti i vrarë kreu i tij kolonel Clementi, është shumë më e ngarkuar me ngjarje të cilat duhet t’i zgjidhë vetë, ndoshta pa u përzierë me Divizionin ushtarak 49 “Parma” në kazermat e Drashovicës dhe as me brigadën italiane të qytetit.

Ndërkohë që në Vlorë po konturohet një udhëheqës politik guerilas Hysni Kapo (Besniku), që thuhet se nga jeta civile kalon në ilegalitet, duke braktisur atë familiare; “Hysni Kapua, që e kish Besniku pseudonimin, kish dalë me kohë në ilegalitet. Kishte bërë shkollën Tregëtare të Vlorës, ishte i martuar me fëmijë dhe punonte për bukuri ekonomat në spital. Atje italjanët kishin prurë dhe doktorë e infermjere italjane, si një vënd që u bëmë me ta. Që në mëngjes një infermjere i përshëndeste italisht të gjithë me buzë në gas, nuk harronte edhe ekonomatin. Po lebërit edhe këngët me iso nga mali në mal kështu i kanë; dilmë atje, të të dal këtu e takohemi aty, të të them një llaf! Po i vuri buzën në gaz tjetra, qoftë italjane apo jo, labit, apo Tërbeçsit në këtë rast, i duket se i doli lakuriq përpara. E zuri me zor dhe për dhunë në një dhomë a depo, sikur vinte vërtet nga Tërbaçi atë minutë nga dhitë e nuk kish parë grua me sy, jo të ish i martuar! Ajo e tmerruar u ankua me një herë dhe Karabinjeria e kërkonte të nesërmen” (K.Cakrani, po aty). Ai atashohet pranë çetës së Vlorës dhe me njohjen që kishte me Mehmet Shehun Mallakastër, konvergon mendimet dhe veprimet, kështu që realisht ai udhëzon aksionet, ndërsa Neki Ymeri i zbaton praktikisht në fushën e luftës. Metodën e grabitjes së parave të italianëve Shehu e përcjell tek çeta e Vlorës dhe kjo e shumtë në numër e pranon menjëherë gjetjen e financave në këtë mënyrë. E vetmja kompani e madhe me qindra punëtorë ishte Miniera e Selenicës, apo S.I.M.S.A. (Società Italiana Miniere di Selenizza) por paratë që vinin nga Banka e Vlorës çdo fillim muaji si pagesa të punëtorëve, deri në vitin 1943 as që e kish menduar njeri për grabitjen e tyre, kështu që ato i sillte një administrator i vetëm me terezinë (një lloj lokomotive e vogël e vetme). Por më 1941 parave të minierës nga pakujdesia, duket u erdhi fundi. Në një vend hekurudhe afër fshatit Xhyherinë 5 km larg qytetit të Vlorës, nga terezina (ajo është pa dyer) valixhja e parave bije dhe e gjejne dy djem 16-17 vjeçarë L.Mustafaraj dhe O.Bimo, të cilët e fshehën dhe forca të shumta ushtarake kontrollonin vijën hekurudhore Vlorë-Selenicë, duke dyshuar tek ai fshat, gjë që bëri djemtë ta dorëzonin tek kryeplaku H.Bimo dhe ai tek pala italianë të paprekura. (P.Verbal i kryeplakut Xhyherinë, 11.6.1941).Qysh atëherë për shkak të sasisë së madhe të parave u gjetën rrugë të tjera të sigurta transporti për në minierë.

Për këtë arsye një përfaqësi e çetave komuniste shkuan për të krijuar idenë tek trupa ruajtëse modeste karabiniere e minierës, sw vendasve u duhen paratë, veprim që sot rëndom e etiketojmë në zhargon “vendosje gjobe” togës që ruante minierën, vetëm disa ditë më pas problemeve që sollën tentativat e grabitjeve në Karabinierinë e Fierit. Pas mosmarrveshjeve të paradites për ndihmë financiare, përplasja me togën u bë më 21 Shkurt 1943 në mbrëmje, kështu që ruajtësit e minierës nëpër natë pas një rezistence vendosën të tërhiqeshin, me shpresë se aksioni ishte sporadik dhe forcat vendase do të tërhiqeshin. Por aksioni vazhdoi ku forcat e Ҫetës Plakë të Vlorës me në krye Neki Ymerin arritën të depërtonin në depot dhe ofiçinën e minierës, të cilave u vunë zjarrin, ngjarje që sot festohet me gëzim, a thua se minierës nuk iu lejua të inagurohej ato ditë, pasi “grabiste pasuritë”, dhe jo si koncesion dhënë nga shteti shqiptar e shfrytëzuar qysh në vitin 1923.

Megjithatë forcat karabiniere, si ruajtëse të rendit e kqyrën vendin në ditët e ardhshme në një qetësi të çuditëshme, ku po rikuperoheshin dëmet e datës 21.2.1943 pothuaj gjatë gjithë muajit mars. “Ngjarjet datojnë që nga shkurti i vitit 1943, kur kazermat e karabinierëve në Selenicë, të cilat ruanin një minierë të pasur bitumi, u sulmuan nga partizanët shqiptarë. Edhe pse sulmuesit ishin të shumtë, karabinierët i rezistuan ofensivës, ndërsa kazermat për fat të keq u shkatërruan plotësisht” saktëson nga burimet italiane Giuseppe Mancini (Corriere Pl. It. 5.8.2019) Ҫdo gjë përfundoi dhe miniera kish ditë që kish filluar normalisht punën, por edhe muaji Prill po afronte, ku bëhej fjalë prapë për paratë e pagave, të cilat Ҫetës Plakë të Vlorës i nevojiteshin aq shumë. Meqënëse gjatë muajit mars gjatë riparimeve të dëmeve forca të shumta të Karabinierisë kqyrnin vendin, mobilizimi komunist ishte shumë më i madh këtë herë, për t’iu përgjigjur jo me rebelim e aksione, por me luftë duke grumbulluar forca nga fshatrat e krahinës.

Duke qënë se rrugës nuk kishin siguri në ç’mënyrë silleshin paratë e pagave, me sa duket u vendos që të sulmohej në datë 1 Prill 1943, pasi financat kishin ardhur dhe pagat do të shpërndaheshin, fakt që komanda e Karabinierisë së Vlorës e kishte marrë parasysh qysh më 31 Mars 1943. “Menjëherë pas kësaj, më 31 mars, Koloneli Luigi Bertarelli, Komandanti i Legjionit të Vlorës, dërgoi Kompaninë e 17-të të Karabinierëve, nën komandën e nënkolonelit Giuseppino Ricci, në vendngjarje me qëllim rimarrjen e minierave të Selenicës dhe rivendosjen e kontrollit të territorit.

Kolona, e armatosur mirë me automjete të blinduara dhe mitralozë, mbërriti në vendngjarje të nesërmen, më 1 prill” shkruajnë burimet italiane të Mancini-t në “Corriere Pl.It”.

Versioni Italian në vend që të bartëte të dhëna dhe statistika të hollësishme, mbetet sipërfaqësor. Duhen parë edhe burimet shqiptare, pasi në këtë kohë si hapat e parë të organizimit të njësive luftarake, operonin së bashku forcat nacionaliste (Balli Kombëtar) dhe ato komuniste (Partizanë). Kjo për arsyen e bashkpunimit kombëtar, pasi trupat e shumtë nacionaliste sipas burimeve të OSS (CIA) amerikane numëronin në Shqipëri rreth 30.000 njerëz më 1943. Këtë fakt e shohim në shumë korrespondenca mes nacionalistëve dhe komunistëve në Mallakastër psh. mes krerëve Besim Belishova e Kadri Cakrani (nacionalistë_e Mehmet Shehu e Qemal Klosi (komunistë) gjatë vitit 1943;

Ndërkohë Hysni Kapo me pak forca kërkon ndihmë; “Shoku Vjosa! Ushtria po vjen në Selenicë. Mundësisht do i presim. Çeta ndodhet në Karbunarë. Afroi se mund të kemi nevojë për ndihmë në rast zjarri. Nuk kam asnjë njeri me kë të konsultohem… Është e domosdoshme prita, përndryshe u del krejt frika. V.F.L.P. Të fala Besniku. 1 prill 1943” (AQFA, Fondi “Zona e Parë Operative Vlorë-Gjirokastër”, D.12, 1943, Fl.21) Por të shikojmë një nga krerët nacionalistë, Faik Quku, i cili tregon; “…Hysni Kapos i vjen një letër, me të cilën e lajmërojnë se një forcë italiane do të vinte në Selenicë. Letrën ia tregon Qenanit (Hysi), i cili e pyet se çfarë të bënte. Hysniu i përgjigjet: “Asgja, sepse nuk kam forca. Po ty?” Hysniu gjithashtu e pyet Qenanin se çfarë do të bënte dhe ky i kthen të njëjtën përgjigje. Një batalion Italian, i përbamë prej 500-600 vetë, vjen në shtëpi të Osman Haxhiut, djeg disa shtëpi bujqish dhe internon 12 vetë. Dërgon në Selenicë forcën e karabinierisë, që kishte marrë me vete, me 257 karabinierë, me një nënkolonel, një kapiten Italian dhe një toger shqiptar, Tahsin Spahiun nga Luma. Siç duket, italianët kishin në plan me organizue një operacion në Selenicë. Më 1 prill Qenan Hysi me çetën e tij i del në pritë para Selenicës dhe vendoset në gatishmëri luftarake, në tre grupe, në formën e një trekëndëshi, gjithsej 26 vetë me 4 mitraloza të lehtë. 9 vetë të tjerë i len mbrapa për sigurim. Luftarët kishin vetëm nga 250 fishekë. Hysni Kapo ndodhej rreth një orë larg. Forca e karabinierisë, e nisur prej Picari, gjatë rrugës vrasin tre partizanë. Në orën 12 e 45’ forcat e karabinierisë bien nën zjarrin e çetës së Qenanit. Lufta vazhdon deri në orën 18 e 20’. Hysni Kapo me 16 vetë vjen në orën 18, kur italianët kishin fillue me u dorzue e me u çarmatosë. Në orën 18 e 15’ vjen edhe Çeta Plakë, e përbame prej 40 vetësh. Mbasi mbaron lufta vjen edhe Mehmet Shehu nga Mallakastra. Mbetet i vramë një partizan dhe një ballist i plagosun. Prej italianëve: 13 kalojnë lumin e Vjosës, 13 mbyten në lumë; karabinierët e tjerë me tre oficera dorëzohen. Merren shumë armë e material lufte. Të gjithë robërit ishin në dorë të Ballit, përveç toger Tahsin Spahiut. Mir’po, Jonuz Luzaj, propagandisti dhe nji nga eksponentët e çetës së Hysni Lepenicës, ia dorzon partizanëve të gjithë robërit, me përjashtim të tetë karabinierëve dhe dy oficerave. Arsyeja nuk dihet. Jusuf Luzaj më ka deklarue që këta robër ia dorzoi komunistave nji roje që i kishte në ngarkim. Kështu, ballistat shkëmbyen nënkolonel Bizin e kapitenin me toger Tahsin Spahinë. Qenani i nis për Karbunarë tetë karabinierë me materialin e marrun. Mbasi i mbajnë disa ditë nëpër shtëpi, i lirojnë”(Faik Quku “Qëndresa shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore 1941- 1944), “ILAR”, 2006, v.2,f.188-190).

Burimet italiane duken të pamjaftueshme, duke gjetur ide delegimi të disfatës fillestare; “Meqenëse hyrja në minierë paraprihej nga dy kodra asimetrike, njëra në 125 metra dhe tjetra në 177 metra, Komandanti Ricci urdhëroi disa nga burrat e tij të ngjiteshin në majë të kodrës së poshtme dhe pastaj në tjetrën për të kontrolluar zonën. Deri në atë pikë, zbuluesit nuk kishin raportuar asgjë të pazakontë. Fatkeqësisht, sapo trupat e Ricci-t arritën në kodrën e parë, ata u goditën nga një breshëri e dhunshme plumbash. Sulmuesit, të pozicionuar pas dy kodrave, demonstruan fuqinë e tyre të plotë të zjarrit me armë të rënda dhe rreth 800 partizanë.

Kontingjenti italian, i zënë në befasi, u përpoq me dëshpërim të përballonte situatën, për fat të keq pa sukses.Legjioni i Karabinierëve përfshinte edhe shqiptarë, përfshirë një toger, i cili, megjithëse i pazbuluar në atë kohë, pati një fund tragjik gjatë regjimit komunist: emri i tij ishte Tasim Spahiun. Në përleshje, 16 ushtarë italianë u plagosën dhe 17 u vranë” vazhdon Mancini në “Corriere Pl.It”.

Duhet të shohim çdo burim pasi kemi të bëjmë me një detashment të panjohur luftëtarësh, si Ҫeta Plakë e Vlorës, skuadra luftëtare e Hysni Kapos, si dhe çeta e Ballit me Isuf Luzin që operon në zonën e Llakatundit, Ҫeta Plakë e Mallakastrës etj. asnjë prej tyre nuk figuron e inkuadruar qoftë si njësi luftarake më vetë, qoftë në kuadrin e një ushtrie të caktuar që të marrë nesër përgjegjësinë e aksionit. Një anarki e kaos që nuk mund ta rregullonin atëherë jo ruajtësit e rendit, karabinierët 20 vjeçarë, por as paqeruajtësit më të ashpër sot. Por sipas Faik Qukut idenë se të burgosurit politikë në burgje duhet të lirohen, e ka dhënë nacionalisti Luzi, madje me një ultimatum 30 ditor. “Edhe më vonë, në luftën e Selenicës, që planifikoi, komandoi dhe fitoi Isuf Luzaj me çetën e vogël 38 vetëshe, kundër 127 karabinierëve, pesë oficerëve dhe komandant kolonel Ricit, Partia Komuniste, Xharxhanezi (Qani Shena), erdhi në perëndim të diellit kur kishin filluar të dorëzoheshin karabinierët e pararojës. Në Shkozë arriti Hysni Lepenica, Skënder Muçua, me Mehmet Shehun dhe Ibrahim Dervishin. Arritën sa për të bërë gabimin trashanik që u dorëzuan kryepleqësisë së Hekalit dhe Drizarit robërit e gjallë që t’i mbanin nën rojë derisa të sqarohej ultimatumi që Isuf Luzi i dërgoi kont Salvonit në Vlorë, me pak a shumë këtë tekst: “Keni 30 ditë kohë të vendosni: ose do të çlironi nga burgjet dhe fushat e përqëndrimit të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë, ose ne do të ekzekutojmë kolonel Ricin me të pesë ficerat e kuadrot”… Porse lajmi nga Tirana erdhi vonë, sepse robërit italianë, këshilli i Hekalit e i Drizarit, ia dorëzoi Mehmet Shehut, i cili i pushkatoi, pa u marrë vesh me Ballin Kobëtar.” (Isuf Luzaj: “Filozofia e bukurisë” pjesë ditaresh, esse dhe rrëfime për veten”, OMBRA GVG, 2009, f.91-92)

Por të shikojmë më tej ngjarjen nga questori (drejtuesi policisë) të dhënat që i drejton Tiranës, natyrisht shumë më afër ngjarjes dhe të vërtetës që ndryshon çdo orë;  “Rajoni Kuestura e Vlorës; 4 prill 1943; Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, Tiranë; N.0362; Telegrami që po dërgojmë është në vijim të telegramit të mëparshëm me nr.362, me të cilin informojmë se reparti i karabinierëve që shkoi në Selenicë, ndeshjen e parë e pati në Penkovë, ku mbetën të vrarë 5 banorë dhe një komunist nga Armeni. Akoma i paidentifikuar. Bandat komuniste të kryesuara nga Neki Ymeri nga Gjormi, Qazim Çakërri nga Tragjasi, Hysni Kapo nga Tërbaçi dhe Mehmet Shehu nga Çorushi i Mallakastrës, që ndodheshin në Selenicë për t’u hakmarrë për të vrarët në Penkovë lejuan që karabinierët të hynin në Selenicë rreth orës 17.00 dhe i sulmuan me pushkë, mitraloza, mortaja dhe me bomba dore. Mbetën të zënë robër Nënkolonel Ricci, një kapiten Italian i karabinierisë si dhe një toger i karabinierëve shqiptare. Rezulton që 12 karabinierë që tentuan të kalonin lumin për të kaluar në zonën e Mallakastrës, u mbytën në lumin Vjosë. 44 karabinierë me në krye një toger u kthyen në bazë. Karabinierët e zënë rob janë drejtuar drejt zonës së Sevasterit, ndërsa nënkoloneli dhe kapiteni janë çuar në drejtim të fshatit Drizar të Mallakastrës. Kuestori Çela. (AQSH, Drejtoria e Policisë, F.153, 1942, D.245, f.3)

Deri diku përputhen të dhënat, por së pari duhet të jepet qartë sa efektiv ka batalioni karabinier dhe pastaj rrjedhojat e ngjarjes, sidomos ato që kushtëzojnë me të drejtë apo jo marrveshjen që njihen në luftra, si shkëmbimi i robërve; “I dashur Vjosa, Puna këtej shkon shumë mirë. Deri dje, më datën 4/4/43 populli ka qenë i mobilizuar. Italianët, 400 ushtarë ardhën në Selenicë e Romës, dogjën shtëpi e dje u kthyen në Vlorë..dërguam lajm..të merremi vesh për oficerat. Koloneli është njeri me rëndësi të madhe sa që u ka ngelë goja gjithë italianëve: “Duam kolonelin, pa kërkoni ç’të doni..” 6.4.43, V.F.L.P. Besniku”(AQFA, F. Zona I Operative Vlorë-Gjirokastër,D.12, 1943, f.22) Faik Quku pretendon se “Forcat e Ballit dhe të Nacionalçlirimtares shkojnë në Mallakastër” (po aty). Këtu duhet të ndalojmë dhe sqarojmë se nacionalistët e Vlorës në këtë kohë janë pothuaj në një konflikt me ata të Mallakastrës, për shkaqet e ndërhyrjes në zonat e njëri-tjetrit për problematika të ndryshme, si pajtime gjaqesh etj, pasi krerët e Mallakastrës si Tofik Cfiri, Kadri Cakrani, Besim Belishova, Kujtim Cakrani etj. janë gati të veprojnë me ashpërsi në të tilla raste. Do i referohemi burimit zyrtar të questorit, që e ndjek ngjarjen me përgjegjësi dhe deri tani mësohet se robërit e batalionit karabinier janë parë për herë të fundit në Sevaster, ndërsa krerët e tij në zonën e Mallakastrës, në Drizar. Të gjitha gjasat janë se nacionalistët e Ballit të Vlorës i kanë dorëzuar robërit tek komunistët dhe duke qënë në një “garë” mes tyre komunistëve të Vlorës u vjen në ndihmë kreu i Ҫetës Plakë të Mallakastrës Mehmet Shehu, ku i sugjeron me përgjegjësi që robërit të kalojnë në zonë e Mallakastrës së Egër në fshehtësi për të vazhduar lojën që po merrte ngjyra makabre. Hysni Kapo vazhdon të negociojë me palën italiane për shkëmbim robërish. “I dashur Vjosa! Kërkesat u bënë siç e parashikoje tinë në letrën e mëparshme. Kështu që nuk ka si të ndryshohen kërkesat. Do kish qenë me të vërtetë madhështore një kërkesë siç më lajmëroje tinë, por tashti më duket jo e logjikshme që ta ndryshojmë, mbasi tregohemi se nuk kemi menduar siç duhet. Sidoqoftë të na pranohen këto është një fitore, por më duket si zor. V.F.L.P., 11.4.43, Besniku”(AQFArmat, Fondi “Zona I Operative Vlorë-Gjirokastër”, D.12, 1943, f.24)

Një batalion karabinier i zhdukur pa filluar mirë lufta, alarmon ushtrinë italiane! Dhe veprimi bërë në fshehtësi të plotë! “Italjanët u xh’dukën dhe Komanda që i priste u vu në alarm. Por përpjekja ishte bërë në Sevaster dhe ushtrija filloji t’i kërkonte duke shtrirë një operasjon të madh nga fshatrat e Vlorës, deri në Tepelenë e Gjirokastër. Bektash Bej Cakrani si përgjegjës për Mallakastrën u vu në alarm për të vërtetën dhe thërret në shtëpinë e Tij edhe krerët e Ballit, Nuredin Bej Vlorën, Ali Klissurën që përballë operacionit italian të pregatisnin popullatën e Jugut për luftë. Nuk harroji që të fliste dhe Komunistët, që ishin gati, por si gjithmonë në majë të gjuhës kishin, se jemi shumë pak dhe të keq armatosur. Bektash Beut nuk i shpëton dot gjë dhe u tha Komunistëve se mos kishin dorë tek bataljoni Italjan, për të cilin do digjej e vritej tani Mallakastra e tërë, po ata bënë si gjithnjë theatër dhe të zëmëruarin. –Po kemi qëlluar ndonjë maqinë Italjane duke e pandehur të parave, ti e di Bektash Bej, se n’a shpëtove duke vajtur tek Italjanët. Po është se ju doni të gjeni fajin gjithmonë tek ne, atëhere ne ikim fare se vetë ke bërtitur Bektash Bej, si të jini, si të mos jini, Mallakastra s’u ka në kandar! U bë një përpjekje për të biseduar me Xheneralin e Armatës Italjane që drejtonte operasjonin, duke i shpjeguar se në qoftë se do të vazhdonte operasjoni nga Vlora e deri në Gjirokastër me të djegur e shkretuar, ne që jemi përgjegjës për këtë popullatë, j’u para lajmërojmë se i gjithë populli që nuk ka ç’farë të humbasë, do të bëjë jo rezistencë, po luftë! Kjo e tërboji fare Xheneralin që i tha se do kursente trupat Italjane, dhe do të thërriste divisjone Bullgare që ishin gati në Maqedoni për operacionin”- shkruan komandanti i mëvonshëm nacionalist i Shqipërisë Kadri Cakrani. I vendosur mes dy zjarresh, nga nacionalistët mallakastriotë dhe ushtria italiane Mehmet Shehu me çetat e Mallakastrës e Vlorës nxitojnë të ekzekutojnë robërit karabinierë dhe të bënin të paditurin, sido që kjo kërkonte konspiracion të madh përballë arshpërsisë nacionaliste të krahinës, një rrezik potencial ky nga krerët ushtarakë nacionalistë që përmendëm më sipër; “Fier 1943, Z.Kujtim Cakranit; Komandës Batalioneve 1-2 Mallakastër;

Z.juej jeni emnue Komandanti Batalionit V-të.. Forca e këtij Batalioni do të jetë 253 vetë.. Të plotësuem e Forcës do të ktheheni në qëndër për armatim, vesh-mbathien dhe organizimin e tijë. Mbrenda 5 ditëve Batalioni duhet të gjindet në Fier. Major Reuf Fratari” (AQSH, dok.B.Kombëtar, nr.28, 43)

Por Faik Quku vazhdon me pasojën; “Të nesërmen në mbramje, në nji luginë të Romsit, partizanët i mbysin me thika të gjithë robërit. Mbahen vetëm dy oficera për me i shkëmbye me rreth 15 partizanë të burgosun. Me që italianët nuk pranojnë, i ekzekutojnë edhe këta. Për t’u shënue asht se nënkoloneli asht tregue shumë trim dhe me dinjitet i ka përbuzë komunistat”. Burimet italiane e thellojnë rezultatin e masakrës; “Por vetëm karabinierët u ndaluan, u zhveshën, u torturuan dhe u çuan në Shpellën e Lakuriqëve të Natës aty pranë, ku u hodhën në gropa, disa ende gjallë. Kolonel Ricci u torturua, u copëtua dhe u hodh në të njëjtën gropë. Rreth 130 karabinierë u vranë me shumë gjasa në atë gropë. Fatkeqësisht, nuk do ta dimë kurrë numrin e saktë, shumë prej tyre në të njëzetat. (Giuseppe Mancini (Corriere Pl. It. 5.8.2019)

Por të shohim se çfarë tregon komandanti i përgjithshëm nacionalist i mëvonshëm, si një njeri i asaj krahine nga u zhdukën robërit e batalionit karabinier të Vlorës; “Officeri Italjan ishte një Kolonel, Ricci quhej, me dy apo tre officerë të tjerë, biseduan me Mehmet Shehun, që kish qënë në Akademinë Ushtarake në Itali. Aty dolën të njohur, ndaj dhe Italjani u gëzua dhe i tregoji për detyrën e mbrojtjes së S.I.M.S.A-s, me mendim se u kap rob pa dashje nga një ex-ushtarak Italjan, mik. I biri i Shehut e mbajti për drekw dhe nuk i tha gjë për ç’këmbimin. Edhe karabinjerëve u dhanë për të ngrënë dhe u duk si fillim i mbarë. Si nuk pranuan pas ca kohe Italjanët për ç’këmbim karabinjerësh, por vetëm oficerësh, gjithmonë nëpërmjet Tërbaçit, arritën çetat me Komunistë terrori Lebër e Tepelenas që priste. Mallakastriotë kishte vetëm nja 12 vetët e çetës së Tij që i la roje se njihnin vëndin. I mori Italjanët dhe i shpuri nëpër ca gremina në mal të Kremenarit, ca vënde të shkreta që nuk i shkel këmba njeriu. Officerët dhe Kolonelin i dërgoji me këta të çetës së Tij larg në Skrapar, tek çeta e Ramis Aranitasit. E para të kishte në dorë pengun me pazarin e Tërbaçit Hysni Kapo me Italjanët, dhe e dyta, që nuk e dinte ç’do të ndodhte po t’a merrte vesh Bektash Beu (Cakrani). Po të vente llafi tek Italjanët se i mbante fshehur ushtarët, operasjonin e kishje të nesërmen! Këtu nga mëngjesi, deri në darkë i torturonte karabinjerët një për një duke i lidhur me tel në fyt e duke i ngritur lart nga disa, dhe të tjerët terroristë, sipas zgjedhjes. Do vazhdonin torturën në trup, pas tyre, pjesa e Tij e preferuar që donte vëmëndje, do të vinin ata që do e thernin dhe nën ulërima, pasi të jepnin shpyrt, në greminë sejcili! Atyre të pushkatimit nuk u la punë fare. Grumbulli i shokëve që e shikonin torturën atje tej të lidhur, prisnin radhën dhe i biri i Shehut gjithë ditën i stërviti sipas planit, cili do të ishte për të mbytur, cili për torturë në trup, cili do t’U priste organet e burrit dhe cili, merakut e Tij të madh, kokën! Me siguri i ka thënë dhe Ramis Aranitasit se si duheshin torturuar e se si, vrarë. Si hëngri me të, si mund të vritet apo theret officeri Italjan, kur ishte i njohur qënë kohën e shkollës ushtarake, me gjak të ftohtë?! Terror dhe masakër më ç’njerëzore, nuk bëhej më! (Kadri Cakrani “Të vërtetat e luftës sime” Onufri Tiranë. Fq.192)

Natyrisht edhe Kolonel Ricchi u ekzekutua, por mënyra nuk dihet në Skrapar nga Ramiz Aranitasi: “Të dashur shokë Vjosa dhe Difi (Mehmet Shehu dhe Xhemil Ҫakërri) .Sot u mbush afati i kolonelit. Simbas vendimit që kemi marrë me këta shokë, në qoftë se nuk u ka ardhur përgjigja, shkruani një letër që t’i pushkatojmë. V.F.L.P.; 21.4.43; Ramiz Aranitasi; Omzezë, Skrapar.”(AQFA, Fondi “Zona i Operative Vlorë-Gjirokastër”, D.12, 1943, Fl.30)

Padyshim përgjegjësi për këtë akt kanibalesk e ç’njerëzor kanë pasur krerët dhe trupat nacionaliste të zonës Mallakastër, pasi në këtë përgjegjësi të skajshme, megjithëse miq të ngushtë me Mehmet Shehun në këtë kohë Kapiteni i Kavalerisë Kujtim Cakrani, përjashtohet totalisht të ketë pasur informacion të ngjarjes, pasi kolonel Kadri Cakrani operonte në zonën Mallakastër-Berat. Për këtë ngjarje nuk u fol kurrë, pasi krerët nacionalistë të Ballit Kombëtar kaluan në ekzil paslufte, ndërsa ata që kishin dijeni u pushkatuan. Por për herë të parë zyrtarisht pas viteve ’90 i biri i autorit të masakrës, shkrimtari Bashkim Shehu në Librin “Vjeshta e ankthit” pranon në një fragment se i ati kishte pushkatuar 10-12 robër italianë, mes tyre edhe nënkolonelin që e kishte pasur në shkollën ushtarake në Itali. Natyrisht ngjarjen e zhvendos në vendlindje Ҫorrush, ku i ati, Ismail Shehu i lutet të mos ekzekutojw Ricchi-n, por edhe ai u vra me të tjerët. Si zgjidhje infantile autori kishte vendosur urdhërin që erdhi nga shtabi në Labinot, në një kohë kur ai është krijuar muaj më vonë më 10 Korrik 1943 nga misionarët ushtarakë anglezë.

Më 1992 në mënyrë krejt private thuhet, pasi nuk ka asnjë prononcim zyrtar të kohës, një skuadër e Karabinierisë erdhi për herë të parë pas 46 vjetësh tek paraardhësit e tyre që e kishin paguar me aq kosto Ballkanin. Ata u futën tek sa mundën tek hyrja e “Shpellës së Lakuriqëve” duke gjetu mbetjet e skeleteve të shumë trupave të shpërndara nëpër truallin e gurtë dhe një vend me kafkat së bashku, ku në njërën prej tyre gjetën të vetmen matrikull. Një trill a lojë e natyrës? Vështirë të thuhet. Është vepër shqiptare e ballkanase e provuar në shpinën të shumë njerëzve të këtij vendi. Pamje e trishtë, vepër tmerri! “Gazeta e Triestes “Il Piccolo” raportoi për masakrën dhe kërkimin që u bë në një artikull të botuar më 6 nëntor 1992 nga gazetari Pietro Spirito.

Pas rreth një viti, Prokuroria Publike e Barit, për incidentin, hapi një hetim, siç raportohet në një artikull të Corriere della Sera më 28 mars 1993, faqja 15, por të vrarë nga “joluftëtarë”, pasi nuk ekzistonte një ushtri serioze, që të mbante edhe përgjegjësira, çështja pa adresë u mbyll.

Vetëm 22 trupa u nxorën nga shpella dhe vetëm njëri u identifikua falë etiketës matrikull të tij. Emri i tij ishte Annibale D’agnano, i lindur në maj 1923, që e bën atë vetëm 19 vjeç. Ai ishte një karabinier ndihmës, thirrja e tij e parë për armë, si pothuajse të gjithë shokët e tij të vrarë. Kur u gjetën, nënoficeri që mori ato mbetje të skeleteve në duar pëshpëriti, duke thënë, “Mirsevini në shtëpi”. Me sa duket, sipas hulumtimit të kryer nga G. Mancini, mbetjet e atyre 22 trupave u transferuan në Memorialin Ushtarak në Bari.

Një ish-karabinier Antonio Magnanino ka shkruar një libër dhe ka kontaktuar me ne pasi po shkruante për 111 karabinierët e vrarë në Gurin e Muzhaqit, për të marrë sqarime apo përshkuar rrugën e fundit të tyre. Por ai erdhi në Shqipëri dhe takoi vendas, që parardhësit e tyre mund të kenë marrë pjesë në masakër, apo krerë partizanë që kërkonin të demaskonin si të kishin kryer krime ndaj popullatës vendase, gjëra normale Shqipërie, ku viktima bëhet fajtor e fajtori viktimë me lehtësi. Veçse kjo rëndon mbi eshtrat e atyre të rinjve 19-20 vjeçarë që i morën për të ruajtur rendin e një vendi ballkanas, si pjesë e Italisë.

Por vendndodhja e masakrës dhe varri i përbashkët i mbi 130 karabinierëve italianë, që shërbenin si ruajtës rendi në Shqipëri, “Shpella e Lakuriqëve” Kremenar, Mallakastër, në atë kohë me një bimësi shkurresh dhe rrepe të mëdhenj, një guvë e çuditëshme që nuk ngjan aspak me shpellat klasike si galeri, ka një hyrje tejet të ngushtë, si dhe një pjerrësi të madhe e cila mund të arrijë në një kilometër, madje thuhet se mund të ketë ndonjë dalje në shtratin e Vjosës. Një gur i hedhur në atë pjerrësi vazhdon disa minuta rrugën duke shuar zhurmën e tij. Në një datë nga këto përkujtimore, atasheu ushtarak italian, një ish-karabinier me karrierë të gjatë, u shoqërua nga ne deri në hyrje të shpellës-varrezë. Ai donte të rrinte vetëm. Ndoshta bisedoi me ta, ku ndodheshin dhe pastaj mundësinë e kthimit në vendlindje.. Një lloj amaneti që e tregonte fytyra e tij e përlotur..