Sigal

Leonard VEIZI

 (Vijon nga numri i kaluar)

Ka kaluar një jetë të rënë në labirinthet e kinemasë, mes filmave dhe artistëve. Vetëm pak ditë më parë “artisti i merituar”, Ilia Terpini festoi, mes miqsh e kolegëve, 70 – vjetorin e lindjes. Edhe në këtë ditë të shënuar ai ka shkrepur aparatin fotografik me dhjetëra herë duke qenë i fokusuari i tij dhe duke fokusuar vazhdimisht çastet e ceremonisë gazmore.

Ndërsa ka lënë pas vitet dhe mbi shpatulla mban peshën e rëndë që kanë, ai kujton dhe rrëfen ditët e tyre. Ekipet e xhirimeve kanë qenë për të miqtë më të mirë. Kinostudioja, filmat e çensuruar, takimi me politikanët shqiptarë dhe të huaj, qenë pjesë përbërëse e jetës së tij. Dhe një prej pikave kulmore padyshim ka qenë “Kongresi i 8-të i PPSH-së”:

Cili do të ishte statusi juaj në Kongresin e 8-të?

Kam qenë përgjegjësi i grupit të xhirimit të Kongresit të 8-të të PPSH-së dhe i gjithë infrastrukturës tjetër regjistrues, për llogari të Kinostudios. Nga puna me orare të zgjatura dhe me një përgjegjësi maksimale, kujtoj disa nga detajet që pas shumë vitesh m’u dukën të rëndësishme për atë manifestim problematik të komunistëve shqiptarë.

Cila ishte situata përpara këtij Kongresi?

Jam habitur me disa gjëra që po ndodhnin, por më vonë i bëra lidhjet dhe doli që çarja mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut kishte marrë dhenë, Në të vërtetë problemet kishin filluar që përpara zhvillimit të Kongresit, ku sallën e Teatrit të Operas e inspektoi Nexhmie Hoxha dhe Ramiz Alia. “Ka shumë ndriçim, ndërsa shoku Enver është i sëmurë dhe nuk mund ta durojë dritën e tepërt”, më drejtohet Ramiz Alia, mua që isha shefi i grupit të xhirimit.

U krijoheshin probleme teknike nga një urdhër i tillë?

Padyshim. Ishte një peripeci shumë e madhe të filmoje me ndriçim të ulët, por me një film pak të ndjeshëm. Por ia dolëm. Kur Enver Hoxha hyri në sallë ne i ndezëm të gjitha dritat, por entuziazmi ishte aq i madh sa askush se vuri re një gjë të tillë. Ndërsa urdhri i dytë, pa komente, që na u dha nëpërmjet drejtorit të Kinostudios, Vangjush Zallemit, ishte: “Udhëheqësit në tribunë të filmohen një e nga një dhe jo dy apo tre së bashku, dhe të përdoreshin plane sa më të mëdha ku nuk shquheshin mirë portretet e tyre”.

Cila ishte domethënia e këtij urdhri?

Fillimisht ne ngritëm supet nga një urdhër i tillë që na u duk i pakuptimtë, por ishin të detyruar ta pranonim dhe u bindën. Ndërsa sot jam i bindur, se kjo gjë u bë, që më pas, pra pas largimit të Mehmet Shehut nga skena politike, të mund të përdoreshin sekuenca nga ky kongres. Thënë shkurt Mehmet Shehu duhet të ishte sa më pak prezent.

Si do të vijonte puna me Kongresin?

Që në fillim pata një përshtypje se diçka nuk ecte mirë. Në ditën e parë të Kongresit, dola vetë të filmoja në hyrje Enver Hoxhën. Por ai doli nga makina, jo si zakonisht i qeshur, por tepër i ngrysur, dhe, për më tepër, i bërtiti edhe bashkëshortes së tij Nexhmijes, gjë që s’më kishte rastisur asnjëherë. Në atë kongres, po aq i ngrysur, ka qenë edhe kryeministri, Mehmet Shehu.

Çfarë tjetër u bëri përshtypje nga ky Kongres?

Më kujtohet se ditën që kryeministri do të mbante raportin e tij, i sugjerova Fiqiret Shehut: “Ndriçimi është i pakët, shoku Mehmet është i ngrysur dhe ka veshur kostum të zi. A mundet që mbas dite, kur, të lexojë raportin, të veshë një kostum më të çelët, pasi nuk do të dalë mirë në ekran”. Në të vërtetë nuk kisha shumë besim dhe isha i bindur në kundërshtinë e saj, sepse më kishte ndodhur dhe më parë që kërkesat e mia të mos pranoheshin nga kryeministri. Por çuditërisht Fiqiriti e mirëpriti propozimin tim dhe, për çudinë më të madhe, pasditen e raportit Mehmet Shehu u paraqit me një kostum gri. Po gjatë këtij Kongresi, më kujtohet dhe batuta e Enver Hoxhës, teksa ajri i një kondicioneri i binte mbi supe: “Ne s’kemi pyetur nga mitralozët e armikut, por duket se kjo era po na ha pas krahëve”. Është pikërisht kjo shprehje që pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, u lakua në variante të ndryshme.

VLERËSIMET

Çmimi i Republikës dhe titullin “Artist i merituar”

Ilia Terpini është lauruar me çmimin e Republikës për dokumentarin “Në vitet e Revolucionit”, regjia e të cilit i përket firmës së regjisorit Dhimitër Anagnosti. Por gjithashtu mban dhe titullin e lartë “Artist i merituar”. Disa nga filmat artistikë më të njohur, realizuar nga kamera e tij, janë: “Ballë për Ballë”, “Mësonjëtorja”. “Dimri i fundit”, “Kush vdes në këmbë”, “I teti në Bronc”, “Gunat përmbi tela”, “Kapedani” etj. Aktualisht është në proces xhirimi në një film dokumentar me temë historike. Edhe pse në moshë të thyer, vazhdon të punojë me të njëjtin pasion si dhe 45 vite më parë, kur u pranua të kalonte pragun e Kinostudios.

NOSTALGJIA

Industria e propagandës

Filmi shqiptar ka konkurruar në festivale të ndryshme evropiane dhe botërore dhe janë marrë opinione nga më cilësorët, e sidomos për filmin “Dimri i fundit”. Ilia Terpini thotë se edhe në këtë kuadër Kinostudio funksiononte si një makinë propagandistike shumë e fuqishme për të përçuar jashtë kufijve të Shqipërisë atë çka kërkonte udhëheqja. “Një regjisor i Hollivudit u mahnit nga realizimi dhe po ashtu e shprehu këtë habi, kur i thashë se ai film ishte xhiruar në temperatura 17 gradë celsius nën zero. Në bisedë ai më shprehu konsiderata për kinematografinë tonë dhe madje shkoi deri atje sa të pranonte se vërtet Shqipëria bënte filma cilësorë”, kujton Terpini. Megjithatë ai shton se gjithçka që prodhohej shitej që në fillim nga mbledhjet e zgjeruara të Këshillit Artistik, e më pas nga vetë drejtuesit e lartë të partisë. Por ai është i mendimit se “Kinostudio vërtet mund të mos prodhojë tashmë 14 filma, por ajo duhet të përshkruajë realitetin e sotëm me fenomene si: droga, prostitucioni, emigracioni, gjakmarrja, sepse çdo popull duhet ta fokusojë historinë e vet, ashtu siç është edhe në art”.

ARKIVA

Filmimet me Torezin e Shtrausin

Ilia Terpini tregon se gjatë punës i është dashur që të regjistrojë shumë nga delegacionet politike që vizitonin Shqipërinë e atyre viteve. Në vëmendjen e tij janë pak nga delegacionet ruse, shumë nga ato kineze, por dhe vizita e kryetarit të Partisë Komuniste Franceze, Moris Torezit. Edhe një takim tjetër ka mbetur në kujtesën e tij, pikërisht ai mes Manolis Glezios dhe Ramiz Alisë, në kuadrin e rivendosjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë. Operatori kujton se Manolis tha: – “Burri mund të ndahet nga gruaja, burri mund ta përzërë fëmijën nga shtëpia, po të nesërmen burri do t´i thotë komshiut mirëmëngjez”. Ai shton se këto momente i ka fiksuar mirë në kujtesë. Por në fokusin e kameras së Terpinit ka qenë në vitet ´80-të edhe vizita e Shtrausit në Shqipëri, që ai e vlerëson si një nga rastet më të rëndësishme të jetës së tij profesionale. “Me kameran time e kam shoqëruar Shtrausin ngado. Nuk më harrohet se ai menjëherë, pasi zbriti nga avioni, tha: “Çfarë është ky, fshat?”. Por mendimi i tij ndryshoi menjëherë, pasi vizitoi Beratin antik dhe kishat e tij. Madje, Shtrausi u mahnit dhe u shpreh krejtësisht ndryshe nga ajo që kishte thënë në aeroport. Tashmë për të ne ishim një popull me kulturë shumë të lashtë”. Ndër të tjera Ilia Terpini kujton se Shtrausi tha: “Ne jemi popuj të së njëjtës racë” dhe unë këtu kam ardhur me projekte të studiuara. Në Lushnjë do të ngrihet një aeroport tranzit i përmasave evropiane, bregdeti shqiptar do të mbushet me vepra turistike që të pushojnë gjermanët dhe gjithë Evropa, do të ngremë 3 autostrada Tiranë-Shkodër, Tiranë–Korçë, Tiranë–Vlorë; ju vetëm do të merrni paratë”. Por me sa dukej çdo gjë ishte e kotë. Regjimi komunist i mbylli derën kësaj “hapjeje të madhe”.

PARA MBLEDHJES

Mehmeti grindej me jastëkun

Operatori i mirënjohur i Kinostudios Ilia Terpini, kujton gjithashtu se Mehmet Sheu ka qenë tepër i shqetësuar edhe pak ditë përpara se të bëhej mbledhja e Byrosë Politike, ku ai u kritikua ashpër. “Isha me xhirime në Gjirokastër, por më thërrasin urgjent dhe më dërgojnë në Korçë ku zhvillohej një aktiv i zgjeruar dyditor me praninë e Mehmet Shehut. Të nesërmet, një nga truprojat e tij më tregoi se Mehmeti ishte tepër i shqetësuar në dhomën e tij dhe kishte përplasur jastëkun në tokë, duke thënë: Ç’është ky dreq jastëku”. Truproja më tha se për gjithë natën kishte udhëtuar një “BÇ” për të marrë në shtëpinë e kryeministrit jastëkun e tij. Të nesërmen truproja më tha se Mehmeti kishte qenë sërish shumë i shqetësuar dhe se kishte përplasur jastëkun në tokë duke thënë të njëjtat fjalë. Por vetëm kur i kishin thënë se jastëku ishte marrë nga shtëpia e tij, nuk ishte ndjerë më”. Të gjitha detajet Ilia Terpini i ka lidhur, pasi ka marrë vesh vetëvrasjen e kryeministrit. “Vizitën e Enver Hoxhës në Galerinë e Arteve, disa ditë pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, e kam filmuar unë. Nuk është e vërtetë ajo që është thënë gjatë një emisioni në një televizion, se Enver Hoxha nuk ka folur për Mehmet Shehun gjatë kësaj vizite. E kam dëgjuar me veshët e mi. Enveri foli keq për Mehmetin në prani të artistëve. Kam përshtypjen se pikërisht gjatë kësaj vizite ai ka përdorur për herë të parë fjalën “poliagjent”, kujton Ilia Terpini.

Falënderimi nga Simon Stefani

Kur ansambli i famshëm “Migjeni” mori rrugën për në Turqi, nga kinostudio u caktua operator Ilia Terpini. “Isha i vetëm pa regjisor dhe pa operator zëri. Më thanë të realizoja një dokumentar 20 minuta, por nga xhirimet i bëra, ai doli plot 52-minuta. Drejtori i atëhershëm i Kinostudios e pëlqeu filmin, por më tha të shkurtoja disa gjëra, mes të tjerave dhe këngën “Nino-Nino” që Fatma Zyberi e këndoi në gjuhën turke e ku pati një sukses të jashtëzakonshëm. I shpjegova drejtorit se programi ishte miratuar nga Manush Myftiu, por ai nuk pranoi. Mendova se filmi nuk duhej çensuruar dhe pasi kaloi dhe në komisionin e Ministrisë së Kulturës, propozova që ai të shikohej në Bllok. Në atë kohë Byroja Politike shikonte vetëm filmat artistik, ndërsa për dokumentarët përgjigjej ministria e kulturës. Megjithatë propozimi im u pranua. Në ato vite marrëdhëniet midis dy shteteve ishin përmirësuar ndjeshëm dhe një ekspoze e bukurive të Turqisë, si pallati i Sulltanit, apo ura e Bosforit, nuk ishin më një herezi. Pas disa ditësh Simon Stefani më thërret në zyrën e tij. Fillimisht mendova se Byroja do të kishte marrë vendim për censurimin e filmit, por u qetësova kur Simon Stefani më tha; “Të lumtë, e ke bërë udhëheqjen të qajë”.

(Vijon numrin e ardhshëm)

 NUMRIN E ARDHSHËM DO TË LEXONI

Ramiz Alia, njeriu që i shihte lajmet me ekipin realizues dhe bënte vërejtje teknike

-Shoqërimi i Leka Zogut gjatë referendumit, i cili nuk u tremb as kur e qëlluan me armë

-Filmimet e grevës së studentëve dhe  rrëzimin e monumentit të Enverit në 300 m film