Haliti: Shkrimi i Kadaresë më shpëtoi mua dhe librin tim të parë që u urdhërua të bëhej karton

877
Sigal

EKSKLUZIVE/Rrëfimi i poetit Faslli Haliti për ndëshkimin si krijues antiparti dhe mbrojtja e tij nga Kadareja

“Udhëhiqte kryqëzatën Komiteti i Partisë, në ballë shkrimtarët Gazmend Kongoli e Kapllan Resuli”

Që në kontaktin e parë me poezitë e poetit të ri nga Lushnja, Faslli Halitit, Ismail Kadare, atëherë redaktor në gazetën ‘Drita’, kupton shpërthimin e një talenti me perspektivë dhe i hap rrugën e botimit. Jo vetëm kaq, por e inkurajon dhe në temat delikate e me rrezik për kohën… Por shumë shpejt, nga kritikët partiakë të kohës, poezia e Halitit vihet në shënjestër si “nxirës realiteti’, si krijues që hap probleme dhe nisin  peripecitë e kalvari i vuajtjeve të tij personale e familjare… Edhe pse disa herë, duke mbrojtur haptazi poezinë e Halitit, Ismail Kadare, arrin ta shpëtojë nga ndëshkimi, kjo nuk shkon gjatë… I hiqet e drejta e botimit për shumë vite dhe poeti Haliti, dërgohet për riedukim në kooperativë bujqësore të Fier- Sheganit.  Këto e detaje të jetës së tij, poeti i rrëfen në vazhdim në intervistën e gjatë për ‘Telegraf’….

Ku e ka zanafillën ndëshkimi juaj?

-Që në poezitë e para, kam qenë problematik. Mbase kjo vinte si pasojë e poezisë sime që ishte kritike dhe siç po ma thonë tani, tepër direkt, origjinale, gati e adresuar… Kuptohet, kur kemi të bëjmë me diçka origjinale, është e vështire të kuptohet menjëherë nga lexuesit. Ndodh si me refrenin e një kënge i cili duke u përsëritur, kapet më me lehtësi se vetë kënga nga dëgjuesit. Po kështu ndodh edhe me poezinë, kur ajo bie diçka të re, në formë dhe ide, kjo e re nuk kapet menjëherë. Kështu ndodhi me poezinë  e Kadaresë në vitet gjashtëdhjetë, e cila dukej si e pa kuptueshme, hermetike, por në të vërtetë ajo ishte një poezi me konstrukt, figuracion të ri, poezi tepër moderne, e kthjellët. Por siç dihet, e reja nuk kuptohet dhe nuk pranohet me një herë, përplaset me muret e vjetër dhe shemb një ditë ata.

Përmendët Kadarenë, diçka për lidhjet tuaja me të dhe si u mbrojti pas botimit të poemës?

 -Për herë të parë me Kadarenë, jam njohur nëpërmjet poezisë së tij të cilën unë e pëlqeja shumë. Kadareja më ka botuar poezinë e parë në gazetën ‘Drita’ dhe ‘Unë mësuesi i fshatit’. Kadareja ishte redaktor në këtë gazetë.  Pas këtij botimi i dërgoja shumë poezi. Një ditë, Ismaili, si redaktor më thërret të takoheshim  e të bisedonim për poezitë e mia, dërguar atij. U nisa menjëherë nga Lushnja për në Tiranë. Ishte vjeshtë e vitit 1963. Shkova me një frymë në redaksinë e gazetës ‘Drita’. Kadareja nuk ishte në zyrë. E takoj para hotel “Dajti”. Ishte me Dritëso Agollin…

Sa vjeç ishit atëherë?

-Njëzet e shtatë vjeç. Një moshë me Kadarenë. Ai nuk më njihte. Nuk ishim takuar ndonjëherë. Që atëherë me mendjen time, unë e konsideroja Kadarenë si një poet me format botëror, kurse bisedën me  të e mendoja të vështirë e të gjatë.  Por ajo qe fare e shkurtër. Mbase biseda më e shkurtër në botë për poezinë….

Cila qe biseda mes jush?

-Disi me ndrojtje, u afrova dhe i zgjata dorën. ‘Jam Faslli Haliti’,- i thashë.  Më keni thirrur për të biseduar për poezitë e mia. Po, më tha. Poezia jote ka origjinalitet, por ka nevojë për një krehje, më tha. Nuk foli më. Vazhdoi bisedën me Dritëron. Kaq ishte biseda. U ndava me të i habitur, por dhe shumë i gëzuar njëkohësisht që u takova me të dhe Dritëron.

U takuat më pas me Ismail Kadarenë?

-Po. Një herë tjetër, ndoshta ka qenë viti 1980, shkoj në shtëpinë e tij…  Kadareja po luante letra me vajzën e vogël, Besjanën. Aty më tha: Nuk dua të të bëj qejfin Faslli, Poezia jote duket e thjeshtë, por ajo do kulturë të kuptohet. Të njëjtën gjë ia kishte thënë edhe  shokut tim Fatbardh Rustemit, i cili këtë thënie të Kadaresë e citon në parathënien e tij për librin tim ‘S’di të hesht’. Unë sapo kisha botuar një cikël poetik në gazetën ‘Drita’, pra në vitin 1986. Në këtë cikël ndodhej edhe poezia ‘Një pyetje shokut Gëte’. Ja disa vargje të saj: Gjithë bota po të uron ditëlindjen,/ Dikush të uron të bëhesh 100 vjeç,/Dikush të uron 100 shekuj përjetësi./ Unë s’të uroj, gjersa ti je i përjetshëm, /Për të përjetshmit /S’ka numra,/S’ka kufi…/ Dikur shoku yt, Bet’hoven,/Të ka qortuar me indinjatë,/Kur ti e nderove me përulje perandorin./Meqë ra fjala, / Zoti Gete,/ Dua të të pyes, / Dua të të bëj një pyetje prej intervistori: Si quhej,vërtet,ai, perandori?/”. Aludimi ishte i qartë. Ndonëse nuk biseduam gjatë për këtë, unë e kuptova mesazhin e ndjehesha i gëzuar që Kadareja e pëlqente poezinë time…

Vijmë tek poema që do u ndëshkonte më pas, pra tek takimi me Kadarenë?

-Po. Është poema ‘Dielli dhe rrëkerat’. Unë e shkrova atë në vitin 1970-të dhe ia dhashë Kadaresë, për ta lexuar. Pasi e lexoi, ai më tha:’Kjo është një nga gjërat më të bukura që ke shkruar ti, dhe nga gjërat më të bukura që janë shkruar kohët e fundit’. Ky vlerësimi i tij më bëri me krahë. Kjo poemë u botua më 16 dhjetor të vitit 1972 në gazetën ‘Zëri i Rinisë’ me kryeredaktor, të guximshmin Miço Verli…

Pra, këtu fillon dhe kryqëzimi juaj?

-Në këtë kohë, isha mësues vizatimi në qytetin e Lushnjes, Në këtë kohë, botove dhe një cikël me poezi, në gazetën ‘Drita’ i cili u botua me interesimin e Kadaresë. Në këtë  cikël ishte dhe poezia ‘Kundër Shtërgëve’. Ajo nuk u mirëprit dhe u kritikua në vetë gazetën ‘Drita’. Ajo u quajt e gabuar politikisht… Këtu nisin peripecitë pa fund… U shqetësua dhe u vu në punë Partia….

Kush u thirri për këtë poezi?

-Më thërret sekretari, për ideologjinë dhe kulturën në Komitetin e Partisë së Lushnjës, një ish-traktorist…. Hyra në zyrën e tij, pa ditur pse më kërkonte. Më thotë: “E di pse të kam thirrur? ‘Jo, i them. Ti ke botuar në gazetën ‘Drita’ poezinë ‘Shtërgët’. Aty ti thua se këta shtergët e lenë atdheun në baltë, në breshër e në shi dhe bredhin pas pranverave. Ku na qenkëshin këto pranvera, sipas teje, në Perëndim?” . “Unë me këtë poezi, shoku sekretar, godas kozmopolitizmin, kozmopolitët. Filozofinë e tyre : ‘Ubi bene, ibi patria (Ku je mirë, është atdheu)’- iu përgjigja. -Opo ti e ke për këta që arratisen nga Shqipëria dhe tradhtojnë atdheun. Mos më shit mua filozofira me kozmapolitizma, po ki kujdes se, krahasimet janë të bukura, por janë edhe të rrezikshme, ka thënë Stalini i madh’ shtoi ai.

Çfarë ndodhi më tej?

-Shkoj në shkollën ku jepja mësim. ‘Po tani çdo bëhet me ty, pas kësaj frike të rëndë’,- më thotë drejtori i shkollës, me shqetësim dhe dashamirësi. Pra, ishte bërë problem, e kuptova se isha përfolur gjatë zyrave për mua. ‘Do vazhdoj të jap mësim’- e ç’të bëj tjetër’- i them drejtorit. Jo vetëm që nuk u tremba, por pas kritikës m’u duk sikur ndihesha më i vlerësuar në sytë e mësuesve, njerëzve, qytetarëve që isha në Komiteti e Partisë.  E theksoj, jo se isha trim, por nuk e njihja frikën… Ishte më tepër naivitet se trimëri.. Pastaj kisha thënë diçka reale, me art, për të cilën edhe sot, unë kam të njëjtin mendim, për ata që bredhin pas pranverave, kur pranverën duhet ta sjellim, ne, vetë këtu me mendjen, krahët dhe djersën tonë…

Vazhduat të shkruani pas kësaj?

-Vazhdova të shkruaj dhe të botoj më me nerv. Pas çdo kritike, shkruaja më me nerv, botoja më me guxim … Kisha një postulat timin  personal, që kritikën ta kapërceja me krijimtari, duke shkruar më shumë poezi, kurse suksesin, ta  shoqëroja me punë, me krijimtari sa më të shumtë. Këtë ia kam kërkuar dhe djalit tim kur ai konkurronte për t’u pranuar në Akademinë e Arteve, pranim ky që ishte si të kaloje Semplegadet, apo të kaloje përmes Shillës dhe Haribdës…

Si ishte mjedisi krijues në qytetin tuaj në këtë kohë?

-Mjedisi në Lushnje, ishte më shumë pro poezisë sime, me përjashtim partiakëve dhe pushtetarëve që atakoheshin direkt apo me spond. Pati dhe ndonjë krijues ziliqar që kur pa poezinë time të parë të botuar në gazetën ‘Drita’, pështyu gazetën, vetëm se kisha botuar unë një poezi në të. Ai, jo vetëm që ishte një krijues mediokër, por e mbante veten për gjenie, edhe pse s’ishte veçse një cinik i trishtë. Po ky tip krijuesi, gëzohej kur më kritikonin. Gëzim ky i njeriut të vogël që  lumturohet e pasurohet me fatkeqësitë e të tjerëve. Kurse  njerëzit e thjeshtë të qytetit tim, më paguanin kafenë kur më shihnin në kafe,… Kurse krijuesit e talentuar, më sillnin vjersha e tyre për t’i lexuar…

Kur e keni botuar librin e parë?

-Librin e parë e kam botuar më 1969, ishte libër me poezi me poezi të botuara në revistën ‘Nëntori’, ‘Ylli’, në gazetën ‘Drita’,  Zëri i Rinisë. Ai titullohej ‘Sot’. Për këtë libër shkroi Kadareja botoi në gazetën  “Drita”  shkrimin: “Ditët e sotme në poezinë e një të riu”, shkrim që pati shumë impakt dhe më ndihmoi gjatë në krijimtari edhe pse Kadareja disa herë më ka thënë  se më ka prishur punë.

Kush ishte recenzent i këtij libri?

-Recenzent ishte Kadareja, kurse redaktore ishte Donika Omari. Kadareja  në recencën e tij polemizonte me redaktoren, e cila ishte për heqjen e disa poezive. Por Kadareja nuk pranoi të hiqeshin ato poezi dhe ato mbetën në libër.

Çfarë shkruan Kadareja në vlerësimin e librit tuaj të parë të titulluar ‘Sot’?

-Kritika e Kadaresë ishte vlerësuese, dashamirëse, inkurajuese. Midis të tjerave Kadare shkruan: “Faslli Haliti mundohet t’i përshkruajë ato (ngjarjet) në mënyrë të freskët, origjinale, pa shabllone poetike…, Natyrisht kjo është një gjë shumë e vështirë…, por disa herë  e ka realizuar në mënyrë të shkëlqyer… …Faslli Haliti, duke iu shmangur uniformitetit që vihet re në vjershat kushtuar aksioneve, në një mënyrë sa origjinale aq dhe të thjeshtë shkroi këtë vjershë të bukur:’Duhej të këndoja i pari e di’. Faslli Haliti është një poet që po arrin rezultate të mira me përpjekje të mëdha”, etj., etj…

Megjithëse kritika e Kadaresë ishte vlerësuese, ju u kryqëzuat?

-Po. Edhe pse shkroi shumë mirë Kadareja për këtë libër, libri nuk u prit mirë në qarqet partiake-shtetërore. Kështu, u ndërsyen krijuesit beniaminë të Komitetit të Partisë që ta godisnin këtë libër.

Kush nga krijuesit u vunë në ballë të sulmit ndaj jush?

-Gazmend Kongoli dhe Kapllan Resuli.  Libri u kritikua  për nxirje të realitetit dhe se unë, autori, e shihja realitetin me syze  të errëta . U bë një mbledhje me dy seanca në shtëpinë e kulturës ku merrte pjesë dhe sekretari ideologjik i Komitetit të Partisë. Pati shumë diskutime të nxehta. Diskutantët e shumtë, e vlerësuan librin, por bën edhe ndonjë kritikë aty-këtu. Kurse ata që e kritikuan në mënyrë denigruese, si K.R i cili e ngriti librin mbi kokat e diskutantëve të sallës dhe tha me zë të lartë se ky libër (libri Sot) është një libër reaksionar, edhe pse i mbështeste dhe u jepte zemër sekretari i Partisë, ishin në minorancë. Në fund, para mbylljes së mbledhjes, iu bë një pyetje sekretarit nga një diskutant: çdo të bëhet me këtë libër!. Përgjigja e sekretarit ishte: Të dërgohet në fabrikën e letrës, të bëhet karton, menjëherë. Pas një viti, më 1970, në konferencën e talenteve të reja Kadareja do të thoshte: ‘Ka pasur raste kur në ndonjë diskutim krijues ka munguar dashamirësia. Kam parasysh një letër të dërguar në redaksinë e gazetës ‘Drita’ nga një letrar i ri i Lushnjës (F. Rustemi) i cili shfaqte protestën e tij në lidhje me pritjen që iu bë librit ‘Sot’ të poetit të ri Faslli Haliti nga disa anëtarë të rrethit letrar të Lushnjës. Nxënësi që e shkruante këtë letër ankohej me të drejtë për faktin që disa anëtarë të rrethit letrar të Lushnjës, në vend që të gëzoheshi që një bashkëqytetar i tyre botoi një libër të mirë poetik, jo vetëm që u hidhëruan shumë, jo vetëm e pritën me këbët e para këtë libër, por filluan kundër aurtorit të ri një fushatë akuzash spekulative “

Çfarë ndodhi me librin?

-E shpëtoi Ismail Kadareja. Siç thashë shkrimi i Kadaresë, i botuar në gazetën “Drita”, pati shumë impakt dhe i fashiti kritikat e partiakëve injorantë dhe krijuesve mediokër. Ishte po Kadareja i cili pas botimit të librit ‘Sot’, me shkrimin e tij ndikoi që Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të më pranonte anëtar të saj. Libri ‘Sot’ në konkursin kombëtar me rastin e 15 -vjetorit të Çlirimit mori çmimin e tretën.

Cili qe mjedisi ku ju jetonin e punonit?

-Kur e panë që unë nuk u dënova, u shtua respekti për mua, ndërsa partiakët, nga ky opinion që u krijua, po tregoheshin më të ‘matur’, finokë. Kurse grupi i krijuesve me të talentuarve i shtoi radhët e tij, me krijues të tjerë të talentuar që sot janë bërë poetë e prozatorë të njohur në rang kombëtar.

Si e përjetoi familja këtë situatë kritike tuajën?

-Në fillim u tronditën, sidomos nëna dhe gruaja, por pasi furtuna pushoi, u qetësuan, sidomos,  kur unë mora çmimin e tretë kombëtar për librin “Sot”. Fëmijët ishin të vegjël: vajza, Manjola ishte 4 vjeçe, kurse djali, Helidonin sapo i kishte mbushur 2 vjeçët.  Babai kishte një vit që nuk jetonte më.

(Vijon)

 ______________________________________________________________________________________

KUSH ËSHTË POETI FASLLI HALITI

Faslli Haliti është lindur në Lushnjë, më 5 dhjetor 1935. Ka mbaruar Liceun Artistik për pikturë. Është diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës Ka punuar mësues vizatimi dhe letërsie në Lushnjë 1961-1973. Nga viti 1973 – 1983, për gabime ideore në krijimtari dhe veçanërisht në poemën ”Dielli dhe rrëkerat”, ka punuar si kooperativist i thjeshtë në një kooperativë bujqësore të rrethit Lushnjë e në Komunale. Gjatë gjithë kësaj periudhe konvaleshence ideologjike iu hoq e drejta e botimit. Gjatë viteve 1998-2001 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Që nga viti 1969 është anëtar i LSHASH.  Është nderuar me çmimin III kombëtar, në  konkursin e vitit 1969; Çmimin e i ndërkombëtar të poezisë më 1993, Brindisi, Itali. Është vlerësuar me Çmimin  Kurora e Poezisë “Korça 2010”.  Është përfshirë në disa antologji në gjuhë të huaja si italisht, anglisht, gjermanisht, greqisht. Është dekoruar me Urdhrin ‘Naim Frashëri’ të klasit III, të klasit I si dhe me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”. Është shpallur Mik i qytetit të Durrësit nga Bashkia e Durrësit. Është ”Qytetar Nderi” i qytetit të Lushnjës. Është Autor i 20 librave me poezi, ka përkthyer 11 libra në disa gjuhë të huaja, e është autor i shumë artikujve kritikë e publicistikë.