Fjalimi 25 faqesh i Enverit, ndryshoi kursin e konferencës së Tiranës

1018
Sigal

ARKIVA / Nga Konferenca e Tiranës ’56. Si e trajtoi Sekretari i Parë, “kultin e individit”, “familiaritetin në KQ” dhe “privilegjet e postit”. Pse fjalimi i Hoxhës u shty për një ditë më pas

 

Hoxha le pushimet, fillon luftën me kundërshtarët

 

Si ndryshoi kursi i Konferencës nga fjalimi 25 faqesh i Enverit

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

NGA FJALA E ENVERIT

Vendimi për ish- ministrin e Brendshëm Koçi Xoxe

 

Duke iu përgjigjur pyetjeve të bëra në Konferencën e Tiranës, Enver Hoxha thotë: “Koçi Xoxe dhe krimet e tij nuk i ka kurdisur Beria, por Koçi Xoxe dhe veprimtarinë fraksioniste në kokën e partisë ai e ka filluar që në vitin 1955, përpara çlirimit të Shqipërisë. Kur erdhën në Berat, njerëzit e fraksionit të tij goditën unitetin e partisë. Ata akuzuan vijën e partisë si sektare dhe se gjoja ne ishim treguar shumë të butë karshi kriminelëve të luftës. Pas çlirimit Koçi Xoxe dhe shoku Nako Spiro, që ishte pjesëtar i fraksionit, morën pozita në parti, u futën në parti njerëz të dobët politikisht, oportunistë dhe u dobësua uniteti i partisë dhe udhëheqja kolegjiale. Koçi Xoxe forcoi pozitat e tij, kurse Nako Spiros nuk i pëlqeu kjo situatë, se kishte plane të tjera. Kështu në gjirin e udhëheqjes filloi një luftë fraksioniste, karrieriste, antimarksiste në mes tyre, Pandi Kristos, Sejfulla Malëshovës. Por asnjërit nuk iu realizuan qëllimet e tyre të errëta. Qëndrimi konsekuent dhe lufta e partisë bëri që ky fraksion të çahet. Nako Spiro vrau veten duke i dhënë një dorë të madhe Koçi Xoxes. Kështu u zhvilluan punimet e pleniumit VIII që i hapi rrugën terrorit dhe partia u vu nën vëzhgimin e sigurimit të shtetit. A i mbani mend ju dosjet që janë zbuluar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, krime, torturat dhe presionet që u janë bërë njerëzve? Pikërisht këtyre proceseve do t’u futet thellë Komiteti Qendror. Kini durim se këto gjëra nuk bëhen aq shpejt se janë me qindra procese. Prandaj dënimi i Koçi Xoxes është plotësisht i faktuar dhe i merituar”.

 

Tuk Jakova dhe Bedri Spahiu

“Nuk jam dakord me Vendush Vinçanin, i cili kërkon të rishikohet çështja e Tuk Jakovës. Komiteti Qendror është treguar zemërgjerë me Tuk Jakovën dhe Bedri Spahiun. Për Tukun nuk ishte hera e parë që bënte gabime. Tuku fliste gjoja për kultin e individit, për fotografitë e shokëve të udhëheqjes, por hallin e kishte vetëm për veten e tij. Vija e tij ishte pra revizionizmi i gjithë vijës së partisë si për shembull: çështja e grupeve që u ngrit këtu. Çfarë të analizojë Komiteti Qendror, Manol Konomin. Ai shtatë herë ka kërkuar dorëheqjen nga detyra e rëndësishme e ministrit të Drejtësisë. Një njeri i tillë ka frikë nga përgjegjësia. Ose të marrim Abedin Shehun. Ai me shokë kanë dashur të godasin udhëheqjen, unitetin e partisë. Atëherë si të mbajë partia në Komitetin Qendror këta njerëz”.

Në fondin Nr 2 dosja I ½ Komiteti i Partisë për Qytetin e Tiranës, ndodhen dosjet në të cilën janë rezervuar të gjitha materialet që kanë të bëjnë me një nga pikat e tensionit më të lartë në radhët e udhëheqjes komuniste në Shqipëri. Ka qenë pikërisht Konferenca e III e Partisë së Qytetit të Tiranës, ajo që ka ndezur gjakrat dhe ka nxjerrë problematikat e mëdha që kishin pushtuar drejtimin 15- vjeçar të shtetit nga Partia e Punës. Kjo konferencë u zhvillua mbas kongresit të XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe në prag të Kongresit të III të Partisë Punës Shqipërisë.

Pas lajmeve të ardhura me urgjencë nga salla e konferencës dhe i gjendur përpara këtij fakti të ri, Enver Hoxha ndërpret pushimet në Vlorë dhe në seancën e mbasdites së të dielës, mbërrin me “ZIM”-in e tij, në Tiranë. Vetëm pak kush e dinte që ai do të merrte pjesë në konferencë. Për të tjerët kjo ishte një e papritur. Enver Hoxha nuk ishte i ftuar në punimet e Konferencës së Tiranës, dhe s’kishte mandat të deleguari, por ai kishte statusin e Sekretarit të Parë, dhe pati fuqinë për të ndërhyrë në punimet e Konferencës. Ai e mori fjalën në konferencë me një fjalim të përgatitur me shpejtësi. Pranimi i gabimeve nga ana e Enver Hoxhës u bë me një sqarim të gjatë, në të cilin në fakt duket se ai nuk pranoi asgjë si gabim. Në pjesën e mëposhtme, janë botuar në ligjëratë të drejtë, pjesë nga diskutimi prej 25 faqesh i ish sekretarit të Parë të KP-së i PPSH-së Enver Hoxha…

Në fillim të fjalës

“Dëgjova se ca si elektrizuar është konferenca. Janë bërë kritika ndaj udhëheqjes dhe kjo nuk është keq. Tek ne ka shumë anë të mira, po ka dhe anë të dobëta që do të përpiqemi t’i eliminojmë. Sigurisht është më mirë që ç’ka kemi të rrokullisen këtu brenda partisë se sa jashtë saj. Çështjet e partisë kurrë nuk bëhen çështje rruge. Në parti çdo njeri ka të drejtë të bëjë pyetje. Në partinë tonë duhet të ketë demokraci të plotë. Por nuk ekskludohet të ketë njerëz që bëjnë kritika jo në frymë partie. Ka të tjerë që kanë bërë faje gjatë rrugës së partisë. Ata tani mendojnë se u bë deti kos dhe “të gjitha fajet o burra të lahen, të fshihen”.

Kush duhet të marrë masat

“Mesa kam kuptuar unë, sidomos dje, Konferenca nuk ka marrë atë drejtim të vërtetë që duhet të merrte. Në qoftë se janë të vërteta të thënat se ka varfëri në popull, më duket se është e drejtë që problemi të rrihet dhe të jepen mendime se si të zhduket varfëria. Partia duhet të marrë masat dhe një, dy apo tre njerëz. Por sidoqoftë është keq që disa çështje u ngritën këtu”.

Parimi për “kultin e individit”

“Këtu u ngrit çështja e kultit të individit me të gjitha aspektet e saj përsa i përket personit të Josif Stalinit, masat që janë marrë në Bashkimin Sovjetik, në demokracitë popullore dhe në vendin tonë. Kjo çështje e ka preokupuar dhe vazhdon ta preokupojë partinë tonë. Por këtu u shtrua pyetja se përse nuk u shtrua në partinë tonë kjo çështje? E ka parë Komiteti Qendror në dritën e Kongresit të XX? Këto pyetje janë të drejta.

Po ua shpjegoj më gjerë…

Ka pasur kult individi tek ne apo jo? Ka pasur dhe do të ketë jo sot dhe mot, por për shumë kohë. Kjo rrjedh nga mbeturinat mikroborgjeze që ekzistojnë në ndërgjegjen e njerëzve, kjo do të thotë që njeriu të bëhet megalloman, mendjemadh, arrogant, mos peshojë zërin e masës, të të pëlqejë mendja, të mendosh se ajo që bëre ti është më e mira. Shfaqe të kultit të individit tek ne kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë”.

Analiza e pabërë e KQ-së

“Tani çështja është sa e ka bërë Komiteti Qendror një analizë të thellë në dritën e Kongresit XX të PKBS, në lidhje me kultin e individit dhe mbi të gjitha sa ka ngjarë në vendin tonë?

 

Komiteti Qendror nuk e ka bërë një gjë të tillë, por këtu duhet të ruhemi nga shabllonizmi. Çdo të thotë kjo? Byroja Politike ka biseduar e analizuar dhe i ka hedhur një sy veprimtarisë së vet në dritën e Kongresit XX të PKBS dhe ka arritur në konkluzionin që të gjitha masat administrative ose edukative që Komiteti Qendror ka marrë karshi të gjithë atyre që kanë punuar kundër partisë dhe kanë devijuar nga vija e saj, kanë qenë të drejta. Në parim të gjitha vendimet që janë marrë për Tuk Jakovën, Abedin Shehun etj, kanë qenë të drejta. Po le ta analizojmë pak këtu çështjen se mundet që disa njerzve t’u ketë mbetur në merak se si është puna e Koçi Xoxes”.

“Pranimi” i gabimit

“Tani u krijua një situatë e tillë që Komiteti Qendror i yni nuk e vuri në dijeni partinë për çështjen e kultit të individit. Partia gjermane i lëshoi bateritë, kështu bëri dhe partia poloneze dhe disa të tjera. Bënë mirë ato ose jo pse të gjykojmë ne partitë e tjera. Po ne bëmë mirë që pritëm sa të dilte artikulli i gazetës “Pravda”. Por pasi doli artikulli i Pravdës pse nuk dolëm të sqaronim partinë? Këtu ne bëmë gabim”.

 

Familjariteti në Komitetin Qendror

“Ka gabim shoku Vendush Vinçani, ai ka plotësisht të drejtë në parim që në Komitetin Qendror të mos ketë anëtarë burë e grua. Në komitetin Qendror nuk duhet të lejohet as gjëja më e vogël dhe të krijohet një familjaritet. Por tani duhet të themi dhe këtë, që këto shoqe që kanë ardhur në KQ nuk kanë ardhur për ne ose për sytë e tyre të bukura, por se e kanë merituar, se ata kanë luftuar dhe punuar. Prandaj dhe i ka zgjedhur Kongresi. Në Kongres le të vendoset. Nuk është e drejtë që t’i heqim tani”.

Makinat dhe truprojat

“Le të marrim çështjen e automobilave. Kritika në parim është e drejtë, nuk është mirë që të mbahen kaq automobila. Edhe mua ma ka qejfi të shëtis në këmbë, por nuk më lejon partia. Ka rregulla këtu që duhen respektuar. Por ka të tjerë që edhe në stadium shkojnë me automobilat e qumështit (salla duartroket). Ç’do ta gjejë shoqen time Nexhmie të vejë në këmbë nga shtëpia në zyrë. Përkundrazi mirë do t’i bëjë që të hollohet pak. Po oficeri nga pas ç’i duhet? Po unë jam i sigurtë se ju nuk jeni kundra që unë të mos kem roje”.

 

Varfëria tek punëtorët dhe fshatarët

“Këtu u ngrit pyetja, e di udhëheqja gjendjen e mjerueshme të popullit apo jo. Vënia e çështjes në këtë mënyrë nuk është e drejtë. E para se udhëheqja e di më mirë se ata që pyesin. Por përsa i përket gjendjes së popullit, nuk është ashtu e mjerueshme si thonë ata njerëz. Ata gabohen rëndë. Por sigurisht nuk mund të themi që gjendja është e lulëzuar. Po t’i thuash kështu atëherë sërish je gabim. Përsa i përket fshatarësisë duhet patur parasysh që shumica e popullit tonë përbëhet nga fshatarësia. Të thuash se ajo është në gjendje të mjerueshme do të thotë të sjellësh këtu parrullat e Radio Londrës dhe të Zërit të Amerikës. Kështu është situata shokë. Nuk është e shkëlqyer, por as e zezë nuk është”.

 

Diferencimi në rroga dhe triska

“Tani për çështjen e funksionarëve. Mundet që edhe të kemi gabuar, mundet atyre t’u japim edhe më shumë, mundet që edhe ne vetë të marrim më shumë. Për këtë gjë ne do të marrim masa. Domethënë duhet të ruhet parimi. Sa punë do të bësh, aq dhe do të marrësh. Ty të ka caktuar partia të marrësh 5.000 lekë në muaj, mua 30 mijë. Në rast se ty të bie triska A mua B. Ekzagjerimet duhen luftuar”.

???????????????????????????????????????????????????????????

LUFTA E KLASAVE

“Armiqtë, asnjë mundësi për komplote”

Në diskutimin prej 25 faqesh të ish-sekretarit të Parë të KP-së i PPSH-së Enver Hoxha, mes të tjerash thuhet: “Çështja e luftës së klasave për të cilën është bërë edhe një pyetje. Pa hyrë shumë në teori. Sa më shumë forcohemi ne, aq më shumë e kemi dobësuar armikun politikisht e ekonomikisht. Kështu ai nuk është në gjendje të bëjë një luftë klase aq të egër sa dhe përpara. Prandaj Sejfulla Maleshova u përjashtua nga partia. Në rast se dikush thotë se po tani u zbut lufta e klasave. Po atëherë ishte ndryshe. Ç’gjetëm ne pas lufte? Kur partia kërkonte të formonte sektorin shtetëror të ekonomisë dhe tregtinë e jashtme ta marrë shteti në dorë, ai thoshte ta merrnin tregtarët e mëdhenj që jo vetëm nuk duhet t’i kufizojmë por t’u japim dhe kredi, si fjala vjen Shefqet Bejës me shokë që më pas na bënë komplotin. Ai thoshte ta konsiderojmë njësoj si Amerikën e Anglinë dhe Bashkimin Sovjetik. Tani lufta e klasave zbehet se jemi të fortë dhe armiqtë nuk janë në gjendje si më përpara të bëjnë komplote kundër Sigurimit të Shtetit. Por kjo nuk do të thotë se ne do të flemë dhe se armiku i ka hedhur armët”.

Rehabilitimi i kulakëve

“Çështja e kulakëve. Në këtë drejtim është shkelur direktiva e partisë. Ecet në mënyrë të jashtëzakonshme sektare. Partia ka thënë dhe përsëritur “limitim”, limitim dhe limitim ekonomik dhe izolim politik, po poshtë shumë kulakë i kanë likujduar gjë që nuk ka qenë dhe nuk është e drejtë. Pra është shtrembëruar vija e partisë. Politikisht kulakun nuk duhet ta bëjnë Kryetar të Këshillit të fshatit, po pse ta thërrasësh në mbledhjen e frontit nuk ke bërë gabim, bile ke bërë punën e fillimit të rehabilitimit”.

(vijon nesër)

Enveri merr lejen e munguar nga Komitetin Qendror dhe frikëson kundërshtarët

Enveri, sulm shkatërrues për kundërshtarët e Konferencës