Ergys Alushi: Fotografët e Vlorës dhe Ansambli Çamëria

1624
Sigal

Historia e fotografisë vlonjate dhe ngritja e Ansamblit çam

– Porosia e Enver Hoxhës për ngritjen e Ansamblit çam dhe përse u dha porosia

– Reagimi grek “Ç’është kjo Çamëri, ç’është ky Ansambël çam, kush i bën këto punë, janë provokime shqiptare”

Nga Ergys Alushi

Vijon nga numri i kaluar

Urdhri për ngritjen e Ansamblit çam në Vlorë – Shkrimi në gazetë për Çamërinë

Deri në vitin 1978 kur e urdhëruan bashkë me Halim Halimin që të ngrinin Ansamblin çam, në Vlorë flitej shumë pak për Çamërinë. Që nga koha e ndëshkimit të Teme Sejkos dhe grupit të tij.
“Më kujtohet njëherë, takova Dasho Matodashin dhe i thashë që kisha bërë një shkrim për Çamërinë. E kam bërë gati, e kam shkruar I thashë, titullohet “Bashkuam zemrat dhe armët”. E mori Dashua, e pa, e rrotulloi nëpër duar dhe më tha
“Skënder nuk ma mba ta botoj”.
“Pse” i thashë unë.
“Po doli shkrimi për Çamërinë, ambasadori grek erdhi këtu”.
“Po çfarë do të bësh?” e pyeta unë.
“Do ta mbaj njëherë se mbase e botoj”
Pas një jave që kishte folur Dashua me ata të Komitetit të Partisë, u ra dakord që të botohej se në fakt shkrimi nuk kishte asgjë që mund të quhej provokative nga grekët. Një ditë më mori Dashua në telefon te ekspozita “Vlora Sot” ku punoja si përgjegjës dhe më thotë “Skënder, eja të më japësh kafenë”. E kuptova që e kishte marrë aprovimin për të botuar shkrimin”

Porosia e Enver Hoxhës për ngritjen e Ansamblit çam.

Piro Cakrani, një zyrtar lokal që mbulonte artin e kulturën në Vlorë, I thirri në zyrë dhe i porositi që të nisnin punën bashkë me Halim Halimin, për ngritjen e Ansamblit artistik çam. Do të ndodhte për herë të parë. Ansambli duhet të përgatitej për të konkurruar në Festivalin Kombëtar Folkloristik të Gjirokastrës të vitit 1978. Skënder Beqiri i shprehu frikën zyrtarit për ta marrë përsipër një iniciativë të tillë. E para, sepse nuk ishte marrë asnjëherë me folklorin dhe e dyta, nga frika e ndonjë gabimi rrezikonte dhe burgun. Skënderi kujton, se për një fjalë ishte dënuar dhe vëllai i tij Fabit Beqiri, që ishte regjisor me shkollë të lartë. Gaboi me një fjalë në libretin e një shfaqje në Shtëpinë e Kulturës dhe byroja e partisë e dënoi duke e dërguar për të punuar tre muaj si punëtor në hidrocentralin e Smokthinës. Por, ndërsa nuk e pranoi detyrën me urdhrin e Pirro Cakranit, nuk ndodhi kështu me Sekretaren e Partisë së Rrethit, Niqi Shtylla.

“Më thërrasin dhe më thonë që të kërkon në takim sekretarja.
“E di pse të kam thirrur”, më thotë ajo.
“Jo” i them unë.
“Atë që të ka thënë Piroja vëre në jetë menjëherë”.
“Nuk e bëj unë” I thashë.
“Do e bësh me se s’bën” ma preu shkurt sekretarja.”

Kisha frikë se mos bëja ndonjë gabim e përfundoja në burg. Pas disa kundërshtimesh, sekretarja më kërkoi të mbyllja derën e të ulesha.
“Nuk kam dëshirë unë për folklorin çam, por është urdhri nga lart”. Kundërshtova përsëri, sepse në të vërtetë nuk e njihja atë fushë dhe kisha frikë vërtet se mos gaboja. “Epo dëgjo këtu atëherë – më tha Niqi Shtylla – po nuk e bëre këtë punë, jo vetëm që do të pushohesh nga puna, por do të kesh edhe pasoja të tjera. Kjo nuk është fjala ime, por mos e thuaj gjëkundi. Është vetë personalisht fjala e Enver Hoxhës”

Përse kërkohej krijimi i ansamblit çam?

Po përse e kërkonte Enver Hoxha ngritjen e ansamblit çam? Sipas Skënder Beqirit, shkak ishte bërë Bilal Xhaferri që pasi ishte arratisur kishte shkruar në një gazetë shqiptare në Amerikë, duke kritikuar qeverinë shqiptare dhe historianët shqiptarë të kohës, se nuk i jepnin vendin që i takonte Çamërisë në historinë e kombit shqiptar. Enver Hoxha e kishte lexuar gazetën dhe donte që të hidhte poshtë atë që ishte shkruar në gazetë. Porosia e udhëheqësit komunist kishte vendosur në lëvizje zyrtarët më të lartë lokalë të Vlorës. Duhej t’i tregohej Amerikës dhe botës mbarë, se çështja çame dhe komuniteti çam në Shqipëri ishte i mirëtrajtuar.

Reagimi i Qeverisë së Greqisë

Ansambli u krijua dhe fitoi çmimin e parë në Festivalin Folklorik që u zhvillua me grupet folkloristike të Vlorës. Fitoi me “kënga e Tahir Çaparit”
“Delvina me Çamërinë,
njëherë në këmbë u ngrinë
yxhym bën përmbi Janinë,
Tahir Çapari me shokë
Me Gjolekën u bë shokë
Kurvelesh pushtoi Janinë
tre taborrë asqer i grinë”

Kënga bëri bujë të madhe, pasi nuk ishte pak të fitoje Çmimin e Parë në Vlorë mes gjithë folklorit të krahinave të Vlorës. Aq më tepër, që për herë të parë një Ansambël çam këndonte e hidhte valle në shesh të Flamurit.
“Na thanë që do të shkonim të përfaqësonim Vlorën në Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës. Filluam përgatitjet. Kostumet i gjetëm nëpër familjet çame të Vlorës, që i kishin ruajtur, kush një fustan grash e kush tjetër një veshje burrash. Duheshin këpucët (vivello) siç bëheshin në Janinë. I porositëm dhe këpucët, gjashtë palë këpucë për gra. Por, pas dy-tre ditësh na lajmërojnë që nuk do të shkojmë në Gjirokastër se nuk kishte minuta. Zhgënjimi ishte i madh për të gjithë. Ishte i angazhuar i gjithë komiteti e partia në Vlorë që Ansambli çam të shkonte e të përfaqësohej sa më mirë në Gjirokastër. Por, nuk kishim se çfarë të bënim. E vërteta ishte se grekët e kishin filmuar koncertin që Ansambli çam kishte dhënë në Sheshin e Flamurit përpara se të shkonin për në Gjirokastër. Pas kësaj ata kishin protestuar pranë ministrisë sonë të Jashtme “Ç’është kjo Çamëri, ç’është ky Ansambël çam, kush i bën këto punë, janë provokime shqiptare”. Presioni grek na hoqi nga Gjirokastra.”

Fotografët e sotëm

Tradita e fotografisë vlonjate vazhdon me emra të rinj, por edhe pasardhës të fotografëve të vjetër. Në qytet funksionojnë shumë studio fotografike nga ato më të thjeshtat deri te ato me teknologjinë më të fundit të fotografimit, stampimit. Disa nga studio fotografike kryesore e më të vjetrat përmendim “Axhushi”, “Lution”, “Kotro”, “Bleta” etj. Në Sheshin e Flamurit, aty ku për dekada kanë qëndruar e shkrepur foto për breza qytetarësh vlonjatë me dhjetëra fotografë, ka ende disa fotografë që vazhdojnë të qëndrojnë aty në pritje të klientëve që, duhet pranuar, janë gjithnjë e më të rrallë, si pasojë e zhvillimit të teknologjisë. Ahmet Axhushi është një nga fotografët e vjetër të brezit të rinj të fotografëve, që u formuan në vitet ’80, duke ndjekur rrugën e fotografëve më të vjetër. Ai e ka filluar profesionin në fillimin e viteve ’80 bashkë me disa fotografë të tjerë, duke qenë një ndër 17 fotografët e Vlorës në ato vite. Me ndryshimin e sistemit, ai do ta vazhdonte punën e fotografit, duke pasur studion e tij e duke u bërë një nga fotografët më të njohur e të dashur në Vlorë. Studio “Bleta”, është një nga më të njohura në qytetin e Vlorës dhe me një eksperiencë të gjatë dhe shumëvjeçare. Fotografët e saj i ndesh gjithnjë e më shpesh në shumë veprimtari publike e familjare në qytetin e Vlorës. Pak ditë më parë kjo studio realizoi dhe ekspozitën e saj të parë fotografike, me foto nga bukuritë e Vlorës. Duke realizuar tashmë një ekspozitë fotografike me peizazhe nga Vlora. Vëllezërve Bleta për këto punime interesante u është dashur të punojnë për vite të tëra e të mbështeten fort mbi traditën e fotografisë vlonjate. Tashmë këto foto me peizazhe nga Vlora do të jenë edhe kartolina për ata që duan të vizitojnë Vlorën, ndërsa Julian Bleta tha, se i gjithë qëllimi i kësaj ekspozite është promovimi i Vlorës.