- Flet Dr. Fitrete Dobro Shalari: Si kundërshtova babanë për fejesën me mblesëri.
- -Debati me Llambi Ziçishtin, me zëvendësin e tij për montimin e një paisjeje mjekësore.
- Letra anonime: Haris Shalari mban në shtëpinë e tij të jëmën e tradhëtarit Asllan Hyskë Golemi.
- – Luftuam të hanim me lugë të florinjtë, arritëm ku çdo gjë ishte e racionuar.
- – Si donin të më përjashtonin nga partia me letra anonime, intriga dhe pabesira.
- -Kur vdiq im atë u kujtua të vinte për ngushëllim dhe Adil Çarçani.
- Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

– Në një intervistë më parë folëm për dëshirën e prindërve për t’ju fejuar me mblesëri në Fushëbardhë. Pra prindërit donin që dhe fëmijët e tjerë të fejoheshin me të njohur nga fshati. A ndodhi kjo?
Jo! Kjo dëshirë nuk ju shkoi prindërve të mi. Unë nuk isha dakord, me një fejesë të tillë. Më vonë tentoi me vëllain Shpëtimin, të dy me babën shkuan deri në fshat, për të parë një vajzë nga derë e fis i mirë, e cila vazhdonte shkollën e mesme për infermjere. E porosita Shpëtimin, në qoftë se s’të reh zemra mos prano, por me xhentilesë distancohu thuaj: Babi jam akoma i vogël. Edhe kjo dëshirë e Harisit për t’i lidhur ngushtë me fshatin dështoi. Të gjithë fëmijët, përfshirë edhe mua i gjetëm vetë bashkëshortët. Me krushqit e krijuar prindërit ishin shumë të kënaqur. I respektonin e i donin nuset e dhëndurrët. Me prindërit e tyre zëvendësuan shoqëritë e vjetra të munguara. Nëna e mamasë, gjyshja Hava Haluli Xhuvani e plakur, e sëmurë, vuante nga astma bronkiale dhe e panjeri e marrim nga fshati në vitin 1956. Me gjithë përkujdesjen për të ajo ndërroi jetë në moshën 86 vjeçe, në vitin 1967. Me ardhjen e gjyshes si familje Dëshmori, në çdo 5 Maj prisnim vizita. Në Korrik 1957 mua dhe motrën ndën mua Teftën na futën në punë po në këtë ndërmarrje, dhe vazhduam gjymnazin natën pa shkëputje nga puna. Në qershor 1957 lind fëmija i 8 Tatiana. Shteti për të shtuar popullsinë reklamonte se, do t’i jepte një lopë familjeve me fëmijë shumë. E besuan këtë, por kurrë nuk u bë realitet në qytet.

-Pra me kaq fëmijë ju ende jetonit në një kasolle?
Në gjysmën e dytë të 1957, me kursimet e mbledhura, në afërsi të barrakës, hidhen themelet e shtëpisë për dy dhoma e një guzhinë. U deshën dy vjet të mbaronte shtëpia. Në vitin e dytë të ndërtimit të saj, megjithëse kishte vetëm dyshemenë, pa suvatime, pa tavan, jetuam në të. Ishte e ftohtë me lagështirë, po më e mirë se barraka, se ajo nuk pikonte. Në maj 1959 lindi fëmija i 9. Me shpresë që të mos bënin më fëmijë, ja vumë emrin “Shpresa”. Në këtë kohë unë mbarova gjimnazin. Në shtator 1959 shkëputem nga puna dhe filloj Fakultetin e Mjekësisë, të cilin e mbarova me rezultate të mira në vitin 1964. Ndërkohë jeta familjare vazhdonte, fëmijët nëpër shkolla. Vetëm tre mbaruam universitet, unë mjeke dhe dy vëllezer ekonomista. Çapajevi e mbaroi F.Ekonomik pa shkëputje nga puna dhe Pirrua e mbaroi të njëjtën degë ditën. Ndërsa 6 të tjerët, nuk ju dha mundësia se ashtu ishin rregullat e shkollimit, deri tre fëmijë me universitet, megjithëse midis tyre kishte me rezultate shumë të mira. Kur Manush Myftiu u bë Ministër i Shëndetësisë në gjysmën e vitit 1957 e gjysmën e vitit 1958 e merr Harisin si shef pritje të tij dhe më pas kthehet përsëri në Ndërmarrjen Farmaceutike si shef kuadri, e më vonë si i tillë në laboratorin e higjenës, i cili më vonë u kthye ne Institutin e Hygjenës. Këtu punoi në sektorin e përkujdesjes për kafshët eksperimentale, lepujt e kavjet, ku futi në punë edhe të shoqen Haden. Kjo ishte puna e parë dhe e fundit derisa del në pension, në vitin 1977,pas 10 vjetësh. Ajo e donte punën dhe ishte krenare për këtë arritje. Në këtë vit në moshen 65 vjeçare edhe Harisi del në pension pleqërie. Në janar të vitit 1970 unë dërgohem nga shteti me një bursë të lidhjes kulturale italiane në Romë, për një vit, të cilin nuk e mbarova, për arsye shëndetësore. Prindërit njoftohen nga Ministria e Shëndetësisë, për gjendjen time alarmohen. Babai më shkruan një letër të gjatë me atë shkrimin kaligrafik si bukurshkrim të tij, të cilën e ruaj edhe sot e deri sa të kem frymë. Është shumë prekëse ,mallëngjyese. Ai mua si fëmija i parë e më e madhja që isha më donte shumë e më pyeste për çdo problem që kishte. Në vitin 1971 ai vendosi të merrte për të pleqëruar hallën e tij, motrën e vogël të babait të tij Ferikut, Velide Begzo Shalari Golemi e datëlindjes 1890, e cila ishte në gjendje të keqe shëndetësore: me tension të lartë të gjakut, e verbuar nga sytë dhe e shurdhuar. Megjithëse unë e doja shumë atë i thashë jo bab, mos e merr, se do na nxjerri telashe me partinë, por ai e kishte vendosur. Halla mori mjekimet në çdo drejtim, si për tension, operon të dy sytë nga kataraktet,vuri syze të përshtatëshme. Ajo ishte një engjëll i vërtetë, e urtë, pa llafe, e dashur, e bukur, grua shtatgjatë. E veshëm si zonjë qytetare ta kishte qejfi ta mbaje në krahë. Në tetor të vitit 1974 i vjen Komitetit të Partisë një letër anonime nga fshati Fush Bardhë: se Haris Shalari mban në shtëpinë e tij të jëmën e tradhëtarit Asllan Hyskë Golemi i datlindjes 1920, të cilin e la i jati një vjeç. Harisi në mbledhjen e organizatës bazë jep llogari duke ju drejtuar me një letër të hollësishme, për njoftim Komitetit të Partis Rajonit 1 të Tiranës, ku thekson se nuk e ka mohuar këtë, por e kam të deklaruar në biografinë time. Në të njëjtën kohë mua më thërret në Ministrinë e Brendshme, Zëvendësministri Gani Keçi. Më tha me që kam respekt për juve nuk po takohemi në zyrë, po takohemi para hotel Dajtit. Më la orën në mbrëmje. Bisedën e mora me mend për çka bëhej fjalë. Më tha se Harisi akuzohet si për anën politike të hallës, por tha se e ka marrë për paratë që ajo ka pasur. I thashë se im atë u është përgjigjur me hollësi, si për biografinë dhe për pasurinë, halla e tij ka marrë vetë pjesë në luftën N.C.L. si koriere , bile është edhe ndaluar nga tradhëtarët. I biri në fillim të lëvizjes në vitin 1943 ka marrë pjesë në batalionin “Abas Shehu” dhe më vonë në batalionin e komanduar nga Karafil Bello. Më vonë në brigadën e X1V. Me çlirimin e Shqipërisë në 1944 në zonën e Dibrës arratiset së bashku me Zote Paskalin nga Prongjia në drejtim të panjohur, nuk dihet gjë për të. Kur erdhi im shoq Viktori, në gusht të vitit 1991e pyesim nëse dinte gjë për të. Ai tha, se kur Viktori në vitin 1948 emigroi në Amerikë e la Asllanin në Itali, ndaj mund të ketë emigruar në Amerikën Latine dhe më vonë as ai nuk dinte gjë për të. Përsa i përket parave, pasurisë së hallës ajo ka tjerrë lesh me hak, jetonte në një haur përdhes. E kanë përkrahur fisi i Golemve, duke e ndihmuar edhe materialisht si Kasem Golemi, Belul Golemi, Shefqet Golemi, e Rushit Golemi. Tek ne ka sjellë vetëm ca rrugica prej leshi dhie të bëra nga dora e saj. Kjo ishte gjithë pasuria e saj. Asaj i kishin premtuar se do ta pleqëronin golemët e vëllai i babës tim Gjolek Ferik Shalari. Ky i fundit i kish premtuar se, do t’i jepte një djalë apo një vajzë po asnjeri nuk e bëri këtë xhest human. Harisi kërkon të dijë se kush e ka bërë letrën të ballafaqohet me të po të ketë burrërinë. E mira hallë Velidea ndërroi jetë me 1976. I kemi bërë varroshin dhe e kujtojmë me respekt, duke e vizituar e vendosur lule edhe pasi kanë kaluar 40 e ca vjet. Siç i thonë, të rrosh e ta kujtosh. Ligësia e njerëzve s`ka fund. Babai im ishte një filantrop i pashoq. Gjatë vitit 1955-56 mbajti edhe nipin e tij Ilir Bege Shalari për të mbaruar klasën e fundit të shkolles 8 vjeçare meqë në fshat nuk kishte të tillë. Jo vetëm kaq, meqë ishte me problem në biografi, bëmë çmos t’i nxjerrim të drejtë studimi për në shkollën Skënderbej, të cilën e mbaroi me nota të shkëlqyera. Mbaron fakultetin Ekonomik. Emërohet në Akademinë Ushtarake profesor edhe një vëlla i tij, Pëllumb Bege Shalari më vonë ndjek këtë karierë. Vetëm këta të dy nga nipërit e shumtë të tim shoqi patën këtë fat. Po vazhdoj me marathonën “Haris”, vilë i thënshin, pa banjë brenda. Rotull themeleve u ndërtuan pallate parafabrikatesh. Në afërsi të themeleve të vilës i dhanë edhe Harisit një hyrje 2 dhoma e 1 guzhinë. Nuk jetuan gjatë edhe këtu, vitet kalonin e ata po plakeshin. Në vitin 1981 i mora unë, meqë nuk ju përgjigjen djemë e vajzat e tjera. Ata tek unë kishin dhomën e gjumit, me krevatet karshi njeri tjetrit e unë në kuzhinë. Bënë një pleqëri të gëzuar, nuk ju mungonte asnjë gjë. Prisnin e nisnin të afërmit, mbesat e nipërit, që ishin 15 fëmijë ose “mjalti i mjaltit’’, thoshte baba. Këtu priteshin, miqësia e shoqëria e tyre, e imja gjithashtu. Baba m’u ndodh pranë në periudhën më të vështirë të jetës sime.

-Po cila ka qenë njgarja që ka lënë gjurmë në jetën tuaj? Ngjarja që dhe sot e kujtoni me dhimbje?
Në vitin 1981, donin të më përjashtonin nga partia, se në ballafaqim me drejtorin e spitalit N. 1,Ppër “a është vënë në funksjon elektro-nistagmograf”. Në ballafaqim, merrte pjesë drejtori i spitalit Luftulla Ceka, zëvendës drejtoresha ,shefja e kuadrit e ish shefi im A.Boçka dhe unë. Mbaheshin dy process verbale. Jua spjegova arsyen, nuk është vënë në funksjon ”për mungesë kualifikimi” për këtë arsye bashkë me shefin A. Bocka kemi vajtur edhe te ministri. Përgjigja e shefit ishte: Jo, ti më ke thënë se e ke vënë në funksjon. I them se ju po gënjeni. Përveç kësaj kuadri ngjitur me mua, shkruante në procesverbal se Fitretja thotë, se në Makina Import bëhet veprimtari armiqësore. Unë këtë arrita ta lexoja. Me shpifje e intriga të sajuara, ashtu siç dinte ai regjim i mallkuar po më godisnin padrejtësisht. I them sekretares se çfarë shkruan kështu? Pastaj ja marr proces verbalin dhe iki nga ballafaqimi. Më thirrën në mbledhje partie të të gjitha instancave por nuk vajta. Më thirri Dekani Ciril Pistoli, e ministri i shëndetësisë Llambi Ziçishti me zëvendësin e tij. Për t’i respektuar tek këta shkova plot dinjitet. Ata m’u drejtuan se sjellja jote është rrugaçëri, ndaj na sill procesverbalin. Përgjigja ime ishte se e dënoj vetveten dhe do shkoj të punoj në skutat më të thella të vendit nëse kam faj. Nuk e bie procesverbalin pa më kthyer përgjigje personi që ja kam çuar. Babai nuk m’u nda, më qëndroi afër, më këshillonte se çfarë të thosha e si të veproja. Ndërkohë më tregoi me hollësi peripecitë e jetës së tij, megjithëse unë i dija e i merrja me mend kalvarin e vuajtjeve të prindërve. Për fat as babën e as mua nuk na përjashtuan nga partia. Mua më shpëtoi babai e puna ime si dhe të afërmit e të sëmurëve të mi. Madje më kontaktuan me një anëtar të Byrosë Politike, i cili më dëgjoi, e më pyeti çfarë mund të bënte për mua. I kërkova që të mos më përjashtojnë nga partia. Të nesërmen më thërret sekretari i partisë Rajonit 1. Shkova menjëherë. Ai më thotë se ç’bën moj Fitret? Ke shqetësuar udhëheqjen! Përgjigjia ime ishte se prandaj jam këtu! Problemi u mbyll me kaq. Zhgënjimi për regjimin komunist i babait tim ishte i hershëm, por ai ishte i zgjuar e thoshte të vërtetën me ironi “e keqja e këtij vendi do t’i vijë nga njerëzit e shkolluar”. Kur ai m’u hap mua. më thoshte: ‘’Ah moj bijë, luftuam të hanim me lugë të florinjtë, arritëm ku çdo gjë është e racionuar”. Unë që të mos u mungonte asgjë prindërve shkoja në ora 4 të mëngjezit të mbaja radhë për një shishe qumësht, pamvarësisht se më priste një ditë e ngarkuar me operacione, konsulta e vizita të njohurish e të panjohurish. Ndërhyrjet ishin të shumta, por unë nuk ktheja mbrapsh asnjë nevojtar që më priste. Nuk i lejoja vetes vonesat në leksione, e praktikat e studentëve. Korrektesa më ka karakterizuar gjithë jetën. Baba thoshte se nuk e dimë se kur flen kjo vajzë, njihja, vetëm shtëpi, spital, e Bibliotekën Kombëtare. Natën e shfrytëzoja për të gatuar, e për punët e tjera të shtëpisë se mamaja ishte e sëmurë pothuaj bënte rregjim shtrati.
-Si vlerësoheshin atë kohë anëtarët e Partisë së Punës? Çfarë të veçantë kishte ajo tesër partie?
Qenia antare e partisë, më lejoi të njihja nga afër ligësitë e kohës së saj. Një pjesë e mirë e sekretarëve të paaftëa profesionalisht, luftonin të aftët deri në syrgjynosje e burgosje, si tradhëtarë të atdheut. Këto i provova edhe në kurrizin tim. Në vitin 1984 unë dërgohem në Paris , për 4 muaj për të përvetësuar vënien në funksion të elektronistagmografit. Përfitimi ishte i gjithanshëm. I dërgoj një letër shefit se çfarë ndiqja si: teknika kirurgjikale, mjekimi e tjera si këto. Shefi, Anesti Bocka letrën time të nënvizuar me kalem të kuq ja dërgon një antari të Byrosë Politike, duke shkrojtur se dërgojmë jashtë shtetit mjek për specializim dhe i bëjnë propagandë kapitalizmit. Personi që antari i Byrosë Politike kishte pyetur për personin tim ja thotë këtë kunatit tim dr. Ago Shameta, i cili më rekomandon që të mos i shkruaj asnjeriu se çfarë sheh e çfarë ndjek. Me kthimin tim, më spjegon arsyen. Kur u zgjodha Shefe e Katedrës e gjeta në dosjen time këtë letër. Ligësi e turpshme sa unë se imagjinoj dot. Xhelozia e poshtërsia e disa kolegëve më ka ndjekur, janë pak, por e kanë treguar edhe sot ligësinë me bëmat e shkrimet e tyre.

-Por jeta në Amerikë ka të veçantat e saj. A u njoh babi më Viktorin? Cila ishte marrëdhënia mes tyre? Në shtator, 1990 merr në telefon nga Amerika, bashkëshorti im i ardhshëm, Viktor Xhemal Dobro, dhe bisedon me babain tim. Im atë shumë i emocionuar e mallëngjyer në mes të tjerash i thoët se mos vdeksha pa të takuar, dhe mua babai më thotë, kur të vesh në Amerikë, thuaj Viktorit të të prezantojë me Fitrete, Tefta e Skënder Delvinën. Unë u habita dhe i thashë, se na paske vënë emrat e tyre, mos i ke ‘’dashuruar’’?!. Babai i qeshur tha: që unë i kam dashur ato si motra. Nuk vonoi shumë dhe një ditë të bukur të tetorit 1990, për disa ditë rresht vjen një kushëri jo i afërt i babait, oficer Braho Malaqi, me të birin, me një manjetofon dhe incizon Harisin se ç’mbante mend nga LN.C. Të dy me Haden mundoheshin të ishin sa më të saktë. Baba kishte qejf që unë t’i dëgjoja incizimet. Gjëra që i kisha dëgjuar disa herë gjatë jetës. Dija se për shumë ngjarje të luftës se si ishin shkruar, im atë nuk ishte dakort. Megjithëse isha e lodhur nga puna, i dëgjova. Incizimi ishte shumë i dobët mbi shirita të përdorur. E pyes babanë: pse e bën këtë mor babe? “Historia e luftës është shkruar prej kohësh”! Pastaj i drejtohem Brahos dhe të birit Gëzimit se keni kaq ditë që vini e m’i lodhni prindërit! Kujt i hyjnë në punë, e kujt i duhen këto?! Përgjegja ishte po ja t’i çojmë në muzeumin e Fushë Bardhës e në shkollën e Prongjisë. E mora me mend se kujt i duheshin. Dija me siguri që telefonatat e sidomos ato me jashtë vendit dëgjoheshin e rregjistroheshin. E bisedova me vëllain Çapajevin që të shkonte e t’ua merrte shiritin “Malaqe “. Ai fatkeqësisht nuk e bëri këtë. Im atë vuante nga sëmundja e hypertensionit, e kishte nën kontroll me pak medikamente. Nga këto ngjarje, nuk kaloi as një muaj e më 21 nëndor të 1990, im at ndërron jetë në moshën 78 vjeçare. U mendua se vdekja e menjëhershme erdhi nga një infarkt i gjerë ose hemoragji cerebrale. Im atë vdes në Shqipëri e unë në të njëjtën kohë ndoshta orë, mbërrij në Fiumicino Rome, e ftuar në një kongres nga Presidenti i ORL Italiane. Ambasadës i vjen një telegram anonim, që Fitretes i ka vdekur babai, ndaj duhet të kthehet urgjentisht. Në telefonatën nëna me thotë që mos u kthe në asnjë mënyrë, se babai nuk vuajti, varrimi ju bë madhështor. Në mungesën time prindërit kishin shkuar të banonin tek vëllai im i vogël Vojo, për të cilin kishin debulesë. Këtu ishin pritur edhe ngushëllimet. Kur u ktheva, nëna, motrat e vëllezërit më tregojnë hollësira dhe midis tyre një ngjarje e jashtzakonshme…Na kishte ardhur për ngushëllim kryeministri Adil Çarçani”, i cili nuk pati hyrë kurrë në dyert e Shalarëve. Nuk kishte hyrë as për mirë as për keq, pa lëre tek Harisi megjithëse ishim familje Dëshmori. Vdiq Havaja mëma e dëshmorit më 1967, Adili nuk u bë i gjallë. Çudi e madhe, kjo kohë koincidon me lëvizjet demokratike në botë dhe në Shqipëri, “lëvizjet demokratike të studentëve”. Më dhimbset babai im që nuk arriti, ditët e demokracisë së munguar. Meqë do vinte Adili nëpër taraca e shkallë pallatesh parafabrikatesh u panë sigurimsat rreth e rrotull. Sipas zakonit Adili në dhomën e burrave dhe Hades i kërkohet që, të shkojë ta takojë. Hada burrëreshë e mençur, qetë i thotë.”Hada e Harisi janë këtu”, dhe nuk luajti nga vendi. Para këtij fakti kryeministri, shkon te dhoma ku ishte arkivoli i hapur dhe Hada te koka bashkë me familjarët e tjerë. Adili me grusht lart nderon e thotë: “ Harisi ka qenë demokrat me kohë”. Fjalë e vërtetë. Këta ishin prindërit e mi, babai, Haris e Hada nëna ime. Me t’u kthyer nga Roma, nuk e tërhoqa dokumentin e antarësisë e nuk vajta më në mbledhjet e partisë, të cilat ishin pothuajse të përditshme. Mora pjesë në lëvizjet studentore të nëntor-dhjetorit, antare e P.D. Më 26 dhjetor 1990 nuk pranova të merresha me politikë. Tek gazeta e Rilindjes Demokratike në mes intelektualeve të Universitetit të Tiranës është edhe emri im. Me largimin tim për në Amerikë, në fund të tetorit 1992 mëma ime u gëzua shumë, që unë vendosa të martohesha. Ajo më dedikoi një vjershë me 4 strofa:’’Moj jezite grua/ bashkë me shoqet e tua,/ nuk të shkon kënga pa mua/… Lem o burrë ç’më thua,/ se ti ike e më le mua. /Un do të bëj ashtu si dua./ Erdhi dita edhe për mua./ Dita që kisha kërkuar./ Gjithnjë kisha ëndërruar, vajzën ta kisha martuar./ Doktoreshën e sprovuar./ Gjithnjë ka operuar,/ popullin e ka lezetuar, i ka flori ato duar./ Është e artë dhe e florinjtë./ Do të shkoj në Amerikë./ Nënë e babë do t’i nderoj’’… e tjera. Largimin tim ajo e vuajti shumë ku, më shkruante letra prekëse e më thoshte që me merr edhe mua në Amerikë ,se atje ka doktor të mirë.





















