Dalip GRECA: Letra e Vatrës ndaj Mehmet Shehut dhe sarkazma për takimin me Titon në vaporin Mbretëresha Elizabet.

1011
Sigal

Vatra dhe vizita e Mehmet Shehut në Nju Jork, si ndodhi  përleshja e shqiptarëve me grekët  

Sa here afron muaji shtator, kur krerët e shteteve mblidhen në pallatin e qelqët të OKB-së në Neë York, diaspora e Amerikës çon ndërmend edhe përleshjen mes shqiptarëve dhe grekëve. Për historinë e vizitës të ish kryeministrit komunist Mehmet Shehu në Neë York janë shkruar libra dhe janë botuar shkrime nëpër gazeta, janë sjellë përkthime nga gazetat amerikane, por pak ose aspak janë shfrytëzuar burimet e shtypit të diasporës të atyre viteve dhe nuk është bërë ndonjë investigim për qëndrimin real të nacionalistëve shqiptarë ndaj qeverisë komuniste, përveç përleshjes mes shqiptarëve dhe grekëve. Nuk është folë as për Asamblenë e Kombeve të Robëruara të Evropës, që i hapi punimet me 20 shtator dhe që ishte shkaku  përleshjes.

      Nga një investigim kohëgjatë kam gjetur detaje të patreguara më parë.Ngjarja është përcjellë nga shtypi i diasporës: Gazeta Liria e Bostonit,organ pro regjimit komunist të Tiranës, që i thuri lavde, dorës së djathtë të Enver Hoxhës, ‘të fortit”  të qeverisë komuniste shqiptare, është ndjekur  nga gazeta “Shqiptari i Lirë” organ i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, Gazeta e Legalitetit “Atdheu” ,Gazeta e Ballit Kombëtar “ Flamuri” dhe më hollësisht nga gazeta e Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra, “Dielli”. Në fakt është gazeta Dielli që ka shkruar më shumë për vizitën e  Kryeminstrit shqiptar, para, gjatë dhe pas vizitës, deri në kthimin e palavdishëm të tij, tepër të vetmuar, i pa përcjellë nga suita e vendeve satelite të kampit të çarë socialist. Dukej se para Dimrit të Vetmisë së madhe të vitit 1961, Shqipëria Komuniste kishte pasë edhe një Vjeshtë të Vetmuar më 1960. Po ashtu kam siguruar Revistën LIFE që përshkruan ngjarjen me fotografinë e shqiptarit të gjakosur dhe shqiptarëve të tjerë, të egërsuar para policisë. Po ashtu kam gjetur në original deklaratën e Vasil Gërmenjit dhënë BBC dhe Televizionit NBS.

 REZOLUTA E VATRËS QË KISHTE SHQETËSUA TIRANËN

 Në prag të vizitës të Mehmet Shehut,Tirana ishte shqetësuar shumë nga një Rezolutë e Vatrës, që kërkonte publikisht mos ndërhyrjen e qeverisë komuniste në punët e brendshme të Federatës. Përveç gazetës Dielli,që e trajton përmbajtjen e kësaj rezolute, edhe gazetat e tjera të nacionalizmit e kanë “duartrokitë” Vatrën që i vuri kufijë komunistëve, të cilët i paralajmëronte se Tirana nuk mund të bëntë me Vatrën dhe Diellin atë që bënte me Organizatën shërbëtore Shqipëria e Lirë me Kryetar  dr. John Nasse apo me gazetën Liria që drejtohej nga Dhimitër Trebicka.

    Gazeta e Komitetit Shqipëria e Lirë ” Shqiptari i Lirë” e ka komentuar këtë rezolutë në numrin e vet të përmujshëm të 31 Dhjetorit 1960 me titullin ”Rezoluta e Vatrës”.

      Shqiptari i Lirë shkruante: “Vatra dhe Dielli janë një halë në sy për regjimin komunist të Tiranës. Arësyeja është se ai regjim, i cili e ka skllavëruar popullin shqiptar, nuk duron dot të shohë organizata të pavarura dhe shqiptarë të lirë në mërgim. Regjimi i Tiranës kërkon vetëm skllevër të vullnetshëm dhe shërbëtorë të paskrupullt. Ai regjim bëri , qysh prej një kohe të gjatë, një fushatë të tërbuar , si kundër disa udhëheqësve të Vatrës, ashtu edhe kundër Editorit të Diellit. Radio Tirana kishte bërë thirrje të përditshme drejtuar vatranëve për të spastruar Vatrën nga armiqtë.

Po cila ishte rezoluta e Vatrës që e kishtë tërbuar Tiranën? Rezoluta ishte  miratuar në Kuvendin e 3 shtatorit? Ja shkurtazi pikat e saj: 1- Vatra dënonte ndërhyrjen e regjimit komunist të Shqipërisë në punët e brendshme të Vatrës, anëtarët e së cilës ishin qytetarë amerikanë.

2- Dënonte propagandën që zhvillonte regjimi komunist i Shqipërisë kundër Amerikës, të cilën Tirana e quante imperialiste dhe armike të Shqipërisë dhe të popullit shqiptar, duke mohura përkrahjen  dhe ndihmat që Amerika i kishte dhënë Shqipërisë.

3- Vatra shprehte mirënjohjen ndaj Qeverisë dhe popullit amerikan që u kishin  dhënë mundësi shqiptarëve, që të zhvillonin për më shumë se 50 vjetë veprimtari të gjërë në këtë vend, në të mirën e Shqipërisë dhe popullit shqiptar.

4- Vatra përkrahte politikën e Amerikës në dobi të lirisë së popujve duke kundërshtuar të gjithë regjimet diktatoriale.

5-Hidhte poshtë me përbuzje sulmet e Radio- Tiranës kundër zyrtarëve të saj.

6-Kuvendi shprehte solidaritetin e plotë me zyrtarët e Vatrës dhe Editorin.

RADIO TIRANA:” LARG DUART NGA VATRA TRADHËTARËT E MËMËDHEUT!”

 Gazeta Dielli njoftonte në numrin e saj të 21 shtatorit 1960 se Mehmet Shehu kishte mbarritur në Nju Jork. Po ashtu gazeta njoftonte edhe për sulmet e vazhdueshme që kishte ndërmarrë shtypi dhe Radio- Tirana kundër Vatrës, duke kërkuar largimin e zyrtarëve dhe të editorit të Diellit pasi i konsideronte ata armiq të Mëmëdheut. I gjithë muaji i Gushtit 1960 kishte qenë muaj sulmi i propogandës së Tiranës kundër Vatrës. Po ashtu shtatori. Në krye ishte vënë Radio Tirana që u qante hallin vatranëve që udhëhiqeshin nga armiqtë. Në emisionet e saj që kishin mbërritur edhe tek shqiptarët e Amerikës dhe ishin zbardhë nga gazeta Dielli dhe Shqiptari i Lirë, cilësoheshin armiq: Peter Chikos, Anthony Athanas, Miko Kokalari, dhe të tjerë. Zyrtarët e Vatrës kritikoheshin ashpër sepse sipas propogandës së Tiranës kishin pranuar në radhët e shoqatës” kriminelë të luftës”.

    Në sulmet e  Tiranës veçohej editori Qerim Panaritin, që bënte propogandë Imperialiste në faqet e Diellit! Për vite me radhë shkruhej në artikujt e shtypit të Tiranës dhe trasmetonte Radio-Tirana, editori i Diellit po e përdorte gazetën për qëllime antishqiptare. Panariti u kthente përgjigje se kurrë nuk ishte shkruar kundër interesave Kombëtare në Dielli, përkundrazi Vatra dhe Dielli mbronin interesat Kombëtare. Ne, shkruan Panariti, kemi kritikuar ashpër në shumë raste regjimin komunist të Tiranës  dhe do të vazhdojmë ta kritikojmë edhe në të ardhmen sepse  punon kundër interesave tona kombëtare. Gazeta Dielli, shkruante Panariti në kundërpërgjigje, ka më shumë se 51 vjet që ka luftuar tiraninë turke, barbarizmat greke dhe serbe, okupatorin italianë dhe gjermanë dhe po lufton okupatorin rus. Nëqoftëse është tradhëti të mbrosh një popull që s’është në pozitë të mbrojë dot veten, atëherë e pranojmë me gusto akuzën që na bëhet.

      Më pas, Dielli pyeste se ku e kishte gjetur të drejtën Tirana që të ndërhynte dhe të tentonte të rregullonte sipas midesë së saj aktivitetet e organizatave që veprojnë në Amerikë? A e kupton Radio Tirana se kjo është ndërhyrje në punë e Amerikës, ku vepron Vatra?

     Radio Tirana i akuzonte vatranët se ishin njerëz me 100 flamurë, ndërsa Vatra përgjigjej:”Shqiptarët e Amerikës dhe  veçanërisht vatranët adhurojnë dy flamurë, Flamurin e SHBA me 50 yje dhe Flamurin e Skënderbeut, pa asnjë yll…Nëqoftëse Tirana ka shpresë të fitojë zemrat e bijëve dhe bijave të racës shqiptare në Amerikë me anë të komunizmës, Radio-Tirana i bie erës me kopan”.

VATRA, LETRA E HAPUR PËR TË KËSHILLUAR MEHMET SHEHUN

  Me rastin e vizitës të Mehemt Shehut në Neë York, Vatra botonte një Letër të Hapur drejtuar kryeministrit, që i printe delegacionit shqiptar. Letra u botua para se të merrte fjalën në OKB Mehmet Shehu. Në të ruhej etika dhe nuk kishte fyerje e sharje. Letra e këshillonte numrin dy të Qeverisë Komuniste se duke qenë se ishte i pari kryeministër shqiptar që kishte fatin të vizitonte Amerikën, Shtetin që shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi pas Luftës së Parë Botërore, do të ishte mirë që çdo fjalë që do të flisni në Forumin e hapur të Kombeve të Bashkuara, ta peshoni mirë , jo me ballancën e stalinizmit, por të ballancës së fisnikërisë tradicionale të popullit shqiptar, i cili nuk e harron kurrë të mirën.

  Vatra i kujtonte Mehmet Shehut se”Ju ishit djalë motak kur u proklamua Indipendenca e Shqipërisë më 1913, pra nuk kishte pasë rast të dëshmonit kohën tragjike dhe anarkike, që vatranët e hershëm e patën jetuar. Ju s’ishit në pozitë , si një foshnjë 2 vjeçar, që të dëshmonit aktivitetet e Atit tuaj, Sheh Ismaili, i cili si një klerik fanatik musliman, mori armët kundër Shqipërisë më 1914, duke kërkuar që Shqipëria të bëhej pjesë e Perandorisë së rrënuar të Turqisë.S’është çudi i nderuar Kryeministër se ky kujtim i errët i babait tuaj, mund t’ju jetë rrënjosur aq shumë në ndërgjegjen tuaj, sa të urreni çdo fetar që nuk pajtohet me stalinizmin tuaj.”

   Vatra i kujtonte Mehmet Shehut se në vitin 1932 , ai kishte mbaruar shkollën”The American Vocational and Technichal School” të Tiranës , një shkollë e mbajtur me djersën e amerikanëve për të arsimuar atë dhe shumë të tjerë, si ai.

   Vatra pyet Kryeministrin: – A besoni që Amerika e hapi shkollën teknike të Tiranës , prej së cilës përfituat ju dhe shokët tuaj, me qëllime imperialiste? Nëse besoni kështu, na vjen keq t’ju themi që stalinizmi ju ka farmakosur mendjen dhe ndjenjat tuja njerëzore.

Një kujtesë tjetër e Vatrës:- Fakti është z. Kryeministër që më 1919 nga shumica e krerëve shqiptarë të asaj kohe,duke ndjerë rrezikun e tërsisë tokësore të Shqipërisë, iu lutnë Amerikës të merrte Shqipërinë si një protektorat për një kohë të caktuar. Amerika e refuzoi.

  Po ashtu ju z. kryeministër, e dini fort mirë se më 1946, kur u formulua Traktati i Paqes me Italinë, delegacioni i Amerikës, nguli këmbë që Sazani t’i mbetej Shqipërisë.

       Vatra i përcillte kryeministrit në këtë letër revoltën e vatranëve”Kur dëgjojmë Radio-Tiranën dhe shtypin tuaj,që akuzojnë si”vegla të Imperializmit Amerikan” dy misionarët e ndershëm dhe të devotshëm ndaj popullit shqiptar, Z. P. Kenedy dhe Dr. Ericson, ne qytetarët amerikanë të racës shqiptare ndjehemi të fyer. Shkolla e z. Kenedy në Korçë ishte foleja e Rilindjes Kombëtare dhe i vetmi vend ku mësohej gjuha e bukur shqipe. Kjo shkollë urrehej prej turqëve dhe grekëve sepse aty mësohej gjuha shqipe dhe kultivohej dhe ushqehej ndjenja patriotike Shqiptare.

     Në fund të letrës së hapur, Vatra  shtronte edhe këto pyetje para kryeminsitrit:

1-E dimë se populli shqiptar e ka pagesën ditore 1 dollar, po ju zoti kryeministër sa e keni rrogën?

     2- A mund të na thoni se cili është ndryshimi mes komunizmit tuaj dhe fashizmit?

E dimë se fashizmi kundër të cilit ju luftuat, është sistem politik  diktatorial, që nuk peshon fare të drejtat njerëzore, si kundër gëzon populli në Amerikë.Gjithë atë sistem Stalinist që keni instaluar ju në Shqipëri, dmth themeluat sistemin fashist me një emër tjetër; që ju e quani”demokraci popullore”. Sistemi juaj z. Kryeministër, s’është , as demokratik, as popullor!

SARKAZMA E DIELLIT ME MEHMET SHEHUN DHE TITON

 Shtypi është marrë gjatë me mënyrën e udhëtimit të Mehmet Shehut drejt Amerikës. Ai udhëtoi me anijen angleze “Mbretëresha Elizabet”. Dielli informonte lexuesit e vet se Mehmet Shehu dhe presidenti i Jugosllavisë, marshall Tito, udhëtuan së bashku  në të njëjtën anije- “Quëën Elizabeth”. Me ta udhëtonte edhe i biri i ish kryeministrit legjendar britanik Uiston Çërçill, Randolf Çërçill. Enver Hoxha do ta shfrytëzonte këtë rast për t’i bërë aktakuzën bashkëpunëtorit të ngushët të tij, Mehmet Shehut. Madje sipas Enver Hoxhës në tablonë sinoptike të “tradhëtisë” të poliagjentit Mehmet shehu, në anije ishte edhe ish drejtori i Shkollës teknike në Tiranë,  Harry Fultz, ku mehmeti qe nxënës. Kjo akuzë iu vu në gojë për ta bërë të besueshme Ziçishtit.

            Dielli natyrisht që nuk merret me detajet e udhëtimit, veçse bënë humor-sarkazëm  me faktin se marshalli Tito dhe kryeministri shqiptar nuk flisnin me njëri-tjetrin. Dielli shkruan:” Mehmet Shehu dhe Marshalli Tito udhëtonin së bashku. Një mëngjes të dy udheheqësit kishin dalë në kate të ndryshme të vaporit, njëri lartë, tjetri poshtë,  dhe duke u ndodhur ballë përballë shkëmbyen komplimente.

Titua: Shoku Shehu, a e mbani ment kur juve ju dekorova për trimërinë që treguat duke shtypur shqiptarët në Kosovë?

Shehu i kthehet me nervozitet:-Larguhu prej meje, Revizionist i pështirë!