-Luftëtari që bashkëpunoi me Ismail Qemalin, Çerçiz e Bajo Topullin, Tajar Zavalanin, Riza Cerovën e patriotë të tjerë të kohës-
Janë ca figura historike që, për arsye të ndryshme, mbeten “të harruar” edhe pse gjurmët e bëmave të tyre kanë mbetur të skalitura në kujtime njerëzish, atje ku nuk mund të harrohen kurrë. Pra studiuesit, historianët, apo kalemxhinjtë mund edhe t’i anashkalojnë këta personalitete historikë, që kanë bërë emër, por jo populli. Një ndër këta të “mbetur mënjanë”, të cilët gjejnë vend “rastësisht” në ndonjë ngjarje historike a muhabete burrash kur kujtohen bëmat e ndonjë trimi të çartur, është edhe Xhile Liçi, kapedani më me emër i Nahijes të Shëmbërdhenjit të Gramshit. Xhile Zyber Liçi, nëse kemi parasysh vendin ku ai lindi, mjedisin ku kaloi adolishencën, pra në një fshat malor e pa komunkim me zona urbane për kohën, përbën një rast vërtet të veçantë, unikal, për çka ai ka arritur të bëjë në shërbim të vëndit e madje të rrjeshtohet tek ata emra që qëndron në radhët e para, me ata kapedanë, të cilët bënë historinë e kohës.
Ky personazh i çuditshëm është larguar nga fshati, pra nga Shënmbërdhenji, në moshën 25 vjeçare. Nuk ka asnjë të dhënë pse e qysh e braktisi vendlindjen, por dime tjetrën që Xhilja ka patur si qëllim të sistemohej me ndonjë punë në një vend të hajrit, gjë për të cilën ai ka përzgjedhur qytetin e Follorinës. Duke qënë edhe djalë i shkathët e me intuitë, Xhile Liçi qyshsa ka mbritur atje, nuk është ndjerë i huaj apo i hutuar si fshatar që ishte, por ka vrarë mendjen dhe paska ditur ku të trokasë, e madje të gjejë njeriun e duhur për të arritur atë që donte. Nga kjo pikpamje mund të themi se djaloshi nga Gramshi nuk ka qënë vetëm njeri me intuitë, por paska disponuar atë “radarin” ku, plus zotësisë e zgjuarësisë, do ta bënte të suksesshëm qysh në hapat e para të mbëritjes në qytetin e “pushtuar” nga shqiptarët, në Follorinë. Vetëm guximi për të kërkuar ndihmë të N/prefekti, një farë Xhelali nga Velabishti i Beratit, i cili na paskësh qënë me detyrë Nënprefekt në Gramsh, tregon açik se Xhile Liçi ka patur dhuntinë e njeriut që di të çajë në jetë, e madje të arrijë të bëjë realitet ëndërrat, sado të pamundura të duken. Por edhe Nënprefekti diçka ka nuhatur për aftësitë e djaloshit gramshiot, të zgjuar e punëbërë, ndaj pa hezitim e ka dërguar tek sipërmarrësi i ushqimeve të ushtrisë, Idriz Gjakova. Ky i fundit i ka caktuar detyrë jo pak të rëndësishme, siç ishte ajo e menaxhimit të të gjitha ushqimeve që ishin të planifikuara për ushtrinë turke, e cila ishte e dislokuar në atë zonë.
Zënien me punë në një vend ku do të mundësonte takime me njerëz të rëndësishëm, patriot e atdhetar, Xhile Liçi e konsideroi diçka që i ra nga qielli, hyjnore. Ishte kjo punë e ky angazhim në ushtri që ai të mundësonte njohjen me personalitete të lëvizjes patriotike të kohës si Halit Bërzheshta, Idriz Gjakova e Feim Zavalani. Dhe jo vetëm njohje personale, por edhe përfshirjen e tij në lëvizje të mëdha siç ishte angazhimi i drejtpërdrejtë në Komitetin e fshehtë të ushtrisë në Manastir, i cili drejtohej nga Ismail Qemali e Rexhep Pash Mati. Këta të fundit, pra Ismail Qemali me Rexhep Pash Matin kishin realizuar bashkëpunim me Kolonelin Halit Bej Bërzheshtën dhe Feim Zavalanin për të organizuar ushtrinë në një kryengritje, e cila synonte të nisej nga Selaniku, e për të mbëritur në Stamboll. Ishte fjala për t’i dhënë ultimatumin Sulltan Abdyl Hamitit për lirine e pavarësinë e Shqipërisë. Kjo tentativë, me mjaft rrezik, nuk u realizua dot, por Sulltani, pasi u kapën Halit Bej Bërzeshta dhe Feim Zavalani, i syrgjynosi në Arabistan e Ismail Qemali, pas takimit që bëri me Sulltanin më 28 Prill të vitit 1900, nga frika se mund ta eleminonin, bashkë me djemtë u arratis drejt Romës, Londrës e Parisit ku do të qëndronte për vite të tërë. Shumë të dhëna nga kjo veprimtari patriotike i gjejmë tek “Jetëshkrimi” i Xhile Liçit, libërth ky ndër më të plotët e më të saktit ku gjendet e dokumentuar veprimtaria e këtij patrioti e atdhetari të shquar. Është ky dokument ku është fiksuar viti 1900, duke na e thënë të saktë periudhën se kur dhe si e ka filluar Xhile Liçi aktivitetin e tij për çështjen kombëtare.
Mesa duket Xhile Liçi përfaqësonte ata pak njerëz që e ndiqnin vazhdimësinë dhe ishin kundër durimit e të pritjes. Ishte viti 1905 ku me inisiativën e Bajo Topullit në Manastir u krijua Komiteti i Fshëhtë Shqiptar “Për lirinë e Shqipërisë”. Në krye të këtij Komiteti u vendos Halit Bërzeshta, i cili ishte kthyer nga syrgjynosja në Arabistan. Komiteti “Për lirinë e Shqipërisë” synonte lartësimin e qytetërimin e shqiptarëve nëpërmjet librave, por edhe duke u organizuar e mbajtur çeta maleve për të shpëtuar nga zgjedha e errësira turke, ndër të cilën ndodhej Shqipëria. Në këtë Komitet u bë pjesë e pandarë edhe Xhile Liçi. Ishte ky Komitet i cili i dha shtysë që në pranvetërm e vitit 1906 Bajo Topulli të krijonte Çetën e tij e cila do të ishte dallanayshja e parë për t’u prirë Çetave të tjera në mbarë vendin. Interesant është një e dhënë që e gjejmë në “Jetshkrim” ku Xhilja ka shënuar çvendosjen e veprimtarisë të Bajo Topullit, të Çeçizit, Idriz Gjakovës e Mihal Gramenos në Bullgari. “Ndërsa unë dhe Mehmet Pavari, ka shënuar ai, erdhëm në Shqipëri, duke mos e ndërprerë punën në Tomorricë, krahinën e Vërçë-Sulovës, në Shpat të Elbasanit e në Berat”. Për të mos rënë në dorë strukturave të shtetit, Xhile Liçi, sidomos në vise të largëta, punonte me pseudonimet Seit Shënmbërdhenji, Xhile Haxhiu etj.
Ishte në filozofinë e këtij trimi të shquar që puna nuk duhej të ndërpritej e sidomos kur ajo ecte për mbarë e përparonte. Në vitin 1908, pas një pune të suksesshme në Shqipërinë e Mesme e të Jugut, Xhilja kthehet në Manastir dhe filloi punë në gazetën “Bashkimi i Kombit”, të cilën e drejtonte Tajar Zavalani. Ishte koha kur Xhonturqit e kishin vënë në “grykë të topit” çëshjen e përhapjes të gjuhës shqipe. Ishte po kjo kohë kur elementë keqdashës tentuan të digjnin gazetën “Bashkimi i Kombit”, por që nuk iu arrit qëllimit falë Xhile Liçit, i cili e mbrojti atë me armë. Në këtë klimë antishqiptare u thirr Kongresi Manastirit (14-22 Nëntor﴿ për të cilin Xhilja shkruan: “U mblodhën Kombëtarët shqiptarë nga të gjitha viset e Shqipërisë dhe u lidh një Komitet i ri ku në këshill isha edhe unë”. Në kuadrin e luftës për shpalljen e pavarësisë Themistokli Gërmenjit, Sadik Zharit dhe Xhile Liçit iu caktuan detyrat e Kryekomitit. Për këtë detyrë Xhilja shkruan: “na lanë të gjezdisim si Kryekomitë”. Është për të shënuar fakti se Xhilja shkonte herë pas here në Selanik për të marrë udhëzime nga Ismail Qemaili.
Në shoqërinë e Sofjes, e cila drejtohej nga Shahin Kolonja e Kristo Luarasi bënte pjesë edhe Xhile Liçi. Për një nga takimet ku merrnin pjesë edhe patriotët Mehmet Pavari, Idriz Gjakovë, Beqir Nishica e Sefer Panariti, Xhilja shkruan: “Bëmë shkresa dhe ua dërguam shtatë mbretërive dhe u thoshim se duam të drejtat tona, por po nuk na dha Qeveria Turke, do bëjmë kryengritje”.
Veprimtaria patriotike e Xhile Liçit nuk u ndërpre për asnjë çast. Është koha kur ai ndërmori udhëtime për në Dangëlli, Përmet e Berat për të takuar e ndërmarrë aksione konkrete. Për këtë iu desh të komunikonte me komandantë çetash si Ferit Lumani, Reshat Vrioni, Servet Zaloshnja, Bektash Cakrani etj. Objekt I këtyre takimeve ishte edhe përciellja tek ata të porosive të Komitetit Kombëtar, por në mënyrë të veçantë të shpërndaheshi flamujtë në të gjitha çetat ku shkruhej “vdekje a liri”.
Si njeri që i pëlqente të lidhej edhe me Shoqëri emërmëdha, të cilave, për veprimtari të dëndur patriotike, u kish vajtur zëri cep më cep të Shqipërisë, Xhile Liçi arriti të ishte pjesmarrës në Shoqërinë e “Drita” të Bukureshtit, e cila merrej kryesisht me zhvillimin dhe përparimin e gjuhës shqipe. Pas këtij bashkëpunimi të frytshëm u arrit që përhapja e arsimit shqip të gjente shtrirje në të gjithë Gramshin gjë që është pasqyruar edhe me artikuj të shkruar nga atdhetari gramshiot Asllan Shahini.
Xhile Liçi nuk i ndërpreu lidhjet me Ismail Qemalin. Në takimin e fundit që pati në Bukuresht Ismail Beu e mandatoi të ishte delegat në shpalljen e Pavarësisë, si përfaqësues i krahinës së Tomorricës. Për Gramshin delegat ishte caktuarAsllan Shahini. Për shkak të kushteve të këqia që u krijuan nga dimri, por veçanrisht edhe nga ushtria Turke të Xhavit Pashët, e cila ishte kthyer në bandë kusarësh, këta dy delegatë mbetën në Berat nga ku do të bënin këtë telegram: “Berat 16 (29﴿ vjeshtë e tretë 1912, Shkëlqesisë së Tij Ismail Qemal Beut, Vlorë. Sado që kemi tre ditë që kemi ardhur këtu, nga shkaku i dimrit nuk mujtëm me ardhë aty. Lutemi pranoni përfaqësimin e krahinave tona. Në qoftë nevoja për ne lajmëroni. Përfaqësuesi i Nënprefekturës së Gramshit, Asallan Shahini, përfaqësuesi i krahinës së Tomorricës Seit Shëmbërdhenji (Xhile Liçi﴿.” Në procesverbalin e Kuvendit të Vlorës të datës 30 Nëntor shënohet: “Me telegram u lajmërua Ismail Beu nga Gramshi e Tomorrica. “Pra Gramshi dhe Tomorrica në Kuvendin e Vlorës u përfaqësua nga Ismail Qemali, gjë për të cilën populli i këtyre dy zonave i mbetet përjetë mirënjohës.
Ngjarjet që ndodhën pas shpalljes së Pavarësisë Xhele Liçi mbajti anën e mbrojtjes së vlerave kombëtare. Ishin këto shkaqet që atij t’i digjeshin shtëpitë dy herë, njëra në fshatin Duhanas të Beratit nga bejlerët Vrionas, dhe e dyta nga oficeri turk, komandanti i xhandarmërisë shëtitëse Ramadan Gega, i cili në shenjë hakmmarje ndaj Baba Meleqit do të digjte edhe teqenë e Shëmbërdhenjit. Ka qenë kjo periudhë kur Xhilja do të largohej muhaxhir tek miqtë e tij në zonën e Korës për t’u kthyer vite më vonë. Sidoqoftë ai ndiqte ngjarjet hap pas hapi dhe pa u shkëputur nga kontribti që mund të jepte. Ai u vu në mbështetje të plotë të Luftës së Vlorës, mbrojtjes i flaktë i Kongresit të Lushnjes dhe përkrahës i Qeverisë së Fan Nolit. Ajo çka mund të bënte pas ardhjes në pushtet të Ahmet Zogut, i cili u vu në ndjekje të patrotëve, ishte përkrahja dhe strehimi i tyre siç ishte Xhevdet Dëshica, pjemarrës në luftën e Vlorës dhe Riza Cerova, i cili, sipas dëshmive, ka qëndruar aty nga data 5 deri më 22 janar të vitit 1925. Pas shumë viteve Xhilja do të gjëndej të ishte pjesë e Kryengritjes së Fierit.
Pushtimin fashist ky patriot i madh e përjetoi me dhimbje, por për shkak edhe të moshës, ai u angazhua të ishte kryetar i Këshillit ANÇ i fshatit Shëmbërdhenji deri në fund të vitit 1945. U nda nga jeta më 20 Mars të vitit 1949. Për kontributin e tij të madh për çështjen kombëtare është vlerësuar me Urdhërin “Për veprimtari Patriotike.” Një shkollë në qytetin e Gramshit si edhe ajo e fshatit Shëmbërdhenjë (Skënderbegas﴿ mbajnë emrin e Xhile Liçit. Unë, shkruesi i këtyre rradhëve shtroj edhe këtë pyetje: A nuk do të ishte në nder të këtij patrioti të madh, por edhe Gramshi që në mjediset e atij qyteti të bukur krahas busteve të Antonio Gramshit, Kamber Durmishit e Kapo Lenës të ishte edhe Hamit Dollani e Xhile Liçi?