Asije Hoxha: “Drama dhe spektakli i ndaluar” i Mexhit Prenccit

1032
Sigal

Si kaluan vijat e bardha të diktaturës Ethem Haxhiademi, Minush Jero, regjisori Mihal Luarasi, skenografi Ali Oseku etj, të cilët u burgosën

 Cilat ishin shtatë  hallkat censuruese të diktaturës  për miratimin e një drame

-Shkrimtarët dhe artistët që kishin shfaqur në veprat e tyre tendenca për të kaluar vijat e realizmit socialist partia i qarkulloi nëpër rrethe jashtë Tiranës

– Për një periudhë 2-3 vjeçare u dërguan: Naum Prifti në Divjakë, Petro Marko në Himarë, Andrea Varfi,  Fatos Arapi dhe Kudret Velça në Vlorë, Ismail Kadare në Berat

– Poeti Xhevahir Spahiu e ka shprehur me vargje revoltën ndaj kufizimit të lirisë së krijimit :“Vija të bardha ma nxitë jetën”.

 Asije Hoxha

Diktatura si në të gjitha aspektet e jetës shoqërore edhe në atë letrare-artistike kishte krijuar një sistem zinxhir censurimi, që vriste lirinë krijuese. Sistemi i censurimit dhe viktimat në gjininë e dramës Mexhit Prençi i shtjellon në veprën “Drama dhe spektakli i ndaluar”

Mexhit Prençi dramaturg,  kritik në gjininë e dramës, e cila ishte  mjaft e lëvruar në monizëm analizon “dramën e ndaluar” kur krijuesit kalonin vijat e bardha të realizmit socialist. Vijat e bardha  ishin vija kufizuese me rregulla të ngurta, rregulla të kuqe, që i bënin krijuesit të jetonin në kope dhe kush guxonte të dilte prej vathës, në kërkim të vetvetes, dënohej me heqjen e të drejtës së botimit, me burgim dhe deri në pushkatim. Në dramaturgji Ethem Haxhiademi u burgos se kaloi vijat e bardha. Guxuan të kalojnë këto vija dramaturgu Minush Jero, regjisori Mihal Luarasi, skenografi Ali Oseku etj, të cilët u burgosën. Poeti Xhevahir Spahiu e ka shprehur me vargje revoltën ndaj kufizimit të lirisë së krijimit nëpërmjet metaforës në poezinë:

“Vija të bardha ma nxitë jetën”.

  Vija të bardha majtas.

 Vija të bardha djathtas.

 Vija të bardha para.

 Vija të bardha mbrapa.

Vija të bardha.

Vija të bardha.

Vija të bardha ma nxitë jetën.

Kjo trysni e tmerrshme ndaj lirisë krijuese të dramaturgut, regjisorit, aktorit, skenografit shpërtheu hapur në vitet 1960 e në vazhdim. M. Prençi duke njohur mirë rrugën që duhet të kalojë drama për t’u botuar apo për t’u vënë në skenë, përshkruan me detaje hallkat censuruese: “Tri institucione shtetërore botonin drama: Revista mujore “Nëntori” në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve; Revista “Teatër” në Shtëpinë Qendrore të Krijimtarisë Popullore; Redaksia e poezisë dhe dramës në Shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Për t’u botuar dhe dalë në qarkullim një dramë ose komedi duhej të kalonte në shtatë hallka censurimi të miratuar nga organet kompetente. Hallka e parë ishte redaktori përgjegjës, i cili përzgjidhte dramën ose komedinë. Hallka e dytë ishin dy ose tri recensentë, specialistë të dramaturgjisë. Kur ata sillnin recensione të kundërta merrej dhe vlerësimi me shkrim i një recensenti të tretë profesionist i teatrit. Kjo ishte hallka e tretë. Hallka e katërt ishte gjykimi i veprës në redaksi për të marrë miratimin për botim. Hallka e pestë ishte drejtori, i cili jepte firmën për botim. Hallka e gjashtë ishte shtypshkronja, e cila ishte e detyruar të dërgonte nga dy ekzemplarë të librit në disa pika censurimi,  të cilët e ndalonin qarkullimin e veprës si para dhe pas botimit nëse e konsideronin me gabime ideologjike. Hallka e shtatë e censurimit ishin kritikët më të zellshëm, me përfaqësues të realizmit socialist, me recensione dhe artikuj në shtypin e përditshëm dhe letrar. Edhe drama të pabotuara në shtyp, por që viheshin në skenë duhet të kalonin, në disa hallka: I pari e niste censurimin shefi i repertorit të teatrit, që bënte seleksionimin e veprave. Pastaj ishte drejtori si funksionar partiak, këshilli artistik, komiteti ekzekutiv i rrethit ku vepra dërgohej për miratim në seksionin e kulturës, sekretari i dytë i komitetit të partisë të rrethit dhe sekretari i dytë i byrosë të komitetit të partisë të rrethit për të dhënë lejen e kalimit në skenë të veprës. Krahas hallkave që duhej të kalonte drama ishte edhe një rregull i pashkruar që çdo botim 15 ditë para se të dilte në qarkullim i dërgohej Sekretarit të parë të K Q të partisë, Anëtarëve të Byrosë Politike, Kryeministrit, Sekretarëve të parë të Partisë në rrethe.” Një dramë me rreth 100 faqe duhej të merrte miratim nga disa hallka shtetërore.

Në vitet 60 një atmosferë liberale ishte krijuar edhe në rrafshin letrar-artistik.

Partia e informuar për frymën liberale, që po përhapej në letërsi dhe art dhe e alarmuar se mos u dilte nga kontrolli ushqimi shpirtëror i popullit (çdo qytet kishte teatër dhe estradë profesioniste, pothuajse çdo ndërmarrje  kishte grupin teatror dhe estradë amatore), organizoi Plenumin e XV të KQ të PPSH, për letërsinë dhe artin (25 qershor 1965). Për herë të parë u analizuan probleme të letërsisë dhe artit në një forum të lartë partiak. Mexhit Prençi shkruan:  -Raportin “Mbi rritjen  e rolit të letërsisë dhe arteve në edukimin komunist të masave e mbajti Ramiz Alia (sekretar në KQ për letërsinë dhe artet), i cili ndërmjet të tjerash tha: – Ndonjë autor ka shkarë e gabuar pikërisht, sepse duke errësuar anët pozitive dhe duke fryrë anët negative të jetës, ka shtrembëruar kuadrin e saj. Tipike është drama “Rrethimi i bardhë”(Naum Prifti)…  Në vend që të tregohej solidariteti i disa personave të rrethuar nga dëbora në një objekt ndërtimi vendin kryesor e zë fryma individualiste, që nuk është  tipike për ne. Ndërsa për dramën “Dueli ” (Qamil Buxheli) Alia nënvizon: “Autori në këtë dramë ka dashur të përshkruaj Luftën Nacional –çlirimtare dhe forcën e saj nëpërmjet një dueli idesh ku të triumfonte çështja e popullit, çështja e partisë mbi ideologjinë e pushtuesit nazist. Në fakt del se ka pasur edhe “armiq të arsyeshëm ”, të cilët megjithëse luftonin me fanatizëm për fitoren e fashizmit, ishin “objektivë” ndaj luftës sonë dhe “humanë”.  Analizohet ideologjikisht edhe “Drama e një partizani pa emër” ( Fatos Arapi) ku heronjtë përshkohen nga frika ndaj armikut dhe mosbesimi në fitore, që është sfidues për heroin pozitiv. Në plenum kritika u bënë edhe për prozën, poezinë, artet figurative, muzikën etj. Shkrimtarët dhe artistët që kishin shfaqur në veprat e tyre tendenca për të kaluar vijat e realizmit socialist partia i qarkulloi nëpër rrethe jashtë Tiranës me pretendimin e njohjes së realitetit. Për një periudhë 2-3 vjeçare u dërguan: Naum Prifti në Divjakë, Petro Marko në Himarë, Andrea Varfi,  Fatos Arapi dhe Kudret Velça në Vlorë, Ismail Kadare në Berat  etj…

Naum Priftit rrëfen:

-Me dramën shkruar nga unë “Rrethim i bardhë” filloi jetën teatri i Elbasanit. Ndërkohë edhe regjisori Kujtim Spahivogli zgjodhi dramën “Rrethimi i bardhë” për punë diplome me studentët e Artit Dramatik, ku ai ishte pedagog. Por sa befasuese aq dhe ngazëllyese ishte lajmi i papritur se dramën po e vinte në skenë edhe Pirro Mani në teatrin “Andon Zako Çajupi” në Korçë. Premiera e dramës në Korçë u dha më 26 shkurt 1964. Pas premierës shkova  te prindërit e mi në Rehovë të Kolonjës. Qëndrova dy-tre ditë dhe u ktheva përsëri në Korçë. Më thanë se sonte do të vinte shoku Enver në shfaqje. Shfaqja nuk shkoi edhe aq mirë, për shkak të kontraktimit të aktorëve nga udhëheqësi. Spektatorët kur mbaroi shfaqja u ngritën më këmbë dhe filluan të duartrokitnin. Sytë i mbanin nga lozha, te Udhëheqësi. Duartrokitja e tij qe e vakur. Atyre që ishin pranë u tha: “Duartrokita për të respektuar aktorët”. Mbas shfaqjes drejtuesve të Korçës, Udhëheqësi u kishte tërhequr vëmendjen se duhej të kishin bërë vërejtje para shfaqjes së dramës. Pa kaluar as edhe një javë vajti urdhri për ndalimin e shfaqjes, sepse përmbante ide dhe mesazhe të gabuara. Enver Hoxha e kishte lexuar dramën si sfidë për politikën e tij, ndaj i zemëruar kishte thënë: “U zbardha unë tani, nuk ma hedh njeri.” (këtë shprehje ma tha Fatos Arapi, që e kishte dëgjuar nga burime të mirëbesuara). Duke e vrarë mendjen se ku ishte mëkati i dramës që nuk ia hedhkam dot Zeusit, tani po kuptoj pse u prit me këmbët e para! Kur zonat e Veriut u mbuluan nga dëbora në vitin 1959, qeveria organizoi shpërndarjen e ndihmave nga ajri me një aeroplan, që vuri në dispozicion qeveria sovjetike, çka u reklamua me bujë nga propaganda. Po qe se edhe unë do ta kisha realizuar pozitivisht  ardhjen e aeroplanit, posaçërisht hedhjen e ushqimeve nga ajri dhe punëtorët e kantierit të bërtisnin “Parti-Enver”, atëherë dhe spektatorët në sallë do të ngriheshin në këmbë duke e kthyer shfaqjen në manifestim politik.  Por fatkeqësisht aeroplani u kalonte gjeologëve sipër, nuk ulej dot nga mjegulla dhe duart e tyre të ngritura lart për t’i dhënë shenjë se ndodheshin aty, uleshin poshtë të kolovatura. Ata mbeteshin të dëshpëruar, të zhgënjyer. Kjo kuptohej se ndihma e qeverisë nuk vinte  dhe kjo ishte një lloj sikur unë theksoja se partia i kishte braktisur në çastin më të vështirë të jetës së tyre. Kujtim Spahivogli, megjithëse drama  ishte ndaluar nga Zeusi, vazhdonte ta shfaqte si punë diplome, me kursin e katërt të artit dramatik. Për t’i prerë rrugën  dyndjes së studentëve për të parë një shfaqje të ndaluar (drama duhej të shfaqej, sepse  ishte punë diplome) u vendos nga partia që shfaqja të jepej  në Teatrin Popullor  me dyer të mbyllura dhe me një kontroll të rreptë ndaj pjesmarrësve. Në këtë shfaqje erdhi dhe Nexhmije Hoxha (drejtore e shtypit dhe propagandës në KQ). Kur mbaroi shfaqja askush nuk guxoi të duartrokasë, askush nuk e uroi regjisorin për punën e  bërë. E ndieja sikur isha rrethuar prej një lloj ajri të helmuar që po më mbyste. Drama nuk u shfaq më, sepse Nexhmija e kishte parë me urrejtje prej sadisteje, si një vepër që guxonte të kritikonte udhëheqësin e lavdishëm të partisë.

 

Naum Prifti i lindur në Rehovë, Kolonjë, më 7 mars 1932. Në 1953, mbaron Politeknikumin Mjekësor në Tiranë. I pasionuar pas letërsisë, vazhdon studimet për Gjuhë e Letërsi Shqipe në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Gjatë viteve 1954-1960,  ka shërbyer si redaktor në revistën “Hosteni”. Ndërsa nga 1960-67 si redaktor në revistën “Ylli”. Më pas ka punuar si arsimtar nga 1967-70 në Divjakë të Lushnjes i larguar nga partia  pas dramës  “Rrethimi i bardhë” me motivacionin për të njohur realitetin shqiptar socialist, që mungon në këtë dramë. Në 1970-72  ka pasur përgjegjësinë si redaktor përgjegjës për buletinin  “Skena e fëmijëve”, pranë Shtëpisë Qendrore të Krijimtarisë Popullore, Tiranë dhe si inspektor teatri në Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës gjatë 1974-76. Në këto vite ka shërbyer edhe si pedagog i jashtëm për Letërsinë Shqipe në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1991, emigron në Amerikë (Ne ë York). Në vitin 1995, zgjidhet sekretar i Federatës Panshqiptare Vatra, detyrë që e ka edhe sot. Për punën e tij të gjatë, të vazhdueshme letrare dhe me nivel artistik, është Dekoruar nga Kuvendi Popullor me Medaljen e Punës dhe “Urdhrin Naim Frashëri, klasi ll-të”. Krijimtaria e tij letrare është e larmishme dhe shtrihet në disa gjini: tregime, drama, komedi, novela, skenarë filmash, pjesë për teatrin e kukullave, skenarë për filma vizatimorë, biografi, artikuj kritikë, publicistikë etj. Janë thuajse 100 vepra letrare, më shumë se vite jete.

  1. Plenumi IV i KQ të Partisë për letërsinë dhe artet 1973. 3. Dramaturgë, regjizorë, skenografë të dënuar dhe të burgosur. 4. Rrëfen regjisori i burgosur Mihal  Luarasi.  5. Ali Oseku piktor dhe skenograf në dosjen “Kubisti”. 6. Koha dhe rivlerësimi i dramave të ndaluara.

 Naum Prifti

Plenumi IV i KQ të Partisë për letërsinë dhe artet 1973.

Duke shfletuar librin e Mexhit Prençit “Drama dhe spektakli i ndaluar”

Në fillim të viteve 1970  shqiptarëve iu hap një dritare; televizori. Futja e televizorëve për partinë ishte e rrezikshme, sepse populli do të njihej edhe me botën perëndimore, do të merrte informacione më të plota për zhvillimin dhe qytetërimin e saj. Kryeministri i Shqipërisë M. Shehu futjen e televizorëve në Shqipëri e komentoi si futjen e agjentëve të rrezikshëm të imprerializmit dhe revizionizmit modern dhe bëri thirrje për vigjilencë revolucionare. Në male të lartë u ngritën zhurmues që të pengonin shikuesit të mos kontaktonin me televizionet italiane, jugosllave, greke. I vetmi mjet informimi duhej të ishte televizioni shqiptar. Njerëzit sajuan lloje të ndryshme  antenash që neutralizonin zhurmuesit. Programet televizive të huaja ndikuan në mendime dhe në vizione të reja për jetën. Ndikimet e huaja u ndjenë edhe në fushën e dramës, prandaj për çdo dramë  drejtuesit e shtetit dhe të partisë  kërkonin informacion të plotë. Mexhit Prençi kujton:  -“Kishte dalë në qarkullim drama “Një natë e shkurtër qershori” e Minush Jeros, botuar në revistën “Teatër”, që e drejtoja unë (1971) . Më merr në telefon Ismail Hoxha, specialist për kulturën dhe artin në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë. Më thotë se shoku Hysni Kapo kërkon të dijë pse e keni botuar këtë dramë? Ulem dhe shkruaj pesë faqe me argumente ideologjike për bisedat dhe debatet e komisarit partizan me  përfaqësuesit e ballit kombëtar. Theksova se epërsia e komisarit është në shkallë të lartë. Ai fiton mbi të. H .Kapo lexon letrën dhe thotë: “Mirë, mirë, nuk kam ndonjë gjë, thuaju atyre botuesve” dhe tërë gëzim Ismaili shton “Shpëtove”. Isha i preokupuar dhe shqetësuar se çfarë do të botoja më vonë. Mendova që drama “Mosha e bardhë” e Dritëro Agollit ishte më e sigurt të botohej nga rreziku ideologjik, edhe sepse flitej që Dritëroi do të bëhej Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve. Pasi mbaroi procesi i shtypjes të kësaj drame dhe ishte gati për qarkullim, më thërret drejtoresha L. Çoçoli me urgjencë të paraqitesha në redaksi. Kryeministri Mehmet Shehu sapo kishte lexuar dramën “Mosha e bardhë”. Kishte marrë në telefon Ministrin e Arsimit dhe të Kulturës Th .Deljana, dhe i kishte thënë:  “Shikojeni këtë dramë”. Nuk i kishin pëlqyer qëndrimet liberale të personazheve të rinj në një tablo, të cilët ishin gjithë gjallëri, jetë, me humor hidh dhe prit me njeri- tjetrin, sidomos nuk i kishin pëlqyer dy personazhet kryesorë,  Bato Barmashi dhe Neribani. Dramën e lexuan edhe disa funksionarë në Komitetin Qendror dhe këshilluan drejtoreshën që ta kthenin në karton meqë nuk e ka pëlqyer Kryeministri. Sinjalin e parë të ndikimeve të huaja në publik e dha Festivali i XI në Radio-televizion i vitit 1972.  Regjisura e festivalit nga Mihal Luarasi ishte e mrekullueshme në tërë elementet regjisoriale. Spektakli i festivalit përshkohej nga eleganca, duke nisur që me veshjen e orkestrës, të këngëtarëve, të konferencierëve. Lëvizje dhe gjeste të  lira, që nuk ishin parë në asnjë festival. Fryma e re liberale u shfaq dhe në tematikën e teksteve të këngëve. Tema mbizotëruese ishte e dashurisë së lirë. Nuk pati tekste ku të rinjtë dashuroheshin mbi traktor, në hapjen e kanaleve dhe tokave të reja. Tekstet e Haxhi Ramës përshkoheshin nga fryma liberale. Muzika ritmike e Agim Krajkës, të kënduarit lirshëm të këngëtarëve Sherif Merdani, Besnik Taraneshi, Lindita Theodhori nuk u pritën mirë duke filluar që nga Udhëheqësi. Sipas udhëzimeve të reja u vunë në lëvizje administrata dhe institucionet drejtuese kulturore. Analiza, debate, tubime të artistëve u organizuan duke filluar me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, me redaksitë e revistave, të gazetave. Kudo ndjehej një atmosferë e frikshme. U mobilizuan kritikët duke vënë në shënjestër çdo krijim letrar dhe artistik, që kishte shkelur vijat e bardha të ideologjisë socialiste,” -analizon Mexhit Prençi.

Nesër do lexoni:

– Në fushën e dramës u vunë në shënjestër dramat e Fadil Paçramit, të Minush Jeros, Petro Markos, Ibrahim Uruçit, Dhimitër Xhuvanit etj

-Si u mbivlerësuan dramat e politizuara si: “Toka jonë”, “Cuca e maleve”,  “Halili dhe Hajria “, “Pas vdekjes” etj

– Në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve para Plenumit të IV të KQ, 1973 u organizua një takim i posaçëm vetëm për dramaturgjinë nga Ramiz Alia

Fadil Paçrami, u cilësua si dramafabrikues, që i kundërvihej vijës së partisë në fushën e letërsisë dhe artit

– Një ndër ata që guxuan të mbrojnë veten  duke thënë të vërtetën ishte regjizori Kujtim Spahivogli

-Debat i aspër mes Ramiza Alisë dhe Kujtim Spahivoglit, Kujtimi mbronte Fadil Paçramin, Ramizi i thoshte fol për vete

-. Drama “Njollat e murrme”, në Festivalin kombëtar të teatrove, në vitin 1969 , fitoi Flamurin e festivalit.