Abaz Hoxha: Operacioni i qershorit, lufta e Qafës së Gjarpërit dhe takimi me Mehmet Shehun

93
Sigal

 

– Detyra e parë që m’u dha ishte të drejtoja kursin kundër analfabetizmit

Ja si u zhvillua Operacioni gjerman i qershorit (2-27 qershor), 1944

-Takimi im i parë me Mehmet Shehun më 5 qershor 1944

– Batalioni ynë i I-rë dhe i III-të i saj mori drejtimin Përmet-Frashër-Staraveckë

– Qafa e Gjarpërit dhe Guri i Prerë u bënë simbol i heroizmit

Abaz Hoxha, veteran

 

Un në fillim të operacionit u inkuadrova në kompaninë e tretë të Bat.I-rë Br. V-të S, që qëndroi disa ditë në fshatin Postenan të Leskovikut. Duke marë parasysh se rreth 70 për qind e partizanëve të brigadës ishin analfabetë, luftës kundër analfabetizmit ju kushtua një kujdes i madh. Koha e lirë midis betejave i kushtohej kurseve kundër analfabetizmit. Detyra e parë që m’u dha ishte të drejtoja kursin kundër analfabetizmit prandaj gjeta një çantë prej lecke, blemë disa lapsa dhe fletore të cilët i premë më dysh dhe ua shpërndamë partizanëve që nuk dinin shkrim e këndim, ndërsa unë një dërrasë të zezë dhe disa shkumësa që shkruaja gërmat e alfabetit dhe zhvilloja mësimin. Këtë kurs e vazhdova me partizanë të ndryshëm deri në fund të luftës. Kur kaluam në Shqipërinë e mesme dhe të Veriut, më ngarkuan edhe me detyrë që të flisja për disa probleme politike dhe të edukimit të marra nga disa burime të huaja. Më kujtohet se më ra në dorë një artikull i M.Kalininit që fliste mbi kuadrot. Unë këto leksione i mësoja përmendësh dhe as vetë nuk i kuptoja ato që u thosha të tjerëve. Në dhomë me mua në Postenan ishte edhe Qemal Hetemi, një partizan 16- vjeçar nga Bolena e Vlorës. Për herë të parë më dhanë një pistoletë model i vjetër dhe si çdo kureshtar fëmijë fillova ta zbërtheja dhe ta pastroja atë. Kur desha ta mbërtheja përsëri më dilnin pjesë tepër dhe mbasi u mundova pa sukses e mblodha në një shami dhe shkova tek im vëlla, Lufteri, që n’atë kohë kryente funksionin e Zv/komisarit të batalionit. Mbasi më vuri në lojë, ai e mbërtheu dhe ma dha përsëri. Të nesërmen desh e bëra një gafë të madhe. Nga gëzimi që tashmë edhe unë kisha një pistoletë e shikoja me zili dhe bëja sikur po qëlloja me të duke marrë në shenjë objekte të ndryshme. Për një çast harrova që pistoleta kish një plumb në gojë dhe ia drejtova atë Qemalit dhe papritur pistoleta u shkrep, plumbi kaloi pranë supit të tij, por fatmirësisht ai nuk më denoncoi për këtë veprim që qe duke i marrë jetën. Disa ditë më vonë më dhanë edhe një pushkë të shkurtër që i thoshin “Topçi” mbasi kur shkrepje me të, ajo nxirte një flakë të madhe nga gryka, duke të krijuar përshtypjen e një topi. Kjo pushkë më vonë do të më hapte telashe.

Një nga vendimet kryesore të Kongresit të Përmetit

Një nga vendimet kryesore të Kongresit të Përmetit ishte edhe krijimi i formacioneve të mëdha ushtarake dhe marshimi drejt Shqipërisë së Mesme dhe të veriut për të spastruar edhe këto zona nga pushtuesit dhe bashkëpuntorët e tyre, që u vunë haptas nën komandën gjermane dhe u përpoqën të pengonin lëvizjen e forcave tona drejt veriut. Në këtë kuadër, u krijua dhe Divizioni i I sulmues në përbërjen e të cilit merrnin pjesë Brigada e I, Brigada e IV-të dhe Brigada e V-të. Unë isha ende një fëmijë dhe nuk dija se ç’ishin planet operative dhe strategjike të gjermanëve, as për synimet e tyre, unë isha vetëm një luftëtar në mbrojtje të atdheut. Por do të merrja vesh se synimet e gjermanëve ishin që me veprime të shpejta mësymëse, të asgjësonte Ushtrinë Nacionalçlirimtare dhe pushtetin e ri të krijuar në këto zona dhe kështu të krijonte mundësi për të tërhequr pa pengesa forcat e saj të dislokuara në Shqipëri, të cilat t’i përdorte për të ndaluar përparimin e forcave të Ushtrisë Sovjetike në frontin

e Lindjes, sikurse edhe t’u krijonte bashkëpunëtorëve të tyre kushtet për të shtrirë sundimin në të gjithë Shqipërinë. Në rast se ky qëllim nuk do të arrihej plotësisht, gjermanët parashikonin që, me anën e kësaj ofensive, të paktën të evitonin rrethimin e trupave gjermane në Greqi e Shqipëri dhe t’u siguroheshin atyre rrugët e tërheqjes përmes territorit shqiptar. Drejtimin e kësaj ofensive gjermanët ia ngarkuan gjeneralit Loher, i cili grumbulloi për këtë qëllim forcat e Korpusit të 21-të dhe 22-të. Edhe bashkëpunëtorët e tij, forcat reaksionare dhe mercenare vendase, grumbulluan për këtë ofensivë disa mijra mercenarë që vepronin në bashkëveprim me gjermanët. Në marshimin drejt veriut tre brigadave iu caktuan drejtime të ndryshme. Brigadës së 5-të, mbas largimit nga rrethi i Kolonjës iu caktua drejtimi Sulova-Dumre-Qafë Thanë-Krrabë-Mat ndërsa batalioni ynë i I-rë dhe i III-të i saj mori drejtimin Përmet-Frashër-Staraveckë. Më 5 qershor të gjithë batalionet u grumbulluan në katundin Potom ku u zhvillua edhe mbledhja e gjithë efektivit të brigadës dhe u fol për vendimet e Kongresit të Përmetit dhe detyrave të reja që iu caktuan brigadës sonë. Në emër të shtabit të Përgjithshëm dhe të komandës së divizionit përshëndeti Mehmet Shehu, “Vjosa”, të cilin unë ende nuk e njihja nga afër, as si fytyrë. Ndërkohë gjermanët kishin filluar mësymjen e tyre të madhe për asgjësimin e forcave partizane që u quajt “Operacioni i Qershorit 1944”. Në këtë kuadër, të gjithë brigadave dhe batalioneve iu caktuan zonat e tyre të mbrojtjes dhe kundërmësymjes. Natën e 5 qershorit të gjitha forcat e brigadës sonë marshuan nga Potomi për të zënë pozicionet e caktuara. Batalioni ynë i parë kishte për detyrë të mbulonte rajonin Moglicë-Zarec-Qafë e Gjarpërit dhe ishte në qendrën kryesore të sulmit armik në Qafën e Gjarpërit. Gjatë rrugës nga Përmeti drejt Qafës së Gjarpërit nuk na u nda një avion gjuajtës gjerman dhe mbeti i vrarë një nga shoqëruesit tanë të misionit anglez.

Takimi i parë me Mehmet Shehun, “Vjosën”

Duke iu ngjitur kodrës për të zënë Qafën e Gjarpërit u ulëm dhe bëmë një pushim në faqen e saj. Ndërkohë po vinin drejt nesh, duke u ngjitur dy kalorës të armatosur. Ata ndaluan para meje dhe duke më parë me dashuri e dhëmbshuri, njëri prej tyre m’u drejtua: -“A do t’i mundim gjermanët, more trim?” Unë u ngrita pa vetëdije në këmbë, mbajta drejtqëndrim, nderova me grusht dhe iu përgjigja:  -“Do t’i mundim, shoku komandant!” Nuk e njihja se kush ishte se nuk e kisha parë kurrë nga afër por fakti që ai ishte mbi kale, mendoja se do ishte ndonjë komandant i rëndësishëm. Ai zbriti nga kali, më përqafoi dhe iu drejtua shokëve të mi partizanë: -“Po, do t’i mundim pa tjetë,r kur në radhët tona veprojnë edhe fëmijë kaq të vendosur për të mbrojtur Atdheun.” Më përqafoi edhe një here, i hipi kalit dhe vazhduan rrugën duke iu ngjitur kodrës. Kur ata u larguan unë e pyeta një shokun tim që kisha pranë: -“Kush ishte ai që më pyeti?”-“Pse nuk e ke njohur ti, -më tha Qemali- Ai është “Vjosa”,Mehmet Shehu”. Shtanga në vend. Pse nuk më thatë më parë. Kaq shumë kisha dëgjuar dhe e pata pranë e nuk munda të bisedoja me të. M.Shehu ishte bërë një legjendë. Emri i tij i koduar “Vjosa” ishte bërë tmerr i armikut, ai kishte krijuar një personalitet të padiskutushëm në të gjithë Zonën Operative Vlorë-Gjirokastër, për vendosmërinë dhe trimërinë e tij. Emri i tij i kishte tmerruar armiqtë dhe bashkëpunëtorët e tyre. Vetë gjermanët shkruanin për t: “ Mehmet Shehu, një udhëheqës ushtarak i një kualiteti të përsosur.” Dhe unë papritur, këtë legjendë të luftës partizane e pata kaq pranë, pa e ditur se kush ishte. Emri dhe prania e tij u jepte kurajo partizanëve për t’u hedhur me devocion në luftë, u jepte guxim dhe i bënte më të vendosur.

Si vazhduan luftimet …

Natën e 6 qershorit të gjitha forcat partizane zunë në luftë e sipër të gjithë sektorët e caktuar. Forcat tona nuk e pritën armikun të afrohej, por filluan menjëherë të kundërsulmonin në mënyrë të befasishme kundër një force të madhe gjermane të divizionit 297, të përforcuar me të gjitha llojet e armëve. Kjo ishte përleshja më e madhe dhe më e ashpra në historinë e rrugës luftarake të brigadës së pestë dhe veçanërisht, të batalionit të parë dhe të tretë, që ishin në qendër të sulmit gjerman. Kjo ishte edhe pjesëmarrja ime e parë në luftë kundër trupave pushtuese. Gjermanët bënë një rezistencë të egër, në një terren gjysëm pyjor, duke kaluar edhe në përleshje trup me trup në disa sektorë të batalionit të pare, kur partizanët e tij kishin ecur aq përpara saqë ishin përzier me formacionet luftarake të armikut. Në sajë të kësaj rezistence të vendosur, gjermanët u detyruan të tërhiqen në drejtim të Moglicës. Më 7 qershor komanda gjermane duke futur në luftim forca të reja të mbështetura edhe nga zjarri i fuqishëm dhe i përqëndruar i artilerisë, bëri përpjekje të reja për të çarë përpara në drejtim të Qafës së Gjarpërit dhe Gurit të Prerë. Më në fund armiku arriti të avancojë me shumë ngadalësi në drejtim të malit të Devries, por me humbje shumë të mëdha. Isha ende pa përvojë. Akoma nuk e dija frikën por i tërhequr nga tregimet e trimërisë partizane, vrapoja përpara në këmbë, duke shtirë në drejtim të armikut me pushkën time të shkurtër që lëshonte një flakë të madhe. Komisari i kompanisë Vasil Nerënxi më kapi nga mbrapa dhe më uli me forcë për tokë: -“Ej, ç’farë bën kështu! Ku po shkon në këmbë, në dasëm, se do vritesh. Sa më rrallë qëllo, edhe me atë topçiun tend, se bën shumë flakë dhe do të zbulohesh nga armiku” (ishte natë). Kur ai më uli për tokë një breshëri plumbash goditën dhe mu  para meje dhe pluhuri e balta më mbuluan fytyrën. Aty fillova ta ndieja frikën dhe nën shembullin e shokëve më të rritur fillova të zvarritesha dhe duke bërë dredha që t’u shpëtoja plumbave. Në një çast dëgjova pak më poshtë një “Oh!” Kur u afrova pashë se ishte partizania me trupin lastar nga Tragjasi, që ende nuk i kish mbushur të njëzet vjetët, Raime Stepa (Imeraj). Atë e goditi një plumb në ije. Por nuk e dha veten dhe nxori nga brezi një granatë dhe ia hodhi një mitralieri gjerman që pak më poshtë po qëllonte drejt nesh. Mitralozi heshti dhe ajo ashtu e gjakosur u hoq zvarrë dhe mori mitralozin gjerman dhe filloi të qëllonte kundër tyre. Kjo nuk vazhdoi gjatë se një oficer me pistoletë arriti nga mbrapa dhe e goditi në kokë. Gjermanin e vramë por edhe Raimeja ra heroikisht në krye të detyrës. Në anën e djathtë tonën po luftonte Nysret Xhelua, djali i patriotit Halim Xhelo nga Tërbaçi, që në atë kohë kryente detyrën e përgjegjësit të rinisë së kompanisë sonë. Ai ishte futur thellë në radhët e armikut, por një granatë gjermane e rrëzoi për tokë. Ai thirri dhe një partizan rreth 50 vjeçar-që ne e quanim plak, i vajti në ndihmë, e mori në krahë për ta transportuar lart drejt kodrës, në prapavijë ku ishin partizanët e rinj, që ende nuk kishin armë. Por kur ai e mori në krahë, një plumb tjetër e goditi në tëmth dhe Nysreti ndërroi jetë. Pa arritur ende tek kodra, u godit nga një plumb edhe partizani që e kish marrë në krahë dhe ai u rrëzua për tokë, pa arritur t’ua dorzonte shokëve, shokun e vrarë. Nuk më harrohet ajo skenë. Granata gjermane Nysretit i kishte shkëputur gjithë mishin e kofshës dhe i kish mbetur kocka e gjakosur. Për pantallonat nuk bëhesh fjalë…. Sa kishte rënë nata. Batalioni u mblodh në majën e kodrës në Qafën e Gjarpërit dhe komisari i batalionit, Kadri Hazbiu, po na fliste për betejën e afërt me gjermanët. Pas fjalës së tij filloi mbledhja dhe riorganizimi i kompanive dhe skuadrave. Por ende pa e nisur ne sulmin, gjermanët na sulmuan të parët. Në skudrën ku bëja pjesë edhe unë ishte edhe Qemal Hetemi, partizani 16 -vjeçar nga Bolena, për të cilin u fol më lart që unë gati e vrava me veprimet e mia axhami, duke lozur me pistoletën që kisha marrë. Qemali disa ditë më parë kishte marrë një pallto të madhe ushtarake nga ato që na kishin hedhur me parashutë anglezët. Ishte një gëzim i madh të kishe një pallto të tillë në kushtet kur shumica e jonë ishin të zhveshur dhe me tesha zhele-zhele, prandaj kush e kishte atë fat e ruante si një gjë të shenjtë njëlloj sikurse edhe armët, e ndiente veten të privilegjuar dhe të nderuar. Qemali para se ne të niseshim në sulmin kundër gjermanëve e hoqi pallton dhe ia dha komandantit të togës duke i thënë:

-“Shoku komandant merreni këtë pallton dhe ta mbajnë këtu shokët që nuk do marrin pjesë në luftë. Se mos vritem e bëhet me gjak.”

Ishte fjala për partizanët e rinj që do mbeteshin në prapavijë, se ende nuk kishin armë. Kjo ishte bërë si rregull që sendet e rënda, gjatë veprimeve luftarake, liheshin në prapavijë për të qenë sa më të lirë. Dhe sikur ai e kishte parandjerë. Në atë përleshje Qemali u vra. Trupin e tij e prunë në kodër dhe e vendosën pranë Raimes, Nusretit dhe partizanit tjetër që u përpoq të shpëtonte shokun e tij të plagosur dhe u vra edhe vetë.

Përfundimi luftimeve

Aty nga ora tre e mëngjesit luftimet u ndërprenë dhe gjermanët me humbje të mëdha u tërhoqën. Gjermanët zakonisht e kishin shumë të vështirë të luftonin natën, kjo ishte taktika jonë. U kthyem në majën e kodrës ku fillimisht ishin pozicionet e mitralozëve tanë para sulmit. Të lodhur mbasi kishim udhëtuar gjithë ditën dhe përleshur në betejë gjatë gjithë natës, unë shkova me komisarin Idai Bejo në pozicionin e mitrolozit, ku ishte edhe mitralieri partizan. Atje më zuri gjumi, me kokën e mbështetur tek këmba e Idaiut. Edhe ata i zuri gjumi. Kur papritur, ende pa u zbardhur dita, u dëgjuan të shtëna të pandërprera të pushkëve automatikëve, mitralozave dhe predha të pandërprera artilerie. U ngritëm në tmerr. Për herën e parë në luftën partizane shikoja gjermanët të rreshtuar, të bërë gardh, që marshonin përpara drejt nesh, sup më sup. Ishte një sulm i befasishëm. Ne ndodheshim në majë të kodrës, por marrja e kodrës nga ana e tyre do të ishte një katastrofë e vërtetë, mbasi mbas nesh ishte një e tatëpjetë e madhe që shkonte poshtë deri tek një fshat në rrëzë të saj. Po të merrnin ata kodrën, do të na shuanin të gjithë. U krijua një panik nga sulmi i befasishëm gjerman. Shumë partizanë ikën në panik në drejtime të ndryshme, kush të shpëtonte, mitrolozat e rëndë shkoi trekëmbshi në një anë, tyta në anën tjetër dhe municioni në tjetrën anë. Ishte situatë e vështirë por që pengoi asgjësimin e plotë veprimi i shpejtë i Idaiut, i cili i rrëmbeu mitrolozin mitralierit u ngrit në këmbë dhe filloi të qëllonte me breshëri në drejtim të gjermanëve për të frenuar marshimin e tyre. Po kështu ishte heroizmi i mitralierit tjetër, Kalem Dushani, i cili mori mitralozin e tij, që ishte rreth 15 metra në krahun tonë të djathtë, hipi në një gorricë që ndodhesh atje dhe qëlloi me zjarr të pa ndërprerë në drejtim të gjermanëve. Por e pashë atë që pas pak sekondash u godit nga një automatik gjerman dhe ra për tokë nga pema. Të dy këto akte heroike, vonuan sulmin gjerman dhe u dhanë mundësinë partizanëve të zbrisnin me shpejtësi kodrën dhe të kalojnë lumin e Osumit dhe të fillonim ngjitjen drejt majës së malit të Tomorrit. Ndërkohë gjermanët kapën kodrën ku ndodheshim ne, vendosën atje artilerinë dhe filluan të na qëllonin kur ne po i ngjiteshim Tomorrit derisa arritëm të merrnim veten dhe të zinim pozicione pas disa shkëmbinjve dhe t’i kundërvepronim sulmit gjerman. Kur ne po përpiqeshim t’i ngjiteshim malit thikë të Tomorrit, forcat gjermane filluan të na qëllonin me artileri të dendur para se ne të zinim pozicionet mbrojtëse. Ishte një mrekulli kur skuadra jonë, ku në këtë kohë së bashku me ne ishte edhe Zonja Çurre, po i ngjitesh një faqeje zallishte, një predhë ra midis nesh, por çuditërisht nuk vrau ose plagosi asnjërin, por vetëm se na tronditi dhe na bllokoi veshët nga shpërthimi i saj. Ata u përpoqën të kalonin Osumin për të na ndjekur por tashmë forcat tona ishin grumbulluar dhe u bëmë një rezistencë të fortë. Shumë gjermanë që u përpoqën të kapërcenin lumin, gjetën vdekjen duke u rrëmbyer nga valët e lumit. Derisa u errësua, ata nuk mundën ta kapërcenin lumin për të na ndjekur dhe ne, iu ngjitëm lart drejt majës malit të Tomorrit. Kur filloi të zbardhesh dita, ne ende nuk e kishim arritur majën dhe ata filluan të na qëllonin me artileri, por pa na shkaktuar humbje. Kur u ngjitëm në majë, gjetëm atje disa çobenë skraparllinj të cilët na dhanë qumësht dhe djathë të njomë nape. Mbasi u qetësuam tek stanet e çobenëve skraparllinj, u nisëm në kërkim të forcave të tjera të brigades, nga të cilat ishim shkëputur. Papritur, u gjendëm para forcave të brigadës së pare, të cilat duke menduar se nuk kishte të tjera forca partizane prapa, qenë gati duke na sulmuar. Fatmirësisht u morëm vesh duke përdorur emrat e komandantëve dhe të komisarëve të batalionit tonë. Qafa e Gjarpërit dhe Guri i Prerë u bënë simbol i heroizmit, ato ishin nga luftimet më të ashpra në historinë luftarake të brigadës së pestë.Vërtetë që në Qafën e Gjarpërit ne patëm humbje të mëdha ku ranë heroikisht 24 partizanë duke përfshirë edhe komandantin trim të kompanisë Vasil Gjiknuri, si dhe rreth 20 të plagosur, por edhe gjermanëve kjo ofensivë u kushtoi akoma më shtrenjtë se lanë rreth 120 të vrarë dhe shumë të plagosur. Vetëm gjatë përpjekjejeve të tyre për kalimin e lumit Osum, u vranë mbi 15 ushtarë dhe oficerë, trupat e të cilëve i rrëmbente lumi i Osumit.