Zyrtari gjerman Fuchtel viziton Kosovën, premton përkrahje prej 11 milionë eurosh

461
Sekretari parlamentar i shtetit në Ministrinë Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik në Gjermani, Hans–Joachim Fuchtel, gjatë një vizite që është duke zhvilluar në Kosovë ka paralajmëruar përkrahje financiare prej 11 milionë eurosh. Këtë gjë Fuchtel e premtoi gjatë takimit të sotëm me ministrin kosovar të financave Avdullah Hoti dhe me ministrin për integrime evropiane Bekim Ҫollaku, ku paralajmëroi ndarjen e mjeteve të reja për bashkëpunim teknik dhe financiar në fushën e nxitjes ekonomike dhe të punësimit në shumën prej 11 milionë euro për vitin 2016. Sipas komunikatës, këto mjete u destinohen fushave të shkollimit dual, punësimit të të rinjve, nxitjes ekonomike, si dhe një linje të re kreditore në fushën e ekonomisë së gjelbër (Green Economy). Sekretari parlamentar i shtetit Fuchtel ka nisur vizitat nga 17 janari nëpër tre vende partnere të Evropës juglindore, ndër të cilat edhe në Kosovë.
Sigal

Sipas tij, Gjermania përkrah shtetin më të ri në kontinentin e Evropës qysh nga mbarimi i luftës së Kosovës në vitin 1999. Përveç vizitës së ndërmarrjes për ngrohje publike Termokos, një ndërmarrje bujqësore dhe një vendbanimi të banuar me romë, delegacioni do të informohet edhe rreth punës së Qendrës Informuese Gjermane Për Migracion, Arsim dhe Karrierë (DIMAK). “Bisedat me ministrat Hoti dhe Ҫollaku nuk kishin të bënin vetëm me shkëmbimet aktuale rreth temave të migrimit dhe riatdhësimit, por edhe rreth mundësive se si Gjermania mund të ndihmoj më shumë në të ardhmen në krijimin e perspektivës për njerëzit në vendin e tyre. Në kuadër të kësaj ai paralajmëroi mjetet e reja në shumën prej 11 milionë eurosh”, thuhet më tej. Gjithashtu, në Banjallukë ai inauguroi një sistem të furnizimit me ujë dhe përpunimit të ujërave të zeza, i cili ishte financuar nga bashkëpunimi gjerman për zhvillim. Në Serbi, MPiSh Fuchtel bisedoi me ministren serbe për integrim në EU. Përveç kësaj, në fokus ishin edhe temat ekonomike, gjendja e pakicave, por edhe përkrahja për refugjatët.