Zaev dhe Ahmeti arrijnë akordin për parimet e bashkëpunimit

474
I mandatuari për formimin e qeverisë në Maqedoni, lideri i LSDM-së Zoran Zaev, është takuar me kreun e BDI-së Ali Ahmeti, për të diskutuar mbi parimet e bashkëpunimit, reformat qeveritare dhe anëtarësimin e vendit në BE e NATO.

Edhe pse asnjëri nga liderët nuk është prononcuar në media për këtë takim dhe komunikata zyrtare e partive thekson se është diskutuar vetëm çështja e bashkëpunimit, mediat në Maqedoni kanë filluar të aludojnë edhe për emrat e mundshëm që do të zënë postet e ministrave në qeverinë Zaev, si: Oliver Spasovski, Zoran Verushevski, Mila Carovska, Dragan Tevdovski, Teuta Arifi e Radmilla Sheqerinska.

Mediat gjithashtu raportojnë se partitë shqiptare mund të marrin tetë ministri. Sipas komunikatës zyrtare të partive, bisedimet mes palëve do të vijojnë, ndërkohë që Zaev pritet të komunikojë edhe me partitë e tjera shqiptare, Besa dhe Aleanca për Shqiptarët, të cilat kanë dhënë mbështetjen e tyre për qeverinë e ardhshme të Maqedonisë.

Pritet që pas këtij kontakti të fillojë edhe ndarja e ministrive. Kushtetuta parashikon datën 6 qershor si afatin e fundit për formimin e qeverisë së re, por Zaev është shprehur se kjo mund të arrihet edhe më herët se afati i përcaktuar.
Sigal