Z. Engel: Nderim Azem Hajdarit, heroit që ndërtoi demokracinë në Shqipëri!

518
Sigal

Dhoma e Përfaqësuesve nderon figurën e Azem Hajdarit. Iniciativa e marrë nga kongresmeni Eliot Engel

Z. Kryetar, unë ngrihem sot për të nderuar Azem Hajdarin, udhëheqësin demokratik shqiptar dhe deputetin, i cili u vra në vitin 1998. Sot, më 12 shtator, shënohet 15- vjetori i vdekjes së tij tragjike.

Lindur në vitin 1963, në një familje të klasës punëtore, Azem Hajdari u rrit në rajonin malor verior të Shqipërisë në “Bajram Curri”. Gjatë kohës që ai ishte student në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, kolapsi i Bashkimit Sovjetik çoi në rritjen e trazirave popullore në shtetet komuniste në Europën Qendrore dhe Lindore. Në Shqipëri, mijëra vetë shkuan në ambasadat e huaja në përpjekje për t’u larguar nga vendi. Ndërsa tensionet politike dhe shoqërore vazhduan të rriteshin, në Dhjetor 1990, studentët filluan protestat kundër kushteve në përkeqësim të jetesës së tyre.

Azem Hajdari u angazhua për ndryshime demokratike në Shqipëri dhe shpejt u shfaq si një lider i lëvizjes studentore. Demonstratat studentore ndihmuan në rënien e shpejtë të regjimit, atëherë Azemi u bë një nga themeluesit e Partisë Demokratike, parti e parë politike jo-komuniste në Shqipëri, që prej Luftës së Dytë Botërore.  Ai u bë Kryetari i parë i Partisë Demokratike i zgjedhur në Parlamentin shqiptar në vitin 1991, vend në të cilin ai përkrahu reformat demokratike.
Në vitin 1997, Azemi u qëllua brenda Parlamentit shqiptar dhe u plagos rëndë, por gjithsesi ai nuk u frikësua. Ai këmbënguli në misionin e tij për të ndërtuar demokracinë në Shqipëri, pavarësisht disa përpjekjeve të tjera që do t’i rrezikonin jetën. Megjithatë, më 12 shtator 1998, Azemi u vra, kur po largohej nga zyra e partisë së tij në Tiranë.
Vdekja e Azem Hajdarit tronditi kombin dhe, pas vdekjes ai u konsiderua si një Martir i Demokracisë. Përmes fjalëve dhe veprimeve të tij, ai e mësoi popullin e Shqipërisë se, liria nuk dhurohet, ajo duhet fituar me luftë, vendosmëri dhe besim.
Gjatë konfliktit në Kosovë, Azemi mbështeti kërkesëm për liri dhe lëvizjen për pavarësi të Kosovës. I kushtoi kohë të konsiderueshme dhe energji kauzës kosovare. Ai ishte një mik i ngushtë i ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Sot, Shqipëria ka bërë përparime të mëdha. Ajo ka një sistem politik të gjallë dhe është anëtare e NATO-s, gjithashtu, shqiptarët janë në gjendje të udhëtojnë lirisht në të gjithë Europën.  Po ashtu, Kosova është një vend i lirë dhe i pavarur, që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Si Shqipëria dhe Kosova po ndërtojnë demokraci të forta, ashtu si Azemi kishte ëndërruar.
Azem Hajdari ka marrë shumë çmime pas vdekjes së tij. Në ditën që do të kishte qenë ditëlindja e tij e 50-të, në fillim të këtij viti u nderua me “Urdhri i Flamurit të Shqipërisë”; “Nderi i Kombit”  dhe “Gjergj Katriot Skenderbeu” (“Urdhri i Skënderbeut”), të cilat i janë dorëzuar nga Presidenti shqiptar Bujari Nishani dhe ish -presidentët Alfred Moisiu e Bamir Topi.

 Në përvjetorin e 15-të të vdekjes së parakohshme të Azem Hajdarit, populli shqiptar do të nderojë edhe një herë më shumë një udhëheqës të vërtetë historik të lëvizjes demokratike të Shqipërisë. Në këtë ditë, 12 shtator, shqiptarët nga i gjithë vendi dhe nga e gjithë bota, duke përfshirë shqiptarët e Kosovës, do të mblidhen për të kujtuar Azemin në banesën e tij të fundit të prehjes, në “Varrezat e Dëshmorëve” të Tiranës.

Z. Kryetar, Azem Hajdari ishte një kampion i fuqishëm i vlerave demokratike dhe hero për shumë shqiptarë. Me respekt kërkoj që ju dhe kolegët e mi të  tjerë të nderuar të bashkoheni me mua t’i njohim Azem Hajdarit, kontributin e tij historik për ndërtimin e demokracisë në Shqipëri!