Vuçiç falenderon Rusinë për tanket dhuratë: Po forcojmë ushtrinë

231
Sigal

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç shprehu, të shtunën, mirënjohje për presidentin rus Vladimir Putin dhe Rusinë për dhurimin e të paktën 30 tankeve modernë dhe automjete të blinduara.

Gjatë një vizite në kazermën e Nishit, Vuçiç deklaroi se me këto dhurime Serbia synon të forcojë më tej ushtrinë e saj dhe ‘të mund të parandalojë çdo agresor të mundshëm’.

Ministri i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviç, i cili shoqëronte Vuçiçin theksoi se ky është vetëm fillimi i bashkëpunimit Serbi-Rusi sa i takon mjeteve ushtarake:

“Ky nuk është fundi i bashkëpunimit tonë, por vetëm fillimi i një faze të re. Rusia do të vazhdojë të dorëzojë automjete të blinduara dhe lloje të tjera armësh në mënyrë që Serbia të forcojë sovranitetin e saj.”

Dhurimi i mjeteve luftarake është pjesë e një marrëveshjeje mes presidentit serb Aleksandar Vuçiç me Ministrin rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu në vitin 2016. Kjo marrëveshje u miratua më vonë nga Presidenti rus, Vladimir Putin.

Donacioni përfshin gjithashtu gjashtë avionë luftarakë MiG-29 dhe 30 automjete të blinduara zbuluese BRDM-2.