Vizita ne Ballkan – Mogherini qëndron sot në Prishtinë dhe Mitrovicë

528
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, do të vizitojë sot Kosovën. Ajo do të qëndrojë në Prishtinë dhe Mitrovicë.

Gjatë vizitës, Mogherini do të takohet me autoritetet politike, duke përfshirë presidentin Hashim Thaçi, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, kryeministrin Isa Mustafa dhe udhëheqësit e partive politike parlamentare, përfshi ato opozitare.

Në agjendën e dërguar nga Zyra e BE-së, konfirmohet se ajo do të vizitojë urën e Mitrovicës, ku kohët e fundit kishte zhvillime dramatike në lidhje me ndërtimin e parkut mes pjesës jugore dhe veriore të qytetit. Aty, Bashkimi Evropian është i përfshirë në projektin për lëvizjen e lirë mbi dhe përreth urës kryesore mbi lumin Ibër.

Njëherësh, vizita e Mogherinit vjen në kohën e zhvillimeve tjera politike në Kosovë, siç janë paqartësitë rreth ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, si kusht i Kosovës për t’u përfshirë në liberalizimin e vizave.

Mogherini është ndërmjetësuese edhe në procesin e bisedimeve Prishtinë – Beograd, dhe pritet që ajo të adresojë edhe çështjen e marrëveshjeve të Kosovës me Serbinë në procesin e dialogut të Brukselit.

Vizita e Mogherinit në Kosovë po realizohet në kuadër të një turni që ajo po zhvillon në rajonin e Ballkanit.

Gjatë vizitës në Beograd, Mogherini ka mbajtur një fjalim para Parlamentit të Serbisë, por aty ajo është penguar nga deputetët e Partisë Radikale Serbe të Vojisllav Sheshelit, të cilët kanë brohoritur “Serbia, Rusia, nuk na duhet BE-ja”.

Mogherini nuk e ka ndërprerë fjalën e saj, ndërkohë që në një moment ka porositur se nuk do të lodhet dhe ta ruajnë zërin për fushatën presidenciale që pritet të zhvillohet në Serbi.

Para vizitës në Serbi, Mogherini qëndroi edhe në Maqedoni, kurse në mbrëmjen e të premtes, ajo vizitoi Shqipërinë. Me vizitën e sotme në Kosovë, ajo përmbyll turneun ballkanik.
Sigal