Video / Saldatori shpik autoblindin ushtarak me forcat e veta

307
Sigal

Një qytetar nga fshati Bellanicë i komunës së Malishevës ka ndërtuar një automjet të ngjashëm me autoblindat.

Krijuesi novator, Refki Zogaj, ka thënë për Kallxo.com se automjetin e ka ndërtuar vetëm në sajë të ideve të veta, pa iu referuar ndonjë skice për ndihmë. Autoblinda ka madhësinë e një xhipi dhe i ka marrur një vit për t’u përfunduar nga Zogaj, i cili ka thënë se nuk ka punuar vazhdimisht.

Kallxo.com me anë të një video zbulon detajet, ku  Zogaj ka treguar se si ka ngritur blindin e ri, si prototip, ndonëse nuk është një inxhinier me diplomë dhe si i është dashur një vit kohë për të krijuar makinën e parë ushtarake.

Me madhësinë e një xhipi, autoblinda lëviz sikurse ato që ndërtohen në fabrika që prodhojnë automjete ushtarake. Refki Zogaj, i cili është saldues i certifikuar nga organizata gjermane GIZ dhe AIEX-i austriak, thotë se për ta ndërtuar autoblindën nuk ka pasur kurrfarë skice dhe e tëra është në bazë të ideve të tij.

Gjithashtu, ai tregon për materialin që përdori për ta ndërtuar autoblindën. “Llamarinën e ka 5 mm, kjo këtu, poshtë 10 mm dhe llamarinë ka mjaft në Kosovë, por tek kthesat dhe elementet tjera ne nuk kemi asi teknike të fortë, jemi munduar, por punë dore është punuar kjo krejt”, thotë Refkiu.

Ai tregon se si i përshtati pjesët e autoblindës së tij. “Më është dashur xhamat për t’i zvogëluar, sepse automjetet e luftës nuk është mirë xhami me qenë shumë i madh”, shton ai.

Autoblinda është funksionale dhe lëviz përmes zinxhirëve. Përveç drejtuesit ajo zë edhe 6 persona dhe ka një dritare në tavan, ku mund të rrijë një ushtar me armën e tij.

“Për me e ndezur me elës, sikur krejt mjetet e tjera, e ka pedalën e frenit dhe gazit. Kjo ecë në mënyrë hidraulike, timon nuk ka, me këtë kthehet në anën e djathtë dhe të majtë, këtu hapet dhe mbyllet dera. Këto janë pajisjet për me funksionu autoblinda”, shton ai.

Refki Zogaj tregon se autoblindën e ka porositur Alban Kastrati, mërgimtar në Zvicër, dhe i dedikohet dëshmorit Ibrahim Mazreku.

Në fund Zogaj ka një urim të veçantë për bashkatdhetarët. “Pa bashkatdhetarët nuk ka jetë në Kosovë, pasi ne fabrika nuk kemi dhe përveç dëshmorëve që kanë dhënë kontribut për Kosovës, të dytit janë bashkatdhetarët që e mbajnë këtë vend”, thotë Refki Zogaj.