Vatikan, konfirmohet rasti i parë me koronavirus

334
Sigal

Në Vatikan është regjistruar rasti i parë i një pacienti me koronavirus. Lajmi është bërë i ditur nga drejtori i zyrës së shtypit të Selisë së Shenjtë Matteo Bruni gjatë një takimi me gazetarët.

“Sot në mëngjes Drejtoria e Higjienës Sanitare është mbyllur dhe është pezulluar puna në ambulatorët mjekësorë në Vatikan. Ka nisur procesi i dezinfektimit dhe i higjienizimit, pas verifikimit të pacientit të parë pozitiv me koronavirus në Selinë e Shenjtë”, tha ai.

Vatikani ka adoptuar masat drastike të parandalimit të përhapjes së këtij virusi duke pezulluar të gjitha mbledhjet, eventet sociale dhe aktivitetet formuese. Në ambientet e mbyllura lejohet një numër i limituar personash për të respektuar distancën të paktën 1 metër nga njëri-tjetri.

Selia e Shenjtë rekomandon gjithashtu banorët e saj të evitojnë sa të mundin udhëtimet e në rast simptomash gripi të mos paraqiten në repartin e Shërbimit të Rojës Mjekësore në qendrat ambulatore por të kërkojnë një vizitë mjekësore në shtëpi.