Ukraina paralajmëron për rritje të aktivitetit ushtarak nga Bjellorusia

108
Sigal

Forcat e armatosura të Ukrainës kanë paralajmëruar për rritje të aktivitetit ushtarak dhe të trupave nga Bjellorusia, në afërsi të kufirit me Ukrainën.

“Forcat e armatosura të Republikës së Bjellorusisë kanë intensifikuar operacionet e zbulimit, po vendosin njësi shtesë në zonat kufitare në rajonin Homel”, tha Shtabi i Përgjithshëm ukrainas më 23 maj.

“Rreziku për sulme me raketa dhe sulme ajrore nga territori bjellorus ende qëndron”, u tha në njoftim.

Pas kësaj deklarate nga Ukraina, Ministria e Mbrojtjes së Bjellorusisë tha se ka nisur atë që e quajti “fazë të re të kontrollit” të pajisjeve ushtarake për të mbikëqyrur lëvizshmërinë dhe kapacitetin e ushtrisë.

Bjellorusia zyrtarisht nuk ka marrë pjesë në luftën e nisur nga Moska kundër Ukrainës më 24 shkurt, por ka lejuar që territori i saj të përdoret nga forcat ruse si territor për të nisur sulme ndaj tokës ukrainase.

Por, teksa presidenti bjellorus, Alayksandr Lukashenka, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, po përballen me izolim ndërkombëtar, dy liderët u takuan më 23 maj për të tretën herë brenda muajit.

Takimi në qytetin Soçi në Detin e Zi u përqendrua në luftën në Ukrainë, teksa Lukashenka falënderoi Perëndimin që “i dha shtysë zhvillimit tonë”.