U firmos nga vetë Biden, SHBA sfidon Kinën në një tjetër “luftë”

114
Sigal

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka firmosur një legjislacion të ri që parashikon një rritje të investimeve në mikroçipë dhe në kërkimin shkencor, me qëllim rritjen e konkurrencës së SHBA-së në krahasim me fuqitë e tjera të mëdha ndërkombëtare.

Megjithatë, Biden ka siguruar se Kina është përpjekur të ndikojë në mënyrë që ky ligj i ri të mos ecë përpara: “Nuk është për t’u habitur që Partia Komuniste Kineze ushtron presion aktiv ndaj kompanive amerikane kundër këtij projektligji”.

Ligji parashikon një investim total prej 280 miliardë dollarësh, nga të cilat 52,7 miliardë synojnë nxitjen e ndërtimit dhe zgjerimit të fabrikave kombëtare të gjysmëpërçuesve me subvencione dhe kredi shtesë.

Biden shpjegoi se “më shumë se 30 vjet më parë, në Amerikë bëhej 40% e prodhimit botëror të këtyre çipave”, por më pas “ndodhi diçka” dhe sot prodhohen vetëm “10% e gjysmëpërçuesve”.

Presidenti i SHBA-së e ka quajtur ligjin “një investim një herë në një brez në Amerikë”, që do të nxisë krijimin e vendeve të punës dhe do të rrisë ekonominë e vendit.

Shtëpia e Bardhë e ka paraqitur këtë legjislacion si një zgjidhje për sfidat e zinxhirit të furnizimit të theksuara nga pandemia e koronavirusit, gjatë së cilës mungesat globale të gjysmëpërçuesve shkaktuan vonesa të prodhimit në automobila dhe elektronikë.