Turqia projekton dronin e ri kombëtar me peshëngritje 4,5 tonë

516
Në kuadër të sofistikimit të industrisë së mbrojtjes dhe reduktimit të vartësisë nga furnizuesit e huaj, Turqia po zhvillon një dron kombëtar të ri me peshëngritje 4,5 tonë.
Kompania turke “Baykar Makina”, e njohur për punën e suksesshme të saj në fushën e mjeteve ajrore pa pilot, ka nisur projektimin e një droni të ri.
“Tani jemi duke punuar mbi një projekt me peshëngritje 4,5 tonë. Ky dron do të fluturojë më lartë, do të qëndrojë më shumë në ajër dhe do të realizojë misione më të ndryshme”, deklaroi drejtori teknik i “Baykar Makina”, Selçuk Bayraktar, në një brifing mbi dronin e ri kombëtar të Turqisë.
Përveç kësaj – theksoi Bayraktar – në mënyrë intensive po vazhdon edhe puna në lidhje me projektin e reaktivëve të telekomanduar, i cili njihet zyrtarisht si Avioni Luftarak Kombëtar pa Pilot.
“Droni me motor reaktiv do të mund të fluturojë në 40 mijë këmbë lartësi, pra, rreth 13 mijë e 300 metra, duke arritur një shpejtësi maksimale deri në 0,8 MACH, që do të thotë 850 kilometra në orë”, shtoi ai.
Forcat e Armatosura të Turqisë, Komanda e Përgjithshme e Xhandarmërisë dhe Policia kanë gjithsej 30 drone taktike të llojit “Bayraktar”, nga të cilët 8 modele janë të armatosur.
Selçuk Bayraktar njoftoi gjithashtu se 16 drone të tjera do të prodhohen dhe do t’u dorëzohen forcave turke të sigurisë gjatë periudhës në vijim.
Sigal