Tensioni me Ankaranë, Athina shton patrullimet e ushtarëve në kufi

599
Tensionet janë shtuar mes Turqisë dhe Greqisë që prej ndalimit të dy ushtarëve grekë, të cilët kaluan ditë më parë kufirin veri-perëndimor të vendit për shkak të motit të keq. Në një shenjë të qartë të rritjes së shqetësimeve nga përshkallëzimi i situatës, shteti helen ka vendosur të shtojë numrin e trupave patrulluese në kufi. Deri më tani, zonën e patrullonin vetëm dy ushtarë, por nga këtej e tutje, atje do të vendosen 7 të tillë. Në bazë të udhëzimeve të lëshuara nga Ministria Greke e Mbrojtjes, taktika të reja do të përdoren edhe në kundërpërgjigjen që do t’i jepet eventeve të ngjashme. Drejtuesi i saj, Panos Kammenos deklaroi një javë më parë, se dy ushtarët grekë po mbaheshin peng në Turqi, ndërsa të shtunën i tha të përditshmes franceze “Liberation”, se Greqia është shumë pranë një incidenti fatal me Turqinë. Deri më sot, kujtoi ai, episode të tilla, si kalimi aksidental i kufirit, ishin zgjidhur ndërmjet shtabeve të përgjithshme të dy vendeve. Të mos harrojmë, se nuk bëhet fjalë thjesht për ushtarë grekë, pasi ata janë edhe ushtarë të BE-së e ushtarë të NATO-s, ndaj kjo çështje duhet të ishte zgjidhur paqësisht me Aleaten tonë të Aleancës Veri-Atlantike, Turqinë. Kjo situatë, sipas ministri grek, tregon se vendi i tij është praktikisht në mëshirën e çdo incidenti që mund të ndodhë, në çdo moment edhe me rojën bregdetare, flotën etj. Ai lëshoi dhe një paralajmërim për Ankaranë, i bindur se përmes shkeljes së hapësirës ajrore dhe asaj detare greke, ajo po përpiqet të ushtrojë presion mbi Evropën. Ne jemi të detyruar të mbrojmë territorin tonë, deklaroi Kamenos, i cili nuk është vetëm grek, por edhe evropian.
Sigal