Tensionet në Veri/ Sulmohen makinat e policisë së Kosovës në Zveçan

87
Sigal

Xhamat e një veture të Policisë së Kosovës janë thyer para pak çastesh në Zveçan.

Një automjet që ishte duke qarkulluar nga objekti i komunës së Zveçanit, në drejtim të Mitrovicës, te udhëkryqi, theu xhamat e një veture të Policisë së Kosovës.

Automjeti që sulmoi veturën e Policisë, ka ikur nga vendi i ngjarjes, raporton KP. Ndërkohë, edhe vetura e ekipit të Kallxo.com është sulmuar këtë të mërkurë në Zveçan.

Lajmin e ka bërë të ditur Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, të cilët kanë thënë se për fat të mirë nuk ka të lënduar.

“Një sulm tjetër është shënuar gjatë ditës së sotme ndaj veturës së ekipit të kallxo.com, në Zveçan. Në fotografitë e publikuara nga media, shihet se protestuesit lokalë i kanë thyer xhamat veturës, e që fatmirësisht nuk ka të lënduar”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

Ky shënon sulmin e 17 ndaj mediave që po raportojnë nga komunat veriore të Republikës së Kosovës, që nga dita e hënë.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, u bën thirrje kolegëve gazetarë, kameramanë e fotoreporterë, që të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit, dhe në asnjë mënyrë të mos rrezikojnë sigurinë e tyre për hir të raportimit”, thuhet më tej në deklaratë.