Të zbatojnë urgjentisht marrëveshjet! Kosova e Serbia, ‘zbardhet’ raporti i progresit

Komisioni Evropian do të kërkojë nga Kosova dhe Serbia që, pa vonesa, të ndërmarrin hapa në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes tyre, si dhe obligimeve të tjera, të dala nga procesi i dialogut. Kjo porosi është përfshirë në draftet e Raporteve të Progresit si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, të cilat do të miratohen në Bruksel në fund të këtij muaji. Radio Evropa e Lirë ka parë tekstet e tyre, ku i tërhiqet vëmendja të dy palëve se rrugëtimi i tyre drejt BE-së është i kushtëzuar me procesin e normalizimit të raporteve mes tyre, që tashmë është edhe formalisht një obligim për të dyja vendet. Në draftin e raporteve thuhet se Kosova dhe Serbia kanë marrë pjesë në dialog, por nga to kërkohet që të demonstrojnë më seriozisht dhe në mënyrë më konstruktive përkushtim për të ecur përpara. Kosovës dhe Serbisë u kërkohet që të evitojnë veprimet dhe retorikat nxitëse, që rrezikojnë stabilitetin dhe nuk janë në përputhje me dialogun dhe pajtimin. Si pengesë në procesin e normalizimit përmendet mungesa e hapave nga ana e Serbisë për të nxjerrë para drejtësisë autorët e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, por përmendet edhe mungesa e hapave konkretë nga Kosova për të nisur procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në raport vlerësohet se tensionet në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe, mbeten të larta dhe përsëriten kritikat ndaj autoriteteve të Kosovës për ato që cilësohen si “veprime të pakoordinuara”, të cilat thuhet se kanë nxitur tensione. Ndërsa vazhdimi i bojkotimit të institucioneve të Kosovës nga ana e serbëve konsiderohet si “prapakthim serioz i Serbisë në zbatimin e obligimeve që rrjedhin nga dialogu”. Ndërsa Kosovës i kërkohet asociacioni, për serbinë thuhet në raport se zbatimi i marrëveshjes për normalizim, është pjesë formale e kornizës negociuese për anëtarësimin e Serbisë në BE, në kapitullin 35. Kështu që për Serbinë, kapitulli 23, që ka të bëjë me sundimin e ligjit, dhe normalizimi i raporteve me Kosovën do të kushtëzojnë dinamikën e procesit të integrimit. Paketa e zgjerimit dhe Raportet e Progresit për dhjetë vende në këtë proces do të miratohen në takimin e Komisionit Evropian të mërkurën, më 30 tetor, në Bruksel.

Sigal