Sigal

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pritet të takohen mëngjesin e së premtes në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini. për të diskutuar rrugët për një marrëveshje normalizimi ndërmjet të dyja vendeve.

Takimi ndodh pak ditë pasi që të dy presidentët kërkuan mbështetjen ndërkombëtare për çfarëdo marrëveshje që arrihet në bisedime, qoftë edhe nëse ajo nënkupton ndryshim kufijsh.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vucic e ka shpallur politikë të tij vënien e kufijve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, që nënkupton ndarjen tokësore të Kosovës.

Ndërsa, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi edhe të enjten në një konferencë të ambasadorëve në Prishtinë, ritheksoi idenë e tij për korrigjimin e kufirit, që nënkupton bashkimin e Luginës së Preshevës, një rajon me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, me Kosovën.

As presidenti i Serbisë, e as presidenti i Kosovës nuk kanë shpalosur ndonjë hollësi se si mund të dukeshin e zbatoheshin idetë e tyre. Në asnjërën nga paraqitjet e tij, presidenti Thaçi nuk e ka shpjeguar se në ç’kushte do të pranonte Serbia të heqë dorë nga Lugina e Preshevës dhe çfarë mund të përfitojë ajo. Një ide e tillë nuk është komentuar asnjëherë nga presidenti serb i cili ka përsëritur se marrëveshja duhet të jetë e dhimbshme për të dyja palët.

Të dy pohojnë se arritja e marrëveshjes do të jetë shumë e vështirë.