Sulmi në resortin e madh turistik, 37 persona vdesin nga asfiksia

536
Të paktën 37 persona humbën jetën në një resort turistik në Manila të Filipines, pasi ai u sulmua nga një person i armatosur. Siç raportojnë mediat ndërkombëtare, viktima gjetën vdekjen si pasojë e asfiksisë nga tymi.

Shefi i policisë së Filipineve tha se personi i armatosur kishte hyrë në zonën e lojërave në resort, duke u vënë zjarrin disa tavolinave. Ai shtoi se ishte qëlluar me armë zjarri, por se plumbat nuk u ishin drejtuar të pranishmëve në sallë.

Autoritetet policore filipinase kanë përjashtuar mundësinë për sulm terrorist të lidhur me ISIS, pasi asnjë nga viktimat nuk ka plagë me armë zjarri në trup.

Sulmi u regjistrua pak pas mesnatës, me orën lokale. Nga resorti popullor turistik “World Manila” që ndodhet pranë aeroportit ndërkombëtar, u dëgjuan krisma armësh dhe shpërthime.

Forcat speciale “SWAT”, efektivë policie, zjarrfikëse dhe ambulanca, u dërguan menjëherë në zonë. Pamjet e shfaqura në televizion treguan njerëzit teksa largoheshin të frikësuar nga hoteli. 

Kompleksi turistik, më i madhi në Filipine, përfshin katër hotele, kazino, restorante, bare, klube, kinema dhe teatro.
Sigal