Sulmet ajrore në një treg në Jemen vrasin më shumë se 45 persona

457
Një sulm i madh ajror, i koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, i cili ka pasur për cak rebelët në Jemen, ka goditur një treg të hënën, duke vrarë më shumë se 45 civilë, thonë zyrtarët e sigurisë dhe dëshmitarët, shkruan AP.
Më shumë se 50 civilë u plagosën nga sulmi që ndodhi në Fayoush, në veri të qytetit port të Adenit, kanë thënë zyrtarët, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti.
“Unë erdha këtu menjëherë pas shpërthimit dhe kam parë dhjetrëra persona të vrarë”, ka thënë banori i këtij vendi Abu-Ali al-Azibi.
Zyrtarët, të cilët thanë se nuk janë as me rebelët Huthi, as nuk i përkasin kampit të presidentit në ekzil, treguan se koalicioni fillimisht kishte kryer sulme ajrore mbi caqet e rebelëve në mbarë në 9 provinca dhe sulmi i fundit kishte qenë mbi këtë treg të Adenit.
Rebelët e kanë marrë nën kontroll kryeqytetin Sanaa në muajin shtator. Në mars, koalicioni i Arabisë Saudite i mbështetur nga koalicioni i Shteteve të Bashkuara, ka filluar sulmet ajrore kundër rebelëve dhe aleatëve të tyre.
Sipas Kombeve të Bashkuara, më shumë se 3,000 njerëz janë vrarë në Jemen që prej muajit mars, nga ta mbi 1,400 civilë.
Rebelët Huthi dhe trupat besnike të ish-presidentit Ali Abdullah Saleh janë duke luftuar kundër trupave besnike të presidentit Abed Rabbo Mansour Hadi dhe aleatëve të tij. Hadi është në ekzil në Arabinë Saudite.
Sigal