Sulme kibernetike në prag të zgjedhjeve në Gjermani/ Komisioni Europian akuza ndaj Rusisë

59
Sigal

Së fundmi zhvilime të shumta po ndodhin në politikën europiane. Komisioni Evropian ka akuzuar Rusinë se po përpiqet të ndërhyjë në proceset demokratike evropiane, vetëm disa ditë para zgjedhjeve parlamentare të së dielës në Gjermani.

“Shtetet Anëtare të BE-së kanë vërejtur aktivitete kibernetike me qëllim të keq, të përcaktuara kolektivisht si ‘Ghostwriter’, dhe i kanë lidhur ato me shtetin rus”, tha Komisioni Evropian në një deklaratë të premten.

Aktivitete të tilla janë të papranueshme pasi kërkojnë të kërcënojnë integritetin dhe sigurinë tonë, vlerat dhe parimet demokratike dhe funksionimin thelbësor të demokracive tona”, thuhet më tej në deklaratë.

Akuzat vijnë derisa gjermanët do të dalin në votime për të zgjedhur një pasardhës për kancelaren Angela Merkel, e cila po tërhiqet pas 16 vjetësh në detyrë.

Sipas BE-së, sulmet kishin në cak “anëtarë të shumtë të Parlamenteve, zyrtarë qeveritarë, politikanë dhe anëtarë të shtypit dhe shoqërisë civile në BE duke hyrë në sistemet kompjuterike dhe llogaritë personale dhe duke vjedhur të dhëna”.

Politikanët dhe zyrtarët gjermanë ishin në mesin e atyre që ishin në cak të aktiviteteve kibernetike ruse me qëllim të keq, tha një zyrtar i BE-së për CNN.