Stoltenberg: Sulmet ajrore ruse në Siri minojnë bisedimet e paqes

563
AMSTERDAM- Sulmet ajrore ruse në Siri po minojnë përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit në vend, deklaroi sot sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, disa ditë pasi një ofensivë ushtarake e regjimit detyroi pezullimin e bisedimeve të paqe në Gjenevë. Rusia është kritikuar nga Perëndimi për mbështetjen ushtarake të presidentit Bashar al-Assad, aleat i Moskës, me fushatën e bombardimeve kundër rebelëve që ka filluar që në muajin shtator të vitit të kaluar. Ndërkohë, edhe një koalicion nën drejtimin amerikan po kryen sulme ajrore në Siri duke shënjestruar ISIS-in.
Shumë fuqi rajonale dhe perëndimore kanë kritikuar Rusinë për goditjen ajrore të rebelëve që ato mbështesin. Bisedimet për paqen në Siri, të ndërmjetësuara nga OKB-ja dhe që po zhvillohen në Gjenevë, u pezulluan këtë javë pas fushatës ajrore të bombardimeve nga rusët dhe trupat e regjimit kundër zonave nën kontrollin e rebelëve që qytetin e Alepos. “Sulmet ruse, të drejtuara kundër opozitës në Siri, po minojnë përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje politike të konfliktit”, deklaroi Stoltenberg në Amsterdam.“Aktiviteti ajror rus po krijon tensione dhe shkelje edhe të hapësirës ajrore turke”, theksoi ai.
Sigal