Statusi, Michael Roth: Sfidat janë të mëdha. Jo ligje, por zbatim të tyre

486
Sigal

Intervista e Sekretarit të shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane dhënë për “Deutsche Welle”

Sekretari i shtetit në Ministrinë e Jashtme gjermane Michael Roth porosit nevojën e veprimit urgjent për zbatimin e reformave, që BE kërkon nga Shqipëria. Vendimtar jo miratimi i ligjeve, por zbatimi i tyre në praktikë. I pyetur se kur parashikohet të mundësohet hapja e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë, z. Roth tha se:“Fakti, që Shqipëria ka marrë statusin e kandidatit për anëtarësim, është një sukses i bukur. Bëhet fjalë për një miratim të përparimeve në rrugën e reformave. Bashkimi Evropian me të drejtë kërkon shumë nga ato vende, të cilat dëshirojnë të bëhen anëtar i BE-së. Shqipëria bëri një hap të suksesshëm në drejtimin e duhur, ndërsa shpejtësia e afrimit e mëtejshëm me BE-në varet kryesisht nga vendosmëria, të cilën do ta tregojë Shqipëria lidhur me kryerjen e reformave të tjera. Të mos biem në iluzione: Sfidat janë akoma të mëdha! Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe reformimi i sistemit gjyqësor janë fusha me rëndësi thelbësore, të cilat kanë nevojë për veprim urgjent. Lidhur me këtë, duhet thënë se, kriteri vendimtar nuk do të jetë miratimi i ligjeve, por vënia e tyre në jetë, zbatimi i tyre në praktikë. Ndërsa për faktin se si mund ta ndihmojë BE Qeverinë shqiptare në zbatimin e reformave në sistemin gjyqësor, ndalimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, ai u shpreh se: “Asnjë vend nuk do të lihet pas dore në rrugën e tij për në BE. Mbështetja merr forma të shumëllojshme, duke qenë se procesi i reformave, me qëllim që të ecë përpara me sukses, duhet të depërtojë në tërë shoqërinë. Nëpërmjet misionit EURALIS, i cili e mbështet sistemin gjyqësor shqiptar, afrimi i rendit juridik me standardet e BE-së shoqërohet me anë të ndihmës teknike të shteteve anëtare të BE-së. Krahas kësaj ka edhe një numër programesh teknike, të cilat për shembull i kushtohen reformimit të administratës publike, infrastrukturës së transportit – veçanërisht në zonat rurale – apo mbrojtjes së mjedisit në zonat bregdetare. Se fundmi, por po aq e rëndësi, ne i japim mbështetje edhe zhvillimit shoqëror në Shqipëri, duke përfshirë mbrojtjen e pakicave”.

Zoti Roth, samiti i BE vendosi këtë të premte që t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Por ky mund të konsiderohet si një hap simbolik, meqenëse Shqipërisë i duhet të zbatojë me rigorozitet reforma. Kur parashikohet se do të mundësohet hapja e bisedimeve për anëtarësimin?

-Fakti, që Shqipëria ka marrë statusin e kandidatit për anëtarësim, është një sukses i bukur. Bëhet fjalë për një miratim të përparimeve në rrugën e reformave. Bashkimi Evropian me të drejtë kërkon shumë nga ato vende, të cilat dëshirojnë të bëhen anëtar i BE-së. Shqipëria bëri një hap të suksesshëm në drejtimin e duhur, ndërsa shpejtësia e afrimit e mëtejshëm me BE-në varet kryesisht nga vendosmëria, të cilën do ta tregojë Shqipëria lidhur me kryerjen e reformave të tjera. Të mos biem në iluzione: Sfidat janë akoma të mëdha! Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe reformimi i sistemit gjyqësor janë fusha me rëndësi thelbësore, të cilat kanë nevojë për veprim urgjent. Lidhur me këtë, duhet thënë se kriteri vendimtar nuk do të jetë miratimi i ligjeve, por vënia e tyre në jetë, zbatimi i tyre në praktikë.

Zoti Roth, ju theksoni nevojën e veprimit urgjent përsa i përket ndalimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe reformimit të sistemit gjyqësor. Si mund ta ndihmojë BE Qeverinë shqiptare në zbatimin e reformave në këto drejtime?

-Asnjë vend nuk do të lihet pas dore në rrugën e tij për në BE. Mbështetja merr forma të shumëllojshme, duke qenë se procesi i reformave, me qëllim që të ecë përpara me sukses, duhet të depërtojë në tërë shoqërinë. Nga njëra anë kuptohet se duhet përmendur ndihma financiare: në vitin 2013, për afrimin e Shqipërisë me BE-në janë vënë në dispozicion gjithsej 95 milionë euro nga buxheti i BE-së. Mirëpo, jo më pak të rëndësishme janë edhe programet e BE-së, synimi i të cilave është që bashkërisht të arrijmë përmirësime konkrete në Shqipëri. Sa i përket tematikës vërtet thelbësore të sundimit të ligjit, programi EURALIS luan një rol shëmbullor. Nëpërmjet këtij misioni, i cili e mbështet sistemin gjyqësor shqiptar, afrimi i rendit juridik me standardet e BE-së shoqërohet me anë të ndihmës teknike të shteteve anëtare të BE-së. Krahas kësaj ka edhe një numër programesh teknike, të cilat për shëmbull i kushtohen reformimit të administratës publike, infrastrukturës së transportit – veçanërisht në zonat rurale – apo mbrojtjes së mjedisit në zonat bregdetare. Se fundmi, por po aq e rëndësi, ne i japim mbështetje edhe zhvillimit shoqëror në Shqipëri, duke përfshirë mbrojtjen e pakicave.

Shqipëria që në vitin 2009 kishte paraqitur kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian, mirëpo iu desh që të pritej disa vjet, para se të merrte statusin e kandidatit.

-Për çdo hap, i cili bëhet në rrugën e afrimit me BE-në, duhen plotësuar më parë disa kushte të përcaktuara qartë. Kjo do kohë dhe shpeshherë është tepër e mundimshme. Unë e di se Qeverisë shqiptare i kërkohet vazhdimisht marrja e vendimeve shumë të guximshme. Fakti që dhënia e statusit të kandidatit tashmë ka qenë e mundur, buron edhe nga përpjekjet e mëdha të Qeverisë shqiptare lidhur me reformat.

Shqipëria i bashkangjitet tani Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë, që zyrtarisht e kanë marrë statusin e kandidatit. Por ky status nuk u është dhënë akoma Bosnjës dhe Kosovës. A përmban ky hap përpara i Shqipërisë edhe një inkurajim e një perspektivë për këto dy vende?

-Perspektiva e BE-së vazhdon të ekzistojë për të gjitha vendet në rajon. Ne shpresojmë që vendimi pozitiv për Shqipërinë të shërbejë si shtytje e mëtejshme për vendet e tjera në rajon, që reformat e domosdoshme t’i nisin dhe t’i zbatojnë me më shumë energji.

Sa ka ndikuar konflikti në Ukrainë dhe acarimi i marrëdhënieve me Rusinë, si pasojë e këtij konflikti, ndaj vendimit për t’i dhënë sot Shqipërisë statusin e kandidatit?

-Vendimi që Shqipërisë t’i njihet statusi i kandidatit për anëtarësim në BE është marrë vetëm e vetëm në bazë të zhvillimit në Shqipëri.

Sa kohë parashikohet se i duhet Shqipërisë deri në pranimin si anëtar i BE-së?

-Kjo nuk mund të parashikohet akoma. Hapi i ardhshëm do të jetë fillimi i negociatave për anëtarësim. Se kur mund t’i fillojmë negociatat dhe sa do të zgjasin, për këtë tani për tani mund të bëjmë vetëm spekullime.