Sekseri dhe vendi i punës me “çmim të arsyeshëm”

582
Sigal

Sot, rolin kryesor në zgjidhjen e problemeve kryesore në vend, e kanë sekserët 

Sekserët po mbushin çdo ditë institucionet dhe ndërmarrjet e shtetit në gjithë vendin. Ata po bëhen “zëdhënësit” e drejtorit, shefit, deputetit dhe po ofrojnë vende të reja pune “me çmime të arsyeshme”. Sekserin do ta takosh tek dera e institucionit, tek zyra e ndërmarrjes, tek kafja karshi, duke folur dhe biseduar me hallexhinjtë, që afrohen dhe duan të takojnë titullarin dhe kërkojnë një vend pune. Shqipëria ka sot mijëra të papunë, ndërkohë që ka qytete të mëdha, që renditen me numrin më të lartë të ushtrisë së të papunëve, (Elbasani, Shkodra apo edhe Durrësi) ashtu siç ka edhe qytete të vogla me shanset zero për punësim. Por, sekserët ofrojnë një tjetër tablo, ata ofrojnë vende të reja pune, nga roje objekti tek zyrtari, nga inspektori tek tatimori, nga polici tek shoferi, nga veterineri tek ekonomisti, nga infermieri tek oficeri, nga nëndrejtori tek kuzhinieri, nga mekaniku tek muratori, nga gjyqtari tek prokurori. Pra, tek sekseri gjen gjithçka, gjen vende pune të cilat nuk gjenden tek Zyrat e reja të Punësimit, të cilat hapën dyert e veta para 2 muajsh dhe që sot ato kanë profesione që rrallë gjejnë zbatim në praktikë. Sekserët, kanë madje edhe fletë-hyrje të veçantë në institucionet dhe ndërmarrjet e shtetit. Ata janë njerëzit e afërt të titullarit dhe shefit, ata janë paguesit e kafeve, ata janë shpesh korrierët e administratës, por edhe përfituesit e shpërblimeve të majme. Sipas burimeve zyrtare rezulton se, në 6 muajt e parë të 2014-s, në ndërmarrjet dhe institucionet e shtetit, janë punësuar persona vetëm me ndërmjetësimin e sekserit, vetëm me rekomandimin e sekserit dhe vetëm me miratimin e sekserit. Kjo, pasi sekseri është njëherësh edhe njeriu më i besuar i titullarit. Moda e sekserit ka prishur dukshëm imazhin e qeverisjes së re, kjo pasi sekserët janë sot të kudogjendur dhe miq të çdo krahu politik qeverisës. Edhe para 23 Qershorit, sekseri kishte vendin e tij të nderit. Por, sot ai ka një vend të veçantë, pasi merret me gjetjen e njeriut të duhur për ta punësuar, merret me gjetjen e njeriut të duhur për të fituar tenderin, merret me gjetjen e njeriut të duhur për t’ i marrë 20 përqindëshin. Askush nuk ka sot reputacion siç ka sekseri, askush nuk të zgjidh sot hallin dhe problemin tënd në ndërmarrjet dhe institucionet e shtetit, në organet e drejtësisë e kudo, siç ta zgjidh sekseri. Komprometimi i drejtimit me modën e re të sekserit, është fakti më tronditës që po tregon dhe po degradon jetën sociale dhe shoqërore të shqiptarëve. Po ndalem vetëm tek një rast. Disa ditë më parë isha në një zyrë shteti dhe biseda që bëhej mes dy personash ishte rreth një tenderi, që pritej të bëhej për disa pajisje dhe njeriu negociator dhe më i rëndësishëm, ishte sekseri. Këtë fakt e mësova kur pyeta se, “kush ishte personi që fliste me aq  kompetencë dhe që dëgjohej me aq vëmendje”. Përgjigja ishte, “është sekseri që ka gjetur firmën e duhur”. Kjo situatë duhet të alarmojë dikasteret e shtetit, duhet të zgjojë dhe ndërgjegjësojë shoqërinë shqiptare. Sekserit duhet t’ i shpallet luftë me anë të ligjit, duke i prerë krahët tentakulave të korrupsionit, që janë çimentuar si brenda dhe jashtë institucioneve të shtetit. Sekseri është fatkeqësia e progresit dhe burimi i parave të pista, nga ku po mbushin xhepat e tyre zyrtarët sot. Kjo është aq e vërtetë, sa që për çdo problem sado të vogël, njerëzit sot nuk pyesin ku merr zgjidhje, por kush e zgjidh, duke dalë në kërkim të sekserit, e duke ushqyer haptazi korrupsionin. Shqipëria ka gjasa që duke ecur në këtë rrugë, shumë shpejt një ditë do të quhet “shteti i sekserëve”, pasi kjo epidemi ka nisur të prekë prej kohësh edhe anekset e dikastereve të larta qeverisëse.