Shkollat në Kosovë hapen me 1 shtator, mësimi do të mbahet me prezencë fizike

220
Viti i ri shkollor në Kosovë pritet të fillojë më 1 shtator, me pjesëmarrje fizike të nxënësve në institucionet shkollore dhe me orar të rregullt. Pjesa më e madhe e vitit të kaluar shkollor në Kosovë, por edhe në vende të tjera, është zhvilluar në distancë, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Sigal

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit po synon që më 1 shtator mësimi të zhvillohet me orar të rregullt dhe pjesëmarrje fizike në shkolla, pasi rreth 80 për qind e mësimdhënieve tashmë kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar që viti i ri shkollor pritet të fillojë më 1 shtator, teksa është shprehur se synojnë që kjo të bëhet me pjesëmarrje fizike në shkolla.

“Ashtu siç kemi paralajmëruar, mësimi pritet të fillojë më 1 shtator. Ne synojmë të mbajmë shkollat të hapura dhe mësimi të zhvillohet me orar të rregullt e pjesëmarrje fizike në institucione shkollore. Kjo edhe për shkak se, të gjitha studimet tregojnë se pasojat tek fëmijët për shkak të mbylljes së shkollave kanë qenë të mëdha.Për më tepër, është konstatuar se mbyllja e shkollave vitin e kaluar ka shkaktuar pengesa në qasjen në mësim të rregullt, por edhe pasiguri e stres tek mësimdhënësit në aplikimin e metodave për mbështetjen e nxënësve për edukimin në distancë”.

 

 

Ajo ka thënë se në mënyrë që të mos na përsëritet situata e vitit të kaluar, zgjidhja e vetme është vaksinimi i mësimdhënësve dhe punonjësve administrativ.

“Bazuar edhe në rekomandimet për edukimin në kohë të pandemisë COVID-19 të lansuara në Qershor të vitit 2021 nga Grupi Këshillues Teknik (themeluar nga Drejtori Regjional i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për regjionin e Evropës), objektiv parësor duhet të jetë të mbajturit e shkollave të hapura dhe funksionale, dhe strategjitë shoqëruese siç janë aplikimi i masave mbrojtëse nga infektimi. Në mënyrë që të mos na përsëritet situata e vitit të kaluar, zgjidhja e vetme është vaksinimi i mësimdhënësve dhe punonjësve administrativ. Është përgjegjësi e secilit që ta ruajmë shëndetin tonë dhe të tjerëve”.

Kurse, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj  ka konfirmuar se deri tani rreth 80 për qind e të punësuarve në sektorin e arsimit janë vaksinuar së paku me dozën e parë.

Jasharaj theksoi se janë të gatshëm për fillimin e vitit të ri shkollor dhe janë pro nisjes së mësimit me prezencë fizike në shkolla, por sipas tij, kjo varet nga situata me pandeminë dhe vendimit të institucioneve shëndetësore në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit.

Ditë më parë, Ministria e Arsimit i ka ftuar të gjithë punëtorët e arsimit që vaksinohen, ndërsa theksoi se meqë vendi është në situatë pandemie, paraprakisht duhet të plotësohen kushtet për fillim sa më të mbarë të vitit shkollor.

Sipas të dhënave zyrtare, deri më 20 gusht, janë vaksinuar mbi 55,000 pjesëtarë të stafit arsimor në Kosovë, përfshirë këtu mësimdhënës në arsimin parauniversitar, në arsimin e lartë, por edhe studentë.

Numri i mësimdhënësve në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës është mbi 23,000, por nuk është e qartë se sa prej tyre janë vaksinuar kundër koronavirusit.

Ditëve të fundit në Kosovë është rritur dukshëm numri i të infektuarve me koronavirus, përfshirë këtu edhe fëmijët.

Të hënën, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, janë konfirmuar 16 raste të reja me koronavirus në mesin e fëmijëve të moshës 0 deri në 9 vjeç dhe 112 raste të reja te grup-mosha 10 deri në 19 vjeç.